ATV

Blog

  • Djali i Maduros ‘thyen’ heshtjen, flet për arrestimin e babait të tij

    Djali i Maduros ‘thyen’ heshtjen, flet për arrestimin e babait të tij

    Pas kapjes së ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro nga forcat amerikane dhe transferimit të tij në një burg federal në Nju Jork, djali i tij, kongresmeni Nicolás Maduro Guerra, publikoi një mesazh në të cilin foli për “tradhti” brenda rrethit të ngushtë të pushtetit dhe u bëri thirrje mbështetësve të Çavizmit të vazhdojnë mobilizimet e tyre në rrugët e Venezuelës.

    “Historia do të tregojë se kush ishin tradhtarët, historia do ta zbulojë. Do të na shihni në rrugë, do të na shihni përkrah popullit, do të na shihni duke ngritur flamurin e dinjitetit”, deklaroi ai në një regjistrim audio të postuar në mediat sociale.

    Politikani 35-vjeçar, është po ashtu një ndër ata të shënuar nga SHBA-të në rastet e trafikimit të drogës.

    Vendndodhja e “Nicolasito”, siç njihet edhe djali i Maduro-s, është aktualisht e panjohur. Asnjë zëdhënës i Çavistëve nuk ka zbuluar vendndodhjen e tij ose nëse ka personel sigurie apo mbrojtës. Për më tepër, nuk ka pasur raportime për praninë e tij publike që nga nata e operacionit që çoi në kapjen e Maduro-s, as për pjesëmarrjen e tij në demonstratat në mbështetje të “Çavizmës” të mbajtura në Karakas.

    Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të dalë sot për herë të parë para një gjykate federale në Manhattan. Ai pritet të përballet me akuza të rënda për trafik droge dhe armësh. Seanca dëgjimore do të zhvillohet në mesditë përpara gjyqtarit amerikan Alvin Hellerstein

    Sakaq, Delcy Rodríguez u emërua presidente e përkohshme nga Gjykata Supreme e Venezuelës, por ish-krahu i djathtë i Maduros është kërcënuar tashmë nga Trump: ” Ne jemi në kontroll të Venezuelës. Nëse ai nuk bën atë që është e drejtë, ai do të paguajë një çmim më të lartë se Maduro.”

    Arrestimi i Maduros nga forcat amerikane ka shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare.

  • Kuvendi me fytyra të reja: Kandidatët që e marrin sefte mandatin e deputetit

    Kuvendi me fytyra të reja: Kandidatët që e marrin sefte mandatin e deputetit

    Mbi 95% e votave për zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025 janë numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Duke u bazuar në të dhënat e fundit, pak a shumë dihet se kush do të hyjë në Kuvendin e Kosovës si deputet nga secila parti.

    Këto zgjedhje kanë sjellë edhe fytyra të reja në Kuvendin e Kosovës, të cilat më herët nuk kanë qenë në politikë apo nuk kanë arritur të marrin votat për të qenë pjesë e legjislativit.

    Sipas rezultateve të tanishme, nga Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë në Kuvend do të hyjnë: Rufki Suma, Blerim Gashi, Taulant Kelmendi, Fatos Geci, Hysen Durmishi, Jeton Raka, Arsim Ademi, Sylejman Meholli dhe Vigan Qorrolli.

    Nga Partia Demokratike e Kosovës, sefte në Kuvend do të jenë: Arian Tahiri, Arben Mustafa e Besa Kabashi-Ramaj.

    Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë si deputetë të rinj Janina Ymerin, Adelina Thaqi-Metan dhe Ermal Sadikun.

    AAK nuk pritet që të ketë ndonjë fytyrë të re në Kuvendin e Kosovës.

    Në bazë të rezultateve të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.50% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.49%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.37% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.55%.

    Numërimi ka përfunduar në të gjitha vendvotimet e rregullta dhe në vendvotimet nga përfaqësitë diplomatike, ndërkaq sipas KQZ-së, janë numëruar edhe 72.83 % e votave me postë. Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta nuk ka filluar ende.

    Bazuar në rezultatet e tanishme, LVV siguron 56 mandate në Kuvend, PDK 23, LDK 15, AAK 6, dhe komunitetet joshumicë 20 ulëset tjera.

    Për dallim nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, në zgjedhjet e rregullta që ishin mbajtur në shkurt 2025, LVV kishte marrë 42.30% të votave apo 48 deputetë, PDK 20.95% apo 24 deputetë, LDK 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.

    Rënien më të madhe del se e ka pësuar LDK-ja, për çka kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se menjëherë do ta thërras Kuvendin e LDK-së, ndonëse ende s’e ka bërë këtë.

    Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese, shkruan Kallxo.com

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.

    Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

    otimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27 dhjetor.

    Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë qeverinë edhe pse zgjedhjet Parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

    Presidentja e kishte shpallur 28.12.2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Të dhënat e numërimit mund të qasen në këtë vegëz. /Kallxo

  • Gjykata në Paris shpall fajtor dhe dënon 10 persona për ngacmim online ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron

    Gjykata në Paris shpall fajtor dhe dënon 10 persona për ngacmim online ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron

    Një gjykatë në Paris ka shpallur fajtor 10 persona për ngacmim online ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron.

    Të akuzuarit janë dënuar me masa që variojnë nga trajnim për ndërgjegjësimin mbi ngacmimin online deri te 8 muaj burg.

    Mes tyre ishin tetë burra dhe dy gra, të moshave 41–60 vjeç. Të gjithë u akuzuan për komentime të dëmshme lidhur me gjininë dhe seksualitetin e Brigitte Macron. Për disa, kjo përfshinte edhe krahasimin e diferencës së moshës me bashkëshortin e saj, Presidentin Emmanuel Macron, me “pedofili”.

    Teoria e rreme rreth gjinisë së Brigitte Macron u përhap pjesërisht për shkak se marrëdhënia e saj me Macron ka qenë prej kohësh temë diskutimesh online. Brigitte Macron, e cila është 24 vjet më e madhe se bashkëshorti i saj, e takoi Emmanuel Macron-in për herë të parë kur ishte mësuese franceze në shkollën e tij jezuite në Amiens.

    Gjatë vitit të kaluar, vajza e Brigitte Macron, Tiphaine Auzière, 41 vjeçe dhe avokate, dëshmoi para një gjykate në Paris se pretendimet e rreme online se Zonja e Parë kishte lindur si burrë kishin dëmtuar ndjeshëm jetën e saj, duke e bërë nënën e saj të shqetësohej çdo ditë për rrobat që vesh dhe mënyrën si qëndron.

    Auzière tha se fotografi private të nënës së saj, përfshirë foto verore, ishin publikuar online me komente negative. “Si pasojë, tani ajo duhet gjithmonë të kujdeset se çfarë vesh, si qëndron, pavarësisht se çfarë bën në jetën e saj të përditshme, sepse e di që imazhi i saj mund të përdoret për të shërbyer këto sulme,” shtoi ajo.

  • Mbi 2,8 milionë euro/ Ministria e Infrastrukturës finalizon kontratat për mirëmbajtjen dimërore

    Mbi 2,8 milionë euro/ Ministria e Infrastrukturës finalizon kontratat për mirëmbajtjen dimërore

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar për nënshkrimin e kontratave për mirëmbajtjen dimërore të autoudhëve A7 “Ibrahim Rugova” dhe A6 “Arbën Xhaferi”, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit dimëror, transmeton IndeksOnline.

    Lënda e kontratës ka të bëjë me shërbimet e mirëmbajtjes dimërore, përfshirë pastrimin e borës, shkrifetimin, trajtimin kundër akullit dhe transportin e borës së larguar nga rruga. Këto shërbime janë thelbësore për ruajtjen e qarkullimit të sigurt dhe për funksionimin normal të ekonomisë gjatë kushteve të vështira atmosferike.

    Ministria thekson se moti dimëror shpesh është i paparashikueshëm dhe kërkon një qasje fleksibile, pasi bora, ngricat, akulli dhe akulli i zi paraqesin rrezik serioz për pjesëmarrësit në trafik.

    Kontrata është e ndarë në katër lote, që mbulojnë autoudhët kryesore të vendit:

    Llot 1 – Autoudha A7 “Ibrahim Rugova”

    Operatorë ekonomikë: Grup i OE – Lika Trade Sh.p.k.; Lika Company Sh.p.k.

    Vlera e kontratës: 913,320.00 EUR

    Llot 2 – Autoudha A7 “Ibrahim Rugova”

    Operatorë ekonomikë: Grup i OE – VARNA Sh.p.k.; ILEAA-GR Sh.p.k.; EL-BAU Sh.p.k.

    Vlera e kontratës: 758,413.44 EUR

    Llot 3 – Autoudha A6 “Arbën Xhaferi”

    Vlera e kontratës: 658,838.25 EUR

    Llot 4 – Autoudha A6 “Arbën Xhaferi”

    Operatorë ekonomikë: Grup i OE – EUROKOS HOLDING Sh.p.k.; VIA

    Vlera e kontratës: 549,472.61 EUR

    Vlera e përgjithshme e parashikuar e kontratës për të gjitha lotet është 2,895,700.00 EUR.

    Punëdhënës është Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa zbatimi i planit për mirëmbajtjen dimërore do të mbikëqyret nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve, përmes menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të punimeve të caktuar nga ministria.

    Ministria bën të ditur se njoftimi për nënshkrimin e kontratës është vonuar, pasi lënda ka qenë në shqyrtim pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe është publikuar pas verdiktit përfundimtar të këtij institucioni.

  • Varrosen dy miqtë e Anthony Joshuas pas aksidentit tragjik rrugor

    Varrosen dy miqtë e Anthony Joshuas pas aksidentit tragjik rrugor

    Është zhvilluar ceremonia e varrimit për dy shokët e afërt të kampionit të boksit, Anthony Joshua, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor rreth Nigerisë. Ngjarja ka tronditur komunitetin dhe ka lënë një boshllëk të madh tek familjarët dhe miqtë e tyre.

    Anthony Joshua, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit për t’u dhënë nderin e fundit. Mijëra persona, përfshirë familjarët, miqtë dhe dashamirësit e boksit, ishin të pranishëm për të nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe për të shprehur ngushëllimet e tyre.

    Ngjarja e rëndë ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë në rrugë, duke theksuar pasojat tragjike që aksidentet mund të kenë për jetët e njerëzve. Familjet e të ndjerëve kërkojnë respekt për privatësinë dhe hapësirë për të përballuar dhimbjen e madhe që ka lënë kjo humbje. /ATVLIVE.TV

  • Gjimshiti, Ismajli, Asani dhe Mehmeti shkëlqejnë në fillimin e vitit 2026

    Gjimshiti, Ismajli, Asani dhe Mehmeti shkëlqejnë në fillimin e vitit 2026

    Viti 2026 ka nisur në mënyrën më të mirë për legjionarët shqiptarë, të cilët kanë spikatur me paraqitje vendimtare dhe kontribute kyçe në ndeshjet e skuadrave të tyre.

    Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, zhvilloi një ndeshje të madhe me Atalantën, në fitoren minimale 1-0 ndaj Romës. Mbrojtësi kuqezi ishte i pakalueshëm në prapavijë, duke shpëtuar disa herë skuadrën nga goli dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i takimit.

    Një tjetër performancë e spikatur erdhi nga Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi që aktivizohet në Serie A me Torinon. Ismajli jo vetëm që siguronte mbrojtjen, por kontribuoi edhe në fazën sulmuese duke dhënë asistin për golin e tretë në fitoren 3-0 ndaj Veronës, realizuar nga Njie në fundin e takimit.

    Sulmuesi Jasir Asani nisi vitin e ri me gol, duke shënuar nga penalltia në fitoren 2-1 të Esteghlalit ndaj liderit të kampionatit iranian, Sepahan. Ky sukses e mbajti klubin e Asanit vetëm 5 pikë pas kryesuesve, ndërsa goli ishte i shtati sezonal i tij në kampionat.

    Me gol e nisi vitin e ri edhe Anis Mehmeti, i cili kontribuoi në fitoren e thellë 5-0 të Bristol Cityt ndaj Portsmouthit, duke treguar formë të mirë në startin e vitit.

    Përveç tyre, kontribute të rëndësishme dhanë edhe legjionarë të tjerë si Ylber Ramadani, Armando Broja dhe Rey Manaj, ndërsa në disa kampionate europiane dhe botërore sezoni futbollistik nuk ka nisur ende.

    Ky fillim i vitit tregon se shqiptarët janë në formë dhe mund të jenë faktor vendimtar për skuadrat e tyre në vazhdim të sezonit, duke dhënë kontribut jo vetëm në gol, por edhe në lojën e përgjithshme. /ATVLIVE.TV

  • Pse nuk mund t’i lëvizim gishtat e këmbëve një nga një?

    Pse nuk mund t’i lëvizim gishtat e këmbëve një nga një?

    Një nga aktivitetet e mia të preferuara është të shkoj në kopshtin zoologjik në Knoxville, aty ku jetoj, herët në mëngjes, kur kafshët janë më aktive. Një fundjavë, u drejtova fillimisht te shimpanzetë. Ushqimi i tyre i mëngjesit ishte ende i shpërndarë në hapësirën e tyre. Ripley, një nga shimpanzetë meshkuj, mblodhi shpejt fruta dhe perime, duke përdorur herë pas here këmbët pothuajse si duar. Pasi hëngri, ai përdori këmbët për të kapur tubat për lokalizimin e zjarreve që vareshin përreth dhe madje mbante copa kashte e lodra të tjera me gishtat e këmbëve.

    U bëra pak xheloz. Pse njerëzit nuk mund t’i përdorin këmbët në këtë mënyrë, duke kapur gjëra shpejt dhe lehtë me gishtat e këmbëve, ashtu siç bëjmë me gishtat e duarve?

    Unë jam antropolog biologjik dhe studioj biomekanikën e këmbës dhe kyçit të këmbës te njeriu modern, duke përdorur parime mekanike të lëvizjes për të kuptuar se si forcat ndikojnë në formën e trupit tonë dhe si kanë ndryshuar njerëzit me kalimin e kohës. Muskujt, truri dhe evolucioni i këmbës njerëzore luajnë të gjithë rol në faktin pse nuk mund t’i lëvizësh gishtat e këmbëve veç e veç.

    Image

    Krahasimi me të afërmit tanë të afërt

    Njerëzit janë primatë, që do të thotë se i përkasin të njëjtit grup kafshësh si majmunët e mëdhenj, përfshirë shimpanzetë si Ripley. Në fakt, shimpanzetë janë të afërmit tanë gjenetikë më të afërt, duke ndarë rreth 98.8% të ADN-së me ne.

    Evolucioni është një pjesë kyçe e përgjigjes pse shimpanzetë kanë gishta këmbësh kaq të zhdërvjellët, ndërsa tanët duken shumë më të ngathët. Paraardhësit tanë shumë të hershëm ka të ngjarë të lëviznin si shimpanzetë, duke përdorur si krahët ashtu edhe këmbët. Por me kalimin e kohës, linja jonë evolutive filloi të ecte mbi dy këmbë. Këmbët njerëzore duhej të ndryshonin për të na ndihmuar të ruanim ekuilibrin dhe të mbështesnim trupin gjatë ecjes drejt. U bë më pak e rëndësishme që gishtat e këmbëve të lëviznin në mënyrë të pavarur dhe më e rëndësishme që të na mbanin të qëndrueshëm.

    Image

    Ndërkohë, duart u bënë gjithnjë e më të rëndësishme për përdorimin e veglave, një nga aftësitë dalluese të qenies njerëzore. Me kalimin e kohës, gishtat e duarve u përshtatën për lëvizje gjithnjë e më të sakta dhe të pavarura. Ne përdorim duart për të vizatuar, për të shkruar mesazhe, për të luajtur instrumente muzikore apo për të shtypur në tastierë. Të gjitha këto janë të mundura sepse gishtat tanë mund të bëjnë lëvizje të vogla, të kontrolluara dhe të kujdesshme.

    Me pak fjalë, duart dhe këmbët tona evoluuan për qëllime të ndryshme.

    Muskujt që lëvizin gishtat

    Këto dallime erdhën si rezultat i përshtatjes së muskujve, kockave dhe tendinave për të mbështetur më mirë ecjen dhe ekuilibrin. Duart dhe këmbët kanë një anatomi të ngjashme: të dyja kanë pesë gishta që lëvizen nga muskuj dhe tendina. Këmba e njeriut ka rreth 29 muskuj që ndihmojnë në ecje dhe në ruajtjen e ekuilibrit, ndërsa dora ka rreth 34 muskuj.

    Image

    Shumica e muskujve të këmbës shërbejnë për të përkulur gishtat poshtë (si kur qëndron në majë të gishtave) ose për t’i ngritur lart (si kur ecën mbi thembra). Gishti i madh i këmbës është i veçantë, sepse ndihmon në shtyrjen e trupit përpara gjatë ecjes dhe ka muskuj shtesë për lëvizjen e tij. Katër gishtat e tjerë nuk kanë muskuj të veçantë për secilin; ata ndajnë disa muskuj të përbashkët, ndaj mund të lëvizin, por jo në mënyrë të pavarur si gishtat e dorës.

    Ndryshe nga kjo, gishtat e dorës kontrollohen nga grupe të shumta muskujsh të specializuar, të cilët lejojnë kapjen dhe lëvizjet e sakta.

    Roli i trurit

    Edhe truri luan një rol të madh. Zona e quajtur korteksi motorik kontrollon lëvizjen dhe u kushton shumë më tepër hapësirë gishtave të duarve sesa gishtave të këmbëve. Kjo do të thotë se truri dërgon sinjale më të detajuara për lëvizjen e gishtave të duarve, duke i bërë ato shumë më të shkathëta.

    Image

    Pra, edhe pse nuk mund t’i përdorim këmbët si shimpanzetë, kjo ndodh sepse trupi dhe truri ynë janë formësuar nga evolucioni për ecje, ekuilibër dhe përdorim të avancuar të duarve, jo për kapje me gishtat e këmbëve.

  • Shtyhet lansimi i Trump Mobile T1 të veshur me ar

    Shtyhet lansimi i Trump Mobile T1 të veshur me ar

    Trump Mobile T1 i veshur me ar është goditur me një tjetër vonesë, me kompaninë që tani fajëson mbylljen e fundit të qeverisë për shtyrjen e lansimit në vitin 2026.

    Është një pengesë frustruese për klientët që kanë porosi paraprake, të cilët ende presin që pajisja “e prodhuar në Amerikë” të materializohet vërtet.

    Duket se pritja për Trump Mobile T1 do të jetë pak më e gjatë.

    Pikërisht kur po mbyllnim vitin, u përhap lajmi se telefoni inteligjent i veshur me ar nuk do të dalë në shitje në vitin 2025.

    Sipas një raporti të ri, përfaqësuesit e shërbimit ndaj klientit të Trump Mobile thonë se vonesa po i atribuohet mbylljes së fundit të qeverisë amerikane.

    Mbyllja, e cila zgjati nga 1 tetori deri më 12 nëntor, thuhet se shkaktoi një vonesë në FCC, duke pezulluar miratimet e nevojshme për pajisjen.

    Ndërsa kompania tani po vlerëson një lansxim për mesin ose fundin e janarit 2026, vlen të përmendet se kjo nuk është hera e parë – apo edhe e dytë – që objektivat kanë ndryshuar.

    Fillimisht i planifikuar për një lansim në gusht, afati kohor ka ndryshuar vazhdimisht.

    Kjo vonesë nuk prek vetëm një kompani; ajo nxjerr në pah se sa i brishtë mund të jetë zinxhiri i furnizimit me teknologji kur operacionet qeveritare ngeci.

  • Bota mund të mos ketë kohë të përgatitet për rreziqet e inteligjencës artificiale

    Bota mund të mos ketë kohë të përgatitet për rreziqet e inteligjencës artificiale

    Rreziqet që vijnë nga zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale të avancuar mund të tejkalojnë aftësinë e qeverive dhe shoqërive për t’u përgatitur, paralajmëron një ekspert i lartë britanik i sigurisë së teknologjisë.

    David Dalrymple, drejtor programi dhe ekspert i sigurisë së inteligjencës artificiale (IA) në agjencinë kërkimore Aria të Mbretërisë së Bashkuar, ka deklaruar për The Guardian se kapacitetet e teknologjisë po rriten me ritme alarmante.

    Sipas tij, sistemet e avancuara të IA-së po shkojnë drejt aftësisë për të kryer të gjitha funksionet që sot realizohen nga njerëzit, madje më shpejt, më lirë dhe me cilësi më të lartë. “Ne rrezikojmë të tejkalohemi në të gjitha fushat kyçe që na mundësojnë kontrollin mbi shoqërinë, ekonominë dhe planetin”, tha Dalrymple.

    Eksperti vëren se ekziston një hendek i madh mes sektorit publik dhe kompanive të teknologjisë në kuptimin real të fuqisë së përparimeve që priten në vitet e ardhshme. “Gjërat po ecin jashtëzakonisht shpejt dhe mund të mos kemi kohë të mjaftueshme për t’u paraprirë rreziqeve nga këndvështrimi i sigurisë,” theksoi ai, duke shtuar se brenda pesë vitesh shumica e detyrave me vlerë ekonomike mund të kryhen nga makinat.

    Dalrymple paralajmëroi se qeveritë nuk duhet të supozojnë se sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale janë të besueshme. Sipas tij, presioni ekonomik po e lë pas zhvillimin e mekanizmave të sigurisë. Për këtë arsye, fokusi duhet të jetë në kontrollin dhe zbutjen e pasojave negative të teknologjisë, veçanërisht në sektorë kritikë si energjia dhe infrastruktura.

    Në të njëjtën kohë, Instituti i Sigurisë së Inteligjencës Artificiale i qeverisë britanike (AISI) raportoi këtë muaj se aftësitë e modeleve të avancuara të IA-së po përmirësohen me shpejtësi në të gjitha fushat, ndërsa performanca në disa prej tyre po dyfishohet çdo tetë muaj.

    Sipas AISI, modelet kryesore janë tashmë në gjendje të kryejnë detyra në nivel praktikanti në rreth 50% të rasteve, nga rreth 10% një vit më parë. Po ashtu, disa sisteme të avancuara mund të kryejnë në mënyrë autonome detyra që një eksperti njerëzor do t’i kërkonin më shumë se një orë.

    Një nga shqetësimet kryesore të sigurisë mbetet aftësia e vetë-riprodhimit të sistemeve të inteligjencës artificiale. Testimet e kryera nga AISI treguan se dy modele shumë të avancuara arritën norma suksesi mbi 60%, megjithatë instituti theksoi se skenarët ekstremë mbeten të pamundur në kushtet e përditshme reale.

    Dalrymple parashikon se deri në fund të vitit 2026, inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të automatizojë punën kërkimore dhe zhvillimore në shkallë të gjerë, duke sjellë një përshpejtim të mëtejshëm të zhvillimit teknologjik dhe duke rritur nevojën për masa urgjente sigurie.

  • Franz Kafka, në një pasqyrim të çeliktë për të bërë portretin e një metamorfoze të pambarimtë

    Franz Kafka, në një pasqyrim të çeliktë për të bërë portretin e një metamorfoze të pambarimtë

    Që nga viti 2014, vizitorët e Pragës, qytetit të rrugicave barok, hijes mesjetare dhe kujtesës së pambarimtë, ndalen befas përballë një koke gjigante prej çeliku shkëlqyes që lëviz, thyhet, ribëhet, zhduket për t’u rindërtuar sërish në një proces të pambarimtë metamorfoze. Fare pranë stacionit të metrosë Národní, instalacioni kinetik i David Černý-t duket sikur shpalos në çelik pështjellimin e brendshëm të atij që, me një trup të brishtë dhe një shpirt të ngarkuar, arriti të kthejë ankthin në letërsi universale, Franz Kafka.

    Skulptura, e përbërë nga 42 blloqe inoksi të rrotulluara në mënyrë të pavarur, ka sipërfaqe reflektuese dhe peshon rreth 45 tonë. Por pesha reale e saj është simbolike: ajo mbart mbi vete gjithë dramën e një subjekti që kërkon të kuptojë veten, duke u copëzuar ndërkohë. Koka që shpërbëhet dhe ribëhet është metafora e një egoje të pasigurt, të turbulluar, që përpiqet të gjejë formë në një botë që nuk ofron qartësi.

    Nuk është rastësi që kjo vepër ngrihet pikërisht në Pragë. Kafka është një prej autorëve që e kanë ngritur qytetin në një dimension mitik, ndërsa Praga, në mënyrë reciproke, e ka përkufizuar jehonën e shkrimtarit. Ai punoi në këtë zonë, në zemër të një qendre sipërmarrjeje dhe kulture që, që në fillim të shekullit XX, ishte laborator i modernitetit evropian. Në këtë klimë burokratike, shpesh absurde, Kafka do të mbrujë përvojën e tij letrare: njeriu përballë strukturave që e tejkalojnë, që nuk flasin, por urdhërojnë; një botë ku ligji ekziston, por kuptimi mungon.

    Nëse mendojmë veprën “Metamorfoza”, ku Gregor Samsa zgjohet si insekt, skulptura e Černý-t bëhet pasqyrë e këtij transformimi të dhimbshëm. Koka e Kafkës, që rrotullohet e copëtohet, është trupi i Gregorit që nuk i përket më vetes. Por njëkohësisht, ajo është vetë Kafka, shkrimtari që e ndiente veten i huaj në familje, në punë, në dashuri, i mbërthyer mes detyrimit dhe dëshirës për liri.

    Në “Procesi”, protagonisti përballet me një gjykim të paqartë, me një strukturë ligjore që as nuk shpjegon, as nuk mëshiron. Skulptura, me mekanikën e ftohtë që e drejton, e vizualizon këtë dominim të sistemit mbi individin. Shpirti i njeriut përpiqet të formësohet, por është gjithnjë nën lëvizje të jashtme, i manipuluar nga rrethana që nuk i kontrollon. Kjo është ajo që Kafka e shndërroi në poezi të ankthit modern.

    Në “Kështjella”, kërkimi i pafund për hyrjen në një botë ku autoriteti është i padukshëm, shndërrohet në metaforën e një jete të jetuar në prag. Edhe skulptura funksionon në këtë kufi: ajo premton stabilitet kur fytyra formohet për një çast, por menjëherë pas, gjithçka shpërbëhet. Çdo moment duket si premtim për qartësi, e megjithatë përfundon si iluzion.

    Në këtë kuptim, Černý nuk i bën thjesht homazh një shkrimtari të madh. Ai ofron një lexim bashkëkohor të psikikës njerëzore: të fragmentuar, të pasigurt, të ekspozuar ndaj presioneve të shoqërisë teknologjike dhe burokratike. Vepra e tij flet për tjetërsimin e njeriut modern, për identitetin që nuk është më një qenie e pandryshueshme, por një proces i vazhdueshëm riformësimi.

    Portreti në çelik i Franz Kafkës është, pra, një metamorfozë e përhershme. Ai nuk është monument tradicional që ngrin në kohë kujtimin e autorit. Përkundrazi, është kujtesë e gjallë se Kafka mbetet aktual sepse vazhdon të na flasë për frikërat tona më intime: humbjen e kontrollit, shtypjen nga strukturat që nuk i kuptojmë, ndjesinë se jeta zhvillohet nën një logjikë të pashpjegueshme.

    Prandaj, kur koka rrotullohet, ribëhet dhe na shikon për një çast, kemi ndjesinë se ajo nuk është vetëm Kafka. Në atë reflektim prej çeliku shfaqemi edhe ne, me dyshimet tona, me fragmentet tona, me metamorfozat tona të pambarimta. Skulptura, si dhe vetë letërsia e tij, na detyron të shohim të vërtetën e padurueshme, se identiteti nuk është një statujë, por një proces i pandalur i përballjes me veten dhe botën.