ATV

Blog

  • Arrestohen katër të dyshuar për vjedhje në Obiliq, dy prej tyre të mitur

    Arrestohen katër të dyshuar për vjedhje në Obiliq, dy prej tyre të mitur

    Policia ka njoftuar se të premten në Obiliq janë arrestuar katër të dyshuar për vjedhje të rëndë, dy prej tyre të mitur.

    Ata dyshohen për një rast vjedhjeje që daton më 9 janar të këtij viti.

    “Lidhur me rastin, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen katër të dyshuar meshkuj kosovarë (dy prej tyre të mitur)”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Një i mitur sulmon me thikë një të mitur tjetër në Lipjan

    Një i mitur sulmon me thikë një të mitur tjetër në Lipjan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një i mitur është arrestuar në Lipjan pasi dyshohet se e ka sulmuar me thikë një të mitur tjetër.

    Ky i fundit është dërguar në QKUK pas plagëve të marra.

    Policia e ka cilësuar rastin si “lëndim i rëndë trupor”.

    “Rr. Skënderbeu, Lipjan  16.01.2026 – 18:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjet të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur. I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Rrahmani ndër më të mirët e fazës së parë në Serie A, i vetmi nga kampionët

    Rrahmani ndër më të mirët e fazës së parë në Serie A, i vetmi nga kampionët

    Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka gjetur vend në formacionin më të mirë të fazës së parë në Serie A nga mediumi GOAL.

    Mbrojtësi i Napolit ka spikatur me paraqitjet e tij në Serie A duke u përfshirë në 11-shen më të mirë.

    Rrahmani në javët e para të kampionatit nuk ishte në dispozicion të trajnerit Antonio Conte për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen ndaj Zvicrës. 31-vjeçari humbi shtatë ndeshje këtë edicion, por nga periudha kur u riaftësua ka qenë shtyllë e mbrojtjes së Napolit duke arritur të shënojë edhe një gol kundër Lazios.

    Rrahmani po luan sezonin e gjashtë me Napolin, teksa ka arritur të fitojë dy tituj kampioni në Serie A.

  • Australia heq rreth 5 milionë llogari fëmijësh nga rrjetet sociale

    Australia heq rreth 5 milionë llogari fëmijësh nga rrjetet sociale

    Shumë rrjete sociale kanë hequr qasjen për rreth 4.7 milionë profile të identifikuara si të fëmijëve në Australi, që nga hyrja në fuqi e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç.

    Kjo masë historike hyri në fuqi në dhjetor për të adresuar shqetësimet rreth mjediseve potencialisht të dëmshme online për të rinjtë.

    Ministrja e Komunikimit, Anika Wells, tha se qeveria u përball me shumë kritika dhe sfida nga kompanitë e mëdha teknologjike, por tani prindërit australianë mund të jenë të sigurt se fëmijët e tyre mund të shijojnë fëmijërinë pa ndikimin e rrjeteve sociale.

    Sipas ligjit australian, platforma si Facebook, Instagram, TikTok, X, YouTube, Snapchat, Reddit, Threads, Kick dhe Twitch përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë nëse nuk marrin masa për të hequr përdoruesit nën moshën 16 vjeç. Për të verifikuar moshën e përdoruesve, platformat mund të kërkojnë dokumente identifikimi, të përdorin teknologji të vlerësimit të moshës ose të nxjerrin përfundime nga të dhëna të tjera të disponueshme.

    Komisionerja për sigurinë online, Julie Inman Grant, tha se masat synojnë parandalimin e kompanive të rrjeteve sociale që të kenë qasje te fëmijët. Ajo shtoi se dhjetë kompanitë kryesore nën ndalesë kanë respektuar ligjin dhe kanë raportuar në kohë të dhënat e kërkuara.

    Përveç mbështetjes nga prindërit dhe organizatat për sigurinë e fëmijëve, aktivistë të privatësisë online dhe disa grupe të rinjsh kanë kritikuar masën, duke argumentuar se ndalimi mund të shtyjë përdorimin e rrjeteve në platforma më pak të rregulluara ose të kufizojë qasjen në komunitete ku ndihen të mbështetur.

