ATV

Blog

  • Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Në prag të zgjedhjeve, Abdixhiku prezanton mesazhet e fundit

    Edhe pse fushata u mbyll zyrtarisht të premten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë sot në rrjetet sociale disa momente dhe mesazhe nga aktivitetet e fundit të fushatës.

    Në një vizitë në DeepSpace në Prishtinë, Abdixhiku ka folur për rëndësinë e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për të ardhmen e vendit. Ai ka deklaruar se “e ardhmja është digjitale” dhe se Kosova, si shoqëri e re me dije të reja, ka mundësi reale të bëjë kapërcim të madh drejt zhvillimit evropian. Sipas tij, LDK ka plan të qartë për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si bazë për vende të reja pune dhe ekonomi moderne.

    Po ashtu, kreu i LDK-së ka zhvilluar një takim me artistë dhe përfaqësues të skenës kulturore, ku ka diskutuar për sfidat dhe rolin e artit në shoqëri. Abdixhiku ka thënë se kultura nuk është luks, por identitet dhe themel shpirtëror i një kombi, duke premtuar mbështetje institucionale dhe investime serioze në art, trashëgimi kulturore dhe hapësira krijuese.

    Në një tjetër mesazh, Abdixhiku është ndalur edhe te zhvillimi urban i Prishtinës, duke vlerësuar rifillimin e projekteve infrastrukturore pas zhbllokimit financiar. Ai tha se Unaza e Brendshme e kryeqytetit është drejt finalizimit, ndërsa Unaza e Jashtme dhe rrugët e vonuara ndër vite do të përfundojnë me ritëm të përshpejtuar, duke nënvizuar se LDK në Prishtinë “nuk ndalet”.

    Me këto mesazhe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbyllur fushatën zgjedhore duke u fokusuar në digjitalizim, kulturë dhe zhvillim, ndërsa qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit nesër, më 28 dhjetor, për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

  • “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    “Krah Kosovës Përjetë”, AAK mbyll zyrtarisht fushatën zgjedhore

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbyllur sot fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një tubim qendror të mbajtur në Prishtinë. Në këtë tubim, Kryetari i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar familjet e dëshmorëve, martirëve, veteranët e luftës, bashkëluftëtarët, si dhe përfaqësuesit nga diaspora që, sipas tij, kanë udhëtuar nga larg për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

    Gjatë fjalimit, Haradinaj ka vënë theks të veçantë në listën zgjedhore të AAK-së, duke e cilësuar atë si më të mirën që Kosova ka pasur ndonjëherë. Sipas tij, lista 129 përfaqëson një përzierje të gjeneratave dhe profesioneve.

    Ai ka thënë se programi i AAK-së synon të jetë pranë çdo qytetarit teksa ka përsëritur zotimin për rritje të pagave, pensioneve dhe shtesave sociale.

    Në fjalimin e tij, Haradinaj ka veçuar dy prioritete kryesore që, sipas tij, vetëm AAK mund t’i realizojë: çlirimin e Kosovës nga, siç e quajti ai, “mafia energjetike” përmes prodhimit vendor të energjisë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO për të garantuar siguri të përhershme.

    Me këtë tubim në Prishtinë, AAK ka përmbyllur zyrtarisht fushatën zgjedhore, duke u bërë thirrje qytetarëve që në ditën e zgjedhjeve ta mbështesin listën 129.

  • “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    “Begati dhe Siguri”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën zgjedhore

    Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sot fushatën për zgjedhjet parlamentare me një tubim të madh në kryeqytet. Kryetari i partisë dhe kandidati për Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, premtoi se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë investimet në prodhimtari, teknologji, arsimin e shëndetësinë, duke premtuar gjithashtu rritjen e shtesave për familjet me fëmijë dhe mbështetje për bashkatdhetarët që duan të investojnë në vend.

    Kurti premtoi edhe për modernizimin e ushtrisë dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë, duke përmendur krijimin e një fondi për teknologji dhe inovacion.

    Në fund të tubimit, ai apeloi qytetarët që të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatët për deputet, teksa ka folur për rëndësinë e votës së tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    “Bashkë drejt fitores”, KDTP mbyll fushatën elektorale

    Partia Demokratike Turke e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare me një mesazh të fuqishëm uniteti, besimi dhe vendosmërie. Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, tha se kjo fushatë ka qenë një dëshmi e lidhjes së fortë mes partisë dhe popullit.

