ATV

Blog

  • Start-up-et e IA-së sfidojnë Google-in në betejën për tregun e shfletuesve të internetit

    Start-up-et e IA-së sfidojnë Google-in në betejën për tregun e shfletuesve të internetit

    Start-up-et kryesore të inteligjencës artificiale po intensifikojnë përpjekjet për të sfiduar dominimin e Google-it në tregun global të shfletuesve të internetit, duke vënë bast se teknologjia e IA-së do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit e përdorin web-in.

    OpenAI dhe Perplexity kanë prezantuar muajt e fundit shfletuesit e tyre të rinj, ndërsa Microsoft ka integruar mjetin Copilot AI në shfletuesin Edge, duke u mundësuar përdoruesve të bashkëveprojnë me chatbot-e paralelisht me përmbajtjen që po lexojnë.

    Këto zhvillime përfaqësojnë ndryshimin më të madh në tregun global të shfletuesve gjatë dy dekadave të fundit dhe shënojnë një front të ri në garën mes gjigantëve teknologjikë për epërsi në fushën e inteligjencës artificiale, raporton Financial Times.

    Një betejë kundër një gjiganti dominues

    Google mbetet lojtari kryesor, me mbi 63% të tregut global të shfletuesve, sipas të dhënave të Cloudflare, dhe ka lëvizur shpejt për të integruar modelet e tij Gemini AI në Chrome.

    Megjithatë, aktorët e rinj besojnë se shfletuesit e bazuar në IA mund të riformësojnë përvojën online.

    Mark Surman, president i Mozilla Foundation, tha për Financial Times se shfletuesit e rinj me IA do të përcaktojnë mënyrën se si njerëzit do të ndërveprojnë me internetin në të ardhmen. Mozilla planifikon t’u lejojë përdoruesve të Firefox-it të zgjedhin vetë modelin e IA-së që dëshirojnë të integrojnë.

    Pse shfletuesit janë kaq të rëndësishëm për IA-në?

    Për OpenAI dhe Perplexity, ndërtimi i shfletuesve të tyre krijon një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me përdoruesit, të cilët aktualisht aksesojnë chatbot-e si ChatGPT kryesisht përmes platformave të kontrolluara nga Google ose Microsoft.

    Jesse Dwyer nga Perplexity e përshkroi shfletuesin e ri Comet si “sistemin operativ të mendjes”, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të kësaj platforme.

    Përveç mbledhjes së të dhënave të vlefshme për trajnimin e modeleve gjuhësore, shfletuesit me IA rrisin angazhimin e përdoruesve dhe hapin rrugë të reja për të ardhura nga reklamat.

    Shfletuesit shihen gjithashtu si baza ku do të funksionojnë të ashtuquajturit “agjentë IA”, sisteme që mund të veprojnë në emër të përdoruesit, si rezervimi i biletave, menaxhimi i takimeve apo kryerja e blerjeve online.

    Kritika, privatësia dhe siguria kibernetike

    Megjithëse potenciali është i madh, përvoja e re me shfletues të fuqizuar nga IA ka nxitur edhe kritika. Disa përdorues raportojnë funksione të paqëndrueshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rreziqe serioze ndaj privatësisë dhe sigurisë kibernetike.

    Integrimi i modeleve të mëdha gjuhësore në shfletues sjell rreziqe si “prompt injection”, një problem ende i pazgjidhur, ku sulmuesit mund të manipulojnë sjelljen e IA-së përmes përmbajtjes së faqeve web.

    Konsulenca Gartner ka sugjeruar madje që kompanitë të bllokojnë shfletuesit me IA për shkak të këtyre rreziqeve, veçanërisht kur përdoruesit u besojnë sistemeve të tilla të dhëna sensitive si kartat bankare.

    Kompanitë teknologjike theksojnë se përdorimi i të dhënave është opsional dhe i kontrolluar. Google, OpenAI, Microsoft dhe Perplexity deklarojnë se përdoruesit mund të zgjedhin nëse duan apo jo të ndajnë të dhënat për personalizim dhe trajnim të IA-së.

    A mjafton AI për të rrëzuar Chrome?

    Analistët mbeten skeptikë.

    Sipas Stephanie Liu nga Forrester, një shfletues me IA nuk është automatikisht një avantazh konkurrues. OpenAI dhe rivalët e tij do të duhet të ofrojnë një vlerë të qartë dhe bindëse për të tërhequr përdorues nga një shfletues aq i konsoliduar sa Chrome.

    Megjithatë, shumë ekspertë bien dakord se tregu është gati për ndryshim, pas dy dekadash inovacioni minimal.

    Dwyer u shpreh për Financial Times se “mund të mos dihet ende cili shfletues do të fitojë, por është e qartë se modelet aktuale nuk përfaqësojnë më të ardhmen e internetit”.

  • “Lahuta e Malcis”, kryevepra e letërsisë shqipe

    “Lahuta e Malcis”, kryevepra e letërsisë shqipe

    5 janari i 35 viteve më parë u shndërrua në një moment historik dhe në festë të madhe kur pas 45 vitesh, u interpretua për herë në publik pas 45 vitesh “Lahuta e Malcis”.

    Autori i veprës, Gjergj Fishta ishte ndër shkrimtarët më të censuruar gjatë diktaturës, veprat e tij ishin rreptësishtë të ndaluara.

    “Vepra e Fishtës është një rast unikal i censurimit të letërsisë. Ky autor u klasifikua, vepra u ndalua në biblioteka, në tekste mësimore, nuk mund të shkonte më te lexuesi i lirë. Ishte një autor që nuk duhej lexuar për shkak të besimit të vet fetar, veprës së shkruar me gegënishten që binte në kundërshti me rregullat e Kongresit të Drejtshkrimit dhe për shkak të atdhedashurisë që vepra e Fishtës e rrezaton në çdo qelizë të saj”, u shpreh Prof. Asoc. Lili Sula, pedagoge në Departamentin e Letërisë.

    “Ishte një nga autorët e përjashtuar dhe më të goditur nga ideologjia komuniste. Studiuesve të historisë së letërsisë shqipe i mungoi një vepër që ishte një pasuri e madhe gjuhësore nga ana e studimeve për t’u parë dhe vlerësuar në të gjithë rrjedhën e letërsisë që do të vinte më pas”, u shpreh Alda Bardhyli.

    Megjithatë, “Iliada” shqiptare e gjente rrugën te publiku përmes rapsodëve, që këndonin poemat e Fishtës teksa luanin në lahutë, instrumentin e lashtë autokton.

    “Mbahet mend shumë më lehtë duke kënduar përmes instrumentit muzikor, është një vepër që burimin e forcës e ka te arti, edhe pse politika e ndalonte, gjente rrugën për t’u shpërndarë”, u shpreh Lili Sula.

    “Lahuta e Malcis” është eposi i shqiptarëve, një poemë epiko-heroike ndërtuar mbi episode të shumta ku veprojnë personazhe historike dhe mitologjike.

    “Lahuta e Malcis është një pasuri e madhe gjuhësore, është një epope kombëtare. Me Lahutën e Malcis, i dha zë aspiratave të shqiptarëve për liri, përpjekjeve historike për të mbrojtur gjuhën, traditat”, tha Alda Bardhyli.

    “Aty ka personazhe, ngjarje historike, lavdi, përpjekje në emër të lirisë të popullit. Sepse edhe heroi kryesor aty nuk ka një emër të përveçëm. Është ajo epope që letërsia shqipe e donte prej vitesh”, tha Sula.

     Ndonëse Fishta është pjesë e kurrikulave mësimore, sipas profesoreshë Lili Sulës, vetë fakti që mësuesit e shkolluar në diktaturë nuk e kanë studiuar një ndër autorit më të rëndësishëm të letrave shqipe në shek. XX-të, krijon boshllëqe.

    “Edhe shkolla sot e vuan sepse mësuesit që japin mësim sot dhe nuk e kanë bërë në bankat e shkollës apo të universitetit nuk e kanë rikuperuar këtë boshllëk. Kjo reflektohet drejtpërdrejt te aftësitë e nxënësve”, tha pedagogia Lili Sula.

    E shkruar në gegërisht, poema epike kombëtare shqiptare u botua e plotë në vitin 1937, e përbërë nga 30 këngë dhe mbi 17.000 vargje

  • Real Madrid blindon Gonzalo Garcian, pas paraqitjes spektakolare ndaj Betisit

    Real Madrid blindon Gonzalo Garcian, pas paraqitjes spektakolare ndaj Betisit

    Real Madrid vazhdon të tregojë besim të plotë te talentet e rinj dhe një prej emrave më të përfolur së fundmi është Gonzalo Garcia. Klubi madrilen nuk ka konsideruar asnjëherë largimin e tij, as gjatë merkatos së janarit dhe as verën e kaluar, duke e cilësuar sulmuesin si një pjesë kyçe të projektit afatgjatë.

    Këtë fundjavë që lamë pas, Real Madrid dhuroi një paraqitje bindëse duke mposhtur Real Betisin me rezultatin e thellë 5-1. Protagonisti absolut i sfidës ishte pikërisht Gonzalo Garcia, i cili realizoi tre gola, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe potencialin e jashtëzakonshëm që zotëron.

    Brenda klubit, Gonzalo shihet si një lojtar me të ardhme të madhe, ndërsa trajneri Xabi Alonso e vlerëson shumë dhe e konsideron pjesë të rëndësishme të skuadrës për të tashmen dhe të ardhmen. Për këtë arsye, Real Madrid e ka “mbyllur derën” për çdo interes të mundshëm nga klube të tjera, duke e mbajtur lojtarin të paprekshëm.

    Paraqitja ndaj Betisit vetëm sa ka forcuar bindjen se Gonzalo Garcia është gati të marrë një rol edhe më të madh në ekipin e parë të “Los Blancos”.

  • Shokz prezanton OpenFit Pro

    Shokz prezanton OpenFit Pro

    Kompania Shokz ka prezantuar në CES 2026 kufjet e saj të reja OpenFit Pro, të dizajnuara për të ofruar përvojë të përmirësuar të dëgjimit edhe në qytete të zhurmshme.

    Kufjet, të cilat shiten për 249.95 dollarë, përdorin një sistem me tre mikrofonë dhe një algoritëm adaptiv për të reduktuar zhurmën e ambientit, duke i lejuar përdoruesit të dëgjojnë muzikë edhe gjatë udhëtimeve në metro.

    Ndryshe nga teknologjia klasike e anulimit aktiv të zhurmës, e cila kërkon një kanal të mbyllur të veshit, OpenFit Pro nuk bllokon plotësisht ambientin.

    Dy mikrofonët monitorojnë zhurmat e jashtme, ndërsa mikrofon i tretë pranë veshit mat atë që arrin realisht në kanalin e veshit.

    Shokz është e njohur për kufjet e saj “open-ear”, të cilat ofrojnë siguri. Megjithatë, përdoruesit shpesh kanë hasur probleme gjatë udhëtimeve të zhurmshme, pasi muzikën e tyre nuk mund t’i dëgjonin qartë.

    Por tani testimet e para tregojnë se sistemi funksionon më mirë se sa pritej.

    OpenFit Pro është pjesë e trendit në rritje të pajisjeve audio që përpiqen të kombinojnë sigurinë dhe cilësinë e zërit, duke i bërë ato të përshtatshme për qytetet e zhurmshme dhe për përdoruesit që kërkojnë fleksibilitet në përdorimin e kufjeve të tyre.

  • Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Faturat e larta të energjisë elektrike, bëhet thirrje për protestë masive

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se çmimet e faturave janë edhe më të larta se vitin e kaluar. Në komunikatë përmenden gjithashtu çmimet e larta që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, për çka u është bërë thirrje qytetarëve për protesta masive dhe bllokim të zyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), KESCO-s, por edhe operatorëve privatë.

    KMDLNj ka shprehur shqetësimin se me ngritjen e çmimit të faturave të ujit do të paguhet shumë më shtrenjtë edhe për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë.

    Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike në vitin që shkoi, edhe ky vit nuk po sjell lajme të mira për qytetarët. Faturat e ujit, që nga janari i vitit 2026, do të jenë më të larta deri në 40 për qind krahasuar me vitin paraprak. ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit për energjinë e shpenzuar, që nënkupton fatura më të larta për energjinë elektrike, në kohën kur këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, ndërkohë që në masë të madhe po i ngufasin edhe bizneset, një numër jo i vogël i të cilave janë buzë falimentimit.

    Si pasojë e moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në mafien energjetike. Prandaj, KMDLNj ka kërkuar që të hetohet ky institucion, i cili pamëshirshëm po e dëmton buxhetin e familjeve kosovare.

    KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe i rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe, për pasojë, qytetarët do të paguajnë fatura shumë më të larta për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë, si dhe për shërbime. Nëse faturat për ujë dhe mbeturina, edhe me rritje, janë të përballueshme, faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe për bizneset”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

    KMDLNj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kundërshtojnë shtrenjtimet që po i varfërojnë edhe më shumë dhe të protestojnë duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Po ashtu, ka pasur thirrje edhe për opozitën.

    “KMDLNj i thërret qytetarët e Kosovës që t’i kundërshtojnë këto shtrenjtimе, të cilat po i varfërojnë gjithnjë e më shumë, duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. KMDLNj fton pozitën dhe opozitën që të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo interesat e mafies energjetike. ZRrE dhe qeveria duhet t’i sqarojnë qytetarët se sa është shkalla e inkasimit në veri të Kosovës dhe pse çmimi i rrymës atje është më i lirë se në pjesët e tjera të Kosovës. Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, atëherë spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet. Shtrenjtimi i paralajmëruar, i cili është në shpërputhje të madhe me mundësitë e shumicës së ekonomive familjare dhe bizneseve, në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentimin e bizneseve”, përfundon komunikata.

  • Lladrovci: 20 familje janë evakuuar si pasojë e reshjeve

    Lladrovci: 20 familje janë evakuuar si pasojë e reshjeve

    Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime të shumta në komunën e Drenasit.

    Kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se deri më tani si pasojë e reshjeve, janë evakuuar 20 familje.

    “Pas reshjeve të shumta të shiut, sigurisht që në tërë territorin e Drenasit kemi probleme me vërshimet. Në gatishmëri i kemi njësitë e zjarrfikësve, shërbimet publike të komunës por edhe qytetarë që po na ndihmojnë për t’i evakuuar njerëzit nga një vend në tjetrin”, tha Lladrovci për klankosova

    “Deri më tani, zjarrfikësit i kanë larguar 20 familje”, tha ai.

  • Ole Gunnar Solskjær, i hapur për rikthim te Manchester United si trajner i përkohshëm!

    Ole Gunnar Solskjær, i hapur për rikthim te Manchester United si trajner i përkohshëm!

    Manchester United po shqyrton disa opsione për stolin e skuadrës dhe një emër i njohur është rikthyer në skenë. Sipas raportimeve të fundit, Ole Gunnar Solskjær ka shprehur interes për të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit.

    Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e Manchester United janë informuar se Solskjær është i hapur për një rikthim, pavarësisht kohëzgjatjes së kontratës. Klubi po merr kohën e nevojshme për të vlerësuar të gjithë kandidatët për zgjidhjen afatshkurtër, me vendimin që pritet të merret në orët ose ditët në vijim.

    Nëse zgjidhet një trajner i përkohshëm për pjesën e mbetur të sezonit, Manchester United planifikon të emërojë një trajner të përhershëm gjatë verës, për të udhëhequr ekipin në sezonin 2026/27.

    Ndërkohë, Darren Fletcher do të marrë rolin e trajnerit të përkohshëm për këtë javë, duke garantuar stabilitet të përkohshëm në skuadër gjatë kësaj periudhe tranzicioni.

  • Dyshime për shpëlarje parash, policia konfiskon 59 mijë euro në Leposaviq

    Dyshime për shpëlarje parash, policia konfiskon 59 mijë euro në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në veturën e një personi janë gjetur 59 mijë e 55 euro të padeklaruara.

    Sipas raportit 24 orësh, me vendim të prokurorit paratë janë konfiskuar.

    I dyshuari është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi:

    SHPËRLARJE PARASHË

    Leposaviq / 05.01.2026 – 20:00. Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit mashkull kosovar i janë gjetur një shumë parashë të padeklaruara në vlerë rreth 59,055.00€. Me vendim të prokurorit i janë sekuestruar paratë derisa të dëshmohet origjina e tyre, po ashtu i janë sekuestruar: çertifikata e biznesit, nga ARBK, çertifikata e biznesit nga ATK dhe Z. raporti ditor fiskalë, te cilat si dëshmi do të analizohen. I dyshuari është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.

  • Pas rrëshqitjes së gurëve, lirohet rruga për qarkullim të trenit në linjën Pejë-Prishtinë

    Pas rrëshqitjes së gurëve, lirohet rruga për qarkullim të trenit në linjën Pejë-Prishtinë

    Është lëshuar për qarkullim rruga Pejë-Prishtinë-Pejë me tren, pas bllokimit të saj nga rrëshqitja e gurëve të hënën.

    Ndërmarrja “Trainkos” ka njoftuar se qarkullimi do të vazhdojë sipas orarit të lëvizjes së trenave.

    “Ju njoftojmë se treni Pejë – Prishtinë – Pejë duke filluar nga sot do të vazhdoj qarkullimin sipas Orarit të Lëvizjes së trenave. Treni niset nga Peja në orën 12:10”, thuhet në njoftim.

  • Vajza e Fjolla Morinës thotë se është shokuar nga akuzat e Albës: Jashtë janë fëmijët e saj që lëndohen

    Vajza e Fjolla Morinës thotë se është shokuar nga akuzat e Albës: Jashtë janë fëmijët e saj që lëndohen

    Vajza e madhe e Fjolla Morinës, Lediana, ka reaguar pas akuzave që i ka bërë Alba Pollozhani në drejtim të këngëtares.

    Ajo thotë se ka ngelur pa fjalë nga akuzat e rënda të banores, së cilës nuk ia përmendi emrin.

    Kjo pasi Alba e akuzoi Fjollën se jashtë formatit përdor substanca narkotike.

    “Thjesht nuk kam fjalë më. Jam shokuar prej fjalëve të një banores brenda që nuk dua t’ia përmend emrin për akuza ndaj nënës time (Fjollës) që nuk mendon se çka flet”, u shpreh ajo.

    Tutje tha: “Thjesht situata e sotit ka dal jashtë kontrollit, edhe marrë prej asaj x personit për ato fjalë që sot janë thënë në Big Brother janë menaxhuar mirë nga nëna ime”.

    Mes tjerash theksoi: “Por dikush është jashtë fëmijët e saj që lëndohen në këto situata se me çka akuzohet nëna. Respekt juve por kurrë personave të ligë”.

    Fjolla në mesnatë ka lënë shtëpinë e famshme pasi nuk ndihej mirë.