ATV

Blog

  • Haradinaj në ShBA kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO

    Haradinaj në ShBA kërkon mbështetjen për anëtarësim në NATO

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë vizitës së tij në Kongresin Amerikan, ka kërkuar mbështetjen e presidentit të Amerikës, Donald Trump për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Haradinaj këtë qështje e ka adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.

    “Gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtë çështje e kam adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions”, ka shkruar Haradinaj.

  • Arrestohen dy persona për falsifikim të dokumenteve në Prizren

    Arrestohen dy persona për falsifikim të dokumenteve në Prizren

    Dy persona janë arrestuar në Prizren për falsifikim të dokumenteve.

    Sipas Policisë së Kosovës të arrestuarit një burrë dhe një grua kanë tentuar që një personi tjetër t’i mundësojnë pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me dokumente.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar ti mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese. Në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftima të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon”, thuhet në raportin 24- orësh.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Musk sulmon kryeministrin spanjoll pas planit për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit

    Musk sulmon kryeministrin spanjoll pas planit për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit

    Elon Musk e ka quajtur kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez, një “tiran”, pas propozimit të qeverisë spanjolle për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.

    Spanja ka propozuar një paketë masash që synojnë kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga adoleshentët. Kryeministri Sánchez deklaroi se qeveria po përgatit një ndalim për fëmijët nën 16 vjeç, duke theksuar se qëllimi është mbrojtja e të miturve nga ajo që ai e cilësoi si “perëndimi i egër dixhital” dhe vendosja e përgjegjësisë mbi kompanitë e teknologjisë për përmbajtjet e dëmshme dhe të urrejtjes.

    Sánchez tha të martën se nevojiten masa urgjente, duke e përshkruar hapësirën e mediave sociale si një “shtet të dështuar ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”.

    Ai kritikoi gjithashtu Elon Musk për përdorimin e platformës X për të “amplifikuar dezinformimin” lidhur me vendimin e qeverisë spanjolle për të legalizuar rreth 500 mijë punëtorë pa dokumente dhe azilkërkues, duke nënvizuar se vetë Musk është emigrant.

    Në reagim, Musk shkroi në X: “Sánchez i ndyrë është një tiran dhe një tradhtar i popullit të Spanjës”. Rreth një orë e gjysmë më vonë, ai e përshkallëzoi më tej reagimin, duke postuar se “Sánchez është totalitari i vërtetë fashist”.

    Ndërkohë, përfaqësuesit e Google, TikTok, Snapchat dhe Meta nuk reaguan menjëherë ndaj kërkesave për koment mbi masat e propozuara nga Spanja.

    Në përgjithësi, qeveritë dhe rregullatorët në mbarë botën po analizojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e kohës së kaluar nga fëmijët para ekranit në zhvillimin dhe shëndetin e tyre mendor.

  • Letër për negocim, kërkohen shuma marramendëse në Bitcoin – Dyshohet se u kidnapua nëna e Savannah Guthrie

    Letër për negocim, kërkohen shuma marramendëse në Bitcoin – Dyshohet se u kidnapua nëna e Savannah Guthrie

    Hetuesit po shqyrtojnë një zhvillim tronditës në zhdukjen e Nancy Guthrie, nëna 84-vjeçare e bashkëprezantueses së emisionit “Today”, Savannah Guthrie, pasi një media raportoi se ka marrë një dokument që mund të jetë një shënim shpërblimi, ku kërkohet pagesë në Bitcoin për kthimin e saj të sigurt.

    Sipas TMZ, media ka marrë një email herët të martën, i përshkruar si kërkesë shpërblimi, ku pretendohet se kërkohet një shumë shumë e madhe parash në kriptomonedhë dhe jepet një adresë Bitcoin ku duhet të dërgohet pagesa. Po ashtu TMZ raporton se adresa është verifikuar si reale dhe se mesazhi përfshinte një afat të caktuar si dhe një kërcënim të nënkuptuar nëse pagesa nuk kryhej.

