ATV

Blog

  • Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Vetura del nga rruga – një person i lënduar në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, bllokohet qarkullimi

    Një person është lënduar në një aksident trafiku në në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit.

    Rreth orës 11:20, Policia ka bërë të ditur se si pasojë e këtij aksidenti ku një veturë ka dalë jashtë rrugës, për momentin rruga në dy korositë është e bllokuar.

    “Sot, më 03.02.2026, rreth orës 11:20, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rajonin e Kaçanikut, te semafori i parë në drejtim të Hani i Elezit. Për momentin, rruga është e mbyllur në të dy korsitë, pasi një veturë ka dalë jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë poshtë saj. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet relevante, përfshirë Policinë, zjarrfikësit, emergjencën mjekësore si dhe njësitin e trafikut rajonal Ferizaj, të cilët janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka njoftuar për teve1.info zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    I lënduari është duruar në Emergjencën e qytetit të Ferizajt.

  • Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Osmani përkujton masakrën në Mitrovicë: Krimi nuk harrohet, drejtësia mbetet kërkesë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë.

    E para e vendit ka thënë se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj krimit i cili sipas saj nuk do të harrohet asnjëherë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme.

    Ajo ka kujtuar 10 civilët e pafajshëm të cilët u vranë nga bandat serbe dhe 25 të plagosurit e tjerë.

    “Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 564 familje me gjithsej 11 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”, ka shkruar presidentja.

  • Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Osmani udhëton drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, merr pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes.

    Në komunikatën e presidencës, thuhet edhe se, Osmani në këtë Samit është ftuar nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe se në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga bota.

    ”Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në komunikatë, përcjell Gazeta Express.

    Komunikata:

    Me ftesë të Presidentit të Emirateve, Presidentja Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

    Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

    Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

    Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë vizituar Komunën e Suharekës, ku janë pritur nga kryetari Bali Muharremaj, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës dhe kanë shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Suharekës.

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, tha Hoxha.

    “Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj u zotua se do të angazhohet maksimalisht për mobilizimin e qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit në.

    “Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Muharremaj.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Kamionë humanitarë hyjnë në Gaza pas rihapjes së kalimit kufitar në Rafah

    Kamionë humanitarë hyjnë në Gaza pas rihapjes së kalimit kufitar në Rafah

    Një kolona e kufizuar kamionësh me ndihma humanitare ka hyrë në Rripin e Gazës të martën, më 3 shkurt, pas rihapjes së Kalimit Kufitar të Rafah. Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza njoftojnë se rreth 22,000 pacientë presin ende rihapjen e plotë të kalimit për trajtime mjekësore.

    Kalimi kufitar i Rafah ishte pushtuar nga Izraeli në maj 2024, në kuadër të konfliktit të ashpër në Rripin e Gazës, që nga tetori 2023 ka shkaktuar më shumë se 71,000 viktima dhe mbi 171,000 të plagosur.

    Terminali pritej të rihapej në tetor si pjesë e fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi, por Izraeli kishte vonuar hapjen deri pas lirimit të të burgosurve të fundit nga Gaza, një proces që u përmbyll javën e kaluar.

    Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, sulmet izraelite kanë vazhduar, duke shkaktuar 524 të vdekur dhe 1,360 të plagosur që nga 10 tetori, sipas zyrës së medias së Gazës.

  • Jeremy Jacquet zyrtarizohet si lojtar i ri i Liverpool

    Jeremy Jacquet zyrtarizohet si lojtar i ri i Liverpool

    Qendërmbrojtësi Jeremy Jacquet është zyrtarizuar tek gjiganti anglez Liverpool.

    Francezi pritet t’i bashkohet “The Reds”para sezonit 2026/27,ndërkohë që Jacquet kompletoi testet mjekësore e më pas nënshkroj kontratën.

    Përndryshe Liverpool pagoi rreth 60 milionë euro klubit francez Renne,teksa në anën tjetër Jacquet pritet që të kompletojë sezonin me ekipin nga kampionati francez.

    Mbetet të shihet se nëse Jacquet do të jetë pasardhës i denjë për Virgil Van Dijk,i cili mund të largohet nga Anfield në fund të sezonit.

    Kujtojmë që Jeremy Jacquet ka bërë 31 paraqitje për Rennesmdhe atë që prej kur debutoi me skuadrën para dy viteve.

  • Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas vizitave eksploruese në Kosovë dhe Shqipëri, shteti belg ka nisur të interesohet për marrjen me qira të qelive në shtetin estonez.

    Ministrja daneze e Drejtësisë, Annelies Verlinden dhe ajo e azilit dhe migracionit, Anneleen Van Bossuyt, po qëndrojnë në Estoni për një vizitë dy ditore për këtë çështje.

    Siç raportojnë mediat belge, kjo gjë po bëhet meqë po tentohet të luftohet mbipopullimi i burgjeve belge, shkruan Gazeta Express.

    “Nëse njerëzit e dënuar këtu që nuk kanë të drejtë qëndrimi mund ta vuajnë dënimin e tyre në vendin e tyre të origjinës ose në qendrat e paraburgimit jashtë vendit, kjo do të thotë si një ekzekutim i duhur i dënimit ashtu edhe, në të njëjtën kohë, një rritje e konsiderueshme e efikasitetit për sistemin tonë të burgjeve. Kjo gjithashtu do të na lejojë të investojmë më mirë dhe më shumë në programe mbështetëse për të burgosurit që të gjejnë vendin e tyre në shoqërinë tonë pas dënimit”, ka thënë Verlinden.

  • Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Ministria e Mbrojtjes e Polonisë njoftoi se një nga punonjësit e saj është ndaluar dhe akuzuar për bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence.

    Faqja e lajmeve Onet raportoi më herët se një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes ishte ndaluar për bashkëpunim me inteligjencën ruse.

    “Shërbimet kanë monitoruar aktivitetet e këtij personi për shumë muaj. Veprimet e tij janë dokumentuar dhe analizuar në mënyrë të detajuar. Prandaj, provat e mbledhura ndaj tij janë shumë të forta. Ky është një nga sukseset tona më të mëdha”, i tha Onet një burim i njohur me operacionin.

  • Volkswagen ofron pensionim të parakohshëm në moshën 57-vjeçare me 95% të pagës

    Volkswagen ofron pensionim të parakohshëm në moshën 57-vjeçare me 95% të pagës

    Volkswagen ka nisur një program pune me kohë të shkurtër para daljes në pension (Altersteilzeit) për brezin e punonjësve të lindur në vitin 1969. Nga 26 janari 2026, këta punonjës mund të aplikojnë për pension në moshën 57-vjeç – dhjetë vite para moshës ligjore të daljes në pension.

    Ky vendim është pjesë e strategjisë së kompanisë për të reduktuar rreth 35,000 vende pune në Gjermani deri në vitin 2030, ndërsa rregullore të ngjashme pritet të zbatohen për brezin e lindur në vitin 1970.

    Programi me kohë të shkurtër para daljes në pension synon të lehtësojë tranzicionin për punonjësit, duke ofruar kushte më të favorshme se ato ligjore. Punonjësit e prekur do të marrin deri në 95% të pagës neto të tyre, ndërsa kompania plotëson kontributet ligjore për sigurimin e pensioneve dhe kompenson gjysmën e hendekut të krijuar nga pensionimi i parakohshëm.

    Opsioni është vullnetar dhe zbatimi i tij përfshin gjithashtu punonjësit me aftësi të kufizuara të rënda të lindur në vitin 1970. Volkswagen pret që rreth 70% e punonjësve të përfshirë të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke përfshirë mbi 20,000 persona nga vitet 1969–1975, duke siguruar një tranzicion të pranueshëm shoqëror.

  • Pse të sëmurët me skizofreni dëgjojnë zëra? Studimi zbulon nga vjen “tingulli” dhe si reagon truri

    Pse të sëmurët me skizofreni dëgjojnë zëra? Studimi zbulon nga vjen “tingulli” dhe si reagon truri

    Një studim australian ka dhënë prova të reja mbi arsyen pse njerëzit me skizofreni përjetojnë halucinacione dëgjimore (dëgjim zërash)

    Hulumtimi i ri, i udhëhequr nga psikologët e Universitetit të Uellsit të Ri Jugor (UNSW) në Sidnei, ofron deri tani provat më të qarta se “zërat” te skizofrenia mund të lindin nga një çrregullim në mënyrën se si truri e njeh zërin e vet të brendshëm. Studimi sugjeron se truri mund të keqidentifikojë mendimet e brendshme si tinguj që vijnë nga bota e jashtme.

    Punimi u botua në revistën shkencore “Schizophrenia Bulletin” dhe thekson gjithashtu një rrugë të mundshme drejt identifikimit të shënuesve biologjikë (biomarkerëve) të skizofrenisë, një hap shumë i rëndësishëm, pasi aktualisht nuk ekzistojnë analiza gjaku, skanime të trurit apo teste laboratorike që mund ta konfirmojnë pa dyshim këtë diagnozë.

    Profesori Thomas Whitford nga Shkolla e Psikologjisë në UNSW ka studiuar prej vitesh mënyrën se si funksionon “të folurit e brendshëm” te njerëzit e shëndetshëm dhe te ata që jetojnë me çrregullime të spektrit të skizofrenisë.

    “Të folurit e brendshëm është zëri në kokën tuaj që rrëfen në heshtje mendimet, planet apo veprimet tuaja. Shumica e njerëzve e përjetojnë rregullisht këtë, shpesh pa e vënë re, edhe pse ka individë që raportojnë se nuk e kanë fare këtë përvojë”, shpjegon Whitford.

    Ai shton: “Hulumtimi ynë tregon se, kur ne flasim, qoftë edhe vetëm në mendje, një pjesë e trurit që përpunon tingujt e jashtëm bëhet më pak aktive. Kjo ndodh sepse truri parashikon tingullin e zërit tonë. Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, ky mekanizëm parashikimi duket se nuk funksionon siç duhet, ndaj truri reagon sikur zëri po vjen nga dikush tjetër”, transmeton Telegrafi.

    Valët e trurit konfirmojnë një teori 50-vjeçare
    Sipas profesorit Whitford, këto gjetje mbështesin fuqishëm një teori që ka ekzistuar prej dekadash në fushën e shëndetit mendor: se halucinacionet dëgjimore në skizofreni mund të vijnë nga keqinterpretimi i të folurit të brendshëm si të folur të jashtëm.

    “Kjo ide ka ekzistuar prej 50 vjetësh, por ka qenë shumë e vështirë për t’u testuar, sepse të folurit e brendshëm është, nga natyra, një proces privat”, thekson ai.

    Për ta matur këtë, studiuesit përdorën EEG (elektroencefalogram), një metodë që regjistron aktivitetin elektrik të trurit. Edhe pse nuk mund ta “dëgjojmë” të folurin e brendshëm, truri gjithsesi reagon ndaj tij.

    Te njerëzit e shëndetshëm, përdorimi i të folurit të brendshëm shkakton të njëjtën ulje të aktivitetit të trurit si kur ata flasin me zë të lartë, një shenjë se truri e njeh tingullin si të vetin.

    “Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, kjo ulje e aktivitetit nuk ndodh. Përkundrazi, truri i tyre reagon edhe më fort ndaj të folurit të brendshëm, sikur ai të vinte nga dikush tjetër. Kjo mund të shpjegojë pse këta zëra duken kaq realë”, thotë Whitford.

    Si u testua mekanizmi i parashikimit të trurit

    Studiuesit ndanë pjesëmarrësit në tre grupe:

    • 55 persona me skizofreni që kishin përjetuar halucinacione dëgjimore në javën e fundit.
    • 44 persona me skizofreni që ose nuk kishin pasur kurrë halucinacione dëgjimore, ose nuk i kishin përjetuar kohët e fundit.
    • 43 persona të shëndetshëm pa histori skizofrenie.

    Të gjithë pjesëmarrësit mbanin një kapë EEG ndërsa dëgjonin tinguj përmes kufjeve. Në momente të caktuara, atyre u kërkohej që në heshtje të imagjinonin se po shqiptonin rrokjet “bah” ose “bih”, ndërkohë që dëgjonin njërën prej tyre në kufje, pa e ditur paraprakisht nëse tingulli i dëgjuar do të përputhej me atë të imagjinuar.

    Çfarë ndodhi?
    Te njerëzit e shëndetshëm, aktiviteti i trurit u ul kur rrokja e imagjinuar përputhej me atë që dëgjonin. Kjo ndodhi në korteksin dëgjimor, pjesën e trurit përgjegjëse për përpunimin e tingujve dhe të folurit. Ky është një tregues se truri e parashikoi saktë tingullin.

    Te njerëzit me halucinacione të fundit, ndodhi e kundërta: aktiviteti i trurit u rrit kur tingulli i imagjinuar përputhej me atë të dëgjuar. Kjo sugjeron se mekanizmi i parashikimit të trurit është i dëmtuar.

    “Ky efekt i kundërt tregon se truri i tyre mund të mos e njohë më zërin e brendshëm si të vetin, duke e interpretuar gabimisht si zë të jashtëm”, shpjegon Whitford.

    Grupi i dytë (njerëzit me skizofreni pa halucinacione të fundit) tregoi një reagim të ndërmjetëm mes grupit të shëndetshëm dhe atij me halucinacione.

    Çfarë do të thotë kjo për studimin e skizofrenisë?
    Studiuesit theksojnë se këto rezultate ofrojnë provën më të fortë deri më tani se njerëzit me skizofreni mund të përjetojnë mendimet e tyre sikur të ishin zëra të jashtëm.

    “Gjithmonë ka qenë një teori bindëse se njerëzit në fakt po dëgjojnë mendimet e tyre të folura me zë, por ky studim ofron testin më të drejtpërdrejtë dhe më të fortë deri tani”, thotë Whitford.

    Në të ardhmen, ekipi kërkimor synon të testojë nëse ky model i reagimit të trurit mund të përdoret për të parashikuar se kush mund të zhvillojë psikozë.

    Nëse kjo rezulton e suksesshme, mund të mundësojë:

    • identifikimin më të hershëm të personave me rrezik të lartë,
    • fillimin më të shpejtë të trajtimit,
    • dhe potencialisht parandalimin e përkeqësimit të simptomave.

    “Kjo masë ka potencial të madh për t’u bërë një biomarker i zhvillimit të psikozës. Në fund, besoj se kuptimi i shkaqeve biologjike të simptomave të skizofrenisë është hapi i parë i domosdoshëm për zhvillimin e terapive të reja dhe më efektive,” përfundon profesori. /Telegrafi/