ATV

Blog

  • Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Ergjyment Barbullushi, avokat i njërit nga të ndaluarit sot në Malishevë për dallaveret me vota, ka treguar pse klienti i tij sot është intervistuar.

    Para mediave, ai ka thënë se klienti i tij i ka treguar se procedura e numrit të votave është bërë sipas procedurës se paraparë ligjore.

    “Ai thotë se e ka pasur për detyrë vetëm t`i lexoi fletëvotimet dhe të caktoi se kush për kënd ka votuar, kurse evidentimi i deklarimeve është bërë nga kryesuesi i komisionit”, ka thënë avokati.

  • Sheqeri që po ju shkatërron trupin pa e kuptuar, pse pijet dhe ushqimet “e shëndetshme” janë armiku juaj i fshehtë?

    Sheqeri që po ju shkatërron trupin pa e kuptuar, pse pijet dhe ushqimet “e shëndetshme” janë armiku juaj i fshehtë?

    Nga truri tek zemra, sheqeri ndikon në çdo pjesë të trupit tonë, shpesh në mënyra që nuk i perceptojmë.

    Megjithëse dimë që konsumimi i tepërt rrit rrezikun e sëmundjeve kronike, shumica e njerëzve ende hanë dy deri në tre herë më shumë sheqer se sasia e rekomanduar.

    Arsyeja? Sheqeri është kudo. Ai fshihet fshehurazi në ushqime që nuk i mendojmë si të ëmbla, nga shufrat e proteinave deri te salcat e sallatave.

    Shumica e sheqerit që njerëzit hanë nuk gjendet në ëmbëlsira, por shtohet fshehurazi në pijet dhe ushqimet e përditshme

    -Shpjegon dietologia Samantha Cassetti.

    Edhe ata që mendojnë se disa sheqerna janë më të shëndetshme duhet të jenë të kujdesshëm.

    Qoftë sheqer kallami, shurup misri apo mjaltë, konsumimi i tepërt është i dëmshëm.

    Ndryshimi i burimit të kalorive nuk ndryshon asgjë në trupin e njeriut

    -Paralajmëron eksperti Dustin Moore.

    Trupi tret të gjitha karbohidratet në glukozë dhe çliron insulinën për t’i përdorur si energji. Kjo është arsyeja pse sheqeri mund të krijojë varësi dhe pse ndryshimet e vogla në dietë mund të kenë një ndikim kaq të madh.

    Lajmi i mirë? Nuk duhet të hiqni dorë plotësisht nga sheqeri, por ta konsumoni me kujdes është çelësi për shëndet më të mirë./Tar

  • Qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në vitin 2026

    Qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në vitin 2026

    Sipas renditjes së fundit të platformës Nambijo, Cyrihu është qyteti më i shtrenjtë për të jetuar në botë.

    Analiza, e cila krahason koston e jetesës në qytete anembanë botës bazuar në të dhënat nga më shumë se 600,000 përdorues, tregon dallime të rëndësishme dhe zbulon se si pozicionohen qytetet e tjera në listë .

    Qytetet zvicerane kryesojnë listën e qyteteve më të shtrenjta për të jetuar në vitin 2026.

    Sipas renditjes së fundit të platformës Nambijo , gjashtë vendet e para në listën e qyteteve më të shtrenjta për të jetuar i zënë qytetet zvicerane. Cyrihu , i ndjekur nga Gjeneva, Bazeli, Lozana, Lugano dhe Berna.

    Tre qytete amerikane janë gjithashtu midis dhjetë qyteteve më të shtrenjta në botë: Nju Jorku është në vendin e shtatë, Honolulu është në vendin e nëntë dhe San Francisko është në vendin e dhjetë. Rejkjaviku, kryeqyteti i Islandës, renditet i teti.

    Indeksi i kostos së jetesës

    Bazuar në parametra të ndryshëm, indeksi i kostos së jetesës për vitin 2026 tregon se jetesa në disa qytete po i afrohet luksit. Të dhënat nuk janë më vetëm një kuriozitet për të huajt ose nomadët që kërkojnë një punë më të mirë, por një sinjal ekonomik që politikëbërësit, investitorët institucionalë, strategët e pasurive të paluajtshme dhe fondet sovrane të pasurisë nuk duhet ta injorojnë.

    Cyrihu, me një indeks afër 120 krahasuar me Nju Jorkun me 100, konfirmon pozicionin e tij si qendra urbane më e shtrenjtë në botë. Ky është rezultat i një dizajni të qëllimshëm ekonomik: Zvicra kufizon ofertën e banesave përmes disiplinës zonale, ruan vendet e punës përmes politikës së konsensusit dhe ruan fuqinë blerëse përmes një frangu të fortë. Rezultati është një qytet që funksionon si një “kasafortë” globale.

    Gjeneva, Bazeli, Lozana, Berna dhe Lugano janë grupuar pranë kryesimit të indeksit, duke reflektuar një ekonomi politike që toleron çmimet e larta si një kompromis për besimin institucional, infrastrukturën e besueshme dhe stabilitetin fiskal afatgjatë.

    Shtetet e Bashkuara: Kosto të larta pa një mbulesë strukturore

    Qytetet amerikane ndër më të shtrenjtat kanë një dinamikë të ndryshme. Nju Jorku “ankoron” indeksin, ndërsa San Francisko, Honolulu dhe Seattle vazhdojnë të rriten. Dallimi kryesor nuk është niveli absolut i kostove, por brishtësia e tyre: kostot e strehimit po rriten më shpejt se pagat, kujdesi shëndetësor është kryesisht privat dhe transporti publik dhe kujdesi për fëmijët janë të pabarabartë dhe shpesh regresiv.

    Njëzet qytetet më të shtrenjta për të jetuar në vitin 2026:

    Cyrih (Zvicër)
    Gjenevë (Zvicër)
    Bazel (Zvicër)
    Lozanë (Zvicër)
    Lugano (Zvicër)
    Bernë (Zvicër)
    Nju Jork (Shtetet e Bashkuara)
    Reykjavik (Islandë)
    Honolulu (Shtetet e Bashkuara)
    San Francisko (Shtetet e Bashkuara)
    Tel Aviv (Izrael)
    Seattle (Shtetet e Bashkuara)
    Oslo (Norvegji)
    Singapor (Singapor)
    Londër (Mbretëria e Bashkuar)
    Uashington (Shtetet e Bashkuara)
    San Jose (Shtetet e Bashkuara)
    Boston (Shtetet e Bashkuara)
    Charleston (Shtetet e Bashkuara)
    Kopenhagen (Danimarkë)

  • Motra e Hailey Bieber rrezikon burgun pas incidentit tronditës në një bar

    Motra e Hailey Bieber rrezikon burgun pas incidentit tronditës në një bar

    Alaia Baldwin, motra e modeles së njohur Hailey Bieber, rrezikon dënim me burg pasi u arrestua në muajin shkurt 2024 në Savannah, Georgia, për një incident të dhunshëm në një bar lokal.

    33-vjeçarja akuzohet se ka sulmuar tre punonjës të lokalit, duke shkaktuar kaos brenda ambienteve të tij. Sipas raportimeve të Us Weekly, Baldwin u përfshi në një përplasje fizike pasi iu kërkua të mos përdorte tualetin e stafit, por atë të klientëve.Prokuroria e Xhorxhias ka ngritur katër akuza kundër saj për kundërvajtje: sulm i thjeshtë, dhunë e thjeshtë dhe dy akuza për shkelje prone. Nëse shpallet fajtore, Alaia Baldwin mund të përballet me deri në një vit burg, ndërsa seanca e dënimit është planifikuar për 23 prill.

    Sipas dëshmive të punonjësve, situata u përshkallëzua kur Baldwin refuzoi të largohej nga tualeti i stafit dhe u bë agresive, duke kërcënuar dhe më pas sulmuar fizikisht stafin. Një roje sigurie pretendon se ajo i ka tërhequr flokët.

    Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ndërsa pritet vendimi i drejtësisë në muajt në vijim.

  • Avokati Doli: Rreth 60 persona janë intervistuar nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota

    Avokati Doli: Rreth 60 persona janë intervistuar nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota

    Avokati i njërit nga të intervistuarit nga Prokuroria e Gjakovës, për manipulim me vota në Malishevë, Egzon Doli, ka thënë se klienti i tij nuk ka qenë në rolin e komisionerit, dhe se me aq sa di ai, deri tash janë intervistuar, rreth 60 persona.

    “Procedura është në fazë të hershme. Klienti im është në cilësi të anëtarit të komisonit. Klienti im e përfundoi intervistimin. Nëse nuk gaboj rreth 60 persona janë intervistuar. Roli i klientit tim ka qenë në rolin e anëtarit dhe jo të komisionerit, por megjithatë mbetet të shihet çfarë pretendon prokuroria.” – tha ai, raporton Nacionale.

  • Vdekja e të miturit në lumin e Gadimes, Prokuroria në pritje të rezultateve të autopsisë

    Vdekja e të miturit në lumin e Gadimes, Prokuroria në pritje të rezultateve të autopsisë

    Një fëmijë nga Gadimja e Lipjanit, Zejn Zejnullahu, ka humbur jetën dje pasi dyshohet se ka rënë në lumin e Gadimes, ndërsa rrethanat e rastit janë duke u hetuar nga organet e drejtësisë.

    I mituri ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi pas përfundimit të mësimit. Pas disa orësh kërkimi, ai u gjet në lumin e Gadimes dhe u dërgua me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Nga QKUK është konfirmuar se fëmija kishte mbërritur pa shenja jete.

    “Pacienti ka ardhë pa shenja jete. Përkundër masave reanimuese, pacienti ka ndërruar jetë”, ka deklaruar doktoresha Dafina Basholli.

    Lidhur me rastin, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës, e cila në raportin 24-orësh ka bërë të ditur se kërkimi për të miturin kishte nisur menjëherë pas raportimit të zhdukjes.

    “Pas pranimit të informatës se viktima mashkull kosovar nuk është kthyer në shtëpi, është organizuar kërkimi, me ç’rast nga një dëshmitar viktima është gjetur në lumë. I njëjti është dërguar në QKUK, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen”, thuhet në raportin policor.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është angazhuar menjëherë në rast dhe se trupi i pajetë është dërguar për autopsi.

    “Prokurori i Shtetit në Departamentin për të Mitur, menjëherë pas marrjes së informatës, ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit policorë. Prokurori ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    I ndjeri Zejn Zejnullahu ishte nxënës i shkollës fillore “Zejnel Hajdini” në Gadime. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe në familje, shkollë dhe komunitet.

    Ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

  • Jannik Sinner kalon në gjysmëfinale të Australian Open

    Jannik Sinner kalon në gjysmëfinale të Australian Open

    Tenisti italian Jannik Sinner ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të Australian Open,duke mundur amerikanin Ben Shelton 3:0 në sete 6:4 6:4 dhe 6:3.

    Në setin e parë italiani dominoi,teksa në anën tjetër edhe në setin e dytë italiani ishte shumë më i mirë sesa Shelton.

    Ndërkohë në setin e tretë Sinner arriti të fitoj duelin,ku edhe përkundër që Shelton bëri përpjekje që të bënte ndonjë kthesë italiani arriti që të arsyetoj epitetin e favoritit dhe të kalojë në gjysmëfinale.

    Kujtojmë që Jannik Sinner në gjysmëfinale do të takohet kundër tenistit serb Novak Djokovic,i cili e eliminoi bashkëkombasin e Sinner Lorenco Muzeti në çerekfinale.

  • Sarajeva hyn zyrtarisht në betejën ligjore për “Sarajevo Safari”

    Sarajeva hyn zyrtarisht në betejën ligjore për “Sarajevo Safari”

    Këshilli i Qytetit të Sarajevës miratoi një vendim në seancën e sotme, duke i dhënë pëlqimin Qytetit të Sarajevës për t’u bashkuar me procedurat penale që po zhvillohen para autoriteteve gjyqësore kompetente në Milano, Republika e Italisë, në lidhje me rastin “Sarajevo Safari”.

    Me vendimin e miratuar, Qyteti i Sarajevës bashkohet me procedurat penale të filluara kundër personave që morën pjesë në të shtënat me snajper dhe të shtënat ndaj qytetarëve të Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit.

    Kjo autorizon Kryetarin e Bashkisë së Qytetit të Sarajevës dhe Zyrën e Prokurorit të Qytetit të Sarajevës, brenda juridiksionit të tyre, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, teknike dhe administrative në mënyrë që të bashkohen zyrtarisht me procedurat si palë e dëmtuar.

    Vendimi përfshin gjithashtu zbatimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për të mbledhur të dhëna dhe dokumentacion përkatës mbi qytetarët e Sarajevës që u vranë nga të shtënat me snajper gjatë rrethimit të qytetit.

    Më 18 dhjetor 2025, Konsullata e Përgjithshme e Bosnjës dhe Hercegovinës në Milano, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të BiH, i dërgoi një letër Qytetit të Sarajevës në lidhje me procedurat gjyqësore në Milano kundër snajperëve që vepronin në Sarajevë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Qytetit të Sarajevës e mori letrën e lartpërmendur më 29 dhjetor 2025, dhe ajo deklaroi se kishte filluar procedurat para autoriteteve gjyqësore kompetente në Milano kundër personave – shtetas të Republikës së Italisë – të dyshuar për sulme snajperiste kundër qytetarëve të Sarajevës.

    Procedimi penal u iniciua me iniciativën e gazetarit investigativ italian Ezio Gavazzeni, në bashkëpunim me ish-gjyqtarin e procedurës penale Guido Salvani. Hetimi po zhvillohet nga prokurori Alessandro Gobbis, ndërsa pala e dëmtuar përfaqësohet pro bono nga avokati Nicola Brigida, i cili i ka dërguar një kërkesë Qytetit të Sarajevës në lidhje me mundësinë e bashkimit me procedurën si palë e dëmtuar.

    Në përputhje me dispozitat në fuqi të legjislacionit penal, pala e dëmtuar ka një pozicion të kufizuar procedural, por mund të ketë një rol të rëndësishëm në procedurë, varësisht nga faza e saj. Gjatë fazës së hetimit, pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për të drejtën pasurore, të propozojë paraqitjen e provave dhe të veprojë si ndihmës i prokurorit, duke marrë parasysh njohuritë për mjedisin në të cilin është kryer vepra penale, si dhe rrethanat që lidhen me palët e tjera të dëmtuara.

    Gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, roli i palës së dëmtuar fiton rëndësi shtesë, pasi ai ose ajo mund të thirret si dëshmitar, të paraqesë një kërkesë pasurore, të japë një fjalë përfundimtare dhe të apelojë vendimin.

    Veprimet e snajperëve gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat përfshinin të shtënat sistematike të civilëve të paarmatosur, përfaqësojnë një traumë individuale dhe kolektive dhe një plagë të përhershme për qytetin e Sarajevës dhe qytetarët e saj. Gjatë rrethimit të qytetit, më shumë se 11,000 civilë humbën jetën, përfshirë një numër të madh fëmijësh.

    Kryerja e procedurave penale kundër personave përgjegjës dhe dënimi përfundimtar i autorëve të krimit përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave themelore shoqërore – të drejtës për jetë, integritetit personal dhe rendit publik – ruajtjen e rendit ligjor, si dhe përmbushjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave dhe familjeve të tyre.

    Me miratimin e këtij vendimi, Qyteti i Sarajevës si institucion mundësohet të marrë pjesë aktive në procedurat penale, duke kontribuar kështu në përcaktimin e së vërtetës, ruajtjen e kulturës së kujtesës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj.

    Nuk kërkohen burime shtesë financiare për zbatimin e vendimit të lartpërmendur. /Vijesti

  • Të dënuar për vrasje në tentativë e vjedhje të rëndë, Policia në Gjakovë arreston dy të arratisur

    Të dënuar për vrasje në tentativë e vjedhje të rëndë, Policia në Gjakovë arreston dy të arratisur

    Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka arritur t’i lokalizojë dhe arrestojë dy persona, të kërkuar me urdhër-arrest gjyqësor të cilët ndodheshin në arrati.

    Policia ka arrestuar L.K, mashkull 30 vjeç, i dënuar për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Lëndim i lehtë trupor” me 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe L.M mashkull, 27 vjeçar, i dënuar për veprën penale “Vrasje në tentativë” me 3 vite burgim, përfshirë edhe periudhën e arrestit shtëpiak 6 muaj.

    “Pas arrestimit të dy personat janë dërguar për vuajtje të dënimit konform vendimeve gjyqësore”, thuhet në njoftim.

  • Zbatimi i EES krijon kaos në kufij, rrezikohet qarkullimi i mallrave drejt BE-së

    Zbatimi i EES krijon kaos në kufij, rrezikohet qarkullimi i mallrave drejt BE-së

    Pas zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljeve (EES) nga Bashkimi Evropian, transportues nga disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen. Si pasojë, janë shkaktuar vonesa të mëdha dhe ndërprerje serioze në zinxhirin e furnizimit.

    Lidhur me këtë situatë, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin për pasojat ekonomike që po shkaktohen nga bllokadat kufitare. Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ka paralajmëruar se këto bllokada po shkaktojnë humbje mbi një miliard dollarë në ditë në qarkullimin e mallrave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    Sipas Shahinit, përveç humbjeve direkte financiare, kompanitë po përballen edhe me kosto shtesë, pasi janë të detyruara të gjejnë shoferë të rinj për shkak të pritjeve të gjata dhe ndërprerjeve në transport.

    Ndërkohë, ekonomisti Jakup Bellaqa ka vlerësuar se ky sistem po i shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike rajonit, veçanërisht për shkak të vonesave në dorëzimin e mallrave dhe pengesave në tregti.

    Si një vend që importon një pjesë të madhe të mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndiejë drejtpërdrejt pasojat e këtyre bllokadave në qarkullimin e mjeteve transportuese.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka njoftuar se, sipas informacioneve të pranuara nga autoritetet kufitare të Serbisë, pritet ndërprerje e qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.