    Mesazhi thuhet se përmban edhe detaje specifike nga vendngjarja dhe sende personale në shtëpinë e Nancy Guthrie në Tucson, duke përmendur madje se çfarë kishte veshur dhe dëmtime të raportuara në banesë, gjë që mund të sugjerojë se dërguesi ka njohuri të brendshme mbi ngjarjen. TMZ ka deklaruar se e ka përcjellë mesazhin te Zyra e Sherifit të Qarkut Pima, e cila është shprehur se është në dijeni të raportimeve dhe po i merr seriozisht çdo informacion dhe pistë. Në hetim po ndihmon edhe FBI.

    Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse shënimi është apo jo autentik e nëse lidhet realisht me rrëmbimin e dyshuar. Megjithatë, zhdukja e Nancy Guthrie vazhdon të trajtohet si një rast i mundshëm rrëmbimi dhe policia po i bën thirrje publikut të raportojë çdo informacion që mund të ndihmojë.

    Nancy Guthrie u raportua e zhdukur pasi nuk u paraqit në kishë më 1 shkurt, dhe hetuesit besojnë se ajo mund të jetë marrë nga shtëpia e saj kundër vullnetit. Shenjat e hyrjes me forcë dhe prova të tjera në vendngjarje kanë rritur shqetësimin, ndërsa deri tani nuk janë bërë publikë të dyshuar.

    Ndërsa hetimi vazhdon, policia po përqendrohet në të gjitha pistat, përfshirë edhe këtë letër për negocim, duke theksuar se ende nuk është konfirmuar vërtetësia apo legjitimiteti i asnjë kërkese për shpërblim.

  • PDK nuk e voton Vjosa Osmanin, thotë Bekim Haxhiu

    PDK nuk e voton Vjosa Osmanin, thotë Bekim Haxhiu

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, e cila pritet të mbahet në mars. Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e zgjedhjes së një kandidati që përfaqëson qytetarët dhe jo partitë politike.

    “Unë mendoj që kjo çështje do të zgjidhet me një konsensus për një kandidat që është përfaqësues i qytetarëve dhe jo një kandidat që i shërben një partie politike ose një individi,” ka thënë Haxhiu.

    Ai ka kritikuar presidenten aktuale, Vjosa Osmani, duke theksuar se gjatë mandatit të saj ka shërbyer vetëm Qeverisë së Albin Kurtit dhe LVV-së, pa trajtim të barabartë për qytetarët dhe subjektet e tjera politike.

    “Vjosa Osmani nuk e meriton të marrë një mandat të ri sepse ka dëshmuar që i ka shërbyer vetëm Albin Kurtit dhe LVV-së gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk ka pasur guximin të kthejë asnjë ligj antikushtetues qeverisë Kurti. Të gjitha ligjet i ka nënshkruar pa rezistencë,” ka shtuar Haxhiu.

    Haxhiu ka theksuar gjithashtu se si juriste, Osmani nuk ka mbrojtur integritetin e institucioneve dhe kushtetutshmërinë. “Dikush që nuk i mbron institucionet dhe kushtetutshmërinë në këtë vend nuk e meriton të jetë president,” ka thënë ai, duke paralajmëruar se PDK nuk do ta votojë për një mandat të ri.

  • KRU “Prishtina” intervenon në disa zona kyçe të kryeqytetit

    KRU “Prishtina” intervenon në disa zona kyçe të kryeqytetit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në disa zona të kryeqytetit sot do të ketë intervenime nga ekipet e mirëmbajtjes.

    Ekipet në terren do të ndërhyjnë me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së furnizimit me ujë.

    Intervenimi do të bëhet në këto zona: rruga “Shaqir Igrishta”, rruga B, rruga C, rruga “Halil Ali Ademaj”, rruga “Ilir Konushevci”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Shefqet Shkupi”, rruga “Rexhep Krasniqi”, rruga “Jala” në fshatin Bardhosh, si dhe rruga “Njësiti Buna” në Besi.

