ATV

Blog

  • Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i LDK-së flet për zgjedhje të reja në prill: Vetëm ato e ndalin Albin Kurtin

    Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Bajram Gecaj beson se autonomia për veriun e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, është e paevitueshme.

    Për këtë shkak, ai thotë se Kurti duhet të hiqet nga pushteti dhe se zgjedhjet e mundshme në muajin prill të këtij viti janë e vetmja rrugë për të arritur këtë qëllim.

    Sipas Gecajt, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të vendit.

    “Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook të mërkurën.

    Tutje, ai ka thënë se “vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.”

    Postimi i plotë:

    AUTONOMI E SIGURT PËR VERIUN …

    Qeveria Mustafa trashëgoi Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga ish Kryeministri Thaçi në vitin 2013. Megjithatë, ajo marrëveshje u zbut maksimalisht, brenda kufijve të së mundshmes, me marrëveshjen e vitit 2015. Në atë proces u vendosën filtra të fuqishëm mbrojtës për Kosovën: letra e Përfaqësueses së Lartë Mogherini, kontrolli i Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesa eksplicite që çdo zbatim të bëhej në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, ne ishim të bindur se marrëveshja e riformuluar nuk e dëmtonte shtetin, dhe ishim të gatshëm të fillonim zbatimin. Por pala serbe ishte ajo që e refuzonte, sepse nuk u konvenonte.

    Kjo ndodhi sepse në ekip kishte profesionistë të vërtetë, njerëz që nuk mashtroheshin lehtë dhe që kishin përvojë të gjatë në ligj, diplomaci dhe dialog ndërkombëtar.

    Profesori Enver Hasani, eksperti më i shquar kushtetues që ka Kosova, paralajmëron qartë: “Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila rregullon materien kushtetuese njësoj si Kushtetuta Formale e votuar në Kuvend, por pa ndjekur procedurat kushtetuese.”

    Ky është thelbi i rrezikut.

    Pse po ndodh kjo? Sepse populistët joprofesionistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë besuar se mund ta mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç e mashtruan elektoratin e vet, duke e lënë kështu Kosovën pa mburojë e me “kopil te dera.”

    Me përgjegjësi të plotë e them se me Albin Kurtin, edhe katër vite në qeverisje, autonomia për veriun është e sigurt, por me një perspektivë reale dhe të rrezikshme të ndarjes faktike, e më pas edhe formale të veriut.

    Edhe Lulzim Peci, tashmë një analist i dëshmuar ndër vite, ka plotësisht të drejtë kur thotë se “Marrëveshja e Brukselit, deshëm apo nuk deshëm ne ta pranojmë, aty është një pikë që kryeministri ynë e ka pranuar: vetëqeverisja e komunitetit serb në Kosovë.”

    Ironia është tronditëse. Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj dikur e “kallën” Kosovën për një marrëveshje që nuk do ta dëmtonte as për një milimetër rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit.

    Ndërsa sot? Çfarë kemi bërë ne për të kundërshtuar një marrëveshje që e ndryshon rrënjësisht rendin kushtetues të Kosovës?

    Asgjë. Heshtje. Dorëzim. Dhe rrezik historik.

    Vetëm zgjedhjet e prillit mund ta ndalin përshkallëzimin e rolit dëmtues të Albin Kurtit.

  • Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Peci tallet keq me degën e LDK-së në Mitrovicë: Me 3% nuk punon as iPhone

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    Në anën tjerër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka bërë një reagim tallës në lidhje me këtë çështje.

    “Me 3% nuk punon as iPhone-i”, ka shkruar ai.

  • LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    LDK e konfirmon prishjen e koalicionit me Pecin në Mitrovicë, shkak emërimi i drejtorit për Kulturë

    Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit në Mitrovicë të Jugut është prishur.

    Kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, ka konfirmuar se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Ai në reagimin e tij ka përmendur emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që siç ka thënë është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës.

    Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë.

    Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli.

  • Epstein dëshironte të blinte “Vilën e Titos”, Lajçak i shpjegoi se vendet e ish-Jugosllavisë nuk do të bien kurrë dakord

    Epstein dëshironte të blinte “Vilën e Titos”, Lajçak i shpjegoi se vendet e ish-Jugosllavisë nuk do të bien kurrë dakord

    Dokumentet e reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregojnë se financieri kishte dëshirë të blinte ndërtesën e ish-ambasadës së Jugosllavisë në New York, e njohur si “Vila e Titos”.

