ATV

Blog

  • Përplasje jashtë “Marassi” para ndeshjes Genoa – Inter

    Përplasje jashtë “Marassi” para ndeshjes Genoa – Inter

    Para ndeshjes Genoa – Inter në stadiumin “Marassi”, u regjistruan përplasje të rënda jashtë impiantit, ku dy grupe tifozësh u përfshinë në konflikte, sulmuan policinë dhe vendosën zjarr në disa automjete.

    Sipas raportimeve të Sky Sport Italia dhe Sportitalia, incidentet ndodhën më shumë se një orë para fillimit të ndeshjes. Një grup ultrasish të Genoas hodhi objekte, përfshirë fishekzjarre, drejt tifozëve të Interit që po përgatiteshin për të hyrë në sektorin e mysafirëve.

    Tifozët e Interit reaguan duke tentuar të thyenin barrierën që i ndante, gjë që detyroi ndërhyrjen e policisë dhe përshkallëzoi situatën. Të paktën një makinë u përfshi nga flakët, ndërsa disa tifozë u përballën me efektet e gazit lotsjellës.

    Pas rikthimit të qetësisë, disa automjete, motoçikleta dhe kosha mbeturinash mbetën të djegura plotësisht, duke lënë pas një pamje të zymtë jashtë stadiumit. /ATVLIVE.TV

  • Barcelona vazhdon fitoren pa Lewandowskin – Çfarë do të ndodhë me polakun?

    Barcelona vazhdon fitoren pa Lewandowskin – Çfarë do të ndodhë me polakun?

    Barcelona regjistroi fitoren e shtatë radhazi në La Liga, duke mposhtur Osasunën, por këtë herë pa sulmuesin veteran Robert Lewandowski në fushë.

    Për të dytën ndeshje radhazi, trajneri Hansi Flick nuk e aktivizoi polakun, ndërsa Ferran Torres luajti të gjitha 90 minutat në “Spotify Camp Nou”. Ndërsa mungesa ndaj Real Betis kishte qenë një vendim taktik, këtë herë Lewandowski u la jashtë për arsye shëndetësore.

    Sipas raportimeve të Catalunya Radio, sulmuesi polak kishte shqetësime në muskujt e kofshës dhe nuk rrezikohej: “Ai nuk luajti për shkak të problemeve në kofshë. Në rast urgjence mund të kishte marrë 15 minuta, por pas golit të parë u vendos që të mos rrezikohej.”

    Flick nuk pritet ta rrezikojë Lewandowskin as për ndeshjen e së martës në Kupën e Mbretit ndaj Guadalajaras, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga vetë lojtari, bazuar mbi gjendjen fizike.

    Ky sezon ka qenë i vështirë për Lewandowskin, i cili tashmë ka humbur pesë ndeshje për shkak dëmtimi dhe ka humbur vendin e titullarit nga Ferran Torres. Kjo situatë e bën të paqartë rinovimin e kontratës, që skadon verën e ardhshme.

    Barcelona po përgatitet për të ardhmen dhe kërkon një sulmues të ri, me emra si Julian Alvarez dhe Karl Etta Eyong në radar. Nga ana tjetër, Fisnik Asllani nuk konsiderohet një opsion serioz për ekipin katalanas. /ATVLIVE.TV

  • Shaqiri aktivizohet, por Baseli nuk arrin të fitojë

    Shaqiri aktivizohet, por Baseli nuk arrin të fitojë

    Baseli nuk arriti të fitonte në “St. Jakob Park”, duke mbetur në barazim 0-0 me Lausanne në javën e 17-të të Superligës zvicerane.

    Lausanne mori një pikë të vlefshme edhe pse u përball me vështirësi: Lekoueiry u përjashtua me karton të kuq në minutën e 59-të dhe Soppy mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 90+6.

    Te Baseli, Albian Ajeti u startua titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 65-të, ndërsa u zëvendësua në minutën e 82-të.

    Xherdan Shaqiri u aktivizua në minutën e 63-të. Nga ana e Lausannes, Alban Ajdini hyri në lojë në minutën e 90+2.

    Me këtë barazim, Baseli qëndron në vendin e katërt me 28 pikë, Lausanne renditet e 8-ta me 21 pikë, ndërsa Thun kryeson me 34 pikë. /ATVLIVE.TV

  • ‘Anfield’ e duartroket, Van Dijk shpreson për qëndrimin e Mo Salah

    ‘Anfield’ e duartroket, Van Dijk shpreson për qëndrimin e Mo Salah

    Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka vënë në pah rëndësinë e Mohamed Salah pas fitores 2-0 ndaj Brighton & Hove Albion në Premier League, të shtunën në “Anfield”, duke shprehur shpresën që sulmuesi egjiptian të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe pas Kupës së Kombeve të Afrikës.

