ATV

Blog

  • SHBA ul tarifat për Indinë në 18 përqind/ Kusht që të ndërpresë blerjet e naftës ruse

    SHBA ul tarifat për Indinë në 18 përqind/ Kusht që të ndërpresë blerjet e naftës ruse

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India kanë arritur së fundmi një marrëveshje tregtare për të ulur tarifat e SHBA mbi mallrat në 18% nga 50%. Përmes një postimi në Truth Social Donald Trump tha se India do t’i reduktonte barrierat tregtare deri në zero dhe do të ndalonte blerjen e naftës ruse.

    Njoftimi erdhi pak pasi India dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje tregtare historike që i dha fund gati dy dekadave bisedimesh mes palëve, që është gati të dyfishojë eksportet e BE-së në Indi deri në vitin 2032 sipas Brukselit.

    Kryeministri indian Narendra Modi tha në platformën X se është I kënaqur që arriti një marrëveshje me Uashingtonin. Presidenti amerikan tha se në telefonatën e tij me kryeministrin indian arritën dakordësi për disa pika.

    Modi sipas Trump u zotua ndër të tjera që India të blejë mallra amerikane me vlerë mbi 500 miliardë dollarë në energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr. Marrëdhëniet tregtare SHBA-Indi kanë qenë të tensionuara që prej gushtit, kush Trump vendosi tarifa 50% për mallrat nga India.

    Ajo përfshinte edhe një tarifë 25% lidhur me blerjen e naftës ruse nga India. Por, pas marrëveshjes tashmë tarifat do të ulen në 18%. Eksportet indiane drejt Shteteve të Bashkuara ranë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të tarifave të Trump. Pas marrëveshjes tregtare me Indinë, aksionet amerikane u rritën ndjeshëm./abcnews.al

     

  • “E ulët”, Mustafa mohon pretendimet se kurdisi plan të rrëzojë Abdixhikun

    “E ulët”, Mustafa mohon pretendimet se kurdisi plan të rrëzojë Abdixhikun

    Isa Mustafa e quan “narrativë shumë të ulët” se ka qenë i përfshirë në çfarëdo përpjekje të pretenduar për minimin e pozitës së Abdixhikut si drejtues i LDK-së.

    Krejt çështjet në lidhje me këtë parti, Mustafa thotë se i ka përcjellur në media dhe se s’ka qenë pjesë e asnjë “takimi apo tubimi” të LDK-së. Për drejtimin e partisë, vazhdon të thotë, nuk ka mendim se “as motiv e interes të involvohem”.

    “Është një narrativë shumë e ulët, pa asnjë argument por me qëllime të dëmshme. Unë nuk ia kam humbur zgjedhjet Abdixhikut, që të organizoj komplot ndaj tij. Ai ka humbur dhe më vjen keq sepse është LDK në pyetje. Ka dalë publikisht dhe e ka pranuar përgjegjësinë për humbjen, ka paralajmëruar dorëheqje dhe e ka thirrë Kuvendin. Këtë proces unë e kam përcjellë në televizor dhe në portale. Askund nuk jam kyçur, sepse në vitin 2021 jam dorëhequr nga të gjitha pozitat në LDK. Nga ajo kohë s’kam marrë pjesë në asnjë takim e as tubim të LDK-së. Le të dalë një delegat i këtij Kuvendi e të dëshmojë se unë kam kërkuar ta rrëzojë Abdixhikun apo të punojë kundër tij, atëherë unë përgjigjem”, tha Isa Mustafa për Nacionalen.

    “Unë jam shprehur publikisht se dorëheqja është akt etik demokratik në kuptimin se rezultati krijon pasoja (pozitive apo negative) – sepse kështu kam vepruar vet. Unë nuk kam grup në LDK. Kam bashkëpunuar me të gjithë, me ata që më kanë dashtë e s’më kanë dashtë. Njoh kryetarë të degëve, të komunave, anëtarët e Kryesisë, njoh shumë veprimtar në terren sepse kam punuar me të gjithë. Asnjë në LDK s’është njeri i imi, por me shumicën dërmuese kam punuar, disa kam promovuar në pozita, dhe gëzoj respekt reciprok. S’kam asnjë motiv dhe interes të involvohem në çështjet se kush do ta drejtojë partinë. Jam i inreresuar maksimalisht që LDK të forcohet, të fitojë. Këtë interesim s’ma ndalë asnjë prej këtyre mjeranave që projektojnë komplote dhe prodhojnë armiq. Merren me vetëveten, s’kanë guxim të bëjnë opozitë”, tha Mustafa

    Për emrin e përvetshëm të Lumir Abdixhiku, Mustafa rikujton se vetë ai në 2017 e kishte sjellë në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me LDK-në në Qeverinë Kurti 1 ishte bërë ministër.

    “Dhe dëshiroj të sqaroj se unë e kam sjellë Lumirin në LDK më 2017. Ka fituar për deputet, është bërë ministër nga LDK në qeverinë Kurti 1. Pasi kam dhënë dorëheqje nuk e kam propozuar asnjë kandidat për kryetar. Kam vlerësuar se propozimin e bëjnë ata që vazhdojnë punën. Ai dhe Lutfi Haziri kanë garuar me vullnetin e tyre – nuk ka qenë komplot kundër meje. Edhe tani ka të drejtë të garojë kush të dojë me vullnetin e tij. Për mua është e rëndësishme LDK-ja. As Abdixhiku, as Hoti. Ata dhe të tjerët i nënshtrohen interesave të LDK-së. Jo, LDK interesave të tyre”, tha Mustafa.

  • Françeska Murati konfirmon lidhjen e re të dashurisë?

    Françeska Murati konfirmon lidhjen e re të dashurisë?

    Ish-banorja e Big Brother VIP Albania 3, Françeska Murati, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të saj me një postim të fundit në rrjetet sociale.

    Ajo ka ndarë një mesazh ku shpreh falënderim dhe lumturi për momentin që po kalon.

    “Kur një derë mbyllet, një më e mirë hapet. Ndihem kaq e bekuar sot që universi më ka sjellë gjithçka që mund të kisha dëshiruar dhe më shumë”, tha ajo.

    Në vazhdim shtoi: “Ju uroj të gjithëve një fillim muaji të mrekullueshëm”.

    Fotografia që shoqëron postimin e tregon Françeskën duke pozuar nga makina me një buqetë të madhe me trëndafila, një detaj që ka ndezur spekulimet për një lidhje të mundshme pas ndarjes nga partneri i mëparshëm.

    Fansat kanë komentuar dhe shpërndarë urimet e tyre, ndërsa mesazhi i saj shihet si një reflektim i një periudhe të re në jetën personale.

    Postimi i Françeskës duket të jetë një përzierje mes pozitivitetit dhe një shprehjeje të lumturisë, duke lënë hapur mundësinë e një kapitulli të ri për atë. /Telegrafi/

  • Leon Avdullahu në radarin e Tottenham dhe Milan

    Leon Avdullahu në radarin e Tottenham dhe Milan

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës Leon Avdullahu po shkëlqen në Bundesligën gjermane me fanellën e Hoffenheimit,duke u bërë një prej liderëve të mesfushës tek skuadra ku luajnë edhe Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.

    Këto paraqitje nuk mbetën pa u vërejtur edhe nga shumë klube në Evropë,dhe tani kanë ardhur edhe ofertat e para për Avdullahun.

    Përndryshe gazetari turk Ekrem Konur raporton se Tottenham Hotspur dhe Milan kanë hyrë në garë për shërbimet e reprezentuesit dardan,dhe se janë të gatshëm që njëra nga ta të bëjnë transferimin e 21 vjeçarit.

    Ndërkohë skautët e Spurs kanë udhëtuar në Gjermani ku janë duke përcjellur ndeshjet e Leon Avdullahut me Hoffenheimit,kurse në anën tjetër gjiganti italian kanë bërë ofertë fillestare por drejtuesit e Hoffenheim janë shprehur se nuk do ta vënë në shitje mesfushorin dardan.

    Kujtojmë që Leon Avdullahu ka bërë 20 paraqitje për Hoffenheimin këtë sezon,teksa ka kontratë me klubin gjerman deri në qershor të vitit 2029.

  • Soda e bukës, aleati natyral për higjienën dhe kujdesin e trupit

    Soda e bukës, aleati natyral për higjienën dhe kujdesin e trupit

    Soda e bukës konsiderohet një nga përbërësit më praktikë dhe më të përdorshëm në përditshmëri, jo vetëm në kuzhinë, por edhe në kujdesin personal dhe mirëmbajtjen e shtëpisë.

    Edhe pse përdoret kryesisht për fryrjen e brumit gjatë përgatitjes së ëmbëlsirave, soda e bukës ka një gamë të gjerë përdorimesh të tjera. Ajo ndihmon në eliminimin e aromave të pakëndshme nga qilimat, rrobat dhe sipërfaqet e ndryshme, si dhe kontribuon në zbardhjen e rrobave. Përveç kësaj, përdorimi i saj mund të ndikojë pozitivisht edhe në rutinën e bukurisë dhe higjienës trupore.

    Më poshtë janë disa nga mënyrat praktike të përdorimit të sodës së bukës që ndoshta nuk i keni ditur:

    Reduktimi i djersitjes: Soda e bukës mund të përdoret si deodorant natyral. Për këtë, mjafton të përzieni disa pika vaj esencial sipas dëshirës me katër lugë sodë buke dhe ta aplikoni përzierjen në sqetulla, për të neutralizuar bakteret që shkaktojnë aromat e pakëndshme.

    Neutralizimi i erës së trupit: Shtoni një filxhan të vogël sodë buke në vaskë dhe qëndroni në të për rreth 30 minuta. Pas kësaj, vazhdoni me larjen e zakonshme dhe aplikoni vaj trupi për një ndjesi më të butë të lëkurës. Ky proces mund të përsëritet një ose dy herë në javë.

    Lëkurë më e butë: Duke shtuar pak sodë buke dhe sapun në ujë, mund të masazhoni duart dhe këmbët për të ndihmuar në zbutjen dhe pastrimin e lëkurës. Pas masazhit, shpëlajini mirë me ujë.

    Thonj më të shëndetshëm: Një përzierje prej tre pjesësh sodë buke dhe një pjesë uji mund të aplikohet në thonj dhe kutikula për t’i mbajtur ato të pastra dhe të mirëmbajtura.

  • Cilët janë gjeneralët e “zhdukur” të Kinës

    Cilët janë gjeneralët e “zhdukur” të Kinës

    Spastrimet e jashtëzakonshme të Xi-së gjatë tre viteve kanë lënë një boshllëk në krye të ushtrisë së dytë më të fuqishme në botë.

    Udhëheqja ushtarake e Kinës u shfaq para kombit në mars 2023, si një imazh uniteti pas Xi Jinping. Pas gati një dekade në pushtet, presidenti kinez kishte vendosur komandën e lartë që dëshironte: besnikë të zgjedhur prej tij për ta bërë Ushtrinë Çlirimtare Popullore një forcë botërore.

    Por as besnikët e Xi-së nuk janë kursyer nga fushata e tij e gjerë për pastrimin e ushtrisë, spastrime që zyrtarisht fokusohen te korrupsioni, por që lidhen edhe me besnikërinë ndaj tij. Një nga një, anëtarët e Komisionit Ushtarak Qendror janë shkarkuar dhe vënë nën hetim. I fundit ishte gjenerali Zhang Youxia, gjenerali kryesor i Xi-së.

    Xi ka larguar gjithashtu dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë në më pak se tre vite, një nivel tronditjeje i paprecedentë në historinë moderne kineze. Sipas një analize të New York Times mbi raportet e mediave shtetërore dhe njoftimet zyrtare, ushtria kineze ka pësuar spastrime të gjera.

    Në fillim të vitit 2023, Kina kishte të paktën 30 gjeneralë dhe admiralë që drejtonin departamente të specializuara dhe komandat teatrore. Pothuajse të gjithë janë larguar ose janë zhdukur gjatë spastrimeve të Xi-së. Në disa raste, ai ka emëruar gjeneralë të rinj si zëvendësues, por shumë prej tyre gjithashtu kanë humbur nga skena publike. Vetëm shtatë gjeneralë duket se mbeten aktivë.

    Spastrimet tregojnë fuqinë e jashtëzakonshme të Xi-së, por kanë krijuar edhe një boshllëk udhëheqës në ushtri. Rënia e gjeneralit Zhang dhe e një tjetër komandanti të shkarkuar me të, gjeneralit Liu Zhenli, e ka lënë Komisionin Ushtarak Qendror pa udhëheqësit që përgatisin forcat për betejë. Humbja e papritur e dy komandantëve kryesorë operacionalë mund të minojë përkohësisht besimin e Xi-së në gatishmërinë e ushtrisë.

    I vetmi gjeneral i mbetur në komision është Zhang Shengmin, i cili ka mbikëqyrur spastrimet ushtarake të Xi-së dhe tani duket se është përgjegjës për disiplinën politike dhe besnikërinë. Ai ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës si inspektor kundër korrupsionit dhe disiplinës politike në Forcën e Raketave, e cila kontrollon programet bërthamore dhe raketore të Kinës. Xi e promovoi vitin e kaluar në nënkryetar të Komisionit Ushtarak Qendror.

    Shkarkimet kanë prekur pothuajse të gjitha degët e forcave të armatosura, përfshirë Forcën e Raketave dhe marinën. Edhe pesë komandat teatrore, rajonet që Xi krijoi në 2016 për të menaxhuar ushtrinë, janë goditur, përfshirë Komandën e Teatrit Lindor, përgjegjëse për operacionet rreth Tajvanit. Fundvitin e kaluar, Xi emëroi një komandant të ri për këtë teatër.

    Që nga rënia e gjeneralit Zhang, gazeta zyrtare e ushtrisë kineze ka nxitur oficerët dhe ushtarët të mbështesin vendimin dhe të bashkohen rreth Xi-së. Ajo pranoi se shkarkimet dhe tronditjet po shkaktonin “vështirësi dhe dhimbje afatshkurtra”.
    Por, sipas saj, në fund do të dalë një ushtri kineze edhe më e fortë.

    Së pari, Xi duhet të gjejë një grup tjetër gjeneralësh të besueshëm, ndërsa si lider 72-vjeçar synon mandatin e katërt si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës nga viti 2027, një post që me shumë gjasë do ta marrë.

     

  • Ndalohet personi i dyshuar për kanosje ndaj gazetarëve në Viti

    Ndalohet personi i dyshuar për kanosje ndaj gazetarëve në Viti

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet A.I, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari më datën 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore që ishte duke u zhvilluar në ambientet e Gjykatës në Viti, i dyshuari A.I iu drejtohet ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të Betimi për drejtësi, në formë kërcënuese, me veprime konkludente, siç dokumentohen edhe nëpërmjet videoingjizimit të kamerës.

    “Pas Autorizimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për veprime hetimore, me që i dyshuari ishte i paarritshëm, i njëjti ishte vendosur në kërkim policor dhe me datë 03.02.2026 është arrestuar, ku pas intervistimit të tij, me vendim të Prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë, për veprën penale Kanosje nga neni 181 i Kodit Penal të Kosovës.

    Prokuroria Themelore në Gjilan brenda afateve ligjore, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale do të vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

  • Kërkohet paraburgim për gardianin që tentoi të fuste narkotikë në Dubravë

    Kërkohet paraburgim për gardianin që tentoi të fuste narkotikë në Dubravë

    Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për S.D., zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili dje u arrestua nën dyshimin se tentoi të fuste substanca narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesë për caktimin masës së paraburgimit ndaj zyrtarit të shërbimit korrektues në Dubravë, i cili është kapur me narkotikë”, tha ai.

    SHKK dje tha se rër rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e suspenduar atë nga detyra. Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër”.

  • Zyrtare:Rey Manaj rikthehet tek skuadra turke Sivaaspor

    Zyrtare:Rey Manaj rikthehet tek skuadra turke Sivaaspor

    Futbollisti shqiptar Rey Manaj është rikthyer në elitën e futbollit turk tek Sivasspor.

    Manaj nënshkroj kontratë prej 3 vite e gjysmë me Sivasspor,teksa pritet që të vesh fanellën me numrin 9 tek ekipi i Ligës së Parë të Turqisë.

    Përndryshe transferimi u konfirmua edhe në faqen zyrtare të Sivasspor në facebook,duke i uruar mirëseardhje në klub dhe reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë pritet të luaj një rol tek ekipi i cili po lufton për mbijetesë në Ligën e Parë Turke.

    Kujtojmë që Rey Manaj luajti deri më tani për skuadrën Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe,teksa edhe më herët ka luajtur për Sivassporin në vitet 2023-2025.

  • CTE, sëmundja e fshehtë që kërcënon futbollistët, PFA vendos kufizime për goditjet me kokë

    CTE, sëmundja e fshehtë që kërcënon futbollistët, PFA vendos kufizime për goditjet me kokë

    Unioni i futbollistëve britanikë, Professional Footballers’ Association (PFA), ka prezantuar protokollin e parë gjithëpërfshirës për parandalimin e CTE-së, një sëmundjeje degjenerative të trurit që prek sportistët. Sipas udhëzimeve të reja, futbollistët profesionistë nuk duhet të kryejnë më shumë se 10 goditje me kokë në javë, duke përfshirë stërvitjet, ndërsa fëmijët nën 12 vjeç nuk duhet të godasin topin me kokë fare.

    CTE (Encefalopatia Traumatike Kronike) shkaktohet nga goditje të përsëritura në kokë dhe lidhet me humbje kujtese, depresion, ndryshime të sjelljes dhe probleme mendore. Zakonisht diagnostikohet vetëm pas vdekjes. Shkencëtarët dhe autoritetet sportive po rrisin shqetësimet lidhur me dëmtimet e trurit, jo vetëm nga goditjet e forta, por edhe nga ato të përsëritura gjatë karrierës.

    Protokolli i PFA synon të reduktojë ndikimin e goditjeve me kokë gjatë gjithë jetës së futbollistëve dhe zbatohet në Premier League, FA Women’s Super League dhe ligat e tjera profesionale në Angli. Dr. Adam White, Drejtor i Shëndetit të Trurit në PFA, theksoi gjatë Samitit Global për CTE se “CTE është e parandalueshme. Më pak goditje me kokë, më pak forcë, më rrallë dhe më vonë në jetë janë mënyrat për të mbrojtur brezat e ardhshëm të sportistëve.”

    Studime të financuara nga PFA dhe Federata Angleze e Futbollit tregojnë se futbollistët profesionistë skocezë kanë 3.5 herë më shumë rrezik për demencë krahasuar me popullatën e përgjithshme. Shumë ish-lojtarë britanikë janë diagnostikuar me CTE pas vdekjes. Protokolli përfshin gjithashtu edukim vjetor, mbështetje për kërkime shkencore dhe kujdes për ish-lojtarët që dyshojnë se vuajnë nga kjo sëmundje.