ATV

Blog

  • Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjete, MPB informon 38 komunat e Kosovës

    Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.

    Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.

    Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

    Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.

    Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.

    Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.

  • Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Kushtetuesja publikon Aktgjykimin me të cilin konstatoi se zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, ishte antikushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

    Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [nr. 09-V071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykim.

    https://drive.google.com/file/d/1ghsvQQDzSHC7PxVsHjpOWYnec-Woj7U9/view?usp=sharing

    Sipas aktgjykimit, e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb dhe kjo nuk ishte respektuar.

    “Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse”.

    Gjykata vlerësoi se mekanizmat e debllokimit, përfshirë shortin, janë përdorur në mënyrë të gabuar.

    Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, vendimi nuk ka efekt prapaveprues

    “Marrë parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata nuk mund të konstatojë se në rrethanat e rastit konkret, mekanizmi debllokues sipas paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, respektivisht, procedura e shortit është përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilën e njëjta është paraparë. Kjo për arsye se zbatimi i këtij mekanizmi në një mënyrë që do të çonte në rrethana ku shumica e deputetëve të Kuvendit përcakton se kush do të jetë përfaqësuesi i një komuniteti që nuk është shumicë pa propozimin e këtyre të fundit, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Nenad Rashiq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 10 tetor 2025, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

    Nëntë kandidatët e tjerë të komunitetit serb nga Lista Serbe nuk i morën votat e mjaftueshme, duke i hapur rrugë kështu Rashiqit të propozohet dhe votohet.

  • Louis Vuitton ndërtoi “një kamion të vogël që kushton më shumë se shtëpia juaj”

    Louis Vuitton ndërtoi “një kamion të vogël që kushton më shumë se shtëpia juaj”

    Louis Vuitton ka prezantuar një nga objektet më luksoze dhe më të pazakonta ndonjëherë: një orë tavoline mekanike në formën e një kamioni të vogël të së kaluarës, e quajtur “Camionnette”.

    E frymëzuar nga furgonët e viteve 1920 që transportonin valixhet ikonike të markës, ora është ndërtuar në bashkëpunim me orëpunuesin zviceran L’Epée 1839.

    Edicioni i limituar, vetëm 15 copë në botë, kushton plot 650 mijë euro dhe është i veshur me ar dhe diamante.

    Në qendër të saj spikat një diamant LV Monogram prej 0.51 karatësh, ndërsa mekanizmi manual ofron një rezervë energjie prej tetë ditësh.

    Çelësi për kurdisje ruhet në një mini-valixhe Louis Vuitton, e vendosur në pjesën e pasme të “kamionit”.

    Për ata me buxhet më “modest”, ekziston edhe një version standard prej 68 mijë eurosh, pa diamante, por me të njëjtin dizajn dhe mekanizëm mekanik.

  • Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Apeli vërteton dënimin me 24 vjet e gjysmë burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Klinë

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e ka dënuar Jon Hotin me 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë në Klinë.

    I akuzuari Hoti ishte shpallur fajtor nga Themelorja në Pejë më 30 maj 2025 dhe ishte dënuar me dënim unik prej 24 vite e gjysëm burgim për vrasje të dyfshitë më 13 nëntor 2024 në Klinë.

    Kundër vendimit të Themelores, aneksë kishin parashtruar të dëmtuarit R.Sh., dhe S.Sh., për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Jeton Maqedonci, kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që të anulohet aktgjykimi i Themelores dhe të akuzuarit t’i zbutet dënimi përshtatshmërisht me rrethanat lehtësuese ose çështja t’i kthehet shkallës së parë në rivendosje.

    Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet ankesa e të dëmtuareve, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet sa i përket vendimit lidhur me saksonin penal dhe të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me i lartë, kurse ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.

    Seanca për shqyrtimin e këtyre ankesave në Apel u mbajt më 2 tetor 2025.

    Gjykata e Apelit konstaton se pretendimet e dëmtuarve për një dënim më të ashpër dhe e mbrojtësit për një dënim më të butë, nuk janë të bazuara.

    Sipas Apelit, shkalla e parë me rastin e caktimit të dënimit i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Si rrethana lehtësuese ka vlerësuar pranimin e fajësisë të cilin pranim i pandehuri e ka bërë edhe në fazën e procedurës paraprake, shprehjen e pendimit për veprat e kryera, faktin se më parë i pandehuri nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale, si dhe moshën e re të të pandehurit, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i moshës 19-vjeçare.

    Ndërsa, si rrethana rënduese i ka vlerësuar shkallën e lartë të dashjes për të kryer veprën penale të vrasje së rëndë, ku i pandehuri pasi paraprakisht i kërkon shtëpitë e viktimave dhe lëvizë në drejtim te tyre, më pas kontakton viktimën A.Sh., dhe lë takim me të. Po ashtu, rrethanë rënduese, thuhet se është marrë pabesia e shprehur nga i pandehuri, pasi që i njëjti e ka kontaktuar viktimën A.Sh. përmes video-call, në Messenger dhe pasi që tani të ndjerit shkojnë në lokal dhe flasin për dorë me të pandehurin e ulen në të njëjtën tavolinë, më pas Hoti ngritet në këmbë dhe përshëndet dëshmitarin Q.H.

    “…dhe posa dëshmitari niset për të dal nga lokali, i pandehuri duke qenë i kthyer me shpinë kah viktimat, e nxjerrë armën nga brendia e xhaketës, e repeton e më pas kthehet në drejtim të viktimave duke shtënë kështu në drejtim të viktimave, pastaj moshën e viktimave ne këtë rast viktimat kanë qenë te moshës, 21 dhe 23 vjeçare”, thuhet në vendim.

    Bazuar në këto rrethana, Apeli vlerëson se Themelorja shqiptoi dënimin prej 24 vjet e gjysmë burgim, me bindje se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit, i cili konsiston në parandalimin e të pandehurