ATV

Blog

  • Ajax rikthen emrin Ibrahimovic në Amsterdam, huazon djalin e Zlatanit nga Milani

    Ajax rikthen emrin Ibrahimovic në Amsterdam, huazon djalin e Zlatanit nga Milani

    Ajaxi ka zyrtarizuar afrimin e Maximilian Ibrahimovic, djalit të legjendës së futbollit Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi 19-vjeçar i është bashkuar gjigantit holandez në formë huazimi nga AC Milan deri në fund të sezonit, me opsion blerjeje.

    Klubi nga Amsterdami synon të rikrijojë një histori të veçantë pas më shumë se dy dekadash, duke sjellë sërish mbiemrin Ibrahimovic në “Johan Cruyff Arena”. Marrëveshja është konfirmuar fillimisht nga Milani, i cili përmes një deklarate zyrtare bëri të ditur huazimin e lojtarit të ri suedez.

    “AC Milan konfirmon se Maximilian Zlatan Seger Ibrahimovic i është bashkuar AFC Ajax në formë huazimi, me opsion për transferim të përhershëm. Klubi i uron atij shumë suksese për pjesën e mbetur të sezonit”, thuhet në njoftimin e klubit italian.

    Edhe Ajaxi e ka bërë publike marrëveshjen, duke theksuar se huazimi është i vlefshëm për gjashtë muaj dhe se ekziston mundësia që lojtari të blihet në fund të sezonit. Sulmuesi anësor pritet të jetë fillimisht pjesë e projektit zhvillimor të klubit, por me mundësi aktivizimi edhe në ekipin e parë.

    Maximilian Ibrahimovic ka treguar formë të mirë këtë sezon me Milan Futuro, ekipin rezervë të kuqezinjve, ku ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë katër asistime, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.

    Mbetet për t’u parë nëse koha e tij do të ndahet mes ekipit të parë të Ajaxit dhe Jong Ajax, por afrimi i tij shihet si një investim premtues për të ardhmen e klubit holandez.

  • Zyrtare: Mbappé mungon sërish, jashtë edhe për Kupën e Mbretit

    Zyrtare: Mbappé mungon sërish, jashtë edhe për Kupën e Mbretit

    Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht se Kylian Mbappé nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Albacetes. Ylli francez nuk është përfshirë në listën e të grumbulluarve, duke vazhduar mungesat e tij në kompeticionet vendore.

    Kjo mungesë vjen pas një periudhe ku Mbappé nuk u aktivizua as në gjysmëfinale dhe as në finale të Superkupës së Spanjës, çka ka ngritur pikëpyetje mes tifozëve dhe mediave spanjolle. Sipas informacioneve nga burime pranë klubit, arsyeja kryesore lidhet me një problem fizik në gju, për të cilin stafi mjekësor ka rekomanduar kujdes maksimal.

    Trajneri dhe drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur të mos rrezikojnë gjendjen e Mbappés, duke zgjedhur menaxhimin e minutave dhe rikuperimin e plotë të lojtarit, sidomos në një fazë të ngjeshur të sezonit. Qëllimi i klubit është që sulmuesi francez të rikthehet në formë optimale për ndeshjet vendimtare në La Liga dhe garat evropiane.

    Edhe pse mungesa e tij është një goditje për repartin ofensiv, te Real Madridi mbizotëron qetësia dhe besimi se Mbappé do të rikthehet shumë shpejt në fushë. Ndërkohë, “Los Blancos” synojnë të kalojnë raundin e radhës në Kupën e Mbretit edhe pa njërin nga emrat më të mëdhenj të skuadrës.

  • Pas Osmanit e Kurtit, Sorensen takon Bedri Hamzën

    Pas Osmanit e Kurtit, Sorensen takon Bedri Hamzën

    Pas takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Presidenten Vjosa Osmani, Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, ka takuar kreun e PDK’së, Bedri Hamzën.

    Për takimin ka njoftuar Hamza, ku ka thënë se kanë diskutuar për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian, shkruan Reporteri.net.

    “Sot e prita të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Ne diskutuam për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian. PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, ka shkruar Hamza.

  • Ambasada e amerikane në Prishtinë shpërndan deklaratën e Rubios: Të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet

    Ambasada e amerikane në Prishtinë shpërndan deklaratën e Rubios: Të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet

    Ambasada amerikane në Prishtinë, ka shpërndarë një fotografi me një citat të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, rreth lirisë së shprehjes në Evropë.

    “Aleancat tona me partnerët tanë evropianë ndërtohen mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga ato vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes.” — Sekretari Rubio

    “Ne jemi të shqetësuar që liria e shprehjes në Evropë po gërryhet” – thuhet në këtë foto-citat.

  • Sot luhen gjysmëfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës

    Sot luhen gjysmëfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës

    Kupa e Kombeve të Afrikës po hyn në fazën vendimtare dhe sot futbolli afrikan pritet të ofrojë emocione të mëdha, me zhvillimin e dy ndeshjeve gjysmëfinale që premtojnë spektakël dhe rivalitet të fortë.

    Programi hapet me përballjen mes Senegalit dhe Egjiptit, e cila do të zhvillohet në Stade Ibn Batouta në Tanxher, me fillim nga ora 18:00. Senegali siguroi biletën për në gjysmëfinale pas fitores minimale 1-0 ndaj Malit, duke konfirmuar stabilitetin në mbrojtje.

    Në anën tjetër, Egjipti eliminoi Bregun e Fildishtë me rezultatin 3-2 në një duel dramatik, ku Mohamed Salah ishte protagonisti absolut dhe lideri i “Faraonëve”.

     

    Gjysmëfinalja e dytë do të luhet në mbrëmje, nga ora 21:00, në Stade Prince Moulay Abdallah në Rabat, ku përballë do të jenë Nigeria dhe Maroku.

    Vendasit kanë pasur një rrugëtim pothuajse perfekt deri tani, me katër fitore dhe një barazim, duke u udhëhequr nga Brahim Diaz, i cili ka realizuar pesë gola në turne, ndërsa mbrojtja e Marokut ka pësuar vetëm një gol. Nigeria, nga ana tjetër, ka treguar forcë dhe efikasitet në fazën ofensive, duke shënuar plot 14 gola dhe pa njohur humbje në asnjë ndeshje.

    Finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës është planifikuar për më 18 janar, dhe të katër kombëtaret gjysmëfinaliste ëndërrojnë të sigurojnë një vend në ndeshjen për titullin e kampionit të kontinentit.

  • Ndalohet për 48 orë i arrestuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë, Prokuroria ndan pamje nga bastisja

    Ndalohet për 48 orë i arrestuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë, Prokuroria ndan pamje nga bastisja

    I dyshuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR’it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023, i cili u arrestua sot, është ndaluar për 48 orë.

    Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, ku janë kryer edhe bastisje në vendbanimin e tij.

    Prokuroria ka thënë se janë gjetur prova që do të shërbejnë gjatë procedurës penale, shkruan Reporteri.net.

    “S.R. është ndaluar mbi dyshimet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thekoshetnë njoftimin e Prokurorisë.

    Specialja ka bërë me dije se brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndaj S.R. do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Hetuesit policorë, në bashkëpunimm me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Thunder lider absolut në Konferencën e Perëndimit, Lakers këndellen me fitore

    Thunder lider absolut në Konferencën e Perëndimit, Lakers këndellen me fitore

    U zhvilluan disa përballje interesante në NBA, ku vëmendja kryesore shkoi te dueli mes Oklahoma City Thunder dhe San Antonio Spurs.

    Thunder realiazoi fitoren e katërt radhazi, pasi triumfoi bindshëm me rezultatin 119-98, duke konfirmuar formën e lartë ndaj një rivali direkt në Konferencën e Perëndimit.

    Kampionët kontrolluan ndeshjen nga fillimi në fund, ndërsa lider absolut ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 34 pikë, derisa Jalen Ëilliams shtojë 20 sosh.

    Te skuadra humbëse, u dallua Stephon Castle me 20 pikë, tetë asistime dhe shtatë kërcime.

    Kujtojm që për Spurs kjo ishte humbja e dytë rresht.

     

    Pas tri humbjesh radhazi, rikthim te fitorja shënuan Los Angeles Lakers, që mposhtën Atlanta Hawks me shifrat 141-116.

    LeBron James zhvilloi një tjetër paraqitje të shkëlqyer me 31 pikë dhe 10 asistime, ndërsa Luka Doncic kontribuoi me 27 pikë, duke udhëhequr kalifornianët drejt një fitoreje të merituar.

    Nga ana tjetër, paraqitje të mirë kishte Nickeil Alexander-Walker me 26 pikë, por të pamjaftueshme për ta evidentuar humbjen.

    Lakers renditen në poziten e pestë në Konferencën e Perëndimit derisa Hawks në vendin e nëntë në Lindje.

     

    Vijon kriza te Milwaukee Bucks, që pësuan një tjetër humbje të thellë, kësaj here 139-106 nga Minnesota Timberwolves, me këtë të fundit që realizuan fitoren e dytë radhazi.

    Më efikaset në këtë fitore ishin, Julius Randel me 29 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime dhe Bones Hyland me 23 sosh.

    Ndërkaq ylli i skudrës së Bucks, Giannis Antetokounmpo arriti të shënoj 25 pikë, tetë kërcime e pesë asistime por nuk mundi ta shpëtoj skuadrën e tijë nga humbja.

    Timberwolves renditen në vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit, derisa Bucks në poziten e 11 në Lindje.

  • Seanca e radhës në rastin “Banjska” mbahet më 16 janar

    Seanca e radhës në rastin “Banjska” mbahet më 16 janar

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska” do të mbahet më 16 janar 2026, ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht.

    Kështu ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Rasti Banjska do të mbahet me datën 16 janar 2026 ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht”, tha Gashi.

    Ndryshe, ky rast udhëhiqej nga gjykatësi Arben Hoti si kryetar i trupit gjykues, por meqë ky i fundit është avancuar në pozitën e gjyqtari në Gjykatën e Apelit, lënda i kalon një gjykatësi tjetër.

    Megjithatë, nga Gjykata nuk kanë njoftuar se kujt i është ndarë kjo lëndë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

    Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

    Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist./Betimi për Drejtësi

  • Orav bashkë me ambasadorët e takojnë Kurtin, diskutojnë për zhvillimet paszgjedhore

    Orav bashkë me ambasadorët e takojnë Kurtin, diskutojnë për zhvillimet paszgjedhore

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav bashkë me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në të cilin takim Orav thotë të kenë diskutuar për zhvillimet paszgjedhore.

    “Së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, u takova me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore. Vlerësova procesin zgjedhor që pasqyron një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike dhe theksova rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, shkruan Orav.

  • Policia e Kosovës njofton: Janë gjetur disa tabela automjetesh në rrugën Prishtinë -Ferizaj, ftohen qytetarët t’i marrin

    Policia e Kosovës njofton: Janë gjetur disa tabela automjetesh në rrugën Prishtinë -Ferizaj, ftohen qytetarët t’i marrin

    Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë humbur targat e automjeteve të tyre gjatë vërshimeve në aksin rrugor Prishtinë – Ferizaj, që të paraqiten në stacionin përkatës për t’i tërhequr ato.

    Pas reshjeve të dendura dhe vërshimeve që përfshinë zonën në afërsi të qendrës tregtare “Prishtina Mall”, janë gjetur disa tabela të automjeteve të cilat kanë rënë si pasojë e ujit.

    “Njoftohen qytetarët, se në zonën që kishte vërshime, në rrugën Prishtinë -Ferizaj, saktësisht në afërsi të Prishtina Mall, janë gjetur disa tabela të automjeteve, të cilat janë dorëzuar në Stacionin Policor në Graçanicë. Andaj, ftohen pronarët e këtyre tabelave që të paraqiten në këtë stacion policor për tërheqjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.