    Ndër dokumentet e reja, të publikuara disa ditë më parë, gjendet një email që Epstein kishte marrë me 26 fotografi të kësaj vile, si dhe një prerje nga New York Post me titullin “për 50 milionë dollarë mund të bëheni pronar i vilës së fundit nga epoka e artë e Manhatanit”.

    Më 10 dhjetor 2018, Epstein mori një email nga këshilltari financiar David Mitchell, i cili e informonte se në këtë ndërtesë kishte ndodhur një zjarr dhe se ndoshta ishte momenti i duhur për të dërguar një ofertë, raporton klix..ba.

    Më pas, financieri dërgoi një lidhje të New York Post në dy adresa emaili, ku përmendej zjarri, dhe ata e informuan se ndërtesa tani duhet të ishte dukshëm më e lirë.

    Megjithatë, Epstein në fund nuk e bleu vilën. Ajo u shit katër vjet më vonë për 50 milionë dollarë, ndërsa Serbisë i takuan 40 për qind e shumës, në bazë të Aneksit B të Marrëveshjes për suksesionin e pasurisë së ish-RSFJ-së jashtë vendit. Shtetit tonë i takuan 7.5 milionë dollarë.

    Interesant është fakti se, gjatë përpjekjes për ta blerë këtë ndërtesë, Epstein kontaktoi edhe ish-Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Miroslav Lajçak.

    Ishte data 25 tetor 2017 kur Epstein i dërgoi një SMS Lajçakut se “shkova ta shoh ish-ambasadën jugosllave. Më thanë se është në shitje, por se të pesë qeveritë duhet të bien dakord, ajo serbe dhe të tjerat. Interesante”.

    Lajçak iu përgjigj se “kurrë nuk do të bien dakord. Që nga viti 2001 po përpiqen të merren vesh për ndarjen e pasurisë dhe fundi nuk duket. Për gjithçka që lidhet me ish-Jugosllavinë ose shtetet pasardhëse aktuale, duhet të konsultohesh me mua, i njoh deri në thelb”.

    Kujtojmë se Lajçak përmendet shpesh në dosjet për Epsteinin dhe se disa ditë më parë, për këtë arsye, ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

  • Mayweather vs. Showtime – Legjenda e boksit kërkon rikthimin e pasurisë së tij!

    Mayweather vs. Showtime – Legjenda e boksit kërkon rikthimin e pasurisë së tij!

    Floyd “Money” Mayweather po hyn në një lloj tjetër ringu, në sallë të gjyqit dhe kjo luftë mund të vlejë qindra miliona dollarë.

    Ikona e pamposhtur e boksit ka paditur “Showtime” dhe ish-drejtuesin Stephen Espinoza, duke pretenduar se një pjesë e madhe e fitimeve të karrierës së tij ka “zhdukur”.

    Sipas padisë, rreth 340 milionë dollarë janë “të papërllogaritur”, dhe ai akuzon rrjetin se ka ndihmuar këshilltarin e tij të gjatë Al Haymon të keq-menaxhojë ose të keqpërdorojë paratë nga eventet e mëdha pay-per-view. Mayweather insiston se ai ishte një nga krijuesit më të mëdhenj të të ardhurave për “Showtime” dhe se meriton çdo dollar që ka fituar.

    Situata bëhet edhe më e komplikuar, sepse Mayweather pretendon se ka tentuar të ketë akses në dokumentet financiare për të gjurmuar paratë, por pretendon se dokumentet kyçe nuk ishin të disponueshme ose mungonin, gjë që vetëm i ka shtuar dyshimet. Tani ai kërkon një llogari të plotë, kthimin e parave dhe dëmshpërblime shtesë.

    Floy “MONEY” Mayweather e ka ndërtuar perandorinë e tij mbi fitore dhe nuk do të tërhiqet derisa të marrë përgjigje… dhe milionat e tij.

  • I dha Epsteinit të dhëna qeveritare, autoritetet britanike nisin hetim ndaj Mandelson

    I dha Epsteinit të dhëna qeveritare, autoritetet britanike nisin hetim ndaj Mandelson

    Policia Metropolitane e Londrës ka nisur një hetim penal ndaj Peter Mandelson, ish-ministër i qeverisë laburiste dhe ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, për dyshime për sjellje të keqe në ushtrimin e detyrës publike.

    Hetimi lidhet me akuza se ai ka përcjellë informacion qeveritar të ndjeshëm ndaj tregut te financuesi amerikan Jeffrey Epstein gjatë vitit 2009, kur Mandelson ishte sekretar biznesi në qeverinë e Gordon Brown.

    Hetimi u hap pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ku email-e të supozuara tregojnë diskutime mbi masa ekonomike gjatë krizës financiare globale, përfshirë taksën mbi bonuset e bankierëve dhe një paketë shpëtimi të BE-së.

    Dokumentet sugjerojnë gjithashtu pagesa financiare nga Epstein drejt Mandelson, të cilat Mandelson i ka mohuar ose ka thënë se nuk i kujton.

    Mandelson nuk ka komentuar publikisht, por ka mohuar çdo veprim kriminal dhe ka deklaruar se nuk ka përfituar financiarisht.

    Ai ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve, megjithëse do të ruajë titullin e fisnikut për jetë, i cili mund t’i hiqet vetëm me ligj të veçantë.

    Qeveria britanike ka thënë se po bashkëpunon plotësisht me policinë dhe po shqyrton legjislacionin për heqjen e titullit të tij.

    Kryeministri Sir Keir Starmer e quajti çështjen “të turpshme”, ndërsa opozita po kërkon publikimin e dokumenteve dhe hetime të mëtejshme mbi procesin e emërimit të Mandelson si ambasador.

  • Kate Hudson shkëlqen në Londër gjatë promovimit të filmit “Song Sung Blue”

    Kate Hudson shkëlqen në Londër gjatë promovimit të filmit “Song Sung Blue”

    Kate Hudson ka tërhequr vëmendjen në Londër me paraqitjen e saj elegante gjatë shfaqjes speciale të filmit “Song Sung Blue”. Aktorja u shfaq me një kostum gri me kuadrate, duke reflektuar stil të rafinuar dhe elegancë, të cilin e kompletoi me këpucë klasike dhe një model flokësh minimalist e modern.

    Paraqitja e saj u vlerësua nga të pranishmit dhe mediat, duke e vendosur Hudson në qendër të vëmendjes gjatë sezonit të çmimeve. Ngjarja u zhvillua në një moment të rëndësishëm për aktoren, pasi ajo ka marrë një nominim për çmimin BAFTA në kategorinë e Aktores Kryesore për rolin e saj në këtë dramë muzikore, e frymëzuar nga një histori e vërtetë.

    Interpretimi i Hudson ka marrë reagime shumë pozitive si nga kritikët, ashtu edhe nga publiku, ndërsa nominimi për BAFTA vlerësohet si një arritje e rëndësishme në karrierën e saj. Aktorja ka shprehur hapur emocionin dhe mirënjohjen për këtë vlerësim, duke e cilësuar si një nder personal dhe profesional, si dhe ka ndarë momente entuziazmi me ndjekësit në rrjetet sociale.

    Aktualisht, Kate Hudson po vazhdon turneun promovues të filmit në Londër dhe qytete të tjera, ndërsa “Song Sung Blue” po konsolidohet si një nga projektet më të spikatura kinematografike të këtij viti.

  • Emocionet e gjysmëfinales, sonte dy ndeshjet e para të Kupës së Kosovës

    Emocionet e gjysmëfinales, sonte dy ndeshjet e para të Kupës së Kosovës

    Koha është për gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll që premtojnë spektakël.

    Pas sfidave shumë interesante në çerekfinale, katër skuadrat më të mira premtojnë angazhim maksimal e spektakël të basketbollit.

    Gjysmëfinalja e parë do të jetë ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës, që e duan finalen dhe trofeun e çmuar të basketbollit të Kosovës. Prizrenasit në çerekfinale eliminuan GO+ Pejën, kurse prishtinasit eliminuan Vëllaznimin.

    Trepça-Bora po ashtu do të jetë një përballje interesante, me mitrovicasit që synojnë të mbrojnë trofeun, si dhe me prishtinasit që synojnë finalen e parë të Kupës. Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin, kurse kryeqytetasit eliminuan Rahoveci 029.

    Ashtu si në çerekfinale, edhe në gjysmëfinale zhvillohen nga dy ndeshje, vajtje-ardhje dhe skuadra më e mirë nga dy takimet kalon në finale.

    Edicionin e kaluar Trepça kishte mundur Bashkimin në finale 85:79.

    Gjysmëfinalet e Kupës

    E mërkurë

    18:45 Bashkimi – Sigal Prishtina

    18:45 Trepça – Bora

  • Pesë raste të dhunës në familje raportohen për një ditë në Polici

    Pesë raste të dhunës në familje raportohen për një ditë në Polici

    Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici brenda 24 orëve, e ku në njërin rast që ka ndodhur në Gjakovë është në kërkim policor.

    DHUNË NË FAMILJE

    Prishtinë/ 02.02.2026 Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj, nën dyshimin se ka ushtuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Klinë/ 03.02.2026 – 17:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Pejë/ 03.02.2026 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    · Gjakovë /03.02.2026-10:30. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin për kryerje të veprës penale të lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit personi i dyshuar është dërguar në mbajtje.

    · Gjakovë/ 03.02.2026 – 17:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Lidhur me rastin i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

  • Pse miqësitë e sinqerta po zhduken gradualisht në shoqërinë moderne

    Pse miqësitë e sinqerta po zhduken gradualisht në shoqërinë moderne

    A ju ndodh shpesh të ndjeni se miqësitë e vërteta po humbin vlerën e tyre në shoqërinë e sotme? Kjo ndjesi është gjithnjë e më e përhapur. Shumë aspekte të jetës moderne duken të ndërtuara mbi sipërfaqshmëri dhe shtirje. Politikanë që pretendojnë se kujdesen për qytetarët, influencerë pa thelb që shndërrohen në modele për të rinjtë, apo figura publike që e përdorin bamirësinë si mjet marketingu për vëmendje personale.

    Edhe pse fenomene të tilla kanë ekzistuar gjithmonë, sot ato janë më të dukshme për shkak të ndikimit të madh të rrjeteve sociale. Një rol të rëndësishëm luan edhe konsumerizmi, i cili në shumë drejtime ka deformuar mënyrën se si e perceptojmë jetën dhe marrëdhëniet. Pikërisht për këtë arsye, miqësitë e vërteta po bëhen gjithnjë e më të rralla. Më poshtë janë tre arsyet kryesore pse kjo po ndodh.

    Trajtimi i njerëzve si objekte është bërë normalitet

    Mendësia konsumatore nuk ndikon vetëm në mënyrën se si i shohim sendet materiale, por edhe në mënyrën se si i shohim njerëzit. Ajo ka depërtuar aq thellë në mendjet tona, saqë shpesh i trajtojmë marrëdhëniet si produkte konsumi.

    Kjo shpjegon pse sot shumë njerëz i shohin miqësitë dhe lidhjet nga këndvështrimi “jap–marr”. Dëgjojmë shpesh shprehje si: “Kërkoj një person që…”, “Kam nevojë për një mik që…”, “Partneri im duhet të jetë…”. Marrëdhëniet kthehen në lista kërkesash, të ndërtuara mbi dëshira dhe pritshmëri personale.

    Në këtë kontekst, shumë pak njerëz pyesin veten se çfarë janë të gatshëm të japin. Fokusimi te përfitimi personal, në vend të lidhjes së sinqertë, krijon vetëm miqësi të dobëta dhe të rreme.

    Të dukesh i sjellshëm vlerësohet më shumë se sa të jesh i vërtetë

    Nevoja për t’u pranuar është njerëzore, por rrjetet sociale e kanë shndërruar atë në varësi. Sot, platformat online janë të mbushura me imazhe të përsosura që nuk përfaqësojnë realitetin, ndjenja të stisura dhe mesazhe që nuk pasqyrojnë mendimet e vërteta të atyre që i postojnë.

    Kjo prirje ka ndikuar edhe në marrëdhëniet personale. Shpesh, prioritet bëhet të dukesh i këndshëm për të tjerët, jo të jesh realisht i tillë. Njerëzit buzëqeshin edhe kur nuk ndihen kështu, zhvillojnë biseda pa interes dhe thonë fjalë të bukura që nuk i mendojnë.

    Ata që shprehen hapur dhe nuk fshehin mendimet e tyre shpesh etiketohen si të ashpër apo të pandjeshëm. Megjithatë, ekziston një dallim i madh mes mirësjelljes së vërtetë dhe shtirjes për t’u dukur i sjellshëm.

    Lidhjet e qëndrueshme nuk vlerësohen më

    Shoqëria konsumatore nuk na mëson të vlerësojmë njerëzit, por të përfitojmë prej tyre. Dikur, kur diçka prishej, përpiqeshim ta rregullonim. Sot, zëvendësimi është zgjedhja më e shpejtë dhe më e lehtë.

    Kjo logjikë është transferuar edhe në marrëdhëniet njerëzore. Pa e kuptuar, mësohemi me idenë se gjithçka dhe të gjithë janë të zëvendësueshëm. Një mik i ri, një partner i ri, një lidhje e re – gjithmonë duket sikur ka alternativa.

    Por marrëdhëniet njerëzore nuk funksionojnë si produktet e konsumit. Ato kërkojnë durim, përkushtim dhe përpjekje. Ndonjëherë, një miqësi ka nevojë të “riparohet”, jo të braktiset. Vetëm kështu mund të ndërtohen lidhje të qëndrueshme dhe domethënëse.