ATV

Blog

  • Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

    Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

    Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

    Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

    Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

    Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

    Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

    “Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

    Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

    Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

    Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa kryeprokurori e ka bërë të ditur vendimin për të ngritur një aktakuzë në fund të vitit 2024.

    Pothuajse një vit më vonë, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë e ka bllokuar procesin.

    Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve për rastin në Banjskë, po zhvillohet nga autoritetetet në Kosovë.

    Ato kërkojnë vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiqit për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist.

  • LDK nesër prezanton kandidatët për deputetë dhe programin politik

    LDK nesër prezanton kandidatët për deputetë dhe programin politik

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të prezantojë nesër 110 kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Gjatë eventit që do të mbahet në AMC Hall nga ora 18:00 udhëheqësi i partisë, Lumir Abdixhiku, do të prezantojë edhe programin politik të LDK-së dhe vizionin për zhvillimin e vendit.

    Lista e kandidatëve, e renditur si “Lista 123”, përbëhet nga individë me përvojë dhe njohuri në fusha të ndryshme, sipas partisë.

    Eventi synon të informojë qytetarët mbi ekipin dhe programin politik të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.

  • Vëllai i Rexhep Selimit reagon – pse në protestat kundër Speciales përmenden vetëm Thaçi dhe Veseli

    Vëllai i Rexhep Selimit reagon – pse në protestat kundër Speciales përmenden vetëm Thaçi dhe Veseli

    Vëllai i Rexhep Selimit, Ramandani Selimi, ka reaguar publikisht ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po përmenden dhe përfaqësohen vetëm disa nga ish-krerët e UÇK-së.

    Në një shkrim të publikuar së fundmi, ai ka ngritur shqetësimin për atë që e quan “diferencim të çlirimtarëve”, duke iu referuar veçanërisht ngritjes së një flamuri gjigant në Drenicë që, sipas tij, i kushtohet vetëm Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke lënë anash Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Ramandani Selimi thekson se ky veprim hap pyetje serioze morale dhe politike, pasi të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë po përballen me të njëjtën aktakuzë. Sipas tij, ndarja e tyre në “më të merituar” dhe “më pak të merituar” është e padrejtë dhe dëmton vetë kauzën e luftës çlirimtare.

    Ai rikujton se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë një emër i vetëm në histori – UÇK-ja – dhe se kontributi i secilit për çlirimin e Kosovës është i pandashëm. Çdo përpjekje për t’i veçuar apo hierarkizuar, sipas tij, përbën padrejtësi historike dhe politike.

    Në reagimin e tij, Selimi ngre edhe çështjen e përfaqësimit politik dhe ndjeshmërisë ndaj familjeve të të akuzuarve, duke përmendur faktin se djali i Jakup Krasniqit është nominuar për deputet, ndërsa mbështetja publike dhe simbolike, sipas tij, po fokusohet vetëm te dy emra.

    Ai kritikon mospërputhjen mes deklaratave publike për mbështetjen e “katërshes” dhe veprimeve konkrete, duke theksuar se drejtësia për luftën çlirimtare nuk mund të mbrohet me simbolikë selektive.

    “Nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë”, shkroi Ramandani Selimi.

  • Vdiq para se të ndodhte aksidenti, detaje nga rasti tragjik i policit në Prishtinë

    Vdiq para se të ndodhte aksidenti, detaje nga rasti tragjik i policit në Prishtinë

    Një zyrtar policor u gjet i vdekur sot në veturën e tij në Prishtinë.

    Trupi i pajetë i tij u zbulua pas një vetaksidenti që kishte bërë i ndjeri, megjithatë sipas policisë vdekja e tij nuk u shkaktua si pasojë e aksidentit.

    Enis Pllana, zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, se vdekja e zyrtarit policor dyshohet se ka ndodhur para përplasjes.

    Ndryshe, ky vetaksident ndodhi rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë.

    “Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit. Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit”, konfirmoi zëdhënës i policisë, Enis Pllana.