    Salah u rikthye në skuadër të shtunën, pas një jave të tensionuar, gjatë së cilës kritikat e tij publike ndaj klubit kishin ngritur pikëpyetje për të ardhmen e tij në “Anfield”.

    33-vjeçari u aktivizua në minutën e 26-të, duke zëvendësuar Joe Gomezin e dëmtuar dhe u prit me duartrokitje të fuqishme nga tifozët. Rikthimi i tij u shoqërua me një kontribut të menjëhershëm, pasi asistoi në golin e dytë të shënuar nga Hugo Ekitike.

    “Mo do të shkojë në AFCON dhe të gjithë shpresojmë që të ketë sukses atje. Presim që të rikthehet dhe të jetë shumë i rëndësishëm për ne në pjesën e mbetur të sezonit”, deklaroi Van Dijk për gazetarët pas ndeshjes.

    “Më pas, sigurisht që futbolli është i paparashikueshëm dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Shpresoj që ai të qëndrojë, sepse është një nga liderët e ekipit dhe ende një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për klubin”, shtoi kapiteni holandez.

    Tashmë, Mohamed Salah do t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Kombeve të Afrikës, e cila nis të dielën e ardhshme. /ATVLIVE.TV

  • Werder Bremen mbetet pas, Emërllahu “detyrohet” të zgjedhë Ukrainën?

    Werder Bremen mbetet pas, Emërllahu “detyrohet” të zgjedhë Ukrainën?

    Mesfushori kosovar Lindon Emërllahu do të vazhdojë karrierën në Ukrainë, pasi ka arritur marrëveshje për t’iu bashkuar skuadrës Polissya Zhytomyr, duke i dhënë fund spekulimeve rreth së ardhmes së tij.

    Transferimi është mbyllur mes palëve, ndërsa CFR Cluj do të arkëtojë 1.5 milionë euro nga shitja e lojtarit. Emërllahu, nga ana e tij, ka pranuar një kontratë me pagë mujore mbi 30 mijë euro.

    Sipas raportimeve të mediave rumune, përfshirë DigiSport, në garë për shërbimet e mesfushorit ishte edhe Werder Bremen, por oferta e klubit gjerman nuk u konkretizua në kohën e duhur. Kjo bëri që Cluj të vendoste të finalizojë marrëveshjen me klubin ukrainas.

    Në raportim thuhet se Emërllahu do të preferonte një kampionat më konkurrues, si Bundesliga, por pasiguria rreth mbylljes së transferimit me Werder Bremen dhe nevoja e Cluj për ta përfunduar shitjen e çuan drejt pranimit të ofertës nga Polissya.

    Në këto rrethana, klubi rumun e bëri të qartë se nuk do të priste më gjatë, duke i dhënë përparësi ofertës më konkrete dhe të garantuar financiarisht.

    “Emërllahu do ta preferonte një kampionat tjetër, më të fortë dhe sigurt, duke ditur se ka luftë në Ukrainë. Sidoqoftë, Nelutu Varga ia bëri të qartë se do ta humbiste vendin e titullarit te
    Cluj dhe sidomos premtimin prej 100 mijë eurove bonus, duke e detyruar futbollistin ta pranojë propozimin dhe të paketojë valixhet”.

    “Lojtari po hezitonte sepse e dinte interesimin e Werder Bremen nga Gjermania dhe kuptohet do të preferonte të bënte hapin e madh për Bundesliga. Sidoqoftë, gjermanët nuk ishin më konkret se ukrainasit dhe kishte rrezik se në fund nuk do të finalizohej transferimi. CFR nuk mund ta pranonte si opsion me situatën aktuale”, thuhet ndër të tjera në raportim.

    23 vjeçari pritet të udhëtojë së shpejti drejt Ukrainës për testet mjekësore dhe më pas të nënshkruajë kontratën zyrtare me Polissya Zhytomyr, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. /ATVLIVE.TV

  • 12 nga 12 – Ardian Krasniqi marshon drejt majës, triumfon sërish me nokaut

    12 nga 12 – Ardian Krasniqi marshon drejt majës, triumfon sërish me nokaut

    Dymbëdhjetë duele, dymbëdhjetë fitore – Ardian Krasniqi vazhdon marshimin e tij perfekt në boksin profesionist, duke ndërtuar hap pas hapi një identitet të fortë dhe të pavarur, edhe pse mbiemri i tij lidhet me trashëgiminë e madhe të xhaxhait, Luan Krasniqi.

    Boksieri shqiptar mbrojti me sukses titullin WBO Intercontinental në peshën gjysmë të rëndë, duke mposhtur me nokaut argjentinasin Gaspar Fernandez në mbrëmjen e së shtunës. Me këtë triumf, Krasniqi mbetet i pamposhtur dhe forcon gjithnjë e më shumë pozitat e tij në arenën ndërkombëtare.

    Scharrena ishte e mbushur plot me rreth 2.500 tifozë, të cilët krijuan një atmosferë të zjarrtë gjatë eventit “Showdown for Legacy III”. Mbrëmja solli përballje të forta për tituj, emocione të mëdha dhe disa përfundime të hershme, ndërsa vëmendja kryesore u përqendrua te dueli kryesor.

    Në ndeshjen kryesore të mbrëmjes, Krasniqi e mori gradualisht kontrollin e plotë të përballjes ndaj Fernandez, duke e dominuar dhe duke e mbyllur ndeshjen para kohe, në mënyrë bindëse.

    Pas përfundimit të duelit, kampioni nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e tij dhe emocionet e forta të përjetuara përpara publikut vendas.

    “E ndjeva peshën e përgjegjësisë që në fillim – për titullin, për ekipin dhe për veten time. Publiku ishte fantastik dhe më dha energji shtesë. U fokusova te forcat e mia dhe qëndrova i qetë deri në fund. Fitorja me nokaut më bën veçanërisht krenar”, deklaroi Krasniqi.

    Me këtë fitore, Ardian Krasniqi konfirmon se është një nga emrat më në rritje në peshën gjysmë të rëndë dhe se karriera e tij po ecën me hapa të sigurt drejt niveleve më të larta të boksit profesionist. /ATVLIVE.TV

  • Pas 9 vitesh pritjeje, Sunderland triumfon ndaj Newcastle

    Pas 9 vitesh pritjeje, Sunderland triumfon ndaj Newcastle

    Pas nëntë vitesh mungesë, u rikthye derbi legjendar “Tyne-Wear”, një nga rivalitetet më të zjarrta dhe më të njohura në futbollin botëror, që vë përballë Sunderlandin me Newcastle United.

    Dy klubet historike të veriut të Anglisë nuk kishin garuar në të njëjtën ligë që nga viti 2016. Në vitet që pasuan, Newcastle kaloi periudha të ndryshme konkurrimi, ndërsa Sunderland përjetoi momente të vështira, duke rënë deri në kategorinë e tretë të futbollit anglez.

    Megjithatë, këtë sezon “Macet e Zeza” u rikthyen në elitë, duke e bërë të mundur ringjalljen e këtij derbi historik.

    Rikthimi nuk ishte i veçantë vetëm për praninë e përballjes, por edhe për rezultatin, pasi Sunderland triumfoi në shtëpi me shifrat minimale 1-0 ndaj rivalit të përjetshëm.

    Atmosfera në “Stadium of Light” ishte elektrizuese që nga minuta e parë. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në fillim të pjesës së dytë, pas një autogoli të Nick Woltemade, i cili në përpjekje për të larguar topin, e devijoi me kokë në portën e tij.

    Granit Xhaka zhvilloi një paraqitje të plotë dhe bindëse, duke luajtur 90 minuta dhe duke u vlerësuar me notën 7.4 nga SofaScore, ndër më të mirët në fushë.

    Ky ishte derbi i 157-të Tyne-Wear, një përballje me histori të pasur dhe rëndësi të madhe në futbollin anglez. Emërtimi “Tyne-Wear” rrjedh nga lumenjtë Tyne dhe Wear, pranë të cilëve ndodhen dy qytetet rivale në veri të Anglisë. /ATVLIVE.TV

  • Presidentja Osmani nderohet me ‘Çmimin Boniafcio VIII’

    Presidentja Osmani nderohet me ‘Çmimin Boniafcio VIII’

    Presidentja Osmani është nderuar me Çmimin Boniafcio VIII nga Akademia Bonifaciana.

