ATV

Blog

  • Sot mbahet seanca fillestare ndaj serbit të akuzuar për dhunim seksual gjatë luftës

    Sot mbahet seanca fillestare ndaj serbit të akuzuar për dhunim seksual gjatë luftës

    Në Gjykatën Themelore do të mbahet seanca fillestare kundër Cvetko Kostiq, i cili akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës. Rasti i dhunimit ka ndodhur në Komunën e Vushtrrisë.

    Kostiq akuzohet në mungesë, në pamundësi të sigurohet prezenca e tij gjatë procesit gjyqësor.

    Cvetko Kostiq ka qenë pjesëtar i forcave policore të Serbisë.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai në bashkëkryerje me persona tjerë të uniformuar dhe të armatosur ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

    Deri më tani janë ngritur 12 aktakuza për dhunim seksual gjatë luftës, në mesin e tyre shtatë janë në mungesë.

    Për herë të parë për këtë krim lufte është dënuar Zoran Vukotiq me 13 vjet burgim në tri shkallët, në rastin tjetër Vukotiq është liruar për dhunim seksual, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënuar me 15 vjet burgim dhe është në vuajtje të dënimit.

    Vitin e kaluar u shqiptua edhe dënimi i parë në mungesë, ku Dragan Deniq e Ivica Rajkoviq u dënuan me nga 15 vjet burgim.

    Vitin e kaluar kanë filluar edhe dy procese tjera për këtë krim lufte.

    Seanca do të mbahet në orën 09:30 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore.

  • Mungesa e gjumit mund të lidhet me shtimin në peshë

    Mungesa e gjumit mund të lidhet me shtimin në peshë

    Nëse e vëreni qe keni shtuar pak në peshë në dy javët e fundit, atëherë duhet të kontrolloni zakonet tuaja të të fjeturit.

    Gjumi i keq gjatë natës mund të ndikojë në ditën tuaj në shumë mënyra, ndërsa në bazë të një studimi të bërë në vitin 2016, mungesa e gjumit mund të lidhet edhe me shtimin në peshë.

    Nëse flini më pak se orët të cilët ju rekomandohet sipas moshës, atëherë kjo gjë mund të ndikojë negativisht në shumë mënyra si: ulja e energjisë, bëheni më shpejt nervozë dhe jeni më të predispozuar që të debatoni me të tjerët dhe sidomos me partnerin tuaj.

  • KOSTT paralajmëron reduktime nga ora 10:00, thotë se po përballet me situatë të papranueshme

    KOSTT paralajmëron reduktime nga ora 10:00, thotë se po përballet me situatë të papranueshme

    KOSTT ka njoftuar se po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

    Sipas njoftimit situata aktuale është e papranueshme dhe cenon stabilitetin.

    KOSTT ka paraljmëruar se nëse nuk ka ndryshim të situatës do të ketë reduktime të energjisë elektrike nga ora 10:00.

    “Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik. KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT detyrohet që nga ora 10:00 të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes”, thuhet në komunikatë.

  • Ndërron jetë gjyshi i këngëtarit Labinot Rexha

    Ndërron jetë gjyshi i këngëtarit Labinot Rexha

    Momente të vështira për familjen e banorit të Big Brother VIP Kosova 4, Labinot Rexha. Teksa këngëtari vazhdon garën i izoluar, një lajm i trishtë vjen nga jashtë: gjyshi i tij, Ali Rexha, është ndarë nga jeta. Sipas burimeve lokale, ai u shua duke lënë pas dhimbje të madhe tek të afërmit.

    Ali Rexha kujtohet si një burrë i urtë, punëtor dhe me karakter të fortë në Rahovec. Ende nuk dihet nëse familja do të vendosë ta njoftojë atë brenda shtëpisë apo do ta lënë të vazhdojë lojën pa këtë peshë emocionale. Ngushëllime familjes! /Prive By Liberta Spahiu

  • Kanosen policët pas shqiptimit të gjobës në Ferizaj, arrestohen dy persona

    Kanosen policët pas shqiptimit të gjobës në Ferizaj, arrestohen dy persona

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Ferizaj pasi që pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik, ata kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti ka ndodhur në Rr. ”Enver Hadri” rreth orës 17:30 minuta.

  • Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar

    Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP), përmes njësitit të saj FAST, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitë tjera relevante policore, ka identifikuar dhe arrestuar një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar.

    I dyshuari për vrasje në tentativë është arrestuar mbrëmë.

    “Me datë 19.01.2026, rreth orës 20:30, zyrtarët policorë të DBNP-së – ekipi FAST, kanë lokalizuar dhe arrestuar personin, i cili ishte i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë”. Pas arrestimit dhe në bazë të urdhrit të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në komunikatën e PK-së.

  • Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën përfundimtare

    Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën përfundimtare

    Në Gjykatën Speciale në Hagë është përmbyllur afati për dorëzimin e dosjeve përfundimtare në rastin e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Nga 9 deri më 18 shkurt janë paraparë fjalët përfundimtare, pas të cilave gjykata ka tre muaj kohë për të nxjerrë aktvendimin e shkallës së parë, me mundësi për dy muaj shtesë.

    Parashtrimet përfundimtare të të gjitha palëve në procedurë shënojnë hyrjen e procesit gjyqësor në Hagë drejt fazës vendimtare. Pas më shumë se pesë vjetësh gjykim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, procesi ka arritur në etapën përfundimtare, që përfshin dorëzimin e dosjeve dhe analizimin e provave.

    Njohësit e drejtësisë vlerësojnë se një faktor vendimtar mbetet sfidimi dhe rrëzimi i provave nga Serbia, të cilat mbrojtja i konsideron thelbësisht të kontestuara për nga origjina dhe besueshmëria.

    Avokati i akredituar Skender Musa ka theksuar, se ajo që është e rëndësishme është që mbrojtja në këtë fazë të jetë shumë argumentuese dhe të shtjellojë provat, jo vetëm ato që ka paraqitur vetë, por edhe ato të prokurorisë, me qëllim që të luftohet dhe të hidhen poshtë provat e kontestuara, veçanërisht provat e Serbisë.

    “Këto janë përgatitur nga regjimi i Millosheviqit, i cili kishte në dispozicion policinë dhe ushtrinë dhe mundësinë e falsifikimit të dokumenteve, provave materiale dhe video-incizimeve të ndryshme. Madje, krimet e kryera nga forcat serbe mund të jenë i atribuara gabimisht UÇK-së”, thotë ai.

    Sipas Musës, një rëndësi të veçantë në këtë fazë ka gjendja faktike në terren dhe provat konkrete që lidhen drejtpërdrejt me akuzat për përgjegjësinë e UÇK-së, të cilat mbrojtja synon t’i demaskojë si të pabazuara dhe të pasakta.

    “Sa i përket ngjarjeve në terren dhe gjendjes faktike, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të sfiduar çdo pretendim në aktakuzë që këta persona kanë marrë pjesë, qoftë direkt apo përmes dhënies së urdhrave për kryerjen e çdo krimi apo vepre të pretenduar. Prandaj, mbrojtja do të godasë fuqishëm në këto çështje”, ka shtuar ai

    Derisa procesi është në fazën përfundimtare për aktgjykimin e shkallës së parë, pritet që gjykata të vendosë më së largu deri në korrik 2026. Ndërkohë, më 17 shkurt në Prishtinë është paralajmëruar një protestë e radhës kundër Gjykatës Speciale, lidhur me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së.

  • Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

    Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

    Valdete Daka, ish-kryetare e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur të ketë dallim prej 6 mijë votash për një kandidat.

    Ajo ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur rinumërime të votave.

    “Po, ka pasur rinumërime shumë shpesh, thuajse në çdo palë zgjedhje ka pasur rinumërime. Ka pasur edhe rivotime, edhe në qytete edhe në qendra të votimit, shumë shpesh. Domethënë, s’ka pasur zgjedhje kur nuk ka pasur rinumërim, por nuk ka pasur dallime kaq të mëdha sikur këtë herë; nuk ka pasur dallime 5 mijë, 6 mijë, 2 mijë, sikur sot që u përmendën”, ka thënë Daka në Tv Dukagjini.

    Ajo tutje ka shtuar se arsyet pse ka ndodhur ky fenomen tani duhet të elaborohen më tej, në mënyrë që të gjenden shkaqet.
    “Shqyrtim më i thellë, sidomos i ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në vitin 2023, me sa më kujtohet. Duhet me u marrë drejtësia me këtë çështje, sikur që është marrë në vitin 2010”, ka deklaruar Daka.

    Sipas saj, në vitin 2010, pas asaj që ajo e cilëson si “vjedhje industriale”, përveç rivotimeve në disa qytete, KQZ-ja kishte dërguar rreth 2 mijë kallëzime penale.

  • Vdes një pacient që po trajtohej nga e hëna në QKUK

    Vdes një pacient që po trajtohej nga e hëna në QKUK

    Një burrë ka vdekur në orët e para të së martës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    I ndjeri, sipas Policisë së Kosovës, ishte duke u trajtuar në QKUK që nga e hëna.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Me datë 20.01.2026 rreth orës 01:37 derisa ishte në tretman mjekësor në QKUK, viktima mashkull kosovar, raportohet se i njëjti ka ndërruar jetë. Trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • GLPS pranon përgjigje nga BE-ja për heqjen e masave ndaj Kosovës

    GLPS pranon përgjigje nga BE-ja për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) njofton se ka pranuar sot një përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian lidhur me Letrën e Hapur të dërguar më 20 tetor të vitit të kaluar, përmes së cilës një grup organizatash të shoqërisë civile kishin kërkuar heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.

    Në letrën drejtuar krerëve të institucioneve kyçe të Bashkimit Evropian, organizatat e shoqërisë civile kishin theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë pasur ndikim negativ në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe mbështetjen për qytetarët, duke bërë thirrje për heqjen e tyre sa më të shpejtë.

    Sipas GLPS-së, në përgjigjen e pranuar sot, Komisioni Evropian ka ritheksuar se hapat e parë për heqjen e masave tashmë kanë filluar. Në këtë kuadër, janë liruar 216 milionë euro, ndërsa së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera.

    Po ashtu, nga masat politike, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se kanë rifilluar takimet e nën-komiteteve të Stabilizim-Asociimit. Këto veprime, sipas përgjigjes, janë paralajmëruar edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian të datës 16 dhjetor 2025.

    Në përgjigjen e tij, Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se e vlerëson komunikimin e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

    GLPS, në fund, ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për përgjigjen ndaj letrës së dërguar dhe për hapat e ndërmarrë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës.