ATV

Blog

  • Endrick: Lëndimet janë më të këqija se sa humbjet

    Endrick: Lëndimet janë më të këqija se sa humbjet

    Fillimi i aventurës së Endrick te Real Madridi nuk ka qenë aspak i lehtë. Sulmuesi brazilian ka pranuar se periudha e tij e parë në klubin madrilen u shoqërua me zhgënjim dhe pasiguri, sidomos pas një lëndimi serioz që e la jashtë një prej turneve më të rëndësishme të sezonit.

    Endrick pësoi dëmtim tek muskujt në fund të sezonit të kaluar, një problem që u përkeqësua gjatë fazës përgatitore para Kupës së Botës për Klube të FIFA-s, e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas ekzaminimeve mjekësore, u konfirmua se ai nuk do të ishte në gjendje të luante për disa muaj, duke humbur kështu turneun në tërësi.

    Në një intervistë të fundit, talenti brazilian e përshkroi këtë moment si më të vështirin në karrierën e tij deri tani, duke theksuar se dhimbja më e madhe nuk ishte humbja e ndeshjeve, por pamundësia për të konkurruar.

    Sipas tij, humbjet janë pjesë normale e futbollit, por lëndimet janë diçka krejt tjetër, pasi ato mund të të shkëpusin plotësisht nga loja dhe të të vendosin përballë pasigurisë për të ardhmen.

    Aktualisht, Endrick është i përqendruar në rikthimin e formës më të mirë gjatë huazimit të tij te Lyoni, me synimin që të bindë Carlo Ancelottin dhe të sigurojë një ftesë për Kupën e Botës 2026.

  • Rahoveci 029 konfirmon largimin e Bujar Locit nga posti i trajnerit

    Rahoveci 029 konfirmon largimin e Bujar Locit nga posti i trajnerit

    Bujar Loci më nuk është trajner i skuadrës së Procredit Superligës Rahoveci 029.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi,ku me marrëveshje është vënë fund bashkëpunimi me përzgjedhësin e Kombëtares së Kosovës në basketboll.

    Përndryshe klubi e ka falenderuar Locin për periudhën e kaluar tek Rahoveci 029,duke vlerësuar se Loci dha kontribut të rëndësishëm tek ekipi rahovecas dhe i uroj sukses në të ardhmen.

    Kujtojmë që Rahoveci 029 gjendet në pozitën e fundit në renditjen tabelare të Procredit Superligës me vetëm 20 pikë.

  • Ferrari i Michael Schumacher del në ankand, vlera shkon deri në 7.5 milionë euro

    Ferrari i Michael Schumacher del në ankand, vlera shkon deri në 7.5 milionë euro

    Para se Formula 1 të hynte në epokën e kufizimeve strikte financiare dhe teknike, vitet ’90 përfaqësonin kulmin e lirisë inxhinierike. Skuderitë funksiononin si laboratorë të pavarur zhvillimi, me zgjidhje teknike unike dhe identitet të dallueshëm për çdo ekip. Ishte një periudhë ku kreativiteti shpesh bënte diferencën në pistë.

    Një nga makinat simbol të asaj kohe tani po shkruan një kapitull të ri të historisë së saj. Ferrari F310, e përdorur nga Michael Schumacher në Botërorin e Formula 1 të vitit 1997, do të dalë në ankand nga shtëpia prestigjioze RM Sotheby’s.

    E pajisur me një motor 3.0 litra V10 që prodhonte rreth 730 kuaj fuqi, Ferrari F310 debutoi në Çmimin e Madh të Belgjikës. Schumacher e përdori makinën gjatë sesioneve kualifikuese, por për shkak të reshjeve të dendura gjatë garës, u detyrua të rikthehej te shasia e mëparshme. Në garën pasuese në Itali, makina iu besua Eddie Irvine, i cili e mbylli garën në vendin e tetë.

    Paraqitja e fundit e këtij modeli erdhi në Çmimin e Madh të Austrisë, ku gara përfundoi pas një përplasjeje me Jean Alesi. Pas tërheqjes nga garat, Ferrari F310 u shit nga fabrika në vitin 1999, duke kaluar fillimisht në Gjermani e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Makina ka qenë pjesë e disa ekspozitave prestigjioze, përfshirë Audrain Auto Museum në Rhode Island në vitin 2014 dhe Goodwood Festival of Speed në vitin 2019. Ajo është certifikuar zyrtarisht nga Ferrari Classiche në janar të vitit 2007 dhe shoqërohet me dokumentacionin origjinal të njohur si “Red Book”.

    Vlera e parashikuar në ankand për këtë pjesë të rrallë të historisë së Formula 1 varion nga 5.5 deri në 7.5 milionë euro, duke e bërë atë një nga objektet më të çmuara të motorsportit që del në shitje këtë vit.

  • Kriza e Real Madrid thellohet, humbje, largime dhe tension në klub

    Kriza e Real Madrid thellohet, humbje, largime dhe tension në klub

    Real Madrid po përjeton një periudhë të vështirë dhe pa precedent në sezonin aktual, me rezultate zhgënjyese dhe paqartësi të brendshme që po rrisin shqetësimet e tifozëve dhe ekspertëve.

    Klubi madrilen u eliminua nga Copa del Rey, duke humbur 3-2 ndaj Albacete, një ekip i Divizionit të Dytë, në ndeshjen debutuese të trajnerit të ri Álvaro Arbeloa. Pak ditë më vonë, “Los Blancos” humbën edhe Superkupën e Spanjës, duke u mposhtur 3-2 nga rivali tradicional, FC Barcelona, në finalen e zhvilluar në Arabinë Saudite.

    Shtysa e krizës për disa ekspert thuhet se është edhe shkëputja e kontratës së Xabi Alonso, i cili qëndroi në stol vetëm 233 ditë, një nga periudhat më të shkurtra për trajnerë në historinë e klubit. Largimi i tij nxori në pah tensionet në menaxhimin e skuadrës dhe mungesën e autoritetit brenda grupit të lojtarëve.

    Në LaLiga, Real Madrid renditet aktualisht në vendin e dytë, katër pikë prapa Barcelonës. Në Champions League, skuadra ndodhet në vendin e 7-të në tabelë, larg pritshmërive të klubit për të qenë një prej favoritëve për trofe.

    Analistët dhe mediat sportive e përshkruajnë situatën në klub si tension të lartë dhe paqartësi taktike, ndërsa presioni mbi drejtuesit dhe trajnerin e ri është në rritje. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje rreth drejtimit të skuadrës dhe mënyrës se si Real Madrid do të reagojë ndaj këtij sezoni problematik.

  • Jurgen Klopp dëshiron të marrë drejtimin e Real Madridit por me vetëm një kusht

    Jurgen Klopp dëshiron të marrë drejtimin e Real Madridit por me vetëm një kusht

    Real Madrid nuk po kalon momente të mira në ditët e fundit.

    Humbja në finale të Superkupës së Spanjës si dhe eliminimi nga Kupa e Mbretit bëri që kriza të thellohet edhe më shumë tek kampi madrilien,dhe kjo ka shtuar zërat se trajneri Alvaro Arbeloa nuk do ta drejtojë skuadrën ne sezonin e ardhshëm.

    Përndrsyhe një nga emrat që mud të ketë kandidat për të drejtuar Realin është Jurgen Klopp,i cili është momentalisht i papunë për gati 1 vit qëkur u largua nga Liverpool.

    Megjithatë gjermani ka një kusht për të marrë drejtimin e “Los Blancos”sezonin e ardhshëm,dhe ajo është që të mos ketë ftesë për tu bërë përzgjedhës i Kombëtares së Gjermanisë.

    Kujtojmë që Alvaro Arbeloa debutoi me humbje në stolin e Real Madridit,ku madrilienët u eliminuan nga Albacete në Kupën e Mbretit

  • IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    IKShPK del me njoftim, tregon në cilat rajone ka ndryshime të situatës me cilësinë e ujit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se po vazhdon ta monitorojë cilësinë e ujit në gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të analizave situata mbetet e pandryshuar në rajonin e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.

    “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Bazuar në rezultatet e analizave të datës: 15.01.2026, situata mbetet e pandryshuar në rajonet: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë.”

    IKSHPK thotë se në Gjilan, në zonën e Kamenicës stacioni nr.1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

    Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar dhe uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

    Në rajonin e Pejës, në Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për pije.

    “Klinë-Rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, si pasojë e vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.”

  • MKRS:Bekë Berisha nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e kryetarit të FBK-së

    MKRS:Bekë Berisha nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e kryetarit të FBK-së

    Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve ka dalur me një reagim lidhur me zhvillimet pas zgjedhjes së Bekë Berishës në krye të KB Prishtina.

    MKRS bën të ditur se zgjedhja e Berishës nuk është e lejuar,duke u arsyetuar se Berisha u zgjodh si deputet në Kuvendin e Kosovës.

    Njoftim për publikun

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është njoftuar për zhvillimet lidhur me zgjedhjen e z. Bekë Berisha në pozitë udhëheqëse në KB “Sigal Prishtina” në Kuvendin e klubit të mbajtur më 14 janar 2026.

    Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L – 011) dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L – 011 ), si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës (neni 8 i Ligjit Nr.06/L – 011).

    Në këtë kontekst, MKRS kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që z. Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi. MKRS do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.

    Përndryshe MKRS kërkon nga FBK që në bazë të ligjit për sport të siguroj që në zgjedhjet e organeve të KB Prishtina janë zbatuar ose do të zbatohen të gjitha detyrimet lidhur me ruajtjen e integritetit ligjor sportiv

    https://www.facebook.com/MKRS.MKOS.MCYS/posts/1287967706709955?ref=embed_post

  • Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Caktohen datat për deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Specialja del me njoftim

    Gjykata Speciale në Hagë ka dalë me njoftim për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Përmes një komunikatë bëhet e ditur se deklaratat përmbyllës ndaj këtij rasti do të jenë muajin e ardhshëm.

    “Më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para Dhomave të Specializuara në Hagë deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30″, thuhet mes tjerash në njoftimin e Speciales.

    Fillimisht më 9 shkurt do të jetë deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, për të vazhduar edhe më 10 shkurt bashkë me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

    Më 11 shkurt do të jetë Deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, për të vazhduar ky i fundit edhe më 12 shkurt. Në po të njëjtën ditë do të jetë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit e cila vazhdon edhe të premten e 13 shkurtit, ku vazhdon edhe ajo e Jakup Krasniqi. Poashtu ky i fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.

    Në po të njëjtën ditë do të ketë edhe pyetje nga Trupi Gjykues.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

  • Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së ShBA-së

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

    Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të inteligjencës të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

    Bëhet e ditur se takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.

  • Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Sorensen shkruan për vizitën në Kosovë, kërkon rezultate të prekshme në dialog sivjet

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka shkruar rreth vizitës që zhvilloi dje në Kosovë, në përpjekje për ta ringjallur procesin e dialogut.

    Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive politike, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

    Ai ka thënë se gjatë këtyre takimeve ka pasur diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialog, për t’u siguruar që sivjet të ketë rezultatet të prekshme në këtë këtë proces, shkruan Reporteri.net.

    “Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës. Angazhimi i vazhdueshëm mbetet thelbësor për përparimin drejt së ardhmes evropiane të Kosovës”, ka shkruar Sorensen në platformën “X”, teksa ka ndarë edhe fotografi nga takimet.

    Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nevojën që palët të trajtohen në mënyrë të barabartë për t’u arritur sukses, si dhe ka kërkuar që procesi të përqëndrohet në njohjen reciproke.

    Kurti ndërkohë ka thënë se rezultati zgjedhor ka prodhuar një “legjitimitet të ri demokratik” që garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional.

    “Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog”.

    Ndryshe, Sorensen do ta vizitojë edhe Serbinë gjatë javës.