    Presidentja Osmani, përmes një video-inçizimi, ka bërë të ditur se mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve, u nderua me ‘Çmimin Boniafcio VIII’, nga Akademia Bonifaciana, si njohje për angazhimin institucional për paqen, si dhe bashkëpunimin ndërkulturor e ndërfetar.

    Me këtë rast, presidentja Osmani u shpreh se ky çmim forcon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë, paqes e dinjitetit si vlera të përhershme.

    “Në frymën e vlerave që qëndrojnë në themelet e kësaj Akademie prestigjioze, e cila vendos primatin tek drejtësia, dinjiteti dhe paqja, ky vlerësim, i cili më herët ishte ndarë edhe Gjon Palit të II, forcon përkushtimin tim ndaj këtyre vlerave të përhershme”, ka deklaruar Osmani.

  • Qindra gropa gjigante po hapen në Turqi, shkencëtarët shpjegojnë shkakun

    Qindra gropa gjigante po hapen në Turqi, shkencëtarët shpjegojnë shkakun

    Gropa gjigante, disa dhjetëra metra të thella, po hapen në të gjithë Turqinë dhe disa e shohin përmbushjen e profecisë biblike në këtë fenomen shqetësues.

    Konkretisht, në Librin e Numrave të Dhiatës së Vjetër, përshkruhet se si toka hapet dhe i gëlltit rebelët si një formë ndëshkimi hyjnor, të cilën disa njerëz e shoqërojnë me shembjet masive të tokës në Rrafshin Kony, rajoni kryesor i kultivimit të grurit në Turqi.

    Shumë e interpretuan këtë fenomen në rritje si një shenjë se “Zoti po lëviz”, shkruan Daily Mail.

    Megjithatë, shkencëtarët ofrojnë një shpjegim tjetër.

    Autoriteti Turk i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave ka raportuar 648 gropa masive në Rrafshin e Konyas, kryesisht rezultat i thatësirës së madhe dhe pompimit të tepërt të ujërave nëntokësore.

    Ndërsa para vitit 2000 shfaqeshin vetëm disa gropa të thella çdo dekadë, ndryshimet klimatike dhe thatësira e zgjatur konsiderohen fajtorët kryesorë për rritjen dramatike të tyre në 25 vitet e fundit.

    Sot, çdo vit regjistrohen dhjetëra shembje të mëdha, disa prej të cilave janë më të gjera se 30 metra.

    Problemi shkaktohet nga rënia e niveleve të ujërave nëntokësore, të cilat po thajnë puset, po sforcojnë ekosistemet, po ulin rendimentet dhe po shkaktojnë fundosjen e tokës.

    Fermerët që po pompojnë më shumë ujë për të shpëtuar të korrat si panxhari i sheqerit dhe misri po e përkeqësojnë situatën.

    Sipas Observatorit të Tokës të NASA-s, rezervuarët e ujit të Turqisë arritën nivelet e tyre më të ulëta në 15 vjet në vitin 2021.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se rreziqe të ngjashme mund të lindin në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë pjesë të Shteteve të Bashkuara, Azisë, Lindjes së Mesme, Mesdheut dhe Australisë, ku nivelet në rënie të ujërave nëntokësore po kërcënojnë komunitetet dhe ekosistemet.

    Të njëjtat probleme tashmë po ndikojnë në Shtetet e Bashkuara, me rënie të mëdha të niveleve të ujërave nëntokësore të regjistruara në Rrafshnaltat e Mëdha, Luginën Qendrore dhe Juglindje.

  • Talibanët i arrestojnë djemtë që vishen si personazhet e Peaky Blinders në Afganistan

    Talibanët i arrestojnë djemtë që vishen si personazhet e Peaky Blinders në Afganistan

    Policia e moralit e Qeverisë talibane në Afganistan, e njohur për qasje të rreptë, i ka arrestuar katër të rinj për shkak se ishin veshur si personazhet e serisë britanike, Peaky Blinders.

    Ata u ndaluan këtë javë në qytetin perëndimor afgan, Herat.Talibanët i akuzuan ata për “promovim të kulturës së huaj” pasi fotografitë e tyre, të veshur me rroba të ngjashme me ato të familjes Shelby në dramën e njohur historike kriminale, u përhapën gjithandej në internet.

    Asghar Husaini, Jalil Yaqoobi, Ashore Akbari dhe Daud Rasa janë anëtarë të një grupi që e quajnë veten “Thomas Shelby Group” dhe njihen nga banorët vendas si “Jabrael Shelbys”, sipas lagjes së Heratit ku ata jetojnë.

    Gjatë muajit të fundit, të rinjtë – të gjithë të moshës rreth të 20-ave – janë parë nëpër rrugët e Heratit me kapele të sheshta, kostume, dorashka dhe pallto të gjata.

    Veshjet përngjanin me stilin e epokës së paraqitur në dramën Peaky Blinders, që portretizon periudhën pas Luftës së Parë Botërore.Arrestimet janë pjesë e një fushate më të gjerë të talibanëve për t’i zhdukur ato që shihen si modernitet dhe ndikime perëndimore në Afganistan.

    Ligji i talibanëve Për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, i miratuar zyrtarisht në vitin 2024, ua ndalon në mënyrë specifike burrave afganë të veshin rroba perëndimore në publik.

    “Ata donin të protestonin dhe të tregonin se janë kundër këtij sistemi detyrimi dhe mbizotërimi”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë (REL) regjisorja afgane Sahraa Karimi, duke komentuar motivin e të rinjve për të veshur ato rroba.

    “Veshje të tilla janë krejtësisht normale në mbarë botën, dhe këta të rinj jetojnë në këtë botë, kanë qasje në rrjetet sociale, shikojnë filma dhe seri televizive”, shtoi ajo.

    Përpjekja e talibanëve për të zhdukur modernitetin

    Qëkurse u kthyen në pushtet, talibanët kanë vendosur kufizime drastike lidhur me mënyrën se si burrat dhe gratë afgane mund të duken dhe të sillen në publik.

    Gratë janë të detyruara të mbajnë nikab, një mbulesë islamike nga koka deri te këmbët, dhe duhet të shoqërohen nga një kujdestar mashkull. Burrat nxiten të rrisin mjekra dhe të veshin rroba tradicionale afgane.

    Shumica e zyrtarëve talibanë mbajnë çallma dhe veshje të gjera.Zëdhënësi i Ministrisë së Talibanëve për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, Saiful Islam Khyber, tha se sjellja e grupit “Thomas Shelby” bie ndesh me “vlerat islame dhe kulturën afgane”.

    Ai publikoi gjithashtu një video të njërit prej të rinjve duke kërkuar falje për sjelljen e tyre.

    Para arrestimit të tyre, Husaini, udhëheqësi i grupit, tha se ishin motivuar nga “interesi i veçantë për stilin klasik të veshjes” së Peaky Blinders.

    Ai tha për Herat Mic, një kanal lokal në YouTube, se planifikonin të prezantonin më vonë stile tradicionale të veshjeve nga komunitete të ndryshme afgane.

    Rasa, një tjetër anëtar i grupit, tha se ishin përballur me kritika online.

    “Pati shumë zhurmë në hapësirën virtuale”, tha ai, duke shtuar se edhe disa të afërm i akuzuan për promovim të kulturës perëndimore.

    “Por, kjo nuk është vetëm kulturë perëndimore. Në vitet ‘50 dhe ’60, ne patëm një stil të ngjashëm edhe këtu në Afganistan”, tha ai.

    Në Afganistan, veshja perëndimore u bë simbol i modernitetit dhe liberalizmit pasi mbreti reformator afgan, Amanullah Khan, adoptoi kostume për burrat dhe funde për gratë si veshje formale në vitet 1920.

    Në dekadat pasuese, shumë afganë të arsimuar përqafuan veshjen perëndimore, ndërsa zyrat shtetërore dhe ngjarjet zyrtare kërkonin veshje formale perëndimore.

    Megjithatë, grupet islamiste afgane e kanë kundërshtuar veshjen dhe sjelljet perëndimore.Talibanët i kanë ndaluar zyrtarisht veshjet e tilla dhe i shënjestrojnë vazhdimisht afganët që i mbajnë ato.

    Ata kanë ndërmarrë gjithashtu një fushatë të gjerë kundër shkeljeve të kodit të veshjes, duke gjobitur dhe burgosur shkelësit.

    I krijuar nga skenaristi dhe regjisori britanik Steven Knight, drama Peaky Blinders paraqet aventurat e familjes Shelby, një trillim artistik, në Birmingëm pas Luftës së Parë Botërore.

    Seriali ka fituar një bazë të madhe adhuruesin në gjithë botë që nga debutimi i tij në vitin 2013, ka transmetuar gjashtë sezone dhe ka tërhequr qindra milionë shikues në mbarë botën.