    Ligji australian mbi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç është parë si një hap historik në mbrojtjen e sigurisë online të të rinjve dhe ka nxitur diskutime edhe në vende të tjera për masa të ngjashme.

  • Ndeshje të zjarrta edhe këtë fundjavë në basketbollin kosovar

    Ndeshje të zjarrta edhe këtë fundjavë në basketbollin kosovar

    Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon edhe në këtë fundjavë me përballje interesante.

    Ndeshje të forta na presin në Prishtinë, Pejë, Gjakovë e Prizren.

    Të shtunën, përballen Sigal Prishtina – Bora dhe Peja – Golden Eagle Ylli, ndërsa të dielën, Vëllaznimi e pret Trepçën, kurse Bashkimi luan ndaj Rahovecit 029.

    ProCredit Superliga-Java 16

    E shtunë

    17:00 Sigal Prishtina – Bora

    19:45 Go+ Peja – Golden Eagle Ylli

    E diele

    17:00 Vëllaznimi – Trepça

    19:45 Bashkimi – Rahoveci 029

  • Arrestohet një burrë në Kaçanik, dyshohet se sulmoi fizikishr prindërit dhe motrën e tij

    Arrestohet një burrë në Kaçanik, dyshohet se sulmoi fizikishr prindërit dhe motrën e tij

    Të premten në Kaçanik një person është arrestuar për dhunë në familje.

    Ai dyshohet se ka rrahur nënën, babanë dhe motrën e tij.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Rinumërohen 312 vendvotime: Cilët kandidatë humbën më së shumti vota?

    Rinumërohen 312 vendvotime: Cilët kandidatë humbën më së shumti vota?

    Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve, sipas përditësimit të fundit në faqen e KQZ-së, 312 nga 914 vendvotime janë numëruar.

    Nga ky proces verifikimi disa kandidatëve brenda partive i janë hequr votat e disa të tjerëve janë shtuar ato.

    Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje me më së shumti vota të zbritura:

    Ejup Maqedonci – 250 vota

    Vendenis Lahu – 238 vota

    Filiz Mustafa – 226 vota

    Adelina Stublla – 165 vota

    Albin Kurti – 152 vota

    Dafina Alishani – 141 vota

    Glauk Konjufca – 86 vota

    Kandidatët e PDK-së me më së shumti vota të zbritura:

    Fetah Paçarizi – 1,336 vota

    Nait Hasani – 669 vota

    Arianit Çollaku – 506 vota

    Xhavit Haliti – 477 vota

    Luljeta Veselaj Gutaj – 451 vota

    Kujtim Gashi – 440 vota

    Enver Hoxhaj – 430 vota

    Kandidatët e LDK-së me më së shumti vota të zbritura:

    Xhavit Uka – 358 vota

    Visar Azemi – 193 vota

    Driton Selmanaj – 175 vota

    Anton Quni – 146 vota

    Alban Zogaj – 38 vota

    Florian Dushi – 28 vota

    Lumir Abdixhiku – 27 vota

  • Rasti i krerëve të UÇK-së: Më 19 janar dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale

    Rasti i krerëve të UÇK-së: Më 19 janar dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale

    Të hënën, më 19 janar, në Gjykatën Speciale të Hagës do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.

    Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, mbetet fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa me përfundimin e saj procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.

    Krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.

    Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.

    Detajet për procesin:

    Në nëntor 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan pas konfirmimit të një aktakuze dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Pretendohet se këtu përfshiheshin persona që konsideroheshin se bashkëpunonin me forcat jugosllave dhe kundërshtarë politikë.

    Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i tregoi Mbrojtjes mijëra faqe prova. Mbrojtja kreu hetimet e veta dhe ngriti kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Viktimat aplikuan për të marrë pjesë. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë. Midis shtatorit dhe nëntorit 2025, ekipet e Mbrojtjes thirrën 7 dëshmitarë. Secila palë pati mundësinë të bëjë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga pala tjetër.

    Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykatësit konstatojnë se ekzistojnë rreziqe që e përligjin atë. Deri tani, në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë konstatuar se z. Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë paraqisnin rrezik të kryerjes së veprave penale të tjera, konkretisht kundër personave që kishin dhënë dëshmi ose që pritej të jepnin dëshmi para Dhomave të Specializuara.

