ATV

Blog

  • Veliaj padit presidencën e Republikës dhe prokurorin e SPAK-ut, Olsi Dado

    Veliaj padit presidencën e Republikës dhe prokurorin e SPAK-ut, Olsi Dado

    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi ndaj institucionit të presidentit të Republikës së Shqipërisë (mandati 2007–2012) dhe prokurorit të posaçëm Ols Dado.

    Në padi kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Olsi Dados si prokuror, në një kohë kur, sipas Veliajt, ligji nuk e lejonte këtë pa kryer më parë shkollën e magjistraturës, pasi ai ishte noter, raporton Euronewsalbania.

    Sipas padisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit Olsi Dado nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së arsimit përkatës në shkollën e magjistraturës.

    Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Olsi Dado.

    Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të cilësuar si “nul ab initio”, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, si dhe familjes dhe personit të tij.

    Sipas padisë, Olsi Dado i është propozuar presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, ndërkohë që ai nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi ishte vetëm noter dhe pa kryer shkollën e magjistraturës. Pavarësisht kësaj, presidenca e ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.

  • Japonia shpërndan parlamentin, zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt

    Japonia shpërndan parlamentin, zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt

    Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shpërndarë parlamentin të premten, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 8 shkurt.

    Vendimi u formalizua me leximin e një letre nga kryetari i parlamentit, ndërsa deputetët brohoritën me thirrjen tradicionale “banzai”. Me shpërndarjen e Dhomës së Ulët me 465 anëtarë, fushata zgjedhore 12-ditore do të nisë zyrtarisht të martën, raporton “Al Jazeera”.

    Takaichi, e zgjedhur në tetor si kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë, ka qenë në detyrë vetëm tre muaj, por gëzon mbështetje të lartë publike, rreth 70 për qind. Ajo synon të shfrytëzojë popullaritetin personal për të forcuar pozitën e partisë së saj në pushtet.

    Koalicioni qeverisës i Partisë Liberaldemokrate dhe Partisë së Inovacionit të Japonisë mban aktualisht një shumicë të ngushtë në Dhomën e Ulët.

    Sipas analistëve, megjithatë, mbetet e paqartë nëse popullariteti i kryeministres do të përkthehet në mbështetje për partinë. Çështjet kryesore të fushatës pritet të jenë inflacioni dhe rritja e çmimeve, si dhe siguria rajonale.

    Tensionet me Kinën janë rritur muajt e fundit, pasi Takaichi ka deklaruar se Japonia mund të përfshihet në rast të një veprimi ushtarak kinez ndaj Tajvanit, çka ka sjellë reagime të ashpra diplomatike dhe ekonomike nga Pekini.

  • Policia raporton për gjashtë raste të grave viktima të dhunës në familje

    Policia raporton për gjashtë raste të grave viktima të dhunës në familje

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në vend, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, pesë nga këto raste kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, ndërsa një rast është regjistruar disa ditë më parë.

    Viktimat e të gjitha rasteve janë gra.

    Një rast është raportuar në Gjakovë, dy raste në Prishtinë, një në Podujevë dhe një rast tjetër në veri të Mitrovicës./Klankosova.tv

    “Gjakovë/ 22.01.2026 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje .

    Prishtinë/ 22.01.2026 – 16:55. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, rasti është duke u hetuar.

    Prishtinë/ 17.01.2026 – 08:00.Me 22.01.2026 është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    Podujevë/22.01.2026-12:05.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari lirohet, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë Veri/ 22.01.2026 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare . Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”.

  • Startup-i fillon të pranojë rezervime për hotelin e parë në Hënë

    Startup-i fillon të pranojë rezervime për hotelin e parë në Hënë

    STARTUP GRU Space ka filluar të pranojë rezervime online për qëndrime në hotelin e parë në Hënë, me depozita që variojnë nga 250,000 deri në 1 milion dollarë.

    Nëse gjithçka shkon sipas planit, mysafirët e parë mund të mbërrijnë në vitet 2030, raporton Futurism.

    Kush fshihet pas këtij plani ambicioz?

    GRU Space, ose “Shfrytëzimi i Burimeve Galaktike”, ka vetëm dy punonjës me kohë të plotë, përfshirë themeluesin Skyler Chan, i cili u diplomua në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley vitin e kaluar. Ndërsa plani duket ambicioz, kompania ka siguruar fonde fillestare nga përshpejtuesi i startup-eve Y Combinator .

    “Kuptova se linda në një kohë kur ne mund të shkojmë në distanca ndërplanetare dhe kjo është ndoshta gjëja më me ndikim që një person mund të bëjë”, tha Chan për Ars Technica në lidhje me motivimin që qëndron pas kompanisë.

    Më shumë sesa thjesht një hotel

    Në një dokument të postuar në faqen e internetit të kompanisë, Chan përshkruan objektivat që shkojnë përtej thjesht pritjes së hoteleve në hënë. Plani është që së pari të ndërtohet një hotel, pastaj të fillojë ndërtimi i një baze hënore dhe infrastrukturës tjetër kyçe për një koloni njerëzore.

    Në planin afatgjatë, GRU do të funksiononte si një version hapësinor i Hudson’s Bay Company, një ndërmarrje e famshme tregtare e shekullit të 17-të, së cilës iu dha autoriteti me anë të kartës mbretërore për të mbikëqyrur ligjin, tregtinë dhe pronën në territorin e Kanadasë.

    Fazat e ndërtimit në Hënë

    Sipas planit të Chan, kompania do të dërgonte një strukturë të fryrë në sipërfaqen hënore duke përdorur një anije kozmike në vitin 2029.

    Misioni i parë jo vetëm që do të testonte strukturën e banueshme, por edhe do të prodhonte tulla nga regoliti hënor për ndërtesat e ardhshme.

    Në vitin 2031, kompania planifikon të dërgojë një kapsulë më të madhe për banim njerëzor – vetë hotelin – i cili do të vendoset në një “gropë hënore” për të mbrojtur vizitorët nga rrezatimi kozmik dhe rreziqe të tjera. Deri në vitin 2032, kompania planifikon të ketë një hotel më të vogël në funksion në sipërfaqen hënore, i cili mund të akomodojë katër mysafirë.

    Një destinacion që ia vlen të udhëtosh

    Interesante është se imazhet e publikuara tregojnë një hotel të ardhshëm që i ngjan Pallatit të Arteve të Bukura në San Francisko. Chan e shpjegoi këtë zgjedhje dizajni. “SpaceX po ndërton FedEx për të na çuar atje, apo jo?” tha Chan. “Por duhet të ketë një destinacion ku ia vlen të qëndrosh”

  • Punëtorët e Hyundai alarmohen nga plani për vendosjen e robotëve humanoidë

    Punëtorët e Hyundai alarmohen nga plani për vendosjen e robotëve humanoidë

    Sindikata e punëtorëve të Hyundai Motor në Korenë e Jugut paralajmëroi prodhuesin e automjeteve të enjten kundër vendosjes së robotëve humanoidë pa miratimin e sindikatës, duke thënë se robotët do të sillnin “tronditje në punësim”.

    Plani i Hyundai për të vendosur robotë humanoidë duke filluar nga viti 2028 ka çuar aksionet e saj në rritje rekord, por nuk ishte një lajm i mirëpritur për punëtorët, tha sindikata në një letër të brendshme të shqyrtuar nga Reuters, përcjell Telegrafi.

    “Mos harroni se pa një marrëveshje pune-menaxhimi, asnjë robot që përdor teknologji të re nuk do të lejohet të hyjë në vendin e punës”, ka thënë sindikata.

    Hyundai Motor Group zbuloi versionin e prodhimit të robotit humanoid Atlas, të zhvilluar nga njësia e saj Boston Dynamics, në Consumer Electronics Show në Las Vegas në fillim të këtij muaji.

    Kompania tha se synonte të ndërtonte një fabrikë të aftë për të prodhuar 30,000 njësi robotësh në vit deri në vitin 2028 dhe se planifikonte të vendoste robotë humanoidë në fabrikën e saj në SHBA në Georgia duke filluar nga viti 2028, me qëllim zgjerimin e përdorimit në të gjitha vendet e prodhimit.

    Sindikata akuzoi Hyundai-n se kërkonte të rriste fitimet duke vendosur robotë për të zvogëluar fuqinë punëtore.

    Sindikata gjithashtu kritikoi prodhuesin e makinave për përpjekjet e saj për të zhvendosur prodhimin në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se fabrika e re e Hyundai-t në Georgia po dëmtonte tashmë prodhimin vendas dhe po kërcënonte sigurinë e punës në dy nga fabrikat e saj në Kore.

  • Burri i dytë i aktores Jaime King, paraqet kërkesën për divorc pas martesës sekrete!

    Burri i dytë i aktores Jaime King, paraqet kërkesën për divorc pas martesës sekrete!

    Jeta sentimentale e modeles dhe aktores Jaime King, mori një tjetër kthesë dramatike. Më pak se një vit pasi u raportua se ishte martuar në fshehtësi me bankierin e investimeve Austin Sosa, ky i fundit që njëkohësisht është edhe burri i dytë, ka paraqitur kërkesë për divorc, duke surprizuar fansat dhe botën e showbiz-it.

    Sipas dokumenteve të fundit gjyqësore, Austin Sosa e depozitoi zyrtarisht kërkesën për t’i dhënë fund martesës më 22 janar 2026, një zhvillim që befasoi shumëkënd.

    Ajo që e bën ndarjen edhe më intriguese?

    Vetë martesa ishte aq diskrete, saqë shumë njerëz as nuk e dinin që kishte ndodhur dhe tani po përfundon po aq shpejt sa nisi, por këtë herë jo aq e fshehtë…

    Arsyet e divorcit nuk janë bërë publike ende, por koha e këtij veprimi ka ndezur spekulime në rrjete sociale. Vetëm pak javë më parë, Jaime u pa në shoqëri me një manjat hotelesh dhe ishte në foto me figura të tjera sociale, duke rritur dyshimet për atë që mund të ketë ndodhur pas dyerve të mbyllura. Aktorja i ka mohuar thashethemet romantike, duke insistuar se daljet e fundit ishin “punë” dhe se marrëdhënia me Sosa-n vazhdonte ende zyrtarisht.

    Kjo është ndarja e dytë e bujshme për Jaime King. Ajo finalizoi më parë një divorc të vështirë nga regjisori Kyle Newman në vitin 2023, pas më shumë se një dekade bashkëjetesë. Ajo ndarje u shoqërua me tituj të shumtë dhe një betejë të gjatë kujdestarie për dy djemtë e tyre.

    Në moshën 46-vjeçare, Jaime po përballet sërish me një trazirë sentimentale nën vëmendjen e publikut. Me detaje që ende po dalin në dritë dhe fansa që kërkojnë përgjigje, një gjë është e qartë, ky nuk është kapitulli i fundit në jetën e saj plot tituj bombastikë.

  • Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në 19 komuna përfundon rinumërimi i votave, KQZ: Po punojmë për shpallje sa më të shpejtë të rezultateve

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për Ekonomia Online se numri i komunave që kanë përmbyllur plotësisht rinumërimin është 19 dhe kanë mbetur edhe gjysma tjetër.

    “Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49% apo 1,240 nga 2,557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, tha Elezi.

    Më tej, Elezi tha se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë të përmbyllë procesin e rinumërimit dhe të shpall rezultatet përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.

    Vetëm pas përfundimit të përfundimit të shqyrtimit, vendimmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht përmbylljes së procesit zgjedhor.

  • Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Donacion 25 milionë euro, Emiratet Arabe do të ndërtojnë Spitalin e Gjinekologjisë, në Prishtinë

    Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.

    Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

    Lexoni të plotë njoftimin e tij:

    Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

    Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

    Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

    Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

  • Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Trump flet për mavijosjen në dorë, tregon bisedën me mjekun

    Gjatë ceremonisë së djeshme për themelimin e Bordit të Paqes, vëmendje mori mavijosja në dorën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    I pyetur lidhur me këtë, Trump tregoi se mavijosja erdhi pasi e goditi dorën në tavolinë, teksa e përshkroi edhe si efekt anësor të aspirinës, raporton Fox News.

    Megjithatë, tha se është mirë.

    “E godita te tavolina. Kështu që vendosa pak, si i thonë? Krem mbi të. Por e godita. Do të thosha merrni aspirinë nëse ju intereson zemra, por mos merrni aspirinë nëse nuk doni të keni pak mavijosje.”, deklaroi Trump.

    Trump tha se doktori i ka thënë se nuk ka nevojë ta përdorë aspirinën meqë është “shumë i shëndetshëm”.

    “Unë thashë nuk po rrezikoj. Pra, gjithsesi, ky është një nga efektet anësore të marrjes së aspirinës.”, ka deklaruar Trump.

  • Mbi  100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Mbi 100 zyrtarë raportohet se janë ftuar për intervistim, dyshohen për manipulim të rezultateve zgjedhore në Prizren

    Policia e Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka nisur zbatimin e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votës dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore në procesin zgjedhor për deputetë.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.