ATV

Blog

  • Arsyet kryesore pse po ju bien flokët

    Arsyet kryesore pse po ju bien flokët

    Julian Mackay-Wiggan, një profesor dhe drejtor i njësisë kërkimore klinike në departamentin e dermatologjisë në University of Columbia, shprehet se ka 7 arsye kryesore që shkaktojnë rënien e flokëve:

    Floku juaj është i tejpërpunuar: Duhet të zgjidhni produkte pa përmbajtje sulfatesh.

    Jeni i stresuar: Telogen effluvium është emri klinik për humbjen e flokëve që ndodh pasi trupi juaj ka kaluar nëpër një përvojë dramatike, si operacion, humbje peshe drastike, shtatzëni, apo stres ekstrem. Flokët rriten në tre cikle: rritja, “pushimi” dhe rënia. Gjatë telogen effluvium, flokët kalojnë më shpejt se normalja dy fazat e para . Për fat të mirë, telogen effluvium është e përkohshme, kështu që flokët tuaj i kthehen normalitetit, pasi trupi juaj të tejkalojë stresin e tepërt.

    Ndiqni një dietë të varfër ushqimore: Hiqni dorë nga ushqimet e përpunuara, fast-food, ushqimi i konservuar dhe shtoni sa më shumë përbërës të ushqyeshëm si vitamina, proteina, hekur, magnez dhe kalcium.4

    Laheni me ujë të nxehtë: Një ndër gabimet më të shpeshta që bëni kur lani flokët është përdorimi i ujit të nxehtë. Kjo është tejet e gabuar, pasi uji i nxehtë ka në përmbajtjen e tij minerale gëlqerore të cilat në kontakt me shampon dhe balsamin shkaktojnë rënie flokësh. Zgjidhni një temperaturë mesatare.

    Vuani nga gjëndrat tiroide: Rritja e funksionit të tiroides dhe ulja e funksionit të tiroides shkaktojnë njëkohësisht rënie të flokëve.

    Vuani nga sindromi policistik ovarian: Ky çrregullim endokrin shkakton një çekuilibër hormonal, që çon në nivele të rritura të testosteronit. Kjo mund të rezultojë në humbjen e flokëve.

  • Pas dorëheqjes së Starmerit, Andy Burnham merr detyrën si kryeministër i Britanisë

    Pas dorëheqjes së Starmerit, Andy Burnham merr detyrën si kryeministër i Britanisë

    Andy Burnham do të marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar këtë të hënën, pasi u zgjodh lider i Partisë Laburiste pas dorëheqjes së Keir Starmer.

    Burnham, 56 vjeç, ish-kryetar i Bashkisë së Greater Manchester, do të emërohet nga Mbreti Charles III për formimin e qeverisë dhe më pas do të mbajë fjalimin e tij të parë para rezidencës në Downing Street 10.

    Pas marrjes së detyrës, ai pritet të emërojë menjëherë kabinetin e ri qeveritar dhe të prezantojë prioritetet e ekzekutivit, me fokus në uljen e kostos së jetesës dhe zvogëlimin e pabarazive rajonale.

    Ndryshimi i kryeministrit nuk shoqërohet me zgjedhje të përgjithshme, pasi sistemi parlamentar britanik lejon që partia në pushtet të zgjedhë një lider të ri, i cili bëhet automatikisht kryeministër nëse gëzon shumicën në Dhomën e Komunëve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Britani pritet të mbahen në vitin 2029.

  • Kirurgu i QKUK-së: Vetëm në 24 orë trajtuam tre të plagosur me armë të ftohta, mos luani me thika e brisqe

    Kirurgu i QKUK-së: Vetëm në 24 orë trajtuam tre të plagosur me armë të ftohta, mos luani me thika e brisqe

    Kirurgu torakal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shqiptar Demaçi, ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të plagosjeve me armë të ftohta te të rinjtë gjatë sezonit veror.

    Sipas tij, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Qendrën Emergjente, Reanimacion dhe Klinikën e Kirurgjisë Torakale janë trajtuar tre persona të plagosur me thika dhe brisqe.

    Demaçi ka bërë të ditur se një 18-vjeçar është pranuar në gjendje të rëndë, me shok hemorragjik, pasi kishte humbur rreth 2.5 litra gjak nga plagët në kraharor. Ai është operuar me urgjencë dhe, falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore dhe transportit në kohë me autoambulancë, gjendja e tij është menaxhuar me sukses.

    Kirurgu u ka bërë thirrje të rinjve që të shmangin përdorimin e armëve të ftohta dhe sjelljet agresive, duke paralajmëruar se incidente të tilla mund të përfundojnë me pasoja fatale.

    “Si fenomen, loja e përdorimi nga pasja e armëve të ftohta, në moshën adoleshentëve e rinore ka qenë prezente, por jorrallë bëhet agresive! Në vend të alarmit, e them, vetëm për 24 orë u trajtuan tre të plagosur me brisq e thika në QKUK, Qendrën Emergjente, Reanimacion dhe Kirurgjia torakale ! Një i ri (18 vjeç) në gjendje të shokut të rëndë gjakderdhës u operua në mënyrë shumë urgjente( humbte 2,5 litra gjak nga plagët në krahëror), por u soll me kohë nga mjekët e paramedikët me autoambulancë të regjionit dhe u menaxhua me sukses nga ekipi kujdestar në QKUK (Q.Emergjente/Reanimacion/Kirurgji Torakale/ MIQ)! Mos ta teprojmë me lojëra e sjellje agresive se mund të ketë fatalitete!”, shkruan ai në Facebook.

  • Stabilizohet qarkullimi në pikën kufitare Bajakovo, MPJD: Nuk ka më pritje të gjata

    Stabilizohet qarkullimi në pikën kufitare Bajakovo, MPJD: Nuk ka më pritje të gjata

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se situata në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, është stabilizuar dhe qarkullimi tashmë po zhvillohet pa vonesa të gjata.

    Sipas MPJD-së, pritjet dhe kolonat e krijuara gjatë ditës ishin pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura shtesë të kontrollit kufitar.

    Gjatë ditës, Ambasada e Kosovës në Kroaci ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kufitare, ndërsa ambasadori Martin Berishaj, së bashku me stafin e Ambasadës, vizitoi pikën kufitare Bajakovo për t’u takuar me bashkatdhetarët që ishin në pritje.

    MPJD bëri të ditur se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe informata për qytetarët e Kosovës, veçanërisht gjatë sezonit veror.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Mitrovicë

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Mitrovicë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin me iniciale B.R., nën dyshimin se ka kryer vepraa penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se tentoi ta privonte nga jeta B.M., duke e goditur me thikë në kokë, në pjesën e brinjëve dhe prapa kraharorit.

    “I dyshuari me datë 18 korrik me qëllim ka dashur ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.M., duke e goditur me thikë në kokë, në pjesën e majtë të brirëve dhe prapa kraharorit. Nga këto veprime i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore dhe gjendet i shtrirë në Kirurgjinë Torakale në QKUK”, njofton Prokuroria.

    I dyshuari është arrestuar më 18 korrik, dhe me vendim të prokurorit gjendet në mbajtje.

  • ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    Një djalë 13-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një shatërvani në Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamancës, gjatë festimeve për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

    Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnate në shatërvanin “Glorieta del Árbol Gordo”, ku një numër i madh tifozësh ishin ngjitur mbi strukturë për të festuar fitoren e Spanjës. Një pjesë e sipërme e shatërvanit u shemb nën peshën e turmës dhe një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë.

    Shërbimi i emergjencës 1-1-2 i Castilla y León bëri të ditur se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa telefonatave që njoftonin për shembjen e strukturës mbi personat e mbledhur në vendngjarje. Menjëherë u angazhuan Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës shëndetësore.

    Dy persona morën ndihmë mjekësore dhe u transportuan në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo. Njëri prej tyre, 13-vjeçari, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për gjendjen e të plagosurve të tjerë.

    Në mbështetje të familjes së viktimës është aktivizuar edhe Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike për Fatkeqësi dhe Emergjenca. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shembjes së shatërvanit gjatë festimeve.

  • Pas vdekjes tragjike të tre qytetarëve, Vushtrria shtyn koncertet e “Ditëve të Diasporës 2026”

    Pas vdekjes tragjike të tre qytetarëve, Vushtrria shtyn koncertet e “Ditëve të Diasporës 2026”

    Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se janë shtyrë koncertet e parapara në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës 2026”, pas vdekjes tragjike të tre bashkëqytetarëve, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani.

    Përmes një njoftimi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bëri të ditur se ky vendim është marrë në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjet e viktimave.

    “Për shkak të ndarjes tragjike nga jeta të tre bashkëqytetarëve tanë, ju njoftojmë se anulohen koncertet e parapara në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Diasporës 2026′”, ka shkruar Idrizi.

    Ai theksoi se koncertet nuk do të mbahen sipas programit të paraparë, por do të organizohen në një datë tjetër.

    “Në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjet Tërnava dhe Shabani, koncertet do të shtyhen për një datë tjetër, për të cilën do të njoftoheni me kohë përmes kanaleve zyrtare të Komunës së Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

    Kryetari Idrizi shprehu ngushëllime për familjet e të ndjerëve, duke shtuar se Komuna bashkëndjen me dhimbjen e tyre.

    “Në këto momente të rënda, u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, ka deklaruar ai.

  • AKB: Rezervat shtetërore të mbushen me grurë vendor, jo me importe

    AKB: Rezervat shtetërore të mbushen me grurë vendor, jo me importe

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar me fermerët e Kosovës gjatë sezonit të korrje-shirjeve, ku prodhuesit vendor po përballen me mungesë tregu, mungesë të hapësirave për deponim dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta prej vetëm 16–18 centë për kilogram.

    AKB ka thënë se fermeri ka investuar, ka punuar dhe prodhuar ndërsa në fund po përballet me pasiguri se ku do ta dorëzojë prodhimin e tij. Sipas AKB-së, kjo është një goditje për bujqësinë vendore dhe për sigurinë ushqimore të Kosovës.

    “AKB rikujton se çështja e blerjes së grurit për rezervat shtetërore nga importi ka qenë objekt i hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Gjykata Themelore ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe disa zyrtarëve të tjerë të MINT-it lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Sipas raportimeve për aktakuzën e këtij rasti, janë ngritur dyshime lidhur me blerjen e grurit për rezervat shtetërore me çmime të larta krahasuar me tregun dhe me pasoja të pretenduara për buxhetin e shtetit. AKB thekson se sot, se nuk duhen të përsëriten praktika ku shteti mbështetet në import, duhet të krijohet një mekanizëm që rezervat shtetërore të furnizohen nga prodhuesit vendorë”, thuhet në reagim.

    Ata kanë thënë nëse para 3-4 viteve, gruri për rezerva shtetërore është blerë nga Turqia për 0.47 euro për kilogram, sipas tij duhet që këtë vit shteti ta blejë grurin nga fermerët kosovarë që po e shesin me 16-18 centë për kilogram.

    Sipas AKB-së, kjo do të sillte tri përfitime të mëdha ,do t’i mbështeste drejtpërdrejt fermerët vendorë, do ta forconte sigurinë ushqimore të Kosovës dhe do të kursente mjete të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

    “Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermeri ynë e prodhon me mund dhe sakrificë. Rezervat shtetërore duhet të jenë mbështetje për ekonominë vendore, jo vetëm një proces blerjeje. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës. AKB kërkon nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa për grumbullimin e grurit vendor, krijimin e kapaciteteve depozituese dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Policia e Ferizajt apelon për kujdes nga zjarret, paralajmëron masa ligjore

    Policia e Ferizajt apelon për kujdes nga zjarret, paralajmëron masa ligjore

    Policia Rajonale e Ferizajt i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e tyre.

    Sipas Policisë, çdo zjarr, qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme materiale dhe të dëmtojë mjedisin.

    Policia ka kërkuar që të shmanget djegia e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të çojë në shkaktimin e zjarreve.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, me dashje ose nga neglizhenca. Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies apo çdo situatë që mund të paraqesë rrezik”, thuhet nga Policia.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 64 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 46 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.