    Gjykatësit kanë theksuar gjithashtu se paraburgimi synon të parandalojë rrezikun e hakmarrjes kundër dëshmitarëve ose përpjekjet për të nxitur një dëshmitar që të tërheqë dëshminë e tij. Gjykatësit do të vazhdojnë të vlerësojnë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i nevojshëm për trajtimin e këtyre rreziqeve.

    Sa i takon parimit të procesit publik, 134 dëshmitarë që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, e bënë këtë në seancë publike, 61 prej këtyre dëshmitarëve dhanë dëshmi pas asnjë masë mbrojtëse. Kjo pavarësisht se transparenca, është kritikuar dukshëm.

  • 44 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

    44 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

    Sot shënohet 44-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

    Më 17 janar 1982, ata u vranë në një atentat në Untergruppenbach të Gjermanisë. Edhe pas 44 vjetësh, kjo ngjarje mbetet e freskët në kujtesën e familjarëve dhe të gjithë atyre që ishin të lidhur me ta shpirtërisht dhe veprimtarisht.

    Sipas autoriteteve gjermane, atentati u cilësua si pjesë e luftës së fshehtë mes shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarëve politikë në mërgatë. Sulmi ndodhi derisa viktimat po dilnin me veturë nga garazhi, kur dy persona të armatosur hapën zjarr nga afër dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.

    Bardhosh Gërvalla u vra me gjashtë plumba, Kadri Zeka me dy, ndërsa Jusuf Gërvalla u plagos rëndë dhe më pas vdiq. Para se të ndërronte jetë, Jusuf Gërvalla kishte deklaruar se pas atentatit qëndronte UDB-ja.

  • Kur Reality TV Shndërrohet në Fuqi Digjitale

    Kur Reality TV Shndërrohet në Fuqi Digjitale

    Si Big Brother VIP Pushtoi Hapësirën Digjitale në Shqipëri dhe Kosovë

    Sot, mediat digjitale dhe rrjetet sociale luajnë një rol kyç në formësimin e opinionit publik. Publiku nuk i ndjek më emisionet televizive vetëm përmes televizionit apo portaleve informative, por edhe në platforma si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube. Monitorimi i këtyre kanaleve u mundëson brendeve, institucioneve dhe mediave të kuptojnë se për çfarë flitet, si reagon audienca dhe cilat tema tërheqin vëmendjen më të madhe.

    Përmes platformës së saj të inteligjencës mediatike në kohë reale, analytics.live, Pikasa ka analizuar praninë online dhe ndikimin mediatik të Big Brother VIP Albania dhe Big Brother VIP Kosova, duke përfshirë kanalet zyrtare në rrjete sociale dhe mbulimin nga mediat në të dy shtetet.

    Periudha e Monitorimit
    Periudha e monitorimit për këtë analizë ishte 5–11 janar 2026. Gjatë kësaj kohe, Big Brother VIP në të dy vendet dominoi plotësisht të gjitha platformat sociale, duke tejkaluar çdo medium, influencues apo lider politik për nga dukshmëria dhe angazhimi.

    Çfarë u Monitorua
    Analiza u fokusua në:
    • Llogaritë zyrtare të Big Brother VIP Albania dhe Kosova në rrjete sociale
    • Mediat në të dy shtetet, përfshirë portalet online, faqet e televizioneve dhe media të tjera digjitale
    • Përmendjet, postimet, komentet, pëlqimet, shpërndarjet dhe angazhimin total
    • Të dhëna në kohë reale, të përditësuara vazhdimisht

    Statistikat e Performancës në Rrjete Sociale
    Facebook: Motor pjesëmarrjeje, jo vetëm kanal shpërndarjeje
    Gjatë javës së monitoruar, Big Brother VIP Albania gjeneroi 481 mijë angazhime, tre herë më shumë se influencuesit dhe liderët politikë kryesorë në vend. Faqja publikoi 2,015 postime, duke tejkaluar vëllimin e publikimeve të 10 faqeve më të angazhuara në Facebook.
    Ndërkohë, Big Brother VIP Kosova regjistroi 405 mijë angazhime, katër herë më shumë se performanca e kombinuar e influencuesve, mediave dhe liderëve politikë. Faqja publikoi 982 postime, më shumë se 20 faqet e tjera më aktive në treg.

    Instagram: Bastioni kryesor i angazhimit të show-t
    E njëjta tendencë vërehet edhe në Instagram, ku diferenca mes faqes udhëheqëse dhe faqeve të tjera kryesore është së paku 2.5 herë më e lartë, duke dëshmuar dominancë absolute.
    Në Shqipëri, Big Brother VIP gjeneroi 2.8 milion angazhime dhe publikoi 1,999 postime dhe reels, ndërsa në Kosovë arriti 1.9 milion angazhime me 929 postime dhe reels. Këto shifra konfirmojnë lidershipin e fortë të Big Brother VIP në Instagram, si në angazhim ashtu edhe në intensitet publikimi.

    TikTok: Arritja algoritmike që riformëson sjelljen e audiencës
    Në TikTok, audienca kosovare dominoi qartë, me dyfish më shumë shikime dhe angazhime krahasuar me Shqipërinë. Big Brother VIP Kosova arriti 5.6 milion shikime dhe 116 mijë angazhime, ndërsa Big Brother VIP Albania regjistroi 2.8 milion shikime dhe 59 mijë angazhime.
    Kjo diferencë lidhet kryesisht me kufizimet dhe bllokimet e përkohshme të TikTok-ut në Shqipëri, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në shtrirjen e përmbajtjes dhe aktivitetin e audiencës.

    YouTube: Gati 40 milion shikime në dy tregje
    Big Brother VIP vazhdon të dominojë edhe në YouTube. Big Brother VIP Kosova regjistroi 27.6 milion shikime dhe 160.7 mijë angazhime, ndërsa Big Brother VIP Albania arriti 11.4 milion shikime dhe 48.3 mijë angazhime.
    Edhe në platformat video, kanalet zyrtare të Big Brother VIP tejkalojnë të gjitha mediat e tjera digjitale, duke përqendruar vëmendjen kryesore të audiencës. Kjo dëshmon jo vetëm popullaritetin e show-t, por edhe nivelin e lartë të ndërveprimit të publikut.

    Kur Mediat Ndjekin Vëmendjen, Jo Anasjelltas

    Audienca e madhe në rrjete sociale është shfrytëzuar edhe nga mediat, të cilat përdorin shpesh inserte video nga show-i për të rritur shikueshmërinë dhe klikimet. Në Shqipëri, përmbajtja e Big Brother VIP përbënte 2.66% të gjithë përmbajtjes mediatike, ndërsa në Kosovë 2.77%.
    Në aspektin numerik, lajmet për Big Brother VIP dominojnë dukshëm mbi shumë kategori të tjera lajmesh, duke konfirmuar fuqinë dhe ndikimin e këtij formati në ekosistemin digjital.
    ________________________________________
    Ndikimi është i Matshëm — Kur Dihen të Lexohen të Dhënat

    Performanca digjitale e Big Brother VIP nxjerr në pah rëndësinë gjithnjë e më të madhe të rrjeteve sociale dhe platformave online në formësimin e sjelljes së audiencës, trendeve mediatike dhe diskutimeve publike.

    Të dhënat tregojnë edhe dy ekosisteme digjitale të ndryshme: Shqipëria karakterizohet nga angazhim i lartë social i përforcuar nga amplifikimi mediatik, ndërsa Kosova nga konsum i lartë i videove dhe shtrirje e gjerë në platformat video. Ky kontrast dëshmon se si Pikasa Analytics, përmes analytics.live, e shndërron aktivitetin digjital të fragmentuar në inteligjencë strategjike të qartë.

    Përmes monitorimit në kohë reale, analizës së thelluar të tregjeve dhe krahasimeve ndër-shtetërore, Pikasa ofron insight-e të zbatueshme për vendimmarrësit, jo thjesht tabela apo dashboard-e.

    Link to original article: www.pikasa.ai