ATV

Blog

  • Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, është mbyllur për publikun seanca e së mërkurës në rastin ku Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh.

    Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Berisha propozoi të mbyllet seanca për arsye se do të deklarohen ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Berisha.

    “Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha.

    Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se me shumicë votash, trupi gjykues aprovoi propozimin e Berishës, andaj seanca e sotme u mbyll.

    Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

    Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.

    Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

    Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

    Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.

    Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

    Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi/

  • 8 ushqime që nuk duhen futur kurrë në frigorifer

    8 ushqime që nuk duhen futur kurrë në frigorifer

    Besimi se të gjitha ushqimet zgjasin më shumë në frigorifer është krejtësisht i gabuar, pasi me disa ushqime ndodh krejt e kundërta. Sa më gjatë t’i lini në frigorifer, aq më shpejt prishen. Le të shohim disa prej tyre, si dhe mënyrat për t’i mbajtur të freskëta për më gjatë.

    Qepët

    Lagështia në frigorifer bën që qepët të myken më shpejt. Mbajini ato jashtë frigoriferit në një vend të freskët dhe të thatë. Në fakt, mos bini në kurthin e zakonshëm të vendosjes së tyre pranë patateve, sepse kur këto dy ushqime bien në kontakt, ato prishen shumë më shpejt.

    Kafeja

    Edhe pse kafeja e ruan aromën e saj kur mbahet në temperatura të ulëta, mos e ruani kurrë në frigorifer. Ka shumë mundësi që ajo të marrë shijen e ushqimeve përreth saj. Nëse doni të ruani sasi të mëdha kafeje, atëherë vendoseni në frigorifer, përndryshe mbajeni kafenë tuaj në një kavanoz hermetik në një vend të freskët dhe të errët.

    Borziloku

    Borziloku nuk duhet të ruhet në frigorifer. Është më mirë ta vendosni në një gotë me ujë të ftohtë siç do të vendosnit me çdo lule tjetër. Në frigorifer vyshket më shpejt dhe thith aromat nga ushqimet e tjera.

    Vaj ulliri

    Vaji i ullirit nuk duhet të futet kurrë në frigorifer, përveç nëse doni ta shndërroni në gjalpë. Në temperatura të ulëta, vaji fillon të kondensohet dhe të humbasë vetitë e tij. Mbajeni në një vend të errët dhe të freskët.

    Mjalti

    Mjalti është ndoshta i vetmi ushqim që nuk prishet kurrë për sa kohë që mbahet i mbyllur mirë në temperaturë ambienti. Shmangni vendosjen e tij në frigorifer sepse do të humbasë strukturën e tij të lëmuar dhe ndoshta do të prishet.

    Buka

    Buka në frigorifer thahet shumë shpejt dhe nuk mbetet e freskët dhe e butë. Është më mirë ta mbani jashtë frigoriferit, përveç nëse janë feta buke të thekura të cilat mund t’i vendosni në frigorifer për t’i ruajtur edhe për disa ditë të tjera.

    Avokadot

    Nëse doni që avokadot tuaja të piqen, atëherë nuk duhet t’i vendosni në frigorifer. Ky frut piqet jashtë frigoriferit. Megjithatë, nëse përdorni gjysmën dhe pastaj doni ta ruani pjesën tjetër për më vonë, atëherë teprica mund të shkojë në frigorifer.

    Patatet

    Patatet nuk duhen ruajtur kurrë në frigorifer. Ruajtja në frigorifer do të ndryshojë shijen e tyre dhe do t’i bëjë më të ëmbla, pasi mjedisi i ftohtë e shndërron niseshtenë në sheqer më shpejt. Në vend të kësaj, ruajini patatet në një qese letre në një vend të freskët – por jo të ftohtë.

  • Mario Banushi, regjisori shqiptar që fitoi “Luanin e Argjendtë”

    Mario Banushi, regjisori shqiptar që fitoi “Luanin e Argjendtë”

    Një lajm historik për artin shqiptar: Mario Banushi fiton “Luanin e Argjendtë” në Bienalen e Venecias. 27-vjeçari triumfoi në Festivalin e 54-të Ndërkombëtar të Teatrit, duke u bërë regjisori më i ri në historinë e Bienales që nderohet me këtë çmim prestigjioz.

    Vlerësimi i Këshillit të Administrimit të Bienales erdhi për gjuhën e tij teatrale unike, thellësisht vizuale dhe joverbale.
    Veprat e Banushit shpalosin rrëfime autobiografike mbi humbjen, mungesën, familjen dhe kujtesën. Shfaqjet e tij janë prezantuar në Nju-Jork, Londër, Berlin, Milano, Vjenë, Montreal dhe Taipei.

    I rritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, ai ka studiuar aktrim në Athinë dhe që herët ka ndërtuar një identitet artistik të veçantë. Vepra “Mirupafshim, Lindita”, e lindur nga një tragjedi personale, u kthye në kryevepër skenike dhe sukses ndërkombëtar.

    Në lidhje direkte nga Athina për ABC e Mëngjesit, edhe pse i vlerësuar shpesh si grek, Banushi e thotë me krenari: “Jam shqiptar.”

    Sot, emri i tij renditet mes më të rëndësishmëve të teatrit evropian, pasi ai ka fituar gjatë viteve të fundit disa çmime ndërkombëtare në festivalet më të rëndësishme të teatrove në nivel global./abcnews.al

  • Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Shkrimtari i shquar shqiptar u lind më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, e vdiq më 1 korrik të vitit 2024. Kadare jetoi 88 vjet.

    Kadare u lind në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

    Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

    Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

    Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

    Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

    Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

    Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

    Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

  • Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, ka pritur në takim vëllezërit Gjin dhe Lum Rrahmani, nxënës të dalluar që kanë përfaqësuar vendin tonë në gara ndërkombëtare.

    Vëllezërit Rrahmani morën pjesë nga 10–16 janar në garat “Neo Science” dhe “Coding Olympiad”, të mbajtura në Orlando, Florida, SHBA, ku arritën rezultate të jashtëzakonshme:

    Medalje e artë (vendi i parë) në Inteligjencë Artificiale – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Medalje e artë “Best of the Best” në Biologji – Gjin Rrahmani;

    Medalje e bronztë (vendi i tretë) në Matematikë – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Gjin dhe Lum Rrahmani kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, SHBA dhe Malajzi, duke fituar çmime dhe medalje të arta në matematika, shkencë, kodim, inteligjencë artificiale dhe gjuhë angleze.

    Komuna e Fushë Kosovës i ka vlerësuar lart këto arritje dhe shpreh mbështetje për sukseset e të rinjve, të cilët me përkushtim dhe dije po e përfaqësojnë denjësisht komunën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.

  • Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    U prezantua sot mes dashamirëve statuja e shkrimtarit Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes.

    Statuja u prezantua sot në ceremoninë e mbajtur në Bar Juvenilja, aty ku statuja do të hijeshojë mjedisin për të gjithë dashamirësit e shkrimtarit.

    Shkrimtari ka një histori të veçantë me Bar Juvenilia, aty ai konsumonte kafenë e mëngjesit, kur ishte në Shqipëri, zakonisht në shoqërinë e botuesit të Onufrit, Bujar Hudhri.

    E pranishme në ceremoni ishte dhe zonja e Ismail Kadare, Helena Kadare si dhe personalitete të kulturës dhe artit.

    Në ceremoni u recituan dhe poezi të Ismailit. Dihet që ai, përpara se të bëhej romancier e filloi karrierën si poet. Ai ka disa vëllime me poezi si “Kristal” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

    Ismail Kadare njihet për kryeveprat që i ka lënë gjuhës shqipe si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” apo “Dimri i vetmisë së madhe”.

    Ai u nda nga jeta korrikun e vitit 2024, por ai do të mbesë përherë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve. A.K./TemA

  • Tottenham dhe Aston Villa në garë për Omar Marmoush

    Tottenham dhe Aston Villa në garë për Omar Marmoush

    Sulmuesi egjiptian Omar Marmoush mund të largohet nga Manchester City në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit.

    Marmoush nuk po gjen hapësirë në formacionin bazë të trajnerit Pep Guardiola,dhe 26 vjeçari pas transferimit të Antoine Semenyo nga Bourne,outh është i detyruar të luftoj për vendin e titullarit.

    Përndryshe sipad CaughtOffside dy klube të Premierligës Tottenham dhe Aston Villa kanë shprehur interesim për Marmoush,dhe të dy klubet në fjalë janë duke monitoruar situatën e egjiptianit.

    Në anën tjetër Marmoush ka shprehur dëshirën për të qëndruar edhe më tutje në Premierligë,dhe synon që të tregojë potencialin që deri më tani nuk arriti ta bëjë tek City.

    Kujtojmë që Omar Marmoush në 17 ndeshje për Man.City-in ka shënuar vetëm 2 gola e dhuroi 1 asistim.

  • Aksion policor në Gjilan, një i arrestuar për trafikim me njerëz

    Aksion policor në Gjilan, një i arrestuar për trafikim me njerëz

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të trafikimit me njerëz.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur më 22 janar, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është ndaluar dhe intervistuar nga autoritetet kompetente.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

  • Policia zgjeron hetimet për zgjedhjet në Malishevë, 18 komisionerë në ndalim

    Policia zgjeron hetimet për zgjedhjet në Malishevë, 18 komisionerë në ndalim

    Në kuadër të hetimeve për dyshime për manipulim të rezultatit zgjedhor në komunën e Malishevës, Policia e Kosovës ka ndaluar deri më tani 18 komisionerë zgjedhorë për një periudhë prej 48 orësh.

    Në stacionin policor në Gjakovë po vazhdon marrja në pyetje e rreth 50 komisionerëve, të cilët dyshohen për përfshirje në manipulimin e rezultateve zgjedhore.

    Aksioni policor është zhvilluar gjatë ditës së sotme në Malishevë dhe pritet që hetimet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, ndërsa numri i të intervistuarve mund të rritet.

    Kujtojmë se për një rast të ngjashëm të manipulimit të rezultatit zgjedhor në Prizren, gjatë javës së kaluar, janë ndaluar 109 persona, prej të cilëve 28 janë dërguar në paraburgim.

  • Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Ramadan Beshiri, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Personave të Pagjetur në Mitrovicë dhe zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZHK), me qëllim të koordinimit të veprimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Krime Lufte, si dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët prezantuan informacione lidhur me procedurat aktuale të identifikimit.

    Gjatë takimit, drejtori Beshiri njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostra gjaku nga familjarët, me qëllim të identifikimit dhe krahasimit me mbetjet mortore që ndodhen në morg.

    Po ashtu, u bë e ditur se sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Mitrovicës figurojnë 104 persona të pagjetur, ndërsa në nivel të Kosovës numri i personave të zhdukur arrin në 1,571.

    “Bashkëndjejmë dhimbjen dhe shpresën me familjet e personave të pagjetur”, ka theksuar drejtori Beshiri, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të fatit të tyre.