ATV

Blog

  • Liga e Kampionëve ndez emocionet, sfida direkte që përcaktojnë fatin e skuadrave

    Liga e Kampionëve ndez emocionet, sfida direkte që përcaktojnë fatin e skuadrave

    Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së shtatë të fazës së ligës, ku në skenë dalin përballje vendimtare që mund të përcaktojnë fatin e shumë skuadrave në garën për kualifikim. Programi i mbrëmjes ofron duele të forta mes gjigantëve evropianë dhe ekipeve që luftojnë për të qëndruar gjallë në kompeticion.

    Një nga sfidat më tërheqëse është ajo mes Marseille dhe Liverpool, një ndeshje që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në renditje. Skuadra franceze synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës, ndërsa “The Reds” kërkojnë një rezultat që do t’i afronte ndjeshëm me fazën tjetër.

    Po aq interesante pritet të jetë edhe përballja Juventus–Benfica në Torino. Dy klube me traditë të madhe evropiane ndeshen në një duel ku çdo detaj dhe çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për pozicionimin final.

    Në Gjermani, Bayern Munich do të përballet me Union Saint-Gilloise, me bavarezët që hyjnë si favoritë dhe synojnë një fitore bindëse. Megjithatë, ekipi belg udhëton pa presion dhe me ambicie për të surprizuar.

    Barcelona ka një transfertë të vështirë ndaj Slavia Pragës, në një ndeshje ku gabimet nuk tolerohen. Katalanasit kanë nevojë urgjente për tri pikët, ndërsa vendasit njihen për paraqitjet e forta para tifozëve të tyre.

    Chelsea do të zbresë në “Stamford Bridge” përballë Pafos, me londinezët që kërkojnë të konsolidojnë pozitën në tabelë. Nga ana tjetër, mysafirët shpresojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë për një rezultat surprizë.

    Në Angli, përballja Newcastle United–PSV Eindhoven pritet të jetë dinamike dhe me ritëm të lartë, ndërsa Atalanta dhe Athletic Bilbao do të përplasen në Bergamo në një duel të hapur dhe ofensiv, ku luftohet drejtpërdrejt për pozita të rëndësishme.

    Një tjetër ndeshje me peshë është ajo mes Galatasarayt dhe Atletico Madridit, e cila pritet të karakterizohet nga intensitet i lartë dhe betejë taktike. Ndërkohë, nga ora 18:45, Qarabag dhe Eintracht Frankfurt do të kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në ‘play-off’.

    Liga e Kampionëve ka hyrë tashmë në fazën ku gabimet kushtojnë shtrenjtë. Fitoret afronin kualifikimin, ndërsa çdo hap fals mund të nënkuptojë fundin e rrugëtimit evropian.

  • Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Agron Shehaj dënohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

    Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për veprën penale të fyerjes.

    Sipas vendimit të gjykatës, Shehaj është shpallur fajtor dhe është detyruar të paguajë një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra e cila përfshin shpenzimet e procesit gjyqësor.

    Gjykata dha pafajësi për akuzën e shpifjes.

    Çështja nisi pas një padie të depozituar nga Adriatik Lapaj, i cili e akuzoi Shehajn për shpifje, lidhur me deklarata publike ku pretendoheshin lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.

    Në deklaratat e tij, Agron Shehaj kishte akuzuar Lapajn se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, pasi dyshohej se përdorej për pastrimin e parave të një grupi kriminal të njohur si “Çopjat”.

    Nga ana e tij, Adriatik Lapaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë shumë parash dhe se shumat e përmendura lidhen me detyrime të pretenduara për shërbime ligjore si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

    Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi dënimin e Shehajt për fyerje, duke mbyllur kështu procesin gjyqësor në shkallën e parë.

  • KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese- garantohet qëndrueshmëria e sistemit elektroenergjetik

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka rikthyer operimin në pesë njësi gjeneruese, pas rikthimit të njësisë A3.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia A3 ka përfunduar me sukses të gjitha sanimet dhe ndërhyrjet teknike pas ndaljes së përkohshme. Njësia është startuar me sukses dhe sinkronizuar me rrjetin rreth orës 06:47, duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.”

    Sipas KEK’ut kështu garantohen vazhdimësia e prodhimit, stabilitetit dhe qëndrueshmëria e plotë e sistemit elektroenergjetik.

    “Me rifillimin e operimit të A3, KEK sh.a. rikthen operimin me pesë (5) njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e plotë të sistemit elektroenergjetik. Ky rezultat tregon aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme në kohë optimale.”

    “KEK sh.a. falënderon stafin teknik dhe punonjësit për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, të cilat sigurojnë funksionimin e besueshëm të sistemit dhe prodhimin e sigurt me energji elektrike për qytetarët. Korporata mbetet e përkushtuar ndaj prodhimit të vazhdueshëm të energjisë, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.”

  • Vinicius Junior shkëlqen në Bernabéu dhe hyn në historinë e Ligës së Kampionëve

    Vinicius Junior shkëlqen në Bernabéu dhe hyn në historinë e Ligës së Kampionëve

    Real Madrid dhuroi një shfaqje të vërtetë futbolli në “Santiago Bernabéu”, duke e mposhtur bindshëm Monacon me rezultatin 6–1. Megjithatë, protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Vinicius Junior.

    Sulmuesi brazilian shkëlqeu me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke realizuar një gol dhe duke asistuar dy herë, performancë që rikonfirmon rolin e tij si një nga lojtarët më ndikues në arenën evropiane.

    Edhe pse u prit me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve në fillim të takimit, Vinicius arriti t’i heshtë kritikat përmes lojës së tij dinamike dhe kontributit vendimtar, duke i kthyer reagimet negative në duartrokitje.

    Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në fitoren e thellë, 23-vjeçari arriti edhe një moment të rëndësishëm personal. Dy asistimet ndaj Monacos e çuan atë në kuotën e 30 asistimeve në Ligën e Kampionëve, duke u renditur në vendin e tetë mes asistuesve më të mirë të të gjitha kohërave në këtë kompeticion.

     

    Top 10 asistuesit më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve janw:

    Cristiano Ronaldo 42, Angel Di Maria 41, Lionel Messi 40, Neymar 33, Kevin De Bruyne 31, Ryan Giggs 31, Xavi Hernandez 30, Vinicius Junior 30, Thomas Müller 30 dhe Karim Benzema 29.

     

    Prania e Vinicius Junior në këtë listë elitare flet qartë për rritjen e tij të vazhdueshme dhe pjekurinë që ka fituar ndër vite me fanellën e Real Madridit.

    Duke parë formën aktuale dhe moshën e re që ka, braziliani duket se ka çdo mundësi për t’u ngjitur edhe më lart në këtë renditje historike në vitet që vijnë.

  • Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Përfundon rinumërimi në Skënderaj, këta janë kandidatët që iu hoqën votat

    Për shkak të parregullësive në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në QNR po rinumërohen edhe një herë të gjitha kutitë e votimit.

    Në 72 vendvotimet e komunës së Skenderajt është kryer procesi i rinumërimit 100%.

    Kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, Bedri Hamzës, Sala Jasharit, Shahin Dervishajt e disa të tjerave iu janë hequr votat, raporton Insajderi.

    Më poshtë e gjeni listën e plotë të kandidatëve që tanimë kanë vota minus:

    Bedri Hamza -29

    Sala Jashari -36

    Arian Tahiri -10

    Mërgim Lushtaku -94

    Jakup Nura -32

    Xhevahir Geci -14

    Ganimete Musliu -20

    Ilir Murtezaj -25

    Vlora Çitaku -9

    Shahin Dervishaj -42

    Ariana Musliu Shoshi -30

    Uran Ismaili -11

    Artan Behrami -5

    Isak Neziri -9

    Gëzim Qerimi -8

    Besa Kabashi Ramas -2

    Enver Hoxhaj -22

    Musli Gucati -1

    Fadil Demaku -3

    Hajdar Beqa -3

    Rrahman Rama -4

    Nait Hasani -4

    Xhavit Haliti -16

    Idriz Vehapi -5

    Elmi Reçica -5

    Selver Xhelili -2

  • “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    “Na bëj hallall oj hallë”, reagimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë

    Zjarri që përfshiu një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës, ia mori jetën një gruaje 50-vjeçare. Rasti i rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të së martës dhe vdekja e saj u konstatua në vendin e ngjarjes.

    Nga Policia e kanë konfirmuar për Klanin incidentin tragjik, ndërsa kanë reaguar edhe familjarët e së ndjerës.

    Nipi i viktimës që vjen nga familja Mazreku, në një postim në rrjete sociale, ka shkruar fjalë prekëse për vdekjen e hallës.

    Përkundër përpjekjeve, ajo tha se nuk arritën ta shpëtojnë.

    “Sot në orët e mbrëmjes e përfshiu zjarri njërën prej shtëpive në oborrin tonë. Pas gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk arriteëm ta shpëtojmë Hallën tonë me aftësi të kufizuara.

    Na bëjë hallall oj hallë. Kom mendu që për ty jemi në gjendje me bo gjithçka po ja që nuk arritëm t’i perballojmë flakës. Allahu ta past mëshiru shpirtin e bardhë. Falemnderit prej të gjithëve që i kishim afër e u munduan drejt qëllimit të mirë” – thuhet në postimin e saj.

    Digjet një shtëpi në Malishevë ku humb jetën një grua

  • A harxhon vërtet energji shtimi i fjalëve ‘të lutem’ dhe ‘faleminderit’ te kërkesat për ChatGPT-në?

    A harxhon vërtet energji shtimi i fjalëve ‘të lutem’ dhe ‘faleminderit’ te kërkesat për ChatGPT-në?

    Heqja e fjalëve “të lutem” dhe “faleminderit” nga kërkesa juaj e radhës për ChatGPT, sipas disa diskutimeve online, mund të duket sikur ndihmon në shpëtimin e planetit.

    Ideja tingëllon e besueshme, sepse sistemet IA përpunojnë tekstin hap pas hapi: kërkesat më të gjata kërkojnë pak më shumë llogaritje dhe për rrjedhojë përdorin pak më shumë energji. Edhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka pranuar se në shkallën e miliarda kërkesave, kjo ndikon në kostot operative.

    Megjithatë, të thuash se të qenit i sjellshëm me ChatGPT ka një kosto të ndjeshme mjedisore është e tepruar. Ndikimi i disa fjalëve shtesë është i papërfillshëm krahasuar me energjinë që kërkohet për të operuar qendrat e të dhënave ku funksionon IA-ja.

    Më e rëndësishme është vetë përhapja e kësaj ideje. Ajo tregon se shumë njerëz e ndiejnë tashmë se IA-ja nuk është aq “jofizike” sa duket. Ky intuitë meriton të merret seriozisht.

    Inteligjenca artificiale mbështetet në qendra të mëdha të dhënash me infrastrukturë kompjuterike shumë të dendur. Këto objekte konsumojnë shumë energji elektrike, kërkojnë ftohje të vazhdueshme dhe janë të lidhura me përdorimin e ujit, tokës dhe burimeve të tjera.

    Ndryshe nga shërbimet digjitale tradicionale, ku energjia kryesore shpenzohet një herë gjatë ruajtjes së të dhënave, çdo kërkesë ndaj një modeli IA kërkon një llogaritje të re. Çdo pyetje gjeneron një proces të ri “konkluzioni”, që do të thotë konsum i ri energjie çdo herë.

    Studimet tregojnë se qendrat e të dhënave përbëjnë tashmë një pjesë të konsiderueshme të konsumit global të energjisë elektrike, dhe kjo kërkesë pritet të rritet ndjeshëm. Përveç energjisë, këto qendra përdorin shumë ujë dhe ndikojnë në përdorimin e tokës dhe infrastrukturës lokale.

    Prandaj, problemi real nuk është si i formulojmë kërkesat, por sa shpesh dhe sa intensivisht përdorim këto sisteme. Miti i “të lutem” nuk është thjesht një gabim, por një shenjë se njerëzit e kuptojnë intuitivisht se IA-ja ka një gjurmë mjedisore.

    Një debat më i pjekur duhet të fokusohet te planifikimi energjetik, menaxhimi i ujit dhe integrimi i infrastrukturës së IA-së në sistemet ekzistuese, duke e parë atë jo si diçka abstrakte, por si pjesë reale të botës fizike që tashmë po përballet me kufijtë e saj./TheConversation

  • Përse Macroni nuk i hoqi syzet në Davos?

    Përse Macroni nuk i hoqi syzet në Davos?

    Ndërsa fliste në samitin e Davosit të martën, presidenti francez, Emmanuel Macron, tërhoqi vëmendjen me syzet që mbante në sy.

    Udhëheqësi francez mbante një palë syze dielli aviatori reflektuese blu, ndërsa u drejtohej liderëve, në Forumin Ekonomik Botëror.

    Teksa Macroni nuk e shpjegoi arsyen e aksesorit gjatë fjalimit të tij, raportet franceze e kanë atribuar atë me një gjendje të vazhdueshme shëndetësore.

    Javën e kaluar, ai u shfaq në një ngjarje ushtarake në Francën Jugore me një sy të skuqur dhe, në një moment, vendosi një palë syze dielli.

    Ndërsa iu drejtua trupave, ai minimizoi gjendjen e tij dhe tha se ishte krejtësisht e parëndësishme, duke shtuar: “Ju lutem më falni për pamjen e shëmtuar të syrit tim”.

    Macron madje bëri shaka për të, duke e quajtur “l’oeil du tigre” ose “syri i tigrit”.

    “Për ata që e marrin referencën, është një shenjë vendosmërie”, tha ai.

    Raportet franceze thanë se Macroni dukej se kishte një hemorragji nënkonjunktivale, që i referohet një ene gjaku të thyer në sy.

    Shqetësimi është i padëmshëm, pa dhimbje dhe nuk ndikon në shikim.

    Gjithashtu nuk shkakton dëmtime të përhershme në sy, pasi zakonisht zhduket brenda dy javësh.

  • Vdes ish-futbollisti francez, kishte luajtur për Realin dhe Barcelonën

    Vdes ish-futbollisti francez, kishte luajtur për Realin dhe Barcelonën

    Ka vdekur ish-futbollisti francez, Lucien Muller.

    Muller, vdiq në moshën 91-vjeçare me lajmin të cilin e konfirmoi familja e tij.

    Ai kishte luajtur për skuadra të shumta, përfshirë Real Madridin dhe Barcelonën, ku madje kishte fituar 3 tituj të La Ligas dhe arriti finalen e Kupës së Evropës me “Los Blancos” në vitin 1964.

    Karrierën e përfundoi te Reimsi, në vitin 1970.

  • Osmani: Rugova mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, lavdia e tij është e përhershme

    Osmani: Rugova mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, lavdia e tij është e përhershme

    Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografi nga homazhet që bëri sot bashkë me familjen Rugova tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, në 20 vjetorin e vdekjes së tij.

    Osmani ka thënë se mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme.

    “Nderim i përjetshëm për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”, ka shkruar Osmani.

    Nën organizimin e saj, do mbahet edhe Akademi Përkujtimore në nderim të tij.