  • Policia shpall në kërkim një person, dyshohet për veprën penale grabitje në tentativë

    Policia shpall në kërkim një person, dyshohet për veprën penale grabitje në tentativë

    Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, respektivisht stacioni policor i Podujevës, ka shpallur në kërkim një person.

    Dyshohet se ai është i implikuar në veprën penale: “Grabitje në tentativë’’ e cila ka ndodhur në muajin gusht të këtij viti në një pompë derivatesh.

    Policia kërkon nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së tij.

  • 16 ditë afat: Kujdes, mund të ndëshkoheni për faturat e ujit

    16 ditë afat: Kujdes, mund të ndëshkoheni për faturat e ujit

    Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka bërë të ditur se borxhi i qytetarëve ndaj kësaj ndërmarrje është 45 milionë euro.

    Në emisionin “Fol me Arin”, Mjeku paralajmëroi qytetarët se nëse nuk i paguajnë faturat edhe 16 ditë, do të shkojnë të përmbaruesi.

    “Ne furnizojmë me ujë të pijshëm diku rreth 180 mijë konsumatorë. Tash llogarite, 180 mijë konsumatorë për shtëpi, shumëzoje me 4 apo 5 anëtarë, më pak se gjysma e paguajnë, ndërkaq pjesa tjetër e paguajnë dhe bëjnë fjalë, kështu që nëse nuk paguajnë deri në fund të këtij muaji [borxhi është 45 milionë euro]”, u shpreh Mjeku.

    Pos tjerash, Mjeku tha se ditëve të fundit ka pasur turbullira në Ibër Lepenc, çka ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, problem për të cilin ajo u ka kërkuar falje të gjithë konsumatorëve.

  • Gjenden të vdekur regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, dyshohet për vrajse

    Gjenden të vdekur regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, dyshohet për vrajse

    Regjisori dhe aktori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Brentwood të dielën pasdite.

    Autoritetet amerikane po e hetojnë ngjarjen si një homicid të dyshuar, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.

    Sipas policisë, ekipet e emergjencës u thirrën fillimisht për një rast mjekësor, por në vendngjarje u konstatuan plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga armë e ftohtë. Ende nuk ka arrestime dhe shkaku zyrtar i vdekjes pritet të konfirmohet nga mjekësia ligjore. Burime mediatike raportojnë se një anëtar i familjes është marrë në pyetje, pa akuza zyrtare deri tani.

    Rob Reiner ishte një figurë ikonë e filmit dhe televizionit amerikan, i njohur për role dhe filma të famshëm si “All in the Family”, “The Princess Bride”, “When Harry Met Sally…” dhe “A Few Good Men”. Michele Singer Reiner ishte një fotografe e respektuar dhe bashkëshortja e tij prej më shumë se tre dekadash.

    Vdekja e çiftit ka tronditur industrinë e argëtimit, duke nxitur reagime dhe homazhe të shumta nga kolegë, figura publike dhe fansa, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • 8 shtetet që Zvicra u ka ndaluar blerjen e armëve, Kosova dhe Shqipëria mes tyre

    8 shtetet që Zvicra u ka ndaluar blerjen e armëve, Kosova dhe Shqipëria mes tyre

    Zvicra njihet gjerësisht për kulturën e saj të armëve, të formësuar nga shërbimi ushtarak dhe ligjet relativisht liberale për armëmbajtjen.

    Sipas ligjit federal, personat që kanë vetëm shtetësinë e Shqipërisë, Algjerisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Sri Lankës dhe Turqisë janë të ndaluar të blejnë armë dhe municion, përveç rasteve kur marrin një autorizim të veçantë nga autoritetet zvicerane. Leje të tilla jepen rrallë.

    Kjo politikë daton kryesisht nga vitet 1990, kur Zvicra forcoi ligjet për armët në përgjigje të shqetësimeve të lidhura me konfliktet e armatosura jashtë vendit, veçanërisht luftërat në ish-Jugosllavi. Ligjvënësit kishin frikë se armët e blera në Zvicër mund të nxisnin dhunë etnike ose politike brenda komuniteteve të diasporës, ose të kontrabandoheshin drejt zonave të konfliktit.

    Autoritetet zvicerane e kanë mbrojtur prej kohësh këtë rregull si një masë parandaluese për sigurinë publike, dhe jo si gjykim ndaj individëve. Megjithatë, ndalimi ka ngjallur kritika për faktin se bazohet në shtetësi dhe jo në sjelljen personale. Kritikët argumentojnë se lista pasqyron realitete gjeopolitike të vjetruara dhe bie ndesh me theksin më të gjerë të Zvicrës mbi përgjegjësinë individuale në posedimin e armëve.

    Pavarësisht debateve të herëpashershme, ndalimi i bazuar në shtetësi mbetet në fuqi edhe sot, duke përbërë një përjashtim të dukshëm në një kuadër përndryshe liberal të ligjeve për armët dhe një kujtesë se si konfliktet historike vazhdojnë të ndikojnë në ligjet moderne të sigurisë.

  • Shkon në 15 numri i viktimave në Sydney, mes tyre edhe një 10-vjeçare

    Shkon në 15 numri i viktimave në Sydney, mes tyre edhe një 10-vjeçare

    Numri i viktimave pas sulmit në Bondi Beach të Sydneyt ka shkuar në 15 vetë.

    Mes viktimave është edhe një vajzë 10-vjeçare, raporton BBC.

    Këtë lajm e ka bërë të ditur policia e New South Wales në njoftimin më të fundit.

    Ata po ashtu kanë treguar që të dyshuarit janë baba e bir, ku babai tashmë është vrarë teksa djali i tij është në gjendje kritike.

  • Stabilizohen nivelet e liqeneve të Batllavës dhe Badocit pas reshjeve të shiut

    Stabilizohen nivelet e liqeneve të Batllavës dhe Badocit pas reshjeve të shiut

    Pas reshjeve të fundit të shiut, nivelet e dy liqeneve atij të Batllavës dhe Badocit, janë stabilizuar dhe aktualisht gjendja po paraqitet e mirë. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’.

    Megjithëse gjendja është stabile, Ujësjellësi ‘Prishtina’ u bën thirrje qytetarëve që të përdorin ujin me kujdes, në mënyrë që të mos ketë mungesa të furnizimit me ujë të pijshëm.

    Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, niveli në këtë liqen gjatë kësaj javës ka arritur në -4 metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa në Liqenin e Badocit niveli është -6.45 metra.

    Zyrtarët e kompanisë theksuan se gjendja aktualisht në të dy liqenet është stabile. Por pavarësisht këtyre niveleve, kërkohet që qytetarët ta kursejnë ujin.

    Sipas tyre, një nga hapat më të rëndësishëm për ruajtjen e ujit është që të mos shpenzohet pa nevojë sikurse keqpërdorimi i tij për larje veturash, trotuaresh apo punime të panevojshme. Por theksohet përdorimi ujit vetëm për nevojat bazike, si për pije, higjienë dhe përgatitje.

    Edhe njohës të mjedisit theksojnë rëndësinë e ruajtjes së ujit, edhe atëherë kur nivelet e liqeneve paraqiten stabile, pasi sipas tyre, tashmë edhe reshjet janë më të pakta.

    “Burimet e ujit në Kosovë nuk mjaftojnë për t’i shërbyer ekonomisë që po zhvillohet dhe të gjitha kërkesave të tjera, qoftë të industrisë apo të shërbimeve publike, pasi reshjet kanë devijuar dhe nuk janë më në renditjen e mëhershme, që do të thotë se ka edhe reshje më të pakta”, tha Ilir Morina, njohës i mjedisit.

    Një nga faktorët sipas tij, janë ndryshimet klimatike që po ndodhin tashmë në gjithë botën. Prandaj ai thekson nevojën e ndërmarrjes së masave të duhura nga institucionet e Kosovës.