ATV

Blog

  • Mjekët këshillojnë: Mos i puthni foshnjat pa miratimin e prindërve

    Mjekët këshillojnë: Mos i puthni foshnjat pa miratimin e prindërve

    Një video e publikuar në TikTok, ku një nënë e re nuk lejonte nënën e saj ta puthte foshnjën e porsalindur, ka shkaktuar debat të madh në rrjete sociale.

    Sipas Huffington Post , pamjet kanë nxitur një diskutim të rëndësishëm lidhur me shëndetin e foshnjave, duke bërë që mjekë dhe ekspertë të sëmundjeve infektive pediatrike të reagojnë publikisht.

    Nëna e foshnjës, Haeli Christiansen, ka treguar për revistën People se videoja ishte realizuar “me shaka” dhe se nuk e kishte menduar se do të bëhej virale. Në video, ajo e ndalon lehtë nënën e saj kur tenton ta puthë foshnjën, ndërsa mbishkrimi thotë: “Duke ia kujtuar me butësi mamit tim të mos e puthë foshnjën time”.

    “Fjala e ditës është ‘kufijtë’”, ka shkruar Christiansen në përshkrim.

    Ajo ka sqaruar se vendimi për të mos lejuar puthjet nga familjarët apo miqtë është marrë për arsye shëndetësore.

    “Burri im dhe unë vendosëm që për muajt e parë askush të mos e puthë foshnjën tonë, sepse lindi në mes të ‘sezonit të sëmundjeve’ dhe foshnjat nuk kanë sistem imunitar të zhvilluar. Një ftohje e zakonshme për një të rritur mund ta çojë një të porsalindur në spital dhe të jetë kërcënuese për jetën”, ka thënë ajo.

    Christiansen ka shtuar se si foshnjë ishte shtruar dy herë në spital, pasi familjarët e kishin puthur pa e ditur se ishin të sëmurë.

    Videoja ka grumbulluar mbi 730 mijë pëlqime dhe mijëra komente, duke ndarë opinionin publik. Disa përdorues e mbështetën vendimin e saj, ndërsa të tjerë e kritikuan.

    “E gjora gjyshe”, ka shkruar një komentues, ndërsa një tjetër ka thënë: “Unë kurrë s’do t’ia ndaloja nënës time këtë”.

    Mjekët theksojnë se rreziku është real. Doktoresha Taylor Heald-Sargent, profesoreshë e sëmundjeve infektive pediatrike, ka paralajmëruar se sistemi imunitar i foshnjave është shumë i papjekur.

    “Ajo që për një të rritur është infeksion i lehtë, për një foshnjë mund të përfundojë në mbikëqyrje intensive”, ka thënë ajo.

    Ajo ka përmendur viruse si RSV, kollën e mirë dhe herpesin, i cili transmetohet përmes kontaktit të afërt, përfshirë puthjet.

    “Ju mund ta përhapni virusin edhe para se ta kuptoni që jeni sëmurë”, ka paralajmëruar Heald-Sargent.

    Edhe doktoresha Amy Edwards ka theksuar se disa viruse te foshnjat mund të shkaktojnë pasoja shumë serioze.

    “Për të rriturit, ethet janë bezdisëse. Për foshnjat, herpes virusi mund të shkaktojë sepsë ose meningjit fatal në rreth 20 për qind të rasteve”, ka thënë ajo.

    Ekspertët rekomandojnë disa masa bazë për mbrojtjen e foshnjave:

    – larjen e duarve para se të prekni foshnjën,

    – pyetjen e prindërve para çdo puthjeje,

    – shmangien e vizitave nëse ndiheni keq dhe respektimin e kufijve të prindërve.

    Doktoresha Krupa Playforth ka theksuar se foshnjat janë më të rrezikuara në dy-tre muajt e parë të jetës.

    “Ato nuk kanë nevojë të puthen për ta ditur se janë të dashura”, ka thënë ajo.

    Sa i përket komunikimit me familjarët, mjekët këshillojnë që kufijtë të shpjegohen paraprakisht dhe të theksohet se qëllimi kryesor është siguria e foshnjës.

    “Kufijtë prindërorë kanë të bëjnë me sigurinë. Është prindërim i përgjegjshëm, jo mungesë respekti”, ka përfunduar Playforth.

  • Pretendoi se u keqtrajtua nga policët në veri, IPK kërkon inicim të rastit për kallëzim të rremë ndaj ankuesit

    Pretendoi se u keqtrajtua nga policët në veri, IPK kërkon inicim të rastit për kallëzim të rremë ndaj ankuesit

    Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me denoncimin e një qytetari, i cili kishte akuzuar Policinë e Kosovës për keqtrajtim. Pas verifikimeve, rasti ka rezultuar të jetë lajm i rremë, ndërsa për këtë është iniciuar edhe rast përkatës.

    Në njoftimin e IPK-së thuhet se incidenti është raportuar para mesnatës së 13 janarit, në afërsi të Urës së Bistricës.

    “Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve është vërtetuar se të njëjtat nuk pasqyronin pretendimet e palës dhe se zyrtarët policorë me asnjë veprim nuk dyshohej se kishin tejkaluar autorizimet e tyre apo përdorur forcën. Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se  pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të  iniciohet rast  dhe hetim penal  me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë.”, njoftoi IPK.

    I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri.

    Hetuesit e IPK-së në kuadër të veprimeve hetimore dhe të procesit të verifikimit të pretendimeve të ankuesit kanë siguruar prova duke përfshirë edhe video incizim nga kamerat e sigurisë që kanë mbuluar me pamje vendin ku është kryer ndalesa në pikën e kontrollit nga zyrtarët policorë.

    “Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të iniciohet rast dhe hetim penal me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”, përfundon njoftimi.

  • Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar për kultivim të kanabisit në Malishevë

    Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar për kultivim të kanabisit në Malishevë

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë i cili pa autorizim dhe në bashkëkryerje edhe me dy të pandehur tjerë, kultivojnë bimë të hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope”.

    I pandehuri në bashkëpunim me të pandehurin O.Sh., shtetas i Shqipërisë, dhe një i dyshuar i tretë i pa identifikuar deri më tani, kanë mbjellë dhe kultivuar narkotikë të llojit Kanabis Sativa në tri parcela”.

    “Në këto tri lokacione janë gjetur gjithsej 1592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa”, tha Prokuroria.

    Parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri, ndërsa veprimet e të pandehurve, shihen në foto dhe video të nxjerra nga masa e fshehtë e vëzhgimit.

  • Milot Avdyli për takimin kundër Dritës në Conference League:Kam një punë që duhet ta kryejë me ta

    Milot Avdyli për takimin kundër Dritës në Conference League:Kam një punë që duhet ta kryejë me ta

    Kampioni i Kosovës Drita pritet që të takohet kundër skuadrës sllovene Celje,ndeshje në kuadër të play-off-it të fazës nokaut të UEFA Conference League.

    Ish-sulmuesi i Kosovës U21 që luan tek ekipi slloven Milot Avdyli ka folur lidhur për duelin kundër ekipit gjilanas,dhe ka paralajnëruar se do të kryejë punë me kampionët e Kosovës.

     “Doja që të luaja ndaj Dritës në fazën e ligës dhe dëshira ime tash është bërë realitet. Ndeshja do të jetë e veçantë sepse do të përballem me një klub nga vendlindja. Kam disa punë të pakryera me Dritën, sepse luajta dy herë ndaj tyre kur isha lojtar i Trepçës dhe humba në dy rastet”

    Avdyli më pas shton se kësaj rradhe do të jetë ndryshe dhe se Drita është një skuadër që ka lojtarë kualitativ ,por në fund thotë se synon që të sigurojë kalimin në 1/8-së Conference League.

    Kujtojmë që Drita do të takohet kundër Celjes më 19 shkurt në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë,teksa takimi i kthimit më 26 shkurt në Slloveni.

  • “Ndërtimi i një Ferrari”-Driton Kuka rrëfen sukseset e Kosovës në xhudo përgjatë viteve

    “Ndërtimi i një Ferrari”-Driton Kuka rrëfen sukseset e Kosovës në xhudo përgjatë viteve

    Trajneri më i suksesshëm në Kosovë Driton Kuka ka folur për sukseset e sportit të xhudos kosovare.

    Kuka në një intervsitë për faqen zyrtare të Unionit Evropian të Xhudos (EJU në Kampin Stërvitor Olimpik të Mittersill flet për filozofinë e tij të stërvitjes,medaljen e parë olimpike dhe thotë se këto suksese janë sipas tij është sikur ta ndërtojnë një Ferrari.

    “Ne, si Kosovë, me një bazë të vogël, me një numër të vogël atletësh, duhet të ndërtojmë Ferrarin nga një atlet i vetëm. Pra, është shumë e vështirë të krijosh të dyja, jetën normale dhe jetën e një atleti të nivelit të lartë”

    Përndryshe Kuka ka folur edhe për synimet në Lojërat Olimpike të vitit 2028 në Los Angeles,ku thotë se janë duke bërë përpjekje që të zhvillohen atletë të rinj,teksa thotë se të tre xhudistët Distria Krasniqi,Akil Gjakova dhe Nora Fazliu janë mirë me shëndet atëherë kualifikim në olimpiadë është mëse e sigurt.

  • GO+Peja dhe Greg Gibson i ndajnë rrugët-Trajneri amerikan i jep fund bashkëpunimit me verdhëezinjët

    GO+Peja dhe Greg Gibson i ndajnë rrugët-Trajneri amerikan i jep fund bashkëpunimit me verdhëezinjët

    KB GO+Peja i ka dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin amerikan Greg Gibson.

    Gibson largohet pas arritjes së marrëveshjes mes palëve,duke vlerësuar edhe rrethanat aktuale që po kalon klubi pejan.

    Përndryshe GO+Peja në një postim në rrjetet sociale ka falenderuar Gibson për kohën tek ish-kampioni i Kosovës,duke i uruar suksese në të ardhmen dhe falenderoi për kontributin profesional.

    “E falenderojmë trajnerin Gibson për kontributin e tij këto 6 muaj, duke i uruar suksese në etapat e ardhshme të karrierës”, thuhet në njoftimin e klubit pejan.”

    Kujtojmë që Go+Peja gjendet në pozitën e tretë në Procredit Superligën e Kosovës me 20 pikë.

  • Norvegjia e tronditur pasi Machado ia dorëzoi Nobelin presidentit amerikan, Donald Trump

    Norvegjia e tronditur pasi Machado ia dorëzoi Nobelin presidentit amerikan, Donald Trump

    Lajmi se fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, ia dorëzoi medaljen e saj presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar një valë reagimesh të forta dhe mosbesimi në mediat norvegjeze dhe qarqet profesionale.

    Trump, i cili prej kohësh ka shprehur dëshirën për këtë vlerësim, e mori medaljen nga udhëheqësja e opozitës venezuelase gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

    Machado e konsideroi këtë dorëzim si “një vlerësim për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj lirisë sonë”.

    Ky veprim ka ngjallur shumë diskutime, veçanërisht pasi Machado është përjashtuar nga procesi i tranzicionit të pushtetit në Venezuelë që prej 3 janarit, kur forcat amerikane rrëzuan presidentin Nicolás Maduro, megjithatë regjimi i tij mbeti në pushtet.

    Presidenti amerikan, i cili pretendon se e meriton Çmimin Nobel për Paqen pasi, sipas tij, gjatë mandatit të dytë ka kontribuar në zgjidhjen e disa konflikteve, më herët kishte shprehur pakënaqësi ndaj vendimeve të Komitetit Norvegjez të Nobelit,

    “Kjo është krejtësisht e papranueshme”, deklaroi për televizionin publik NRK Janne Haaland Matlary, profesoreshë në Universitetin e Oslos dhe ish-politikane. “Ky veprim përbën mungesë të plotë respekti ndaj çmimit”, tha ajo, duke e cilësuar atë si “të pakuptimtë” dhe “patetik”.

    Ndërkohë, Komiteti Norvegjez i Nobelit theksoi javën e kaluar, përmes një deklarate zyrtare, se Çmimi Nobel nuk mund të ndahet dhe as të transferohet.

    Çmimi Nobel për Paqen konsiderohet një nga vlerësimet më prestigjioze në botë për përpjekjet në fushën e diplomacisë dhe paqes.

    “Kjo është jashtëzakonisht e turpshme dhe e dëmshme për një nga çmimet më të njohura dhe më të rëndësishme në botë”, shkroi në një postim në Facebook, Raymond Johansen, ish-kryetar i bashkisë së Oslos nga Partia Laburiste në pushtet.

    “Dhënia e çmimit është tani aq e politizuar dhe potencialisht e rrezikshme, saqë mund të legjitimojë lehtësisht zhvillime që bien ndesh me vetë idenë e paqes”, shkroi ai.

    Ai është një nga pesë Çmimet Nobel të themeluara me testamentin e Alfred Nobelit, shpikësit suedez të dinamitit, i cili vdiq në vitin 1896.

  • Pa ujë për ditë të tëra, banorët e Arbërisë ankohen për furnizim minimal

    Pa ujë për ditë të tëra, banorët e Arbërisë ankohen për furnizim minimal

    Banorët në rrugën “Ferid Curri” në lagjen Arbëria në Prishtinë, tash e disa ditë po përballen me mungesë të ujit, e cila po ua vështirëson jetën e përditshme.

    Një banor i kësaj lagjeje, tha për Sinjalin se uji në lagje ku jeton ai më shumë janë pa ujë se me të.

    Sipas tij ujë kanë vetëm dy orë në ditë, e që kjo mungesë po shkakton shumë telashe.

    Ai për Sinjalin madje ka dyshime se KRU Prishtina ua ka ndërprerë atyre furnizimin e rregullt në mënyrë që banorët e Fushë Kosovës të kenë ujë pasi që furnizohen me ujë nga i njëjti liqen, nga ai i Batllavës.

    “Kohët e fundit, KRU Prishtina po furnizon vetëm Fushë Kosovën përmes Batllavës ndërkohë që ata janë të siguruar me ujë, pasi ka pasur një rregullim të situatës atje”, ka thënë ai.

    Në lidhje me këtë çështje, Sinjali ka kontaktuar KRU Prishtinën për të marrë një sqarim në lidhje me ankesat e banorëve të kësaj lagjeje dhe në një përgjigjje  të tyre ata janë justifikuar se shkak është situata e fundit me vërshime.

    “Kjo situatë është krijuar si pasojë e turbullirave të shtuara në burimin e ujit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e trajtimit, si dhe për shkak të kapacitetit të zvogëluar të impiantit të trajtimit. Për rrjedhojë, sasia e ujit të trajtuar dhe e shpërndarë është më e ulët se nevojat reale të konsumatorëve”, kanë thënë nga KRU Prishtina.

    Nga Ujësjellësi kanë thënë se ekipet e tyre janë duke  punuar në stabilizimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit normal sa më shpejt që të jetë e mundur, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët që të kursejnë ujin deri në përmirësimin e furnizimit me ujë.

    “Për shkak të mungesës së ujit nga Batllava, jemi duke u munduar të shpërndajmë ujë në mënyrë të kufizuar nga Shkabaj, pasi situata është e tillë aktualisht”, thuhet në sqarimin e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

    Pavarësisht këtyre sqarimeve, banorët që jetojnë në lagjen Arbëria, dyshojnë se mos furnizimi i tyre i rregullt me ujë dhe e kundërta që po ndodh me komunën e Fushë Kosovës është për shkak të afërsisë që kryeshefi i KRU Prishtina Arsim Fetahu ka me kryetarin e Fushë Kosovës Valon Prebreza.

    Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe komunën e Fushë Kosovës lidhur me këtë problematikë.

    Prebreza është përgjigjur duke thënë se qytetarët e Fushë Kosovës, nuk kanë pengesa me furnizimin e ujit dhe ka demantuar miqësin me kryeshefin e KRU Prishtina, Arsim Fetahu.

    “Furnizimi me ujë nuk shkon me miqasi kujt me i’a lëshu ujin e kujt jo”, deklaroi ai.

  • Kompanitë ndërkombëtare ende po shmangin hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut

    Kompanitë ndërkombëtare ende po shmangin hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut

    Kompanitë evropiane të aviacionit, përfshirë Wizz Air, Lufthansa dhe British Airways, të enjten vazhduan të shmangin hapësirën ajrore të Irakut dhe Iranit, pavarësisht se ajo u rihap, duke ridrejtuar fluturimet përmes Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

    Irani të mërkurën mbylli përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të shqetësimeve për një veprim ushtarak të mundshëm, gjë që çoi në anulimin dhe ridrejtimin e fluturimeve, shkruan reuters.

    Megjithëse hapësira ajrore u rihap pas gati pesë orësh, shumë operatorë, përfshirë Singapore Airlines dhe TUI, mbajtën rrugë alternative.

    Gjermania ka lëshuar një rekomandim për kompanitë ajrore që të mos hyjnë në hapësirën ajrore iraniane, ndërsa shumë operatorë kanë përshtatur operacionet e tyre.

    Wizz Air ka njoftuar se disa fluturime kërkojnë ndalesa shtesë për furnizim me karburant dhe ndërrim të ekuipazhit, ndërsa British Airways ka anuluar fluturimet për Bahrein deri më 16 janar.

    KLM, Finnair, Ryanair dhe Air France gjithashtu, nga masa paraprake, shmangin hapësirën ajrore iraniane dhe irakiane, duke paralajmëruar se situata e paqëndrueshme e sigurisë ende përbën rrezik për ndërprerje të reja në trafikun ajror.

  • Petkoviq i thotë Sorensenit se përparimi në dialogun me Kosovën “kushtëzohet” me Asociacionin

    Petkoviq i thotë Sorensenit se përparimi në dialogun me Kosovën “kushtëzohet” me Asociacionin

    Zyrtari serb Petar Petkoviq ia ka bërë të ditur të dërguarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku mes Serbisë dhe Kosovës varet nga gatishmëria e kësaj të fundit për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe, njoftoi Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Sorensen u takua me Petkoviqin në Beograd të premten, dy ditë pas vizitës në Prishtinë, në një përpjekje të re për të shënuar përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Petkoviq, i cili është drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, bisedoi me të dërguarin e bllokut për mundësitë për avancimin e dialogut të stagnuar.

    Petkoviq “ia përcolli një mesazh të qartë” Sorensenit se për çdo përparim i dukshëm në dialog “është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë për të themeluar” Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

    Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë dhe edhe ajo i ka vënë kushte Serbisë.

    Gjatë vizitës së Sorensenit në Prishtinë të mërkurën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha vendi i tij është i gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, por pati sërish kërkesa për të.

    Ai tha se, së pari, Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin – ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023.

    Po ashtu, ai tha se Serbia duhet ta tërheq “letrën e ish-kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.

    Sorensen tha në Prishtinë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

    Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.

    Kjo ishte vizita e parë e Sorensenit në këto dy vende qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

    Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

    Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian./REL