ATV

Blog

  • ZYRTARE:Man.City transferon mbrojtësin Marc Guehi nga Crystal Palace

    ZYRTARE:Man.City transferon mbrojtësin Marc Guehi nga Crystal Palace

    Qendërmbrojtësi Marc Guehi është zyrtarizuar si transfer i ri i Manchester City-it nga Crystal Palace.

    Transferimi i Guehit tek City-it është tejet i rëndësishëm,ku skuadra e Pep Guardiolës së fundmi ka pasur probleme me repartin e mbrojtjes,dhe anglezi 25 vjeçar pritet të jetë lider i repartit defansiz tek “Citizens”.

    Përndryshe shumë klube të njohura në Evropë duke përfshirë këtu Liverpool,Bayern Munich dhe Real Madrid kanë qenë të interesuar për shërbimet e Guehit,e sidomos kampioni i Anglisë ishte afër që ta zyrtarizonte anglezin në ditën e fundit të afatit kalimtar veror por që dështoi për shkak të problemeve me teste mjekësore.

    Ndërkohë për Crystal Palace largimi i Guehit përbën një goditje tejet të madhe,pasi qendërmbrojtësi konsiderohej si lider i ekipit dhe se do të jetë mjaft vështirë për të gjetur një zëvendësues për Guehin.

    Kujtojmë që Marc Guehi sezonin e kaluar ka fituar trofeun e FA Cup me Crystal Palace,ku në finale londinezët mundën pikërisht Manchester City-in.

  • Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Aksionet në Evropë u dobësuan, ndërsa çmimi i arit arriti një kulm të ri pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me tarifa aleatët evropianë derisa të arrihej një marrëveshje për blerjen e Grenlandës nga SHBA.

    Çmimi i arit u rrit me 1.6% në 4,671 dollarë për ons (afërsisht 138 euro për gram), pasi arriti nivelin më të lartë historik.

    Presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste një tarifë prej 10% për mallrat nga tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti.

    Trump nuk specifikoi nëse tarifa do të ishte përveç asaj që ato tashmë po paguajnë.

    Në përgjigje, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së, të shpallura më parë.

    Presidenti francez Emmanuel Macron thuhet gjithashtu se ka bërë thirrje për aktivizimin e të ashtuquajturit instrument “anti-forcë” të BE-së.

    I njohur si “bazuka tregtare”, instrumenti mund të bllokojë disa nga akseset e Amerikës në tregjet e BE-së ose të rezultojë në kontrolle të eksportit, ndër masa të tjera të mundshme.

    “Duke pasur parasysh lidhjet e tyre të thella ekonomike dhe financiare, si SHBA-ja ashtu edhe Evropa kanë aftësinë t’i imponojnë njëra-tjetrës pasoja të konsiderueshme, por vetëm me një kosto të madhe për veten e tyre”, tha Jonas Goltermann, ekonomist i lartë i tregjeve në kompaninë konsulente Capital Economics.

    “Si i tillë, rezultati më i mundshëm, sipas mendimit tonë, është që të dyja palët të pranojnë se një përshkallëzim i madh do të ishte humbje dhe se kompromisi përfundimisht mbizotëron”, shtoi ai.

  • Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se e mban qëndrimin e njëjtë për dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhikut.

    Bajrami, e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë para disa ditësh, e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

    “E kam dhënë qëndrimin, të njëjtin qëndrim e mbaj”, tha ajo shkurt për gazetarët para mbledhjes së Kryesisë.

    Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së, por fjalën e fundit për pranimin ose jo të dorëheqjes ka thënë se do ta ketë Kuvendi i LDK-së.

    Bajrami ishte nga ata që kanë shprehur pakënaqësinë që dorëheqja e Abdixhikut nuk ishte e parevokueshme.

  • Hidhet shorti i Copa Del Rey-Barcelona luan në çerekfinale kundër Albacete

    Hidhet shorti i Copa Del Rey-Barcelona luan në çerekfinale kundër Albacete

    Është hedhur shorti për fazën çerekfinale të Copa del Rey,ku pritet të ketë ndeshje mjaft interesante.

    Gjiganti katalunas Barcelona pritet të takohet kundër Albacetes,skuadër e cila bëri befasinë në 1/8 e finales duke eliminuar Real Madridin me rezultat 3:2.

    Përndryshe kjo do të edhe hera e parë në të cilën këto dy skuadra do të takohen në mes vete në Copa del Rey,teksa hera e fundit kur janë takuar ishte para 21 viteve ku Barcelona fitoi me rezultat 2:0 në një ndeshje të sezonit 2004/05 në La Liga,ndërsa fitorja e vetme e Albacetes ndaj Barcelonës ishte më 10 qershor 1995.

    Ndërkohë në ndeshjet e tjera që do të zhvillohn në fazën çerekfinale Atletico Madrid takohet kundër Real Betis-it.

    Valencia do të takohet kundër Athletic Bilbaos,kurse Real Sociedad luan kundër Alaves.

    Kujtojmë që ndeshjet çerekfinale të Copa del Rey do të zhvillohen me datat 3,4 dhe 5 shkurt.

  • Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se është zbardhur rasti i vjedhjeve në disa institucione arsimore, ndërsa pjesa më e madhe e pajisjeve të vjedhura tashmë u janë kthyer shkollave përkatëse.

    Sipas njoftimit, pajisjet e rikthyera u përkasin Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë, SHFMU “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, si dhe Shkollës së Mesme Teknike IAAP “Jonuz Zejnullahu” në Viti.

    Me këtë rast, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti, e shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, ka pranuar sot pajisjet që më herët ishin gjetur tek personat e dyshuar, pas ftesës nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Viti.

    Ajeti ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e rastit, duke theksuar se kthimi i pajisjeve është i rëndësishëm për funksionimin normal të institucioneve shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

  • Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Davosit në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) mes liderëve të shumtë nga e gjithë bota. Në kuadër të WEF, Kosova do ta ketë për të dytin vit me radhë shtëpinë e saj.

    Kurti sipas njoftimit të Qeverisë do të marrë pjesë në ngjarjet dhe panelet e diskutimit që organizohen në Shtëpinë e Kosovës, krahas edhe takimeve zyrtare bilaterale me udhëheqës të lartë dhe investitorë në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.

  • Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Ministria e Ekonomisë, Komuna e Ferizajt dhe KOSTT kanë nënshkruar marrëveshje përmes se cilës KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt ku do të vendosen bateritë 90 MWh për ruajtjen e energjisë.

    Me këtë marrëveshje siç ka njoftuar ministrja në detyrë e Ekonimisë, Artane Rizvanolli punimet për bateritë do të ecin përpara në kuadër të programit kompakt me MCC-në.

    “Bateritë do të ruajnë energji kur ka tepricë dhe do ta kthejnë në rrjet kur kërkesa rritet, për furnizim më të qëndrueshëm dhe kosto më të përballueshme. Partneriteti Kosovë-SHBA po kthehet në edhe një rezultat konkret: infrastrukturë që e bën energjinë më të sigurt për qytetarët”, ka shkruar ajo.

  • Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula është takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, kolonel Fehmi Hotin.

    Prokuroria tha në një njoftim se “temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës”.

    “Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

    Prokurorja Pula, sipas njoftimit, ka paralajmëruar se do të fillojë grumbullimi i provave të nevojshme në nivel vendi.

    “Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit”, thuhet në njoftim.

    Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve ka nxjerrë dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot në një mbledhje për rinumërim të plotë të të gjitha votave.

  • Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur mbledhjen e Kryesisë pas dorëheqjeve lidhur me rezultatin e dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e kishte paralajmëruar këtë mbledhje që pasi kishte ofruar dorëheqjen e tij. Nëdërsa para saj ishte mbajtur për pesë orë një mbledhje e “rrethit të ngushtë” të LDK-së.

    Pas kësaj mbledhje Abdixhiku njoftoi se ka dhënë dorëheqje Lumir Abdixhiku ka thënë se e ka paraqitur dorëheqjen e tij, dhe se pret nga Kuvendi i LDK-së ta pranojnë ose jo atë.

    Në LDK, dorëheqje ka dhënë nënkryetarja e partisë Hykmete Bajrami, ndërhsa dorëheqjen e ka paralajmëruar edhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti nëse Abdixhiku nuk largohet nga pozita e kryetarit. Bajrami e Hoti kanë kërkuar dorëheqje të parevokueshme të tij.

  • Dënohet me mbi 6 vjet burgim personi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona në Qubrel

    Dënohet me mbi 6 vjet burgim personi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona në Qubrel

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim E.R, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili kishte shkaktuar aksident me fatalitet ku tre persona humbën jetën në Qubrel të Skenderaj më 26 janar të vitit 2025.

    Poashtu, të dënuarit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për dy vite i cili hyn në fuqi pas përfundimit të dënimit me burgim.

    “I pandehuri është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila parasheh minimumin e dënimit prej një (1) viti dhe maksimum të dënimit prej tetë (8) viteve.Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muajsh dhe dënimin plotësues “Ndalimi i drejtimit të automjetit”, ashtu që të pandehurit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy (2) vitesh, afat i cili fillon të rrjedhë pas ekzekutimit të dënimit me burgim”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R. më datë 26.01.2025, rreth orës 18:45, në rrugën Rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Qubrel, Komuna Skenderaj, nga pakujdesia duke mos e përshtat shpejtësinë me kushtet e rrugës ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 08/L-186 Për Trafikun Rrugor, nenet 38, 45 dhe 50 në atë mënyrë që derisa i pandehuri E.D., kishte qenë duke e drejtuar automjetin zyrtar, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kahjes së kundërt dhe aksidentohet me automjetin VË Golf IV, të cilën e drejtonte tani i ndjeri A.G., dhe si rezultat i aksidentit, lëndime fatale kanë pësuar të ndjerët A.G., G.G .dhe Z.G. kurse lëndime të rënda trupore pëson vet i pandehuri si dhe pasagjerët e tij D.E., B.H. si dhe pasagjeri i automjetit Golf IV , fëmiu L.G.

    Arsyetimin e këtij aktgjykimi palët do ta pranojnë me aktgjykimin e shkruar, ndërsa kundër të njëjtit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të aktgjykimit.