ATV

Blog

  • Oklahoma City Thunder pëson humbje në shtëpi-Boston Celtics fiton në vazhdime

    Oklahoma City Thunder pëson humbje në shtëpi-Boston Celtics fiton në vazhdime

    Janë zhvilluar ndeshje interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Kampioni aktual Oklahoma City Thunder ka pësuar humbje në shtëpi ndaj Indiana Pacers me rezultat 117:114.

    47 pikët e Shai Gilgeous Alexander nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur humbjen e Thunders,njëjtë siç nuk mjaftuan as 25 pikët e Chet Holmgren si dhe 13 kërcimet e bëra në këtë takim.

    Në anën tjetër Andreë Nembhard me 26 pikë,7 kërcime e 11 asistime ishte basketbollisti më i mirë ,teksa kontribut dha dhe Pascal Siakam me 21 pikë e 6 asistime.

    Ndërkohë Boston Celtics mposhti në udhëtim skuadrën e Brooklyn Nets me rezultat 130:126.

    Payton Pritchard me 32 pikë dhe Jaylen Brown me 27 pikë e 10 kërcime e 12 asistime ishin më të mirët për Celtics,kurse në anën tjetër për Nets Michael Porter Jr me 30 pikë e 8 kërcime dhe Nolan Traore me 21 pikë të tjera ishin më efikasët tek Nets.

  • 3 milionë euro për 10 vite nga Fondacioni Frutex & Golden Eagle

    3 milionë euro për 10 vite nga Fondacioni Frutex & Golden Eagle

    Fondacioni Frutex & Golden Eagle shënon 10-vjetorin e themelimit të tij, duke përmbyllur një dekadë angazhimi të vazhdueshëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë.

    Fondacioni u themelua në vitin 2015, me iniciativën e z. Shaqir Palushi, pas vendimit të kompanisë Frutex për të institucionalizuar kontributin e saj shoqëror përmes Fondacionit Frutex & Golden Eagle.

    Që nga viti i themelimit, fondacioni ka investuar mbi 3 milionë euro në projekte me ndikim të drejtpërdrejtë social. Aktiviteti i parë i fondacionit, në vitin 2015, ishte ndarja e 100 bursave për studentë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Në vitin pasues, fondacioni realizoi përzgjedhjen dhe ndërtimin e 7 shtëpive për familje në nevojë në të gjithë territorin e Kosovës.

    Në vitin 2022, Fondacioni Frutex & Golden Eagle mori vendimin për ndërtimin e një fabrike sociale, ku do të punësoheshin ekskluzivisht persona me nevoja të veçanta. Ky projekt u jetësua në vitin 2023 dhe sot në këtë fabrikë janë të punësuar 12 persona me aftësi të kufizuara, duke krijuar një model të qëndrueshëm të përfshirjes sociale.

    Mbrojtja e ambientit dhe e hapësirave të gjelbra është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të fondacionit. Në vitin 2024 u lansua projekti Golden Eco, i cili aktualisht numëron 7 të punësuar dhe realizon aktivitete të shumta në mbrojtje të mjedisit dhe ndërgjegjësim ambiental.

    Fondacioni Frutex & Golden Eagle mbetet i përkushtuar që edhe në vitet në vijim të vazhdojë investimet në arsim, strehim, përfshirje sociale dhe mbrojtje të ambientit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

    Në vijim janë paraqitur të gjitha aktivitetet e fondacionit gjatë këtyre 10 viteve.

  • Chelsea dhe Inter në garë për shërbimet e Franco Mastantuonos

    Chelsea dhe Inter në garë për shërbimet e Franco Mastantuonos

    E ardhmja e talentit argjentinas Franco Mastantuono tek klubi mbretëror spanjoll Real Madrid është e paqartë.

    18 vjeçari nuk ka gëzuar minutazhë tek ekipi i “Los Blancos”,dhe kjo ka bërë që shumë klube të monitorojnë situatën e argjentinasit.

    Përndryshe dy gjigantët e njohur evropianë Chelsea dhe Inter janë hyrë në garë për shërbimet e Mastantuonos,dhe se një huazim i tij në ndonjërin nga këto dy klube do të jetë ideal për të sidomos do të kishte ndikim në zhvillimin e tij si futbollist .

    Kujtojmë që në 18 ndeshjet e zhvilluara për Real Madridin Franco Mastantuono në të gjitha garat ka realizuar vetëm 2 gola,ndërkohë vlera e tij në tregun e transferimeve arrin deri në 50 milionë euro.

  • Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Mjekët thonë se ky detaj vendos nëse rezultati është i saktë apo i gabuar

    Mënyra se si e mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut është vendimtare për rezultatin përfundimtar, sepse nëse dora ndodhet në një pozicion të gabuar, kjo mund të çojë në vlera jo të sakta dhe të gabuara. Si pasojë, pacienti mund të marrë terapi të panevojshme për hipertension, por gjithashtu mund të ndodhë që tensioni i lartë i gjakut te disa persona të mbetet i paidentifikuar për shkak të matjeve të pasakta dhe monitorimit të dobët të vlerave.

    Si duhet ta mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut

    Pozicionet e pasakta, por shumë të shpeshta të dorës gjatë matjes së tensionit, si mbajtja e dorës në prehër ose e lëshuar përgjatë trupit, çojnë në lexim të dukshëm më të lartë të tensionit të gjakut. Udhëzimet për matjen e tensionit rekomandojnë që dora të mbështetet mbi tavolinë dhe që mesi i krahut të jetë në nivelin e zemrës. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mbivlerësimi i tensionit mund të çojë në ndjekje të panevojshme të pacientit, si edhe në terapi të panevojshme, transmeton Telegrafi.

    – Është interesante që tensioni shpesh matet jashtë udhëzimeve edhe në kujdesin shëndetësor parësor, kryesisht për shkak të ngarkesës dhe nxitimit, vëren dr. Donald DiPette, profesor i shkencave mjekësore në University of South Carolina School of Medicine.

    Dr. DiPette paralajmëron gjithashtu se pozicione të ndryshme të dorës, të cilat nuk rekomandohen nga udhëzimet, mund të çojnë potencialisht në nënvlerësim të hipertensionit.

    – Do të dëshironim që matja e tensionit të gjakut të ketë të njëjtën saktësi si analizat e gjakut apo ekzaminimet imazherike. Për këtë arsye, nevojitet edukim si i punonjësve shëndetësorë, ashtu edhe i pacientëve, pasi shumë prej tyre e matin tensionin në shtëpi. Gjithashtu, është e këshillueshme që matja të përsëritet, sepse leximi i parë zakonisht jep vlera më të larta se matjet pasuese, gjë që është e kuptueshme, pasi personi gradualisht përshtatet me ambientin, thekson dr. DiPette.

    Pozicione të ndryshme të dorës, vlera të ndryshme

    Një studim i Shkollës së Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health në Baltimor, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, tregoi se mbajtja e dorës në prehër, krahasuar me dorën e mbështetur mbi tavolinë, e mbivlerëson presionin sistolik (të sipërmin) për 3,9 mmHg dhe atë diastolik (të poshtmin) për 4 mmHg. Në rastet kur dora varej poshtë përgjatë trupit, presioni i sipërm ishte më i lartë për 6,5 mmHg, ndërsa ai i poshtmi për 4,4 mmHg. /Telegrafi/

  • Caktohet seanca për të arrestuarit për manipulim të votave

    Caktohet seanca për të arrestuarit për manipulim të votave

    109 persona janë ndaluar dje për rastin e manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Prizren.

    Seanca ndaj tyre do mbahet sot në ora 14:00.

    Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin avokati i njëri prej të dyshuarive, Blend Gjini.

    Të dyshuarit po hetohen kryesisht për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, ndërsa një person është trajtuar edhe për “Kanosje”, vera të dyshuara të kryera në periudhën 29.12.2025 deri më 02.01.2026.

    Aksioni është realizuar më 23.01.2026, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale në Prizren, me asistimin e njësive tjera policore, në bazë të autorizimit të Prokurorisë Themelore në Prizren.

  • SBAShK-u paralajmëron rrezik për vonesa pagash nga zvarritja e konstituimit të institucioneve

    SBAShK-u paralajmëron rrezik për vonesa pagash nga zvarritja e konstituimit të institucioneve

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësim se vonesat në konstituimin e institucioneve të reja, si pasojë e rinumërimit të votave, mund të çojnë në bllokada buxhetore dhe vonesa në pagesat e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, policët dhe administratën, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një interivistë për Ekonomia Online, tha se vendimi për rinumërim mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtyrjen e mëtejme të procesit zgjedhor, duke vonuar formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, çka sipas tij rrezikon funksionimin normal financiar të shtetit dhe pagesat mujore për punëtorët.

    “Kjo situatë që është krijuar është tepër e rëndë, nga se ne pritëm gati një vit që të formohen institucionet dhe pastaj shkuam më 28 dhjetor në zgjedhje, tash doli kjo sihariqi tjetër, dhe me siguri do të shtyhet formimi i institucioneve. Ka pyetje të arsyeshme të njerëzve, por madje edhe në arsim se çka nëse nuk bëhen pagat, nga se buxheti, gjegjësisht Ligji për buxhetin e vitit 2026 ende nuk është aprovuar dhe mund të paraqiten bllokada dhe probleme, sepse po shihet institucionet do të vonohen së themeluari, nga se po shkojmë në rinumërimin e votimeve të tërësishme që e kërkon një kohë dhe kjo nuk ka ndodhur ndoshta në këtë masë kaq të madhe në të kaluarën. Si do qoftë, edhe të mos kishte ndodhur ky rinumërim, jemi vonë nga se një vit e më shumë nuk kemi asnjë institucion. SBASHK edhe sindikatat e tjera janë në pritje, kanë pritur që të formohet edhe Këshilli Ekonomik Social. Pastaj kemi pritur që të jemi të pranishëm edhe në Këshillin Shtetëror të licencimit të mësimdhënësve dhe në komisionet e tjera për të dhënë kontributin tonë, mirëpo nuk ka ndodhur kjo me fajin e MASHT-it, po Këshilli Ekonomik Social me fajin e ministrit në detyrë Hekuran Murati, i cili me vite e ka penguar reformimin e këtij Këshilli”, tha ai.

    Jashari shtoi se mungesa e dialogut institucional dhe pezullimi i proceseve ligjore po krijojnë pasiguri të madhe për punëtorët e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë.

    “Mungon dialogu dhe këto pritje shtojnë numrin e ankesave dhe të kërkesave. Ne kemi pritur se Parlamenti i Kosovës do ta lexojë dhe do ta aprovojë edhe atë kërkesën tonë për ndryshime ligjore për skemat pensionale të financuara nga shteti, nga se padrejtësisht u është mohuar. Kjo skemë u ka mohuar të drejtën punëtorëve të arsimit që t’iu numërohen ato vite si kontributdhënëse dhe kemi pritur me padurim që Parlamenti do ta thotë fjalën e tij, por ja po shihet nuk ka Parlament, nuk ka Qeveri dhe gjërat po rrjedhin kështu. Uroj që të mos ndodh barrikadimi, gjegjësisht bllokimi i pagave, sepse mësimdhënësit e Kosovës, por jo vetëm këta, por edhe policët, edhe administrata dhe zjarrfikësit e të tjerë kryesisht janë në kredi dhe çdo vonesë edhe për kredi do të ketë probleme, por edhe jeta e tyre do të vështirësohej shumë, nga se një pjesë e tyre jetojnë pikërisht me pagën që e marrin”, tha ai.

    Ai theksoi se prioriteti i një qeverie të re duhet të jetë rikthimi i dialogut me sindikatat dhe zgjidhja e çështjeve të hapura në arsim.

    “Hapat e parë që duhet t’i bëjë (qeveria e re) për mësimdhënësit dhe për sindikatat e tjera është dialogu. Në kohën e qeverisë së kaluar, po them tani, Kurti nuk ka pasur fare dialog, urojmë që të vijë një qeveri e cila do t’i dëgjojë kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve për t’u ulur dhe biseduar. Pika më e nxehtë te arsimi është mungesa për momentin e kontratës kolektive, nga se ministrja Nagavci i ka ikur detyrës që ka pasur për t’u ulur me ne për të formuar komision dhe për ta nënshkruar. Shteti ynë në vendet e rralla të botës që nuk ka as marrëveshje kolektive, që vlen për të gjithë, e nuk ka as kontrata kolektive. Asnjëherë nuk pyetëm as për Ligjin e pagave, në vend që të ngritet vlera e koeficientit është rritur vetë koeficienti dhe është krijuar një amulli”, tha ai.

  • Më pak vezë, bukë dhe ujë në dyqane, blerësit në SHBA nxitojnë të furnizohen para stuhisë

    Më pak vezë, bukë dhe ujë në dyqane, blerësit në SHBA nxitojnë të furnizohen para stuhisë

    Banorët nga Teksasi në juglindje po zbrazin raftet e dyqaneve nga nevojat themelore, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e artikujve si vezët, buka dhe uji.

    Në Xhorxhia, dyqanet ushqimore ishin të mbushura plot, ndërsa familjet, studentët e kolegjit dhe gjyshërit nxituan të përgatiteshin përpara stuhisë së akullit, raportoi CNN. Blerësit në disa zona prisnin në radhë, ndërsa blerës të tjerë përshkruan korridore të mbushura me njerëz dhe rafte bosh, ndërsa përpiqeshin të mblidhnin furnizime për t’i bërë ballë stuhisë.

    “Po grumbullojmë gjithashtu makarona dhe gjëra të lehta që mund t’i bëjmë. Lloje të ndryshme buke, të cilat njerëzit mendojnë se duhet t’i blejnë por asnjë banane. Asnjë banane”, tha një blerës

    Skena të ngjashme u zhvilluan në Virxhinia, ku blerësit që lëviznin nëpër dyqane gjetën rafte të zbrazëta dhe radhë të gjata në arkë.

    “E di që njerëzit duan të jenë gati, por qetësohuni, nuk keni nevojë të blini të gjithë letrën higjienike në Virxhinia. Disa nga gjërat që doja të sigurohesha se i kisha, nuk i kam”, tha një tjetër.

    Një banore e Dallasit i tha Associated Press se po grumbullonte pula, vezë dhe ushqim të përgatitur përpara stuhisë.

    “Do të jetë një stuhi e madhe”, tha Maricela Resendiz për AP. Planet e saj janë të qëndrojë brenda, thjesht të mos ndërhyjë.

  • Fenerbahce synon transferimin e kosovarit Fisnik Asllani nga Hoffenheimi

    Fenerbahce synon transferimin e kosovarit Fisnik Asllani nga Hoffenheimi

    Klubi i madh turk, Fenerbahce, po konsideron transferimin e yllit të kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, nga Hoffenheimi.

    Fenerbahce ka bërë shumë lëvizje gjatë këtij afati kalimtar, duke afruar futbollistë të shquar nga Evropa, me synimin për ta rikthyer titullin kampion pas shumë vitesh.

    Megjithatë, klubi turk ka shënuar edhe largime të rëndësishme, përfshirë atë të Youssef En-Nesyri, i cili pritet të zyrtarizohet te Juventusi. Si pasojë, drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë filluar të shqyrtojnë alternativa për të përforcuar sulmin me një zëvendësues të marokenit.

    Sipas mediumit turk Sozcu, Fenerbahce po shqyrton transferimin e sulmuesit kosovar të Hoffenheimit, Fisnik Asllani.

    Asllani po përjeton një super-formë këtë edicion, pasi ka shënuar 7 gola dhe 5 asistime në 19 ndeshje në të gjitha garat, duke u bërë një emër i lakuar për shumë klube evropiane.

    Sulmuesi 23-vjeçar i Dardanëve ka një çmim prej 30 milionë eurosh, ndërsa së fundmi është lidhur edhe me një transferim te Barcelona, Borussia Dortmundi dhe Juventusi.

  • Kurti: Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, manipuluesit e votave duhet të ndëshkohen

    Kurti: Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, manipuluesit e votave duhet të ndëshkohen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se komisionerët dhe individët që janë përfshirë në manipulim të votave duhet të dënohen.

    Në reagimin e parë për këtë çështje, Kurti deklaroi se kjo u bë në “mënyrë klandestine” nga komisionerët brenda subjekteve politike.

    “Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”.

    Ai tha se partia e tij, Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qenë “gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”.

    “Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

    Deklarata e Kurtit vjen pas aksionit të djeshëm të Prokurorisë e policisë në Prizren nga i cili 109 persona u ndaluan për falsifikim votash.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, dje në konferencën për media pas aksionit tha se ky manipulim votash nuk ka mundur të ndodhë pa ujdi mes partive të mëdha.

    “Do të kishte qenë e pamundur që këto vota të ndryshoheshin nëse nuk do të kishte pasur kompromis nga komisionerët për ta bërë këtë nga të katër partitë më të mëdha”, tha Kryeziu.

  • Për 24-orë, katër gra përjetojnë dhunë në familje

    Për 24-orë, katër gra përjetojnë dhunë në familje

    Katër raste të “dhunës në familje” kanë ndodhur vetëm për 24-orë në Kosovë.

    Sipas raportit të Policisë, në të gjitha rastet viktimat janë gra.

    Dy raste kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, konkretisht në Obiliq dhe Lipjan, rasti i tretë në Istog, si dhe rasti tjetër në Gjakovë, bëhet e ditur nga Policia.

    “Obiliq 23.01.2026-16:12.Është raportuar rasti ku të përfshirë janë viktima femër kosovare dhe bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar me të cilin nuk jetojnë se bashku. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Lipjan 23.01.2026-19:30.Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa pas intervistimit të palëve me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Istog 23.01.2026-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Në rast janë përfshirë edhe babai i viktimës dhe vajza e axhës së saj si e dyshuar. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.  

    Gjakovë 23.01.2026-20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka ofenduar dhe sulmuar bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor ndërsa, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.