ATV

Blog

  • Në Malishevë shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkaku i vërshimeve

    Në Malishevë shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkaku i vërshimeve

    Komuna e Malishevës ka njoftuar për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe çerdhet për fëmijë.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, vendimi është marrë bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësim të motit, si dhe në gjendjen e rënduar në terren në komunën e Malishevës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendbanimet.

    “Ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim të Komunës së Malishevës.

    Po ashtu, nga kjo drejtori bëhet e ditur se institucionet arsimore do të mbahen të informuara në vazhdim për të gjitha rrjedhat e përgatitjeve për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

    “Ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim, kur të kemi mot të qëndrueshëm dhe të mirë”, thuhet më tej në njoftim.

    Vendimi vlen për të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore në territorin e Komunës së Malishevës.

  • Goditje e fortë për Manchester Cityn, Ruben Dias jashtë për gjashtë javë

    Goditje e fortë për Manchester Cityn, Ruben Dias jashtë për gjashtë javë

    Manchester City ka marrë një lajm jo të mirë në këtë fazë të sezonit, pasi mbrojtësi kryesor i skuadrës, Ruben Dias, do të mungojë për rreth gjashtë javë për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë (hamstring).

    Burime pranë klubit konfirmojnë se ndërkombëtari portugez ka pësuar dëmtimin gjatë angazhimit të fundit, ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë treguar se bëhet fjalë për një problem që kërkon kohë rikuperimi dhe kujdes maksimal për të shmangur komplikime të mëtejshme.

    Mungesa e Ruben Dias përbën një goditje të rëndësishme për trajnerin Pep Guardiola, duke qenë se ai është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes dhe lider në prapavijë. City pritet të bëjë disa rregullime taktike në javët në vijim për të mbuluar mungesën e tij, sidomos në ndeshjet vendimtare në kampionat dhe në arenën evropiane.

    Stafi mjekësor i klubit do të monitorojë nga afër procesin e rikuperimit, me synimin që Dias të rikthehet në formë optimale pas periudhës gjashtëjavore.

  • Maduro çoi me aeroplan 127 ton ar në Zvicër, çfarë ndodhi pastaj?

    Maduro çoi me aeroplan 127 ton ar në Zvicër, çfarë ndodhi pastaj?

    Zvicra është një qendër ndërkombëtare për arin. Kjo ka të ngjarë ta ketë motivuar Nicolas Maduron që një pjesë të rezervave të arit të vendit të tij të shkrijë atje.

    Maduro kishte dërguar gjithsej 127 ton ar venezuelan në Zvicër midis viteve 2012 dhe 2016.

    Ari, i sjellë me aeroplan midis viteve 2012 dhe 2016, vinte nga banka qendrore e Venezuelës.

    Gjatë dekadës së fundit, banka kishte zvogëluar rezervat e saj të arit për të parandaluar kërcënimin e falimentimit kombëtar. Në atë kohë, ari vlente 4.7 miliardë franga zvicerane.

    Venezuela kishte nevojë për arin për ta përdorur si kolateral për kredi ose për ta shitur direkt për monedhë të fortë.

    Pavarësisht kësaj, Venezuela falimentoi në vitin 2017, një vit pas dërgesës më të madhe në Zvicër: Venezuela nuk mundi më të përmbushte kërkesat e kreditorëve të saj.

    Borxhi i saj i jashtëm tani vlerësohet në afërsisht 170 miliardë dollarë – dyfishi i prodhimit ekonomik vjetor të vendit./Indeksonline

  • Haradinaj për përmbytjet në Kosovë: Urgjencë kombëtare, duhet veprim i menjëhershëm nga institucionet

    Haradinaj për përmbytjet në Kosovë: Urgjencë kombëtare, duhet veprim i menjëhershëm nga institucionet

    Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme në Kosovë ka shkaktuar përmbytje në disa zona, ndërsa në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me këtë gjendje, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet:

    “Kam kontaktuar me kryetarët e komunave nga Aleanca, për t’u informuar mbi veprimet që po ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë. Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje.”

    Haradinaj thekson se koordinimi mes institucioneve qendrore dhe lokale është i domosdoshëm për të siguruar reagim të shpejtë dhe mbrojtje të qytetarëve nga pasojat e reshjeve të pandërprera.

  • Përmbytet kati i parë i burgut të Durrësit, të paraburgosurit zhvendosen për siguri

    Përmbytet kati i parë i burgut të Durrësit, të paraburgosurit zhvendosen për siguri

    Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut mëngjesin e kësaj të marte, raportohet se është përmbytur edhe burgu i Durrësit.

    Kati i parë i IEVP Durrës është totalisht nën ujë dhe të paraburgosurit janë zhvendosur në katet e sipërme.

    Në këtë institucion, mes të dënuarve të tjerë, ndodhen edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

    Durrësi është një nga qytetet më të prekur nga reshjet, pasi janë përmbytur rrugë të tëra, si dhe pika hyrëse në rrugën interurbane Tiranë-Durrës. Deri tani raportohet për 10 familje të evakuuara në këtë qytet, ndërsa kalimi është devijuar nga rruga e Ndroqit dhe Elbasani, shkruan A2CNN.

    Probleme janë shfaqur edhe në Shkodër Lezhë dhe Kukës, ndërsa si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

  • Pas kritikave, mbyllet profili i Instagram-it të North West

    Pas kritikave, mbyllet profili i Instagram-it të North West

    Profili në Instagram i North West është zhdukur në mënyrë misterioze, më pak se tre javë pasi u hap për herë të parë.

    Page Six konfirmoi se profili i saj në rrjetet sociale nuk ishte më i disponueshëm ose mund të jetë hequr, kur u kërkua në Instagram. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse llogaria u mbyll nga vetë North apo nga prindërit e saj, ose nëse u hoq nga vetë platforma e Instagramit.

    Më 20 dhjetor, ajo u shfaq për herë të parë në Instagram me një faqe të krijuar nën emrin e saj. Në biografinë e llogarisë thuhej se ajo “menaxhohej nga prindërit”.

    North është përballur vazhdimisht me kritika për faktin se duket më e rritur se mosha e saj, për shkak të stilit të paraqitjes, piercing-ëve të diskutueshëm (përfshirë një në urën e hundës dhe një në gisht) si dhe tatuazheve të rreme.

    Para se llogaria e saj në Instagram të fshihej, North publikoi një video ku sinkronizonte buzët me një audio të një ylli të reality show-ve, duke thënë: “Pse po qan? Sa vjeç je? Mblidhe veten.”

    Ajo e shoqëroi videon me mbishkrimin: “Kjo është për të gjithë ata që janë të zemëruar për një piercing në gisht.”

  • Çahet rruga që çon në fshatin Polluzhë, fshati rrezikon të bllokohet totalisht

    Çahet rruga që çon në fshatin Polluzhë, fshati rrezikon të bllokohet totalisht

    Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë nisur mbrëmë, në disa zona të Kosovës janë regjistruar vërshime dhe dëme në infrastrukturë.

    Situata më e rënduar paraqitet në rrugën që çon drejt fshatit Polluzhë, ku një pjesë e rrugës është çarë dhe është dëmtuar rëndë, duke rrezikuar bllokimin e plotë të fshatit.

    Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, uji ka dalë nga shtrati, ka gërryer tokën nën rrugë dhe ka dëmtuar tubacionet, ndërsa qarkullimi është bërë i rrezikshëm për banorët.

  • Raportohet se familja kosovare me tre fëmijë janë bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri

    Raportohet se familja kosovare me tre fëmijë janë bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri

    Një familje nga Kosova së bashku me tre fëmijët raportohet se kanë mbetur të bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri.

    Sipas Top Channel, ata janë nisur nga Ndroqi, ndërkohë që rruga është e pakalueshme.

    Sikurse shihet në pamje, automjeti ka mbetur i bllokuar, ndërsa po ndërhyhet.

    Në rrugë ka prezencë të madhe të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

  • Ish-deputetja emërohet drejtoreshë në Prizren

    Ish-deputetja emërohet drejtoreshë në Prizren

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nisur sot ciklin e emërimeve për qeverisjen lokale.

    Në kuadër të këtyre emërimeve, Islam Ukaj është emëruar Drejtor i Shërbimeve Publike, ndërsa ish-deputetja Luljeta Veselaj Gutaj është emëruar Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës në Komunën e Prizrenit.

    Totaj ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të vazhdojë kompletimi i ekzekutivit me emërime të tjera, duke theksuar se qeverisja lokale do të vazhdojë të jetë në shërbim të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve.

  • Një nga SKANDALET më të komentuara në botën e televizionit italian merr të tjera përmasa!

    Një nga SKANDALET më të komentuara në botën e televizionit italian merr të tjera përmasa!

    Mediat italiane kanë raportuar së fundmi për nisjen e hetimeve ndaj moderatorit të njohur italian, Alfonso Signorini, lidhur me pretendime të rënda që kanë të bëjnë me abuzim me pushtetin dhe kërkesa për favore seksuale në këmbim të përfshirjes në reality-show-n “Grande Fratello”.

    Prokuroria e Milanos ka hapur një procedurë hetimore pas një kallëzimi penal të paraqitur nga një ish-pjesëmarrës i programit, Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë subjekt presioni dhe shantazhi. Akuzat përfshijnë dyshime për sjellje të papërshtatshme dhe shfrytëzim të rolit profesional, por deri më tani nuk ka asnjë vendim gjyqësor apo provë të konfirmuar publikisht.