    “Ne jemi pranë popullit tonë, zemër më zemër. Gjithmonë krah për krah me të njëjtin sinqeritet, besim dhe entuziazëm. Ky unitet i fortë vazhdon me vendosmëri në kutinë e votimit. Ne takohemi me besim në numrin 112. Ne jemi të fortë së bashku dhe do të fitojmë së bashku,” u shpreh Damka.

    Në kuadër të aktiviteteve të fundit të fushatës, KDTP ka ndarë pamje nga takimi i mbajtur në Mamushë me qytetarët, ku morën pjesë Kryetari i KDTP-së, z. Fikrim Damka, si dhe Kryetari i Komunës së Mamushës, z. Abdülhadi Krasniç. Takimi u organizua në mbështetje të kandidatëve për deputetë Ergül Mazrek dhe Fatma Taçi, të cilët u prezantuan si përfaqësues të përkushtuar dhe zëri i denjë i komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës.

    Në ditët e fundit të fushatës, Kryetari i KDTP-së ka publikuar edhe një video informuese me grafika sqaruese për mënyrën e saktë të votimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
    “Le të takohemi në qendrat e votimit më 28 dhjetor. Çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët,” është mesazhi përmbyllës i Kryetarit Damka.

  • “Bashkë Përpara”, PDK mbyll fushatën zgjedhore me tubim në Prishtinë

    “Bashkë Përpara”, PDK mbyll fushatën zgjedhore me tubim në Prishtinë

    Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sot fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare me një tubim të madh në Prishtinë, ku para mijëra qytetarëve ka folur kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza i cili tha se tubimi i sotëm nuk shënon vetëm fundin e fushatës, por edhe fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën.

    Hamza tha se sfida e Kosovës sot nuk është mbijetesa, por drejtimi i duhur i shtetit, duke theksuar se pa unitet nuk ka stabilitet, e pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë dhe mirëqenie për qytetarët.

    Gjatë fjalimit, kandidati për Kryeministër ndau edhe përvoja nga takimet me qytetarët gjatë fushatës.

    Ai prezantoi disa nga zotimet kryesore të PDK-së.

    Në fund të fjalimit, ai bëri thirrje për dalje masive në votime, duke kërkuar nga qytetarët që të mobilizojnë familjarët, miqtë dhe fqinjët për të votuar.

  • Paralajmërim për mashtrime në emër të Fondacionit Frutex & Golden Eagle

    Paralajmërim për mashtrime në emër të Fondacionit Frutex & Golden Eagle

    Fondacioni Fondacioni Frutex & Golden Eagle ka njoftuar publikun dhe mediat lidhur me disa raste të raportuara ditëve të fundit, ku persona të panjohur janë paraqitur rrejshëm në emër të fondacionit dhe në emër të pronarit të kompanisë Frutex LLC, z. Shaqir Palushi.

    Sipas njoftimit zyrtar, këta persona kanë ofruar kinse ndihma humanitare, duke i kushtëzuar ato me pagesë paraprake — një praktikë që fondacioni e cilëson si mashtruese dhe tërësisht të pavërtetë. Fondacioni thekson se nuk kërkon asnjëherë pagesa paraprake për ndihma humanitare dhe se çdo veprim i tillë nuk ka asnjë lidhje me institucionet e tyre.

    Bazuar në informacionet e deritanishme, disa organizata janë kontaktuar nga këta individë përmes numrave të telefonit:

    +381 62 9247041

    +381 61 1553871

    Fondacioni Frutex & Golden Eagle u bën thirrje të gjitha organizatave, institucioneve dhe qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë tek organet kompetente.

    Për çdo komunikim zyrtar apo verifikim informacioni, publiku ftohet të kontaktojë drejtpërdrejt kanalet zyrtare të Fondacionit Frutex & Golden Eagle.

  • Ftohtë në fundjavë, në viset e larta edhe fluska bore

    Ftohtë në fundjavë, në viset e larta edhe fluska bore

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell, ndërkaq temperaturat do të jenë në minus.

    IHMK-ja thekson se të shtunën do të mbajë vranësirat në viset e larta malore parashihen të sjellin riga dhe fjolla të dobëta bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 grade Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-4 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

    Ndërkaq, edhe të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i ngjashëm por me temperatura më të ulëta, kryesisht ato minimalet.

    Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • Arabia Saudite godet aleatët e Emirateve, rrezikohet përshkallëzimi i luftës

    Arabia Saudite godet aleatët e Emirateve, rrezikohet përshkallëzimi i luftës

    Arabia Saudite ka ndërmarrë një hap të papritur duke kryer sulme ajrore në Jemen, për herë të parë pas tre vitesh qetësi.

    Megjithatë, këtë radhë objektivi nuk ishin rebelët Houthi, por forcat separatiste të jugut, të cilat mbështeten nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Çfarë ndodhi?

    Ditët e fundit, forcat separatiste (Këshilli i Tranzicionit të Jugut – CTS) morën nën kontroll territore të mëdha në lindje të Jemenit, pranë kufirit me Arabinë Saudite dhe Omanin. Riadi zyrtar e cilësoi këtë si një “përshkallëzim të pajustifikuar” dhe u kërkoi separatistëve të tërhiqen menjëherë.

    Pasi separatistët refuzuan urdhrin, avionët sauditë goditën pozicionet e tyre në rajonin Hadramaout. Sipas raportimeve të para, sulmet ishin më shumë një “paralajmërim” pasi nuk pati viktima apo dëme të mëdha materiale.

    Pse po përplasen aleatët?

    Edhe pse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë zyrtarisht aleatë kundër rebelëve Houthi, ato kanë plane të ndryshme për të ardhmen e Jemenit:

    Arabia Saudite kërkon një Jemen të bashkuar dhe stabil, duke mbështetur qeverinë zyrtare që njihet ndërkombëtarisht.

    Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin separatistët e jugut, të cilët duan që Jemeni i Jugut të jetë shtet më vete.

    Rreziqet për rajonin

    Ekspertët paralajmërojnë se kjo përplasje mes “miqve” mund të ndihmojë rebelët Houthi (të mbështetur nga Irani), të cilët përfitojnë nga përçarja e kundërshtarëve të tyre.

    Gjithashtu, kjo ngjarje tregon një rivalitet në rritje midis Riadit dhe Abu Dabit për influencë në Lindjen e Mesme. Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Sudan, ku dy vendet mbështesin palë të ndryshme në luftën civile atje.

    Deri tani, as Arabia Saudite dhe as Emiratet nuk kanë bërë komente zyrtare mbi sulmet, por situata mbetet e tensionuar dhe mund të çojë në një fazë të re të luftës në Jemen.

  • Gjendja në pikat kufitare, kolona deri në 300 metra te Dheu i Bardhë për hyrje në Kosovë

    Gjendja në pikat kufitare, kolona deri në 300 metra te Dheu i Bardhë për hyrje në Kosovë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka përditësuar të dhënat, duke njoftuar se kohët e pritjeve në pikat kufitare të Kosovës janë rritur.

    Në pikëkalimin kufitar të Dheut të Bardhë, sipas QKMK-së, pritjet për hyrje në Kosovë arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa për dalje koha e pritjes shkon deri në 35 minuta.

    Në Jarinjë, pritjet për të hyrë në vend janë deri në 10 minuta, ndërsa në pikat e tjera kufitare fluksi dhe koha e pritjes mbeten më të ulëta.

  • Mërgim Vojvoda asiston në supergolin e Nico Paz kundër Lecces

    Mërgim Vojvoda asiston në supergolin e Nico Paz kundër Lecces

    Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës po bën paraqitje të shkëlqyer me Comon në elitën e futbollit italian.

    Vojvoda asistoi tek Nico Paz,ku ky i fundit shënoi një supergol për golin e epërsinë së Comos në 1:0.

    Përndryshe ky asistim mund t’i ndihmojë yllit dardan në ndeshjet e rradhës të Comos,ku synon që të fitoj vendin e titullarit tek ekipi italian,e cila po suprizon të gjithë në këtë sezon në Serie A.

    Kujtojmë që Mërgim Vojvoda ka 14 paraqitje në të gjitha garat për Comon,ku ka realizuar vetëm një gol nën drejtimin e trajnerit spanjoll Cesc Fabregas.