    Gjatë intervenimit mund të ketë reduktime të ujit

  • Zbulohet testamenti i Jeffrey Epstein, e nënshkroi atë dy ditë para vdekjes

    Zbulohet testamenti i Jeffrey Epstein, e nënshkroi atë dy ditë para vdekjes

    Muaj para arrestimit të tij me akuzat për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual, Jeffrey Epstein la të kuptohej se më në fund po planifikonte të vendosej në një vend të sigurt.

    Një shënim i shkruar me dorë në një dokument financiar, i nënshkruar vetëm dy ditë para vetëvrasjes së tij në burg, zbulon se ai i dha të dashurës së tij të atëhershme, Karyna Shuliak, një unazë diamanti 32.73 karatësh “për qëllim martese”.

    Pas vdekjes së tij, Epstein planifikoi t’i linte të fejuarës së tij 100 milionë dollarë dhe të gjitha pasuritë e tij të patundshme, duke përfshirë një rezidencë në Manhattan, një apartament në Paris, një fermë në New Mexico dhe dy ishuj privatë në Ishujt Virgjër të SHBA-së.

    Këto detaje u përcaktuan në një dokument të njohur si “Fondacioni 1953”, në të cilin miliarderi me lidhje të forta renditi se kush do të trashëgonte pasuritë e tij, të cilat atëherë vlerësoheshin në 630 milionë dollarë.

    Ai e nënshkroi dokumentin më 8 gusht 2019, ndërsa ishte në paraburgim në Manhattan për akuza federale për trafikim qeniesh njerëzore, dhe ai u finalizua më vonë atë muaj.

    Edhe pse ekzistenca e tij u përmend në një testament të disponueshëm publikisht dhe në çështjet gjyqësore që lidheshin me pasurinë e tij, përmbajtja e tij mbeti sekret për vite me radhë pas vdekjes së tij. “Fondacioni 1953” zëvendësoi një dokument të mëparshëm të planifikimit financiar nga janari i atij viti. Versionet e redaktuara të të dy dokumenteve u publikuan si pjesë e një koleksioni të dokumenteve të Epstein sipas Aktit të Transparencës.

    Së bashku, dokumentet nga të dy fondacionet ofrojnë informacion mbi rrethin e ngushtë të financierit, përfshirë Shuliak, si dhe marrëdhënien e tij me ish-të dashurën e tij Eva Andersson Dubin dhe vajzën e saj të madhe. Asgjë në dokumente nuk sugjeron ndonjë sjellje të keqe nga ndonjëri prej individëve, shumë prej të cilëve janë identifikuar më parë si bashkëpunëtorë të Epstein dhe i kanë dënuar publikisht veprimet e tij.

    Që nga shtatori i vitit 2025, raporti i fundit i disponueshëm publikisht, pasuria e Epstein vlente rreth 127 milionë dollarë. Që nga vdekja e tij, ajo është rënduar nga paditë dhe negociatat me kreditorët. Programi i kompensimit u ka paguar 125 milionë dollarë më shumë se 100 viktimave dhe qindra milionë dollarë janë shpenzuar për taksa, zgjidhje dhe shpenzime të tjera.

    Karyna Shuliak, dentiste me profesion, është përfituesja më e madhe e “Fondacionit 1953”. Ajo është gjithashtu personi i fundit jashtë një burgu në Manhattan që dihet se ka folur me Epstein. Mbrëmjen para vdekjes së tij, ai kaloi 20 minuta në një bisedë telefonike të paregjistruar me të, sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve. Shuliak nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

  • Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria në Pejë nis hetime për dyshime në numërimin e votave, intervistohen komisionerët

    Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

    Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës.

    “Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Po ashtu, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”, thuhet më tej në njoftim.

    Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me subjektet apo numrin e personave të përfshirë.

  • ‘Diella’ fiton çmimin e parë për përdorimin e inteligjencës artificiale

    ‘Diella’ fiton çmimin e parë për përdorimin e inteligjencës artificiale

    Ministrja e parë e krijuar me inteligjencën artificiale, “Diella”, është vlerësuar me çmimin “Future Fit Seal – Global Edition Award” në samitin e Qeverive Botërore që u mbajt në Dubai.

    Ajo u vlerësua për modelin inovativ të qeverisjes digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike, një nismë që rrit transparencën, efikasitetin dhe përmirëson shërbimet për qytetarët.

    Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se ky është një vlerësim ndërkombëtar për Shqipërinë dhe një hap më afër modernizimit të administratës publike, duke përdorur teknologjinë për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

    Shqipëria u bë vendi i parë në botë që ka një ministre me Inteligjencë Artificiale në mandatin e ri qeverisës, “Rama 4”. “Diella” është vlerësuar edhe nga vendet ndërkombëtare duke e cilësuar si një vizion që ofron shërbime publike më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse.

  • Ish-gruaja e Bill Gates reagon pas ai u përmend në dosjen Epstein

    Ish-gruaja e Bill Gates reagon pas ai u përmend në dosjen Epstein

    Filantropja miliardere Melinda French Gates ka thënë se përmendja e ish-bashkëshortit të saj Bill Gates në dokumentet e reja të lidhura me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein është një kujtesë e “kohërave të dhimbshme në martesë”.

    Duke folur për një podcast të NPR, ajo tha se ndjente “trishtim të madh” për viktimat e Epstein dhe se njerëzit e përmendur në dosje, përfshirë ish-bashkëshortin e saj, duhet të mbahen përgjegjës, raporton BBC .

    “Jam shumë i lumtur që jam larg gjithë asaj ndyrësie”, tha French Gates. Çifti u divorcua në vitin 2021 pas 27 vitesh martesë.

    “Personalisht, është e vështirë për mua sa herë që këto detaje dalin në sipërfaqe sepse më kthejnë pas në disa kohë shumë, shumë të dhimbshme në martesën time”, tha ajo në podkastin “Wild Card”.

    Ajo shtoi: “Çfarëdo pyetjeje që mbetet pa përgjigje – dhe as nuk mund ta imagjinoj se çfarë janë të gjitha – ato janë pyetje për ata njerëz, përfshirë ish-burrin tim. Ata duhet t’u përgjigjen këtyre gjërave, jo unë.”

    Çfarë fshihet në dokumentet e Epstein?

    Dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmbajnë pretendimin e Epstein se Bill Gates u infektua me një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Epstein duket se ka hartuar dy email-e më 18 korrik 2013, por nuk është e qartë nëse ato i janë dërguar ndonjëherë Gates.

    Të dyja u dërguan nga llogaria e email-it të Epstein dhe u kthyen në të njëjtën llogari, me adresën e lidhur me Gates të padukshme dhe mesazhet e pafirmosura. Një email u shkrua si dorëheqje nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates, duke u ankuar se iu desh të merrte ilaçe për Bill-in “për t’u përballur me pasojat e marrëdhënieve seksuale me gra ruse”.

    Në të dytin, i cili fillon me “i dashur Bill”, Epstein ankohet se Gates i dha fund miqësisë së tyre dhe bën pretendime të mëtejshme se Gates u përpoq ta fshihte infeksionin seksualisht të transmetueshëm, ndër të tjera, nga gruaja e tij e atëhershme, Melinda.

    Përgjigja e Gates: “Absolutisht absurde”

    Një zëdhënës i Bill Gates i quajti pretendimet “absolutisht absurde”. “Këto pretendime, që vijnë nga një gënjeshtar i provuar dhe i deklaruar, janë absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”, tha ai.

    Asnjë viktimë e Epstein nuk e ka akuzuar Bill Gates për abuzim, dhe përmendja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton ndonjë aktivitet kriminal.