ATV

Blog

  • “Iu ka pri serbëve në Izbicë”, familjari i zhgënjyer me dënimin e Muhamet Alidemajt

    “Iu ka pri serbëve në Izbicë”, familjari i zhgënjyer me dënimin e Muhamet Alidemajt

    Familjari i viktimave, Islam Doni, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha se vendimi i gjykatës për dënimin e Muhamet Alidemajt është i ulët dhe se familjarët do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit, duke shtuar se mbetet të shihet nëse do ta arrijnë qëllimin e tyre në instancat më të larta, raporton Ekonomia Online.

    Doni tha se personalisht nuk ka parë që Alidemaj të ketë vrarë dikë me duart e tij, por sipas tij e ka parë atë duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshatin Izbicë, duke shtuar se nuk mund të pohojë për veprime që nuk i ka parë drejtpërdrejt.

    Ai përshkroi se atë ditë në Izbicë nuk kishte pasur dasmë, por ishin dëgjuar krisma të armëve të rënda dhe të lehta, ndërsa sipas tij ishin masakruar 137 persona, si dhe më pas në dy raste të tjera ishin vrarë nga dy deri në trembëdhjetë banorë.

    Doni tha se fshati ishte djegur dhe plaçkitur, ndërsa sipas tij dy persona të paralizuar ishin djegur në prokolica traktorësh.

    “Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kena me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s’e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasë dasmë. Atë ditë janë ndjerë krisma të tekave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë masandej na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prokolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s’mundet me thënë që s’kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha ai pas procesit gjyqësor.

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.

    Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

  • Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Të ashtuquajturit “bufë nate” mund të përballen me një rrezik më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, sipas një studimi të ri të publikuar të mërkurën.

    Studiuesit zbuluan se njerëzit që rrinin zgjuar vonë gjatë natës kishin rezultate më të dobëta të shëndetit kardiovaskular dhe një rrezik 16% më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, krahasuar me ata që njihen si “zogj mëngjesi”.

    Studimi, botuar në Journal of the American Heart Association, analizoi të dhëna nga më shumë se 320,000 të rritur britanikë, të moshës 39 deri në 74 vjeç, duke kombinuar informacione nga anketa dhe matje biometrike.

    Ekspertët shpjegojnë se rreziku më i lartë lidhet pjesërisht me sjelljet e caktuara të stilit të jetës dhe faktorë të tjerë shëndetësorë, duke theksuar rëndësinë e rutinave të shëndetshme dhe orarit të rregullt të gjumit për mbrojtjen e zemrës dhe trurit.

  • Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Misioni i FMN-së do të zhvillojë vizitë në Kosovë

    Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të zhvillojnë vizitë në Kosovë nga 3- 13 shkurt.

    Qëllimi i vizitës sipas njoftimit është zhvillimi i konsultave vjetore dhe vlerësim të të zhvillimeve të fundit makroekonomike.

    “Një mision i FMN-së, i udhëhequr nga David Amaglobeli, do të vizitojë Kosovën gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, për të zhvilluar konsultimin vjetor sipas Nenit IV me Republikën e Kosovës.¹ Qëllimi i këtij misioni mbikëqyrës është të bëjë një vlerësim të zhvillimeve të fundit makroekonomike, të analizojë perspektivën dhe rreziqet, si dhe të diskutojë prioritetet e politikave ekonomike dhe reformave me autoritetet dhe palët e tjera kyçe të interesit. Misioni planifikon të publikojë një komunikatë përfundimtare për shtyp dhe të mbajë një konferencë për media”, thuhet në njoftim.

  • Mes heshtjes dhe mesazheve të fshehta: Ronela rikthen dyshimet për jetën e saj sentimentale

    Mes heshtjes dhe mesazheve të fshehta: Ronela rikthen dyshimet për jetën e saj sentimentale

    Jeta sentimentale e Ronela Hajatit vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes, jo përmes deklaratave direkte, por përmes detajeve që ajo zgjedh të ndajë në rrjete sociale. Prej muajsh, historia e saj romantike është shoqëruar me postime të nënkuptuara, periudha heshtjeje dhe rikthime që kanë ngjallur vazhdimisht kureshtje te publiku.

    Që nga vera e vitit 2025, çdo shfaqje apo mungesë e partnerit misterioz është interpretuar si një kapitull i ri i së njëjtës romancë. Pas pamjeve ku u panë bashkë në Tiranë, pasuan aludime për kriza, ndarje të mundshme dhe më pas sërish foto të ngrohta që lanë të kuptohej një pajtim. Megjithatë, në fund të janarit 2026, Ronela ndërmori një veprim që nuk kaloi pa u vënë re: ajo fshiu nga Instagrami të gjitha fotot me partnerin.

    Dyshimet u shtuan edhe më shumë më 1 shkurt 2026, kur këngëtarja publikoi një Instastory me një mesazh emocional, i cili për shumë ndjekës u lexua si një reflektim personal mbi një lidhje që ka kaluar nga entuziazmi në pasiguri dhe zhgënjim.

    Pa dhënë asnjë shpjegim të drejtpërdrejtë dhe pa përmendur emra, Ronela vazhdon të flasë në mënyrën e saj – përmes ndjenjave dhe jo deklaratave. Nëse kjo histori ka marrë fund përfundimisht apo është vetëm një tjetër pauzë në një romancë të trazuar, mbetet ende e paqartë. Për momentin, artistja ka zgjedhur të thotë pak, por mjaftueshëm sa për të nxitur sërish diskutime.

  • Kim Kardashian dhe legjenda britanike e Formula 1? Spekulime për një lidhje romantike pas fundjave intime në UK

    Kim Kardashian dhe legjenda britanike e Formula 1? Spekulime për një lidhje romantike pas fundjave intime në UK

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe britanike, ylli amerikan i reality-show­-ve Kim Kardashian dhe legjenda e Formula 1, Lewis Hamilton, janë përfolur për një lidhje romantike të mundshme pas një fundjave të kaluar bashkë në Estelle Manor, një resort luksoz në Cotswolds, Mbretëria e Bashkuar.

    47-vjeçarja Kim, e njohur për rolin e saj në serialin Keeping Up with the Kardashians dhe për bizneset e saj si Skims, raportohet se fluturoi nga Los Angeles drejt Britanisë me avionin e saj privat, ku u takua me 41-vjeçarin Hamilton — kampionin 7-fish të botës në Formula 1. Ata dyshohet se kanë kaluar një darkë private, masazh për çiftë dhe një natë romantike së bashku në resort, larg syrit të publikut.

    Mediat raportojnë se çifti ka shijuar akses ekskluziv në spa dhe ambiente të tjera private, dhe kanë qenë të rrethuar nga siguri e shtuar për të ruajtur privatësinë e tyre gjatë qëndrimit. Megjithatë, pavarësisht raportimeve, as Kim e as Hamilton nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një lidhje romantike deri më tani.

    Ky zhvillim erdhi në kohën kur emri i Kim është shpesh objekt i spekulimeve të mediave rozë, ndërsa fansat vazhdojnë të ndjekin me interes çdo lëvizje të saj personale. Që prej divorcit të saj me reperin Kanye West në 2022, ajo nuk ka bërë deklarata publike për një lidhje serioze, edhe pse lajmet për një romancë me Lewis Hamilton kanë bërë xhiron e mediave botërore.

  • Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari Idrizi në Vushtrri, marrin mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga kryetari Idrizi në Vushtrri, marrin mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kabineti i tij, të cilët u kanë ofruar përkrahje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Hoxha dhe Tasholli e kanë falënderuar kryetarin Idrizi dhe Komunën e Vushtrrisë për mbështetjen .

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, tha Hoxha.

    “Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se qëndron në krah të kësaj nisme qytetare, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe respektimit të parimeve të drejtësisë.

    “Drejtësia duhet të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për secilin. Kjo është një kauzë që e meriton përkrahjen e secilit qytetar të Kosovës”, deklaroi Idrizi.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Momenti i fuqishëm i Billie Eilish në Grammy: “Asnjë njeri nuk është ilegal” në fjalimin e saj emocionues

    Momenti i fuqishëm i Billie Eilish në Grammy: “Asnjë njeri nuk është ilegal” në fjalimin e saj emocionues

    Një nga momentet më të komentuar të 68-të Çmimeve Grammy ishte fjalimi i Billie Eilish sapo mori çmimin për “Song of the Year” për këngën e saj “Wildflower”. Në skenë, ajo përdori këtë rast për të ngjallur një mesazh të fortë kundër dhunës së agjencisë amerikane ICE, duke thënë: “Asnjë njeri nuk është ilegal në një tokë të zaptuar” — një frazë që u bë shprehje kyçe për publikun e pranishëm dhe fansat në rrjetet sociale.

    Fjalimi i Billie Eilish u prit me duartrokitje dhe bëri jehonë menjëherë në media, duke dëshmuar se Grammy-t nuk ishin vetëm një event muzikor, por edhe një platformë ku artistët përdorën zërin e tyre për të adresuar çështje shoqërore dhe politike.

    Ky moment u vlerësua si një nga më të fuqishmit të mbrëmjes, duke nxitur diskutime për rëndësinë e përdorimit të artit dhe skenës për të sjellë përpara mesazhe që tejkalojnë botën e muzikës

  • Ndërmarrja “Trepça” funksionalizon kanalin për sinjalizuesit me qëllim të luftimit të korrupsionit

    Ndërmarrja “Trepça” funksionalizon kanalin për sinjalizuesit me qëllim të luftimit të korrupsionit

    Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se ka funksionalizuar kanalin zyrtar për sinjalizim.

    Vendimi është marrë nga kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes me qëllim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe në bazë të Vendimit zyrtar të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A., është funksionalizuar kanali zyrtar për sinjalizim: [email protected]. Kjo adresë elektronike shërben për pranimin e sinjalizimeve që lidhen me: dyshime për korrupsion, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje ligjore dhe etike, veprime apo mosveprime që cenojnë interesin publik dhe integritetin institucional”, thuhet në njoftim.

  • Fenomeni i rrallë në Rusi, 4 hëna u shfaqën gjatë natës në qiellin e Shën Petersburgut

    Fenomeni i rrallë në Rusi, 4 hëna u shfaqën gjatë natës në qiellin e Shën Petersburgut

    Një fenomen i rrallë qiellor ka ndodhur mbi Shën Petersburg, Rusi. Sipas pamjeve të publikuara në media sociale katër hëna u shfaqën në qielli gjatë natës. Megjithatë, pamja magjepsëse i la shumë përdorues të hutuar në mediat sociale.

    “Katër hëna shfaqen mbi Shën Petersburgun e Rusisë”, njoftoi media ruse RT në X, dhe gjithashtu ndau një video që tregon qartë jo një, por katër hëna që shkëlqejnë fort në qiell.

    Në një postim tjetër nga Nexta TV, tha se një fenomen i rrallë, paraselena, u vu re gjatë natës mbi Moskë dhe rajonin përreth.

    Paraselenia është një fenomen që krijon iluzionin e shumë hënave së bashku me Hënën kryesore. Hënat “ekstra” shfaqen si njolla të ndritshme në të dyja anët e hënës së vërtetë.

    Siç shpjegohet, është një iluzion optik i ngjashëm me hënën, i cili shkaktohet nga drita e hënës që kalon përmes kristaleve të akullit në atmosferën e sipërme.

  • Justin Bieber rikthehet në Grammy me performancë minimalistike “Yukon” që rrëmben vëmendjen e publikut

    Justin Bieber rikthehet në Grammy me performancë minimalistike “Yukon” që rrëmben vëmendjen e publikut

    Në 68-të Çmimeve Grammy që u mbajtën më 1 shkurt në Los Angeles, Justin Bieber bëri një rikthim të fuqishëm në skenën e Grammy pas katër vjetësh, duke performuar këngën e tij të nominuar “Yukon” në një version të thjeshtuar që u bë ndër momentet më të komentuar të mbrëmjes.

    Bieber, i nominuar për katër çmime Grammy këtë vit – përfshirë Album of the Year, Best Pop Vocal Album, Best Pop Solo Performance dhe Best R&B Performance – u ngjit në skenë për një interpretim të ngrohtë dhe emocional të këngës së tij, pa koreografi apo skenografi të ndërlikuar.

    Performanca tërhoqi vëmendje jo vetëm për muzikën por edhe për stilin e tij minimalistik: ai doli në skenë vetëm me bokserë dhe çorape, me një kitarë elektrike ngjyrë purpur dhe fokus të plotë në zërin dhe interpretimin e tij.

    Reagimet në publik dhe në rrjetet sociale ishin të përziera, me disa duke lavdëruar qasjen e drejtpërdrejtë dhe intime, ndërsa të tjerë u befasuan nga zgjedhja e tij e veshjes dhe stilit. Megjithatë, performanca shënoi një moment të rëndësishëm në karrierën e Bieber, si rikthim në një skenë të madhe pas një periudhe të gjatë joaktive.

    Në tapetin e kuq para ceremonisë, Justin dhe gruaja e tij, Hailey Bieber, të dy u shfaqën me stil elegant dhe mbështetën një qëndrim solidar me simbolin “ICE Out”, bashkë me artistë të tjerë.