ATV

Blog

  • Nga OVL-UÇK paralajmërojnë ish-luftëtarët: Mos merrni pjesë në protestën e Shkupit, mund të arrestoheni

    Nga OVL-UÇK paralajmërojnë ish-luftëtarët: Mos merrni pjesë në protestën e Shkupit, mund të arrestoheni

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka bërë të ditur se pjesëmarrja në ngjarjen e nesërme në Shkup është vullnetare dhe se deri më tani nuk janë dhënë garanci për lirinë e lëvizjes mes dy shteteve.

    Në komunikatën e saj, OVL-UÇK shprehet: “Shkuarja është vullnetare dhe besojmë se do të kemi mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve tanë për rrethanat e krijuara. Kjo ngjarje është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare dhe presim mirëkuptimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, e cila është anëtare e NATO-s”.

    “Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marr atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”.

    “Automatikisht, kur futet letërnjoftimi në databazën e policisë kufitare dhe del se je i kërkuar, polici ka detyrim të të arrestojë. Prandaj u themi bashkëluftëtarëve tanë të mos marrin pjesë. Ka plot qytetarë që do marrin pjesë”, thuhet më tej në reagim.

    Organizata thekson se protesta është paqësore dhe ka për qëllim shprehjen e pakënaqësisë për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Sipas OVL-UÇK-së, nesër në Shkup do të bashkohen edhe qytetarë nga Prishtina dhe Tirana.

  • FSK shënon një tjetër arritje: Kadeti Dakaj përfundon trajnimin në Sandhurst

    FSK shënon një tjetër arritje: Kadeti Dakaj përfundon trajnimin në Sandhurst

    Ambasada Britanike në Kosovë ka njoftuar se kadeti i FSK-së, Gent Dakaj, ka përfunduar me sukses trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britani të Madhe.

    Dakaj është nderuar me Medaljen Sandhurst, e cila iu dorëzua nga gjeneralmajori Nick Cowley, komandant i Komandës së Trajnimit Individual të Ushtrisë.

    “Jemi krenarë për këtë arritje të FSK-së,” theksoi Ambasada, duke i uruar suksese Dakajt në karrierën e tij të ardhshme.

    Ky është një tjetër sukses që thekson bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe trajnimit ushtarak.

  • Zhduket një grua në Lëbushë të Deçanit, intervistohen pesë persona

    Zhduket një grua në Lëbushë të Deçanit, intervistohen pesë persona

    Është zhdukur një grua në fshatin Lëbushë të Deçanit, ku djali i saj ka raportuar se nëna ka dalur nga shtëpia më 2 dhjetor dhe nuk është kthyer më.

    Këtë për e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se janë intervistuar pesë persona.

    “Më 6 dhjetor rreth orës 10:40, ankuesi ka ardhur në stacionin policor të Deçanit dhe ka raportuar se e ëma kishte dalë nga shtëpia më 2 dhjetor rreth orës 09:00 dhe nuk është kthyer që atëherë, pa dhënë ndonjë informacion për vendndodhjen e saj”.

    “Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është regjistruar si një rast i personit të zhdukur, ndërsa hetimet dhe kërkimet vazhdojnë intensivisht. Deri më tani janë intervistuar pesë persona, por ende nuk është identifikuar lokacioni ku ndodhet ajo”, thuhet në konfirmim.

    Mediat lokale kanë raportuar se gruaja e cila është zhdukur 55 vjeçarja Pemlushe Sadrija.

  • Rrahje masive në Shkodër, 15 nxënës të përfshirë – tre në spital

    Rrahje masive në Shkodër, 15 nxënës të përfshirë – tre në spital

    Një incident i rëndë ka ndodhur pranë një shkolle në Shkodër, ku ka pasur një përleshje masive mes disa nxënësve të Gjimnazit “Shejnaze Juka”, ku të paktën tre prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Të tre nxënësit janë dërguar në spital për mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa dyshohet janë përdorur mjete të forta dhe prerëse.

    Përleshja ka nisur në ambientet e jashtme të gjimnazit, ndërsa në të janë përfshirë rreth 15 nxënës, disa prej të cilëve ishin të pajisur edhe me doreza hekuri.

    “Rreth orës 11:10, në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në rrugë, duke përdorur mjete prerëse, shtetasi A. K. me shtetasit F. Th. dhe K. Th. (vëllezër)”, njofton policia.

    Sherri ka ndodhur kur nxënësit dolën jashtë ambienteve të shkollës ndërsa një efektiv policie në vendngjarje nuk ka mundur të ndërhyjë për shkak të masivitetit dhe shpejtësisë së sherrit.

    Njëri prej adoleshentëve të lënduar mbante një kapelë me shënimin “Pain don’t hurt”, (dhimbja nuk dhemb) ndërsa në një xhaketë që qëndron jashtë oborrit të shkollës, duken gjurmët e përleshjes.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit. /A2CNN/

  • Masat ndaj Kosovës – OEK i dërgon letër Kallasit, kërkon heqjen e tyre

    Masat ndaj Kosovës – OEK i dërgon letër Kallasit, kërkon heqjen e tyre

    Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë shkaktuar dëme të paimagjinueshme për vendin, sidomos në aspektin ekonomik dhe jo vetëm.

    Në një reagim mbi këtë çështje, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e këtyre masave kufizuese.

    Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, njëkohësisht edhe Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF), i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme, Kaja Kallas, duke shprehur shqetësimin për ndikimin e këtyre masave.

    Në letrën e tij, Rafuna theksoi se këto masa pengojnë qasjen e institucioneve dhe bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim ekonomik, duke pezulluar mbi 600 milionë euro projekte në fushat e mbrojtjes së mjedisit, energjisë, dixhitalizimit dhe infrastrukturës lokale.

    “Oda Ekonomike e Kosovës kërkon heqjen e këtyre masave për të mundësuar qasje të barabartë në instrumentet rajonale dhe për të garantuar që sektori privat i Kosovës të kontribuojë në të ardhmen evropiane të përbashkët,” thuhet në njoftimin e Odës.

  • I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk shfaqet në gjykatë për herë të parë

    I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk shfaqet në gjykatë për herë të parë

    I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk u pa i buzëqeshur gjatë paraqitjes së tij të parë personale në gjykatë.

    Tyler Robinson , i cili akuzohet për vrasje të rëndë pasi, sipas aktakuzës, vrau aktivistin konservator Charlie Kirk ndërsa ai po u drejtohej studentëve, dukej në humor shumë të mirë, shkruan britanikja The Telegraph .

    Deri në këtë seancë dëgjimore, 22-vjeçari Robinson ishte paraqitur në gjykatë ekskluzivisht nëpërmjet videolidhjeve. Avokatët e tij kishin kërkuar ndalimin e filmimit në sallën e gjyqit, por gjykatësi Tony Graf lejoi që një pjesë e seancës të filmohej.

    Robinson akuzohet se e qëlloi për vdekje Kirkun nga çatia e Universitetit të Luginës së Utahut më 10 shtator. Ai u arrestua dy ditë.

    Babai, nëna dhe vëllai i Robinsonit ishin të pranishëm në seancën dëgjimore.

    Për të mbrojtur prezumimin e pafajësisë, Robinsonit iu lejua të vishte rroba civile në vend të uniformës së burgut.

    Robinson u buzëqeshi anëtarëve të familjes që ishin ulur në rreshtin e parë, ku nëna e tij shpërtheu në lot.

    22-vjeçari është akuzuar për vrasje të rëndë, pengim të drejtësisë dhe dy akuza për manipulim të dëshmitarëve. Prokuroria ka njoftuar se do të kërkojë dënimin me vdekje.

    Mediat kombëtare dhe lokale, të cilat e kanë ndjekur nga afër çështjen, e cila ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të profilit publik të Kirkut, kundërshtuan kërkesën e mbrojtjes për të ndaluar kamerat në sallën e gjyqit.

    E veja e Kirkut, Erika Kirk, bëri thirrje për transparencë të plotë, duke thënë: “Kemi të drejtë të kemi kamerat brenda”.

    Charlie Kirk, baba i dy fëmijëve, ishte një nga aktivistët më të shquar konservatorë të gjeneratës së tij, i njohur për organizatën studentore Turning Point USA, dhe gjithashtu veproi si këshilltar joformal i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump ./Reporteri.net/

  • Një tren është përplasur me një kombi në vijën hekurudhore pranë Prishtinës

    Një tren është përplasur me një kombi në vijën hekurudhore pranë Prishtinës

    Një aksident trafiku ka ndodhur pasditën e sotme në zonën industriale përgjatë rrugës Prishtinë–Fushë Kosovë, ku një tren ka goditur një kombi.

    Në pamjet e siguruara shihet se përplasja ka ndodhur në një kalim hekurudhor, në momentin kur kombi ka hyrë në shina, ndërsa treni ishte duke lëvizur.

    Përveç dëmeve materiale nuk dihet nëse ka të lënduar, si pasojë e aksidentit në fjalë.

  • Nënshkruhet kontrata milionëshe në Malishevë, që do të zgjidhë problemin me energji elektrike

    Nënshkruhet kontrata milionëshe në Malishevë, që do të zgjidhë problemin me energji elektrike

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka nënshkruar sot kontratë në vlerë prej 6,763,766.04 euro, e cila pritet ta zgjidh problemin me energji elektrike në Komunën e  Malishevës.

    Kontrata e nënshkruar parasheh zbatimin e projektit kapital: Nënstacioni i ri 220/35/10(20) kV Malishevë, me transformator 40 MVA dhe linjë kyçjeje 220 kV. Projekti financohet nga KOSTT-i me vlerë 6,763,766.04 euro.

    Ky investim e lidh për herë të parë Malishevën me rrjetin 220 kV, duke i dhënë komunës kapacitete dukshëm më të larta dhe furnizim më të qëndrueshëm, krahas rrjetit ekzistues 35 kV. Për qytetarët dhe bizneset kjo nënkupton cilësi më të mirë të furnizimit, siguri më të lartë dhe bazë të fortë për zhvillim ekonomik.

    Në nivel sistemi, projekti rrit besueshmërinë e furnizimit, ul varësinë nga linjat e tensionit të mesëm, redukton humbjet dhe forcon sigurinë operacionale, duke kontribuar edhe në përmbushjen e kriterit N-1. Po ashtu, krijon kushte më të mira për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat afatgjata të sektorit energjetik.

    Afati i planifikuar i realizimit nga nisja e punimeve është rreth 13 muaj.

  • Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.

    Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, do të priten në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.

    Po ashtu, presidentja do të zhvillojë takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

    Gjatë vizitës në Vatikan, Osmani do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

    “Në selinë e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, ndërkaq, Presidentja Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përfaqësues diplomatik dhe personalitete të tjera. Gjatë kësaj vizite ajo do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të thellimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Çka është fëmija i brendshëm që secili e kemi brenda vetes?

    Çka është fëmija i brendshëm që secili e kemi brenda vetes?

    Doktoresha e përgjithshme dhe kërkuesja shkencore Artemisa Gogollari, në emisionin “LIBERO” ka folur rreth konceptit psikologjik të fëmijës së brendshëm, duke theksuar se secili njeri mban brenda vetes një pjesë emocionale të lidhur ngushtë me përvojat e fëmijërisë.

    Sipas saj “…fëmija i brendshëm është pjesë e sistemit tonë nervor që ruan kujtime nga e kaluara…”, dhe këto kujtime lidhen shpesh me mënyrën se si jemi rritur apo si jemi trajtuar nga personat e afërt në fëmijëri.

    Gogollari theksoi se gjatë viteve të para të jetës, fëmijët përballen me gabime dhe situata ku mund të kritikohen apo fajësohen. Në këto momente, sipas saj, fëmija fillon të ndiejë frikën se po e humbet dashurinë e prindit.

    “…Kur fëmijës i duket sikur e humbet dashurinë, fëmija asnjëherë nuk ia heq dashurinë prindit. Fëmija gjithmonë e do prindin — ai ia heq dashurinë vetes…” u shpreh ajo.

    Sipas saj, zërat kritikë të brendshëm që shumë njerëz përjetojnë, nuk janë zëri i tyre i vërtetë, por jehona e mesazheve të marra nga e kaluara:

    “…Çdo kritikë, çdo gjykim i brendshëm – nuk je ti. Janë fjalët e prindërve, të njerëzve, të shoqërisë…”, tha ajo derisa theksoi se njeriu në thelb, nuk do ta dëmtonte apo ta kritikonte veten po të mos ishte sistemi nervor që ka regjistruar dhe ruajtur ato përvoja të hershme.

    Vlen ta përmendim që sipas doktoreshës Artemisa Gogollarit 10 shenjat që fëmija i brendshëm është i pashëruar janë: “1. Reagime të ekzagjëruara emocionale, 2. Paternalizëm të përsëritur në marrëdhënie, 3. Mungesa e kufijve, 4. Faj dhe turp i tepruar, 5. Vetësabotim, 6. Varësi emocionale, 7. Ndjenjë e thellë e pamjaftueshmërisë, 8. Frikë nga braktisja, 9. Probleme me besimin, 10. Projektimi i ndjenjave”!

    Për ta shikuar intervistën e plotë të Artemisa Gogollarit, klikoni në linkun e mëposhtëm: