ATV

Blog

  • A u fejua Bad Bunny në fshehtësi? Unaza që ngriti pikëpyetje

    A u fejua Bad Bunny në fshehtësi? Unaza që ngriti pikëpyetje

    Bad Bunny tërhoqi gjithë vëmendjen gjatë ceremonisë së Grammy 2026, kur u shfaq me një unazë luksoze që menjëherë ndezi rrjetet sociale. Pamja e aksesori­t shkëlqyes mjaftoi që fansat të nisnin spekulime për një fejesë të mundshme dhe një lidhje të mbajtur larg syrit të publikut.

    Dyshimet u përhapën me shpejtësi, teksa unaza ishte e dukshme gjatë gjithë mbrëmjes, duke shtyrë ndjekësit të pyesnin nëse artisti 31-vjeçar kishte bërë në fshehtësi një hap të madh në jetën personale.

    Megjithatë, këto aludime u hodhën poshtë. Sipas TMZ, një burim pranë këngëtarit ka sqaruar se Bad Bunny nuk është i fejuar dhe se bizhuteria nuk lidhet me asnjë marrëdhënie romantike.

    Burimi thekson se unaza ishte thjesht një dhuratë luksoze nga Cartier, pa ndonjë domethënie të fshehtë, duke përjashtuar çdo lidhje me fejesë apo trashëgimi familjare.

    Zgjedhja për ta mbajtur atë aksesor në tapetin e kuq lidhet më shumë me pasionin e Bad Bunny për modën dhe stilin unik, sesa me jetën e tij sentimentale. Për më tepër, mbrëmja rezultoi e suksesshme për artistin, i cili u largua nga ceremonia me tre çmime Grammy.

  • Mediat italiane dhe spanjolle nxjerrin në pah Shqipërinë si destinacion turistik për 2026

    Mediat italiane dhe spanjolle nxjerrin në pah Shqipërinë si destinacion turistik për 2026

    Shqipëria po fiton vëmendje gjithnjë e më të madhe në skenën turistike ndërkombëtare. Një nga faqet më të njohura italiane për udhëtime, “Turisti per Caso”, i ka dedikuar vendit tonë një artikull të hollësishëm, duke sugjeruar një itinerar 7-ditor për të eksploruar pasuritë e tij natyrore dhe kulturore.

    Sugjerimi për ditën e parë nis me Tiranën, porta kryesore hyrëse për turistët e huaj. Vizitorëve u rekomandohen Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Beut, zonat kulturore të ndryshme, si dhe pjesa panoramike e Malit të Dajtit.

    Ditët e dyta dhe të treta udhëtimi mund të përqendrohet te Kruja dhe Shkodra, dy qytete që pasqyrojnë historinë dhe identitetin kombëtar të Shqipërisë.

    Artikulli përmend edhe qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës. Në Berat, vizitorët mund të eksplorojnë lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, që përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan. Gjirokastra, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq me arkitekturën unike prej guri dhe rrugicat me kalldrëm.

    Në itinerarin turistik nuk mund të mungonte Rivijera Shqiptare, me plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himarë, të njohura për ujërat e kristalta dhe peizazhet mahnitëse.

    Për t’i dhënë fund udhëtimit, faqja sugjeron një ndalesë në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak.

    Edhe media spanjolle “The Officer” ka vënë në dukje Shqipërinë si një destinacion të shkëlqyer për t’u vizituar në vitin 2026, duke nënvizuar se vizita në Rivierën Shqiptare ofron një përvojë të jashtëzakonshme për turistët.

  • Draco Malfoy bëhet simbol i fatit për Vitin e Ri Hënor në Kinë

    Draco Malfoy bëhet simbol i fatit për Vitin e Ri Hënor në Kinë

    Një fenomen i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Kinë në prag të Vitit të Ri Hënor, Draco Malfoy, personazhi i njohur nga seria Harry Potter, është shndërruar në një simbol festiv të fatit të mirë.

    I interpretuar nga aktori britanik Tom Felton, Draco Malfoy shfaqet në shtëpi kineze përmes dekorimeve festive të shitura në platformat e tregtisë elektronike. Ky trend lidhet me përkthimin kinez të emrit Malfoy, “Ma-er-fu”, që përmban fjalët “kalë” dhe “fat” – një kombinim veçanërisht i favorshëm për Vitin e Kalit.

    Seria Harry Potter gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm në Kinë. Qindra miliona libra janë shitur ndër vite, ndërsa rishfaqja e filmit të parë në vitin 2020 arkëtoi mbi 90 milionë juanë brenda vetëm tre ditësh.

    Tradicionalisht, familjet kineze zbukurojnë shtëpitë për Vitin e Ri Hënor me kuplete urimesh dhe fuzi – letra të kuqe që simbolizojnë begatinë dhe fatin e mirë. Së fundmi, këto simbole po zëvendësohen shpesh me imazhe të Draco Malfoy-t, të vendosura përmbys, sipas traditës që nënkupton ardhjen e fatit.

    Në rrjetet sociale kineze, përdoruesit shpërndajnë foto dhe mesazhe si “Shpërndaje këtë imazh për fat të mirë”, ndërsa tregtarët në platformën Taobao kanë nxjerrë në treg ngjitëse dhe magnete me figurën e personazhit.

    Trendi ka tërhequr edhe vëmendjen e vetë Tom Felton, i cili e cilësoi personazhin e tij si një “simbol të Vitit të Ri Kinez” në një postim në Instagram, duke nxitur reagime pozitive nga fansat.

    Ndërkohë, Warner Bros Discovery ka njoftuar se në vitin 2027 do të hapë në Shangai studion më të madhe në botë “The Making of Harry Potter”, duke konfirmuar edhe një herë popullaritetin e madh të franshizës në Kinë.

  • Mesazh emocional nga Beatrix Ramosaj pas diagnozës së nënës

    Mesazh emocional nga Beatrix Ramosaj pas diagnozës së nënës

    Këngëtarja e njohur Beatrix Ramosaj ka ndarë me publikun një moment shumë personal dhe të vështirë familjar. Ajo ka bërë të ditur se nëna e saj është përballur me një diagnozë të rëndë shëndetësore dhe ka nisur trajtimin mjekësor.

    Përmes disa postimeve në InstaStory, artistja ka shprehur emocionet e saj, duke treguar se ndonëse fizikisht nuk ndodhet pranë së ëmës, mbështetja e saj emocionale është e pandarë në çdo çast.

    Beatrix ka njoftuar gjithashtu se një fazë e rëndësishme e trajtimit është kaluar me sukses, duke e cilësuar këtë si një hap të madh përpara dhe duke shprehur admirim për forcën dhe durimin e nënës së saj gjatë kësaj beteje.

    Në mesazhet e saj, këngëtarja nuk ka lënë pa përmendur as përkrahjen e madhe që po merr nga ndjekësit dhe miqtë, duke theksuar se lutjet dhe fjalët e mira kanë qenë një burim i madh force për familjen.

    Në fund, ajo ka kërkuar mirëkuptim për mungesën e reagimeve individuale, duke sqaruar se kjo periudhë kërkon qetësi, ndërsa mbështetja e publikut mbetet jashtëzakonisht e çmuar.

  • Pinterest shkarkon dy inxhinierë për shkelje të privatësisë së punonjësve të pushuar

    Pinterest shkarkon dy inxhinierë për shkelje të privatësisë së punonjësve të pushuar

    Pinterest ka larguar nga puna dy inxhinierë pasi ata përdorën mjete të brendshme për të identifikuar se cilët punonjës ishin pushuar.

    Sipas kompanisë, inxhinierët krijuan skripte të personalizuara që aksesonin në mënyrë të paautorizuar informacion konfidencial, duke zbuluar emrat dhe vendndodhjet e ish-punonjësve. Ky informacion më pas u shpërnda edhe tek persona të tjerë.

    “Kjo ishte një shkelje e qartë e politikave të Pinterest dhe e privatësisë së ish-kolegëve tanë,” deklaroi një zëdhënës i kompanisë për BBC.

    Shkarkimet vijnë në një kohë kur Pinterest ka njoftuar se do të reduktojë rreth 15% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 700 vende pune, si pjesë e strategjisë së re të fokusuar tek inteligjenca artificiale. Drejtori ekzekutiv, Bill Ready, tha në një email se kompania po “dyfishon përkushtimin ndaj një qasjeje të orientuar drejt AI-së”.

    Burime të afërta me rastin bëjnë të ditur se skriptet përdornin mjete të brendshme komunikimi, si Slack, për të gjeneruar sinjalizime kur llogaritë e punonjësve çaktivizoheshin – një mënyrë e zakonshme për të identifikuar kush është prekur nga pushimet nga puna.

    Identitetet e dy inxhinierëve të shkarkuar nuk janë bërë publike dhe ata nuk kanë komentuar mbi rastin.

    Industria e teknologjisë po përballet me shkurtime masive vitet e fundit. Vetëm këtë vit, kompani si Amazon, Meta, Google dhe Microsoft kanë larguar mijëra punonjës. Sipas platformës Layoffs.fyi, rreth 700 mijë persona janë pushuar nga puna në sektorin global të teknologjisë gjatë katër viteve të fundit.

  • Ernest Muçi shkëlqen në Kupën e Turqisë

    Ernest Muçi shkëlqen në Kupën e Turqisë

    Ernest Muçi po kalon një formë fantastike këtë sezon dhe po dëshmon se është një nga futbollistët më efektivë të Kombëtares shqiptare.

    Sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 të Trabzonsporit ndaj Fethiyesporit, ndeshje e vlefshme për Kupën e Turqisë. Pas disa goditjeve nga distanca dhe një goli të anuluar për pozicion jashtë loje, Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 69-të me një goditje spektakolare që surprizoi të gjithë.

    Dhjetë minuta më vonë, ai dha asistin për golin e tretë, duke përforcuar një mbrëmje të jashtëzakonshme për ekipin e tij.

    “Sigurisht që jam i lumtur që gjërat po shkojnë mirë për mua dhe për ekipin, që po fiton dhe po performon mirë. Kam besim te stafi dhe te të gjithë njerëzit përreth,” tha Muçi pas ndeshjes.

    Në këtë sezon, 24-vjeçari ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke ndihmuar Trabzonsporin të ëndërrojë për tituj. Aktualisht, skuadra turke ka grumbulluar 6 pikë pas tre ndeshjeve të Kupës dhe renditet e treta në kampionat, me 7 pikë më pak se lideri Galatasaraj.

  • Truqe të thjeshta për të larguar pluhurin nga shtëpia

    Truqe të thjeshta për të larguar pluhurin nga shtëpia

    Aq më pak pluhur që ka në një shtëpi, aq më të gëzueshëm dhe të shëndetshëm do të jenë njerëzit që jetojnë aty. Por, fatkeqësisht nuk është lehtë ta hiqni pluhurin. Megjithatë, ekzistojnë disa truqe me ndihmën e të cilave do të mund të ballafaqoheshit më lehtë me këtë dukuri, dhe më e mira e kësaj është se këto truqe janë të lira për kah çmimi dhe shumë të thjeshta për kah aplikimi.

    Peceta të lagëta (për fëmijë)
    Për ta hequr qafe pluhurin, bërllokun dhe njollat në tastierë të laptopit, mjafton ta shkundni disa herë atë dhe ta pastroni me peceta të lagëta për fëmijë. Rezultatet janë të mahnitshme, por duhet të siguroheni që laptopi juaj është i ndalur para se ta bëni këtë.

    Peceta me zbutës
    Për ta larguar pluhurin nga sipërfaqet e ndryshme si ajo e tavolinës apo pluhurin në televizor, dhe t’i bëni efektet të zgjasin më shumë, mund të përgatitni një zgjidhje të veçantë për këtë. Merrni një pjesë të zbutësit normal dhe katër pjesë ujë. Produktin e vendosni në një sprej dhe pastroni gjithçka që është e nevojshme me të, qofshin këto pasqyre, tavolina nga xhami etj.

    Furça të buta
    Nëse dëshironi të pastroni vende të cilat mund t’i arrini me vështirësi, atëherë furçat e buta vetëm sa ua thjeshtësojnë këtë punë. P.sh., me furça të buta mund të pastroni aksesorët e ndryshëm etj.

    “Niveli i lagështisë”
    Për të shmangur akumulimin e pluhurit në hapësira të mëdha, shpeshherë mjafton ta mirëmbani një balancë të lagështisë prej 40-50 për qind. Instrumentet për matjen e lagështisë mund t’i blini në dyqanet përkatëse, e gjithashtu edhe lagështuesit e ndryshëm.

  • Kërkesat e NASA-s për t’u bërë astronaut dhe për të udhëtuar në Hënë

    Kërkesat e NASA-s për t’u bërë astronaut dhe për të udhëtuar në Hënë

    Çdo fëmijë mund të ketë ëndërruar të bëhet astronaut. Kujt nuk i pëlqen ideja për të bërë shëtitje në hapësirë, për të eksploruar planetë të largët dhe për të udhëtuar në kozmos?

    Megjithatë, në realitet, puna e një astronauti është jashtëzakonisht e vështirë, nga ku agjencitë hapësinore sikurse NASA kanë kërkesa strikte dhe teste rigoroze për të hyrë në programet e tyre hapësinore.

    Por cilat janë kërkesat për t’u bërë astronaut i NASA-s?

    Siç raporton Protothema, për të aplikuar në programin e astronautëve të NASA- kandidatët duhet të kenë këto kritere;

    Të keni shtetësi amerikane;

    Të keni një diplomë masteri në një lëndë të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM);

    Të keni të paktën dy vjet përvojë profesionale përkatëse (ose të paktën 1,000 orë piloti në komandë në një aeroplan reaktiv).

    Përveç këtyre kritereve, kandidatët për astronautë duhet gjithashtu të jenë në gjendje të kalojnë testin fizik të NASA-s. Çfarë nënkupton kjo?

    Mprehtësia vizuale e largët dhe e afërt. Shikimi juaj duhet të jetë i korrigjueshëm në 20/20 në secilin sy (megjithëse NASA pranon përdorimin e syzeve).

  • Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP pranohet në rrjetin evropian të gjuhëve

    Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP pranohet në rrjetin evropian të gjuhëve

    Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në Universitetin e Prishtinës është pranuar si anëtar institucional me të drejta të plota në Këshillin Evropian për Gjuhët (CEL/ELC), një rrjet i njohur evropian që bashkon universitete dhe institucione të specializuara në fushën e studimeve gjuhësore.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e cilësoi këtë anëtarësim si një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë në Kosovë.

    Sipas Nagavcit, Këshilli Evropian për Gjuhët ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë për zhvillimin dhe avancimin e studimeve gjuhësore. Ajo theksoi se ky anëtarësim rrit vizibilitetin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, projekte të përbashkëta dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin akademik.

    Ministrja shtoi se përfshirja në këtë rrjet përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit akademik evropian dhe dëshmon përkushtimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

    Nagavci nënvizoi gjithashtu se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa dhe projekte që synojnë avancimin e arsimit në Kosovë, duke theksuar rolin kyç të gjuhëve në zhvillimin akademik dhe integrimin ndërkombëtar.

    Universiteti i Prishtinës është uruar për këtë arritje, e cila konsiderohet një tjetër sukses në forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike evropiane.

  • Tre të arrestuar për krim të organizuar, konfiskohen mbi 11 mijë euro

    Tre të arrestuar për krim të organizuar, konfiskohen mbi 11 mijë euro

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar tre persona nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë telefona, laptopë dhe para të gatshme në vlerë prej 11 mijë e 756 euro.

    Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet F.M., V.M. dhe A.D., po hetohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Hyrja në sistemet kompjuterike”, sipas nenit 327, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas hetimeve që po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, rasti ka edhe elemente ndërkombëtare. Dyshohet se nga viti 2021 e tutje, të pandehurit, në bashkëkryerje me persona të tjerë, janë paraqitur rrejshëm si punëtorë bankash.

    Dyshimet përfshijnë vepra penale si mashtrimi, prezantimi i rremë, vjedhja e identitetit dhe kredencialeve, si dhe shpëlarja e parave, me qëllim përfitimi të drejtpërdrejtë financiar.

    Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë pajisje elektronike dhe para të gatshme në vlerë prej 11.756 euro, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.