ATV

Blog

  • RIKTHEHET Harry Styles ! – Publikon këngën e re “Aperture” pas gati 3 vitesh pauzë 

    RIKTHEHET Harry Styles ! – Publikon këngën e re “Aperture” pas gati 3 vitesh pauzë 

    Pas një pritjeje që u duk e pafund, Harry Styles është rikthyer zyrtarisht në skenën muzikore dhe bota po flet vetëm për këtë. Superylli britanik ka publikuar këngën e tij të parë të re pas gati tre vitesh të quajtur “Aperture,” duke hapur një epokë të re muzikore që fansat e kanë pritur me padurim.

    Kënga u publikua më 23 janar 2026 si “single” kryesor i albumit të tij të katërt në studio, “Kiss All the Time. Disco, Occasionally,” projekti i tij i parë i plotë që nga albumi fitues i Grammy-t “Harry’s House| në vitin 2022.

    “Aperture” kombinon një ritëm pulsues gati për pistën e vallëzimit me elemente techno lo-fi, duke shënuar një drejtim të ri dhe më të guximshëm në tingullin e Harry-t. Në refren, ai këndon: “We belong together / It finally appears, it’s only love,” vargje që tashmë po pushtojnë rrjetet sociale gjithandej…

    Harry e paralajmëroi rikthimin disa ditë më parë me një foto nga studioja në Instagram, të shoqëruar thjesht me titullin e këngës dhe datën e publikimit, e fansat shpërthyen menjëherë.

    Ky rikthim vjen pas një periudhe të gjatë krijuese, gjatë së cilës Harry u tërhoq nga publikimi i muzikës së re, pasi përfundoi albumin “Harry’s House” dhe mbylli turneun gjigant “Love on Tour”. Ndërkohë, ai vazhdoi të jetë në qendër të vëmendjes me paraqitje në modë dhe momente publike me partneren e tij, Zoë Kravitz, por muzika ishte ajo që të gjithë prisnin.

    Publikimi i “Aperture” u shoqërua gjithashtu me njoftimin e turneut të ri “Together, Together Tour”, i cili do të përmbahet në qytete të mëdha si Nju Jorku, Londra dhe Amsterdami, përfshirë një seri mbresëlënëse prej 30 netësh në Madison Square Garden.

    Fansat tashmë si gjithmonë për Harry-n, po pushtojnë rrjetet online, disa të prekur deri në lot gjatë eventeve të para të dëgjimit, të tjerë duke e quajtur këngën “hitin e vitit”. Edhe kritikët po e përshëndesin “Aperture” si një kapitull të ri të guximshëm në evolucionin muzikor të Harry Styles.

    Qoftë për të kërcyer, për të reflektuar apo thjesht për ta dëgjuar në “repeat”, rikthimi i Harry Styles në muzikë është momenti pop i vitit 2026.

  • Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Gërvalla në Stamboll me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, do të marr pjesë në Platformën e Paqes për Ballkanin

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar në Stamboll për të marrë pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me ftesë të Kryediplomatit të Turqisë, Hakan Fidan.

    Në njoftimin e MPJD’së thuhet se platforma e Paqes për Ballkanin mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.

    “Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Republika e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global”, thuhet në njoftimin e MPJD’së.

  • Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” mohon përfshirjen e Gjykatës Speciale në ligjëratë: Është organizuar nga YIHR

    Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka reaguar lidhur me, siç i ka quajtur, disa informacione të pasakta që po qarkullojnë në opinionin publik, duke sqaruar se në ambientet e saj nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.

    Sipas reagimit zyrtar të shkollës, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon aktivitete edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

    Shkolla thekson se qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme dhe edukative.

    “Në ligjëratë janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, shkolla bën të ditur se organizata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

    Në reagim sqarohet gjithashtu se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për këtë aktivitet dhe se autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).

    Në fund, shkolla kërkon ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar te nxënësit, prindërit dhe opinioni publik, duke garantuar se në të ardhmen do të ketë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme.

    “Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, përfundon reagimi.

  • Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Shqipërinë e vizituan vjet mbi 12 milionë turistë, shumica nga Kosova

    Gati gjysma e turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar ishin “pushues patriotikë”. Të dhënat nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tregojnë se nga rreth 12.4 milionë vizitorë në total gjatë viti të shkuar, gati 6 milionë ishin nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    “Kjo tregon se jemi shumë larg turizmit elitar, dhe të paktën për momentin jemi te sasia më shumës e cilësia. Kjo pavarësisht investimeve të shumta që janë kryer veçanërisht në jugun e vendit, por edhe Durrës”.

    Me gjithë liberalizimin e vizave, pushuesit nga Kosova nuk e “tradhtuan” Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar vendin e vizituan gati 4.2 milionë shqiptarë të Kosovës, shifër kjo sa 384 për qind e totalit, shkruan A2 CNN.

  • Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Osmani: Në Davos shkova me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, biseda me Trump jashtëzakonisht pozitive për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar se Kosova e mori më 20 janar ftesën nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

    Osmani tha se ka shkuar në Davos vetëm pas kërkesës Shtëpisë së Bardhë që të jetë prezente për ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e kësaj organizate, shkruan Reporteri.net.

    Ajo deklaroi mbrëmë se shkoi atje vetëm për ta vënë firmën dhe se menjëherë do të niset për Kosovë.

    “Ne kemi marrë ftesën me datën 20 janar, por ka qenë shumë vonë në fakt kur ka arritur ftesa dhe në momentin që kemi marrë ftesën për t’u bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, në të njëjtën kohë kemi marrë edhe kërkesën nga ana e Shtëpisë së Bardhë që të jemi në Davos me datën 22 janar për nënshkrim. Unë nuk kam qenë në Davos. Nuk e kam pas në plan fare në fakt të udhëtoj kësaj radhe, megjithatë pas ftesës nga Presidenti Trump që të jem në mesin e nënshkruesve të kësaj organizate të paqes, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që menjëherë kemi udhëtuar. Jemi vetëm sot këtu, menjëherë pas mesnate nisemi për Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

    E para e vendit e cilësoi ditën e djeshme me peshë historike.

    “Pra, është një ditë do të thoja me peshë historike për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, porn ë veçanti për Republikën e Kosovës. Për ne si shtet, anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi”, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Bordin e Paqes si anëtare themeluese e me të drejta të plota.

    Osmani foli edhe për bisedën që pati me Trump gjatë nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, që e cilësoi si jashtëzakonisht pozitive.

    Tha se biseda ishte vazhdimësi e asaj që e kishin filluar në shtator të vitit të kalaur.

    “Mund ta ndaj që ka qenë një bisedë jashtëzakonisht pozitive për Kosovën dhe që është në interes të qytetarëve të Kosovës, këtë mund ta ndaj për momentin. Ka qenë vazhdimësi e bisedës që e kemi filluar në Kombet e Bashkuara në Neë York me datën 23 shtator, ka qenë vazhdimësi e kësaj”, ka thënë Osmani për Top Chanel.

    Marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit të Kosovës për ta marrë miratimin final.

    Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë firmat e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi.

    Trump e ka përshkruar organin e sapokrijuar si potencialisht “bordin më prestigjioz të formuar ndonjëherë”. Projekti e ka origjinën në planin e tij me 20 pika për armëpushim në Gaza, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por është zgjeruar shumë përtej mandatit të tij fillestar.

  • Trump e tërheq ftesën për Kanadanë që t’i bashkohet Bordit të Paqes

    Trump e tërheq ftesën për Kanadanë që t’i bashkohet Bordit të Paqes

    Presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi të enjten ftesën për Kanadanë që t’i bashkohej Bordit të Paqes, organ që synon zgjidhjen e konflikteve globale.

    “Kjo letër tregon se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën e tij ndaj jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë bordi më prestigjioz i udhëheqësve i mbledhur ndonjëherë” shkroi Trump në një postim në Truth Social drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney, raporton “The Guardian”.

    Ceremonia e themelimit të kësaj organizate u bë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Bordi, i cili do të kryesohet nga Trump, fillimisht u përshkrua si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

    Sipas Trump, anëtarët e përhershëm duhet të ndihmojnë në financimin e bordit me një pagesë prej 1 miliard dollarësh secili.

    Carney tha se zyrtarët e tij nuk kishin kaluar ende nëpër “të gjitha detajet e strukturës, si do të funksionojë, për çfarë shërben financimi, e kështu me radhë”.

    “Kanadaja dëshiron që paratë të kenë ndikimin maksimal,” u tha Carney gazetarëve.

    Ministri i financave i Kanadasë, François-Philippe Champagne, tha më pas të martën se kanadezët nuk planifikonin të paguanin 1 miliard dollarët që vendeve u kërkohej t’ia dorëzonin Trump për një vend të përhershëm në bord, i cili fillimisht ishte përshkruar si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

    Ndryshe, Kosova ishte dje në mesin e shteteve nënshkruese të themelimit të këtij Bordi, si anëtare me të drejta të plota.

  • Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Pas rinumërimit, ja sa vota humbi Fatmir Limaj në vendlindjen e tij

    Procesi i rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në disa komuna ka përfunduar, përfshirë edhe komunën e Malishevës.

    Pas këtij procesi, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, i janë hequr 50 vota. Limaj, i cili pretendonte të kalonte pragun zgjedhor, nuk arriti të fitojë as në vendlindjen e tij.

    Më shumë vota se Nisma në Malishevë ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.

    Sipas rezultateve përfundimtare pas rinumërimit, Limaj si kandidat ka grumbulluar gjithsej 6,885 vota në këtë komunë.

  • Mbyllet sot afati për propozimin e tarifave të rrymës

    Mbyllet sot afati për propozimin e tarifave të rrymës

    Pos reduktimeve dhe telasheve të tjera me rrymën, qytetarët mund të përballen edhe me fatura më të shtrenjta.

    Por, a do të ketë sërish shtrenjtim të energjisë elektrike ose jo nuk dihet krejt sigurt pasi deri sot ka afat për t’i propozuar tarifat.

    Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, akoma nuk dihet se sa përqind do fryhen faturat.

  • Pas lirimit nga burgu serb, Haziri apelon: Mos kaloni përmes Serbisë

    Pas lirimit nga burgu serb, Haziri apelon: Mos kaloni përmes Serbisë

    77-vjeçari Hazir Haziri nga Podujeva është liruar mbrëmë nga burgu në Serbi, ku ishte mbajtur për rreth katër muaj, ndonëse ndaj tij nuk ishte vërtetuar asnjë vepër penale. Ai ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet serbe pa arsyetim të qartë dhe, sipas familjarëve, ishte mbajtur padrejtësisht në paraburgim.

    Haziri ishte dërguar në një nga burgjet qendrore në Serbi, ku, siç rrëfen vetë ai, ishte përballur me kushte të rënda dhe provokime nga të burgosur të tjerë. Ai ka treguar se për shkak të këtyre rrethanave, për një periudhë të gjatë kishte shmangur daljen nga qelia.

    Pas lirimit, Haziri sot ka rrëfyer përjetimet e tij në prani të familjarëve dhe miqve, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë të vështirë. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe përkrahur gjatë kësaj kohe, përfshirë Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd.

    Sipas tij, përvoja e gjeneratës së tij, e cila gjatë viteve ’60 e deri në vitin 2000 ka vuajtur dënime të gjata në burgjet serbe në kushte të rënda, i ka dhënë forcë për ta përballuar paraburgimin.

    Haziri ka treguar se, edhe në ditët e fundit të qëndrimit në burg, ishte informuar se do të vazhdonte të mbahej për shkak të pretendimeve lidhur me një telefon dhe një ekspertizë, por se mbrëmë është njoftuar papritur për lirimin e tij, gjë që fillimisht nuk e kishte besuar.

    Pas lirimit, Hazir Haziri ka apeluar tek qytetarët shqiptarë që të shmangin kalimin tranzit përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimeve dhe arrestimeve pa bazë./RTK

  • Ivanka Trump ndan fotot nga Zvërneci, e shoqëron me këngën e njohur shqiptare

    Ivanka Trump ndan fotot nga Zvërneci, e shoqëron me këngën e njohur shqiptare

    Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës kanë marrë vëmendje ndërkombëtare ditët e fundit, pasi Ivanka Trump ka zgjedhur t’i ndajë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

    Vajza e presidentit amerikan ka publikuar pamje nga natyra e jugut të Shqipërisë, ku deti, gjelbërimi dhe qetësia e zonës krijojnë një tablo mbresëlënëse.

    Në videot dhe fotot e shpërndara, dallohet nga larg edhe ishulli i Sazanit, ndërsa gjithçka shoqërohet nga tingujt e këngës shqiptare “Luleborë”, që i jep një nuancë autentike gjithë përvojës.

    Ivanka Trump qëndroi për tre ditë në Vlorë, ndërsa vizita e saj u mbyll me një takim zyrtar në Tiranë. Mbrëmjen e kaluar, ajo u prit në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama.