ATV

Blog

  • Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.

    “Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.

    “Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.

    Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.

    “Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.

    Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.

    Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.

    “Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai.

  • Si po e ndryshon inteligjenca artificiale mënyrën se si zbulojmë stilin?

    Si po e ndryshon inteligjenca artificiale mënyrën se si zbulojmë stilin?

    Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si zbulojmë, blejmë dhe ndërtojmë stilin personal në modë dhe bukuri.

    Kur platformat e rrjeteve sociale si YouTube dhe Instagram nisën të fitojnë terren më shumë se një dekadë më parë, ato hapën një kanal krejtësisht të ri për zbulimin dhe, përfundimisht, për blerjen e produkteve të bukurisë dhe modës.

    Në vitet 2020, TikTok e përshpejtoi këtë proces, duke krijuar një cikël trendesh të shpejtë dhe, sipas disa kritikëve, gjithnjë e më të rrafshuar. Sot, inteligjenca artificiale po e ndryshon edhe një herë mënyrën se si konsumatorët zbulojnë dhe blejnë produkte.

    Sipas të dhënave të NielsenIQ, konsumatorët kryejnë mbi 1 miliard kërkime javore për produkte bukurie në ChatGPT, ndërsa 49 për qind e Gen Z dhe 37 për qind e millennials përdorin çdo javë inteligjencën artificiale gjeneruese për kërkim ose blerje.

    Gjatë vitit 2025, platforma si Amazon, Google dhe OpenAI kanë shtuar mënyra të reja për të blerë përmes AI-së, duke e bërë kalimin nga zbulimi te blerja pothuajse pa fërkime. Por ndërsa konsumatorëve u thuhet gjithnjë e më qartë se çfarë të blejnë, lind një pyetje thelbësore: çfarë ndodh me stilin personal në epokën e inteligjencës artificiale?

    “Jam në bisedë me dikë për AI-në të paktën një herë në ditë”, thotë Mac Rose, stiliste që punon mes Nju Jorkut dhe Kopenhagës.

    Sipas saj, klientët e saj janë skeptikë ndaj stilimit përmes AI-së jo vetëm për shkak të shqetësimeve mjedisore, por edhe për arsye më filozofike.

    Megjithatë, për shumë konsumatorë dhe investitorë, vlera e blerjes së bazuar në AI është e pamohueshme. Platforma e stilimit me AI, Alta, e themeluar në vitin 2023, siguroi mbi 11 milionë dollarë financim fillestar në vitin 2025, me mbështetjen e Menlo Ventures, Aglae Ventures dhe emrave si LVMH dhe stilistja Meredith Koop.

    Google ka prezantuar gjatë vitit 2025 funksione të reja blerjeje përmes Gemini, përfshirë krahasimin e çmimeve dhe provat virtuale. Amazon, nga ana tjetër, lansoi funksionin “Help Me Decide”, i cili ofron rekomandime të personalizuara bazuar në historikun e blerjeve.

    Kjo prani në rritje e AI-së po i detyron markat të rishikojnë mënyrën se si arrijnë te konsumatorët. Sipas NielsenIQ, 75 për qind e zbulimit të produkteve të bukurisë tashmë ndodh jashtë mjediseve të kontrolluara nga vetë markat.

    Ndryshe nga marketingu tradicional, i cili synonte audienca sa më të mëdha, epoka e AI-së mund ta zhvendosë fokusin drejt personalizimit të thellë.  Në të njëjtën kohë, ndikimi nuk po vjen më vetëm nga krijuesit me miliona ndjekës.

    Edhe me rritjen e blerjeve të drejtuara nga AI, konsumatorët  veçanërisht Gen Z po tregojnë interes të shtuar për modën e dorës së dytë dhe veshjeve të vjetra klasike, si mënyrë për të ruajtur individualitetin në një treg gjithnjë e më shumë.

  • Blerta Deliu dhe Shenoll Muharremi pranojnë SMS-in mashtrues ku kërkohet pagesa e gjobës në trafik

    Blerta Deliu dhe Shenoll Muharremi pranojnë SMS-in mashtrues ku kërkohet pagesa e gjobës në trafik

    Qytetarë të shumtë në Kosovë po ndeshen me mesazhe mashtruese që pretendojnë se janë nga Autoritetet e Trafikut dhe kërkojnë pagesë për “gjoba trafiku”.

    Ndër rastet e fundit, ish-deputetja Blerta Deliu dhe analisti Shenoll Muharremi kanë raportuar se kanë marrë mesazhe të tilla, duke treguar se fenomeni po prek qytetarë nga të gjitha shtresat.

    “Sot në mëngjes u përballa me një mesazh të rremë për një ‘gjobë’. Këto mashtrime po prekin gjithnjë e më shumë qytetarë. I bëj thirrje të gjithëve të raportojnë rastet, ndërsa Policia e Kosovës duhet ta trajtojë këtë çështje me prioritet”, ka shkruar Deliu-Kodra.

    Muharremi ka kërkuar angazhim më të madh të policisë kibernetike.

    “Më erdhi një SMS për të paguar ‘gjobë’. Nuk dija a jam në Kosovë apo në Estoni me polici kaq digjitale. Këta kriminelë nuk di a janë më shumë hajna apo komedianë. Na duhet një polici kibernetike e fortë dhe institucione proaktive të sundimit të ligjit që dinë të adaptohen me kohë ndaj krimeve digjitale”, u shpreh Muharremi.

    Në kontekstin e rritjes së këtyre mashtrimeve, Policia e Kosovës ka publikuar sërish një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për kujdes maksimal.

  • CES 2026: Fokus në AI dhe teknologjitë e reja

    CES 2026: Fokus në AI dhe teknologjitë e reja

    Konferenca vjetore e teknologjisë për konsumatorë, CES 2026, po zhvillohet në Las Vegas, duke sjellë risitë më të fundit nga bota e teknologjisë.

    Në këtë konferencë priten prezantime të produkteve nga kompani si Amazon, Nvidia, Hyundai, AMD dhe të tjera.

    Pika qendrore e shumicës së prezantimeve këtë vit është inteligjenca artificiale (AI).

    Megjithatë, përveç AI-së, CES 2026 po thekson gjithashtu bashkimin e AI-së me botën fizike, duke përfshirë fabrikat, robotikën dhe automjetet autonome.

    Ky fokus tregon sesi teknologjitë digjitale po integrohen gjithnjë e më shumë në jetën reale.

    CES 2026 — What to expect | TechRadar

    Dita e parë e CES 2026 në Las Vegas solli një valë inovacionesh teknologjike, duke vënë inteligjencën artificiale në qendër të vëmendjes.

    Nvidia prezantoi platformën e re Vera Rubin dhe modelet Alpamayo të dizajnuara për makinë autonome, si dhe konceptin e “physical AI” që lidh sistemet digjitale me robotikë dhe makina reale.

    AMD njoftoi një gjeneratë të re procesorësh Ryzen AI, ndërsa Uber, Lucid dhe Nuro zbuluan një robotaxi autonom me përvojë të personalizuar brenda kabinës.

    Lego prezantoi platformën Smart Play me tulla interaktive që reagojnë me dritë dhe tinguj, dhe LG zbuloi robotë që ndihmojnë në punë shtëpie.

    Gjithashtu shfaqen produkte të tjera tërheqëse si televizorë “wallpaper”.

  • KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Në këtë përditësim bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka marrë edhe një mandat, duke e çuar kështu, në 15 deputet grupin e tyre parlamentare.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, ka rënë nga 23 në 22 deputet, duke humbur kështu një mandat.

    Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.

    Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%.

  • Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit nga gjykimi për shpërthimin në Ibër-Lepenc

    Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit nga gjykimi për shpërthimin në Ibër-Lepenc

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga lënda për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Lajmin e ka konfirmuar Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta për “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë rast, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit akuzohen dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq.

    Ndryshe, në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq kërkoi përjashtimin e prokurorit Kodraliu. Kërkesën e tij e përkrahën edhe mbrojtësit e dy të akuzuarve tjerë.

    Për këtë arsye, kjo seancë ishte ndërprerë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

    E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    “Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

    Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

    Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    “Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

    Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Liridon Ahmeti, drejtor i ri sportiv i SC Gjilanit

    Liridon Ahmeti, drejtor i ri sportiv i SC Gjilanit

    SC Gjilani ka bërë të ditur për opinionin publik dhe mediat se Liridon Ahmeti është emëruar drejtor i ri sportiv i klubit.

    Ahmeti do të udhëheqë departamentin sportiv të klubit, duke sjellë përvojën e tij në menaxhimin sportiv. Së fundmi, ai ka ushtruar detyrën e drejtorit sportiv te Klubi Futbollistik Vushtrria.

    “Ky emërim është pjesë e strategjisë së klubit për forcimin e strukturave drejtuese, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të klubit,” theksohet në komunikatën e SC Gjilanit.

  • “Princi vazhdon”: Neymar rinovon kontratë me Santosin

    “Princi vazhdon”: Neymar rinovon kontratë me Santosin

    Neymar Junior e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.

    Ylli brazilian së fundmi u rikthye te Santosi, klubi ku u formua si futbollist, pas një karriere të gjatë në Evropë dhe një aventure të shkurtër në Arabinë Saudite.

    Pas disa javësh negociatash, ish-lojtari i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit ka vendosur të mbetet besnik ndaj klubit të fëmijërisë, duke vazhduar kontratën me Santosin deri në fund të vitit 2026.

    “Princi vazhdon”, shkroi klubi brazilian në rrjetet zyrtare.

    “Neymar e ka vazhduar kontratën me Santos FC deri në fund të sezonit, duke vazhduar të shkruajë historinë e tij të futbollit me Manto Sagrado”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Neymar synon të rikthehet në formën optimale fizike gjatë muajve në vijim, me shpresën për të qenë pjesë e Kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. /ATVLIVE.TV

  • Trajneri i Liverpoolit befason për merkaton e janarit

    Trajneri i Liverpoolit befason për merkaton e janarit

    Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka folur për mediat në prag të përballjes me Arsenalin, duke hedhur poshtë çdo spekulim rreth transferimeve gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Pas lëndimeve të disa lojtarëve kyç, “Reds” janë lidhur me emra të ndryshëm për përforcime, megjithatë Slot ka bërë të qartë se është i kënaqur me përbërjen aktuale të skuadrës.

    “Para së gjithash, jam shumë i kënaqur me ekipin që kemi. Ai është në përputhje me vizionin tim, me Richard Hughes dhe me pronarët e klubit”, u shpreh Slot në konferencë për shtyp.

    Trajneri holandez theksoi se skuadra e tij ka cilësi të mjaftueshme kur të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojë. “Ky grup është jashtëzakonisht i talentuar nëse të gjithë janë të disponueshëm. Lëndimet nuk sjellin asgjë pozitive, por ndoshta kanë ndikuar që të rihapet rrëfimi se ne kemi shpenzuar shumë gjatë verës”.

    “E vërteta është se ne zëvendësuam lojtarët dhe shpenzuam pak më shumë sesa përfituam. Askush nuk donte ta dëgjonte këtë atëherë, por ndoshta tani, për herë të parë, njerëzit po e kuptojnë se kemi afruar futbollistë shumë cilësorë”, shtoi ai.

    Slot përmendi edhe ndikimin e lojtarëve nga stoli, duke veçuar paraqitjen e Frimpong, i cili kontribuoi me asistim. “Titullarët tanë janë lojtarë të jashtëzakonshëm. Ky klub është në një pozicion shumë të mirë, nëse të gjithë janë të disponueshëm – si në afat të shkurtër, ashtu edhe në atë afatmesëm dhe afatgjatë”, përfundoi trajneri i Liverpoolit. /ATVLIVE.TV

  • Vazhdon numërimi i votave me postë, LVV prin me 73% të votave

    Vazhdon numërimi i votave me postë, LVV prin me 73% të votave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës.

    Bazuar në përditësimin e të dhënave, VV tashmë ka 73.20 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës ka aktualisht 9.77%, ndërsa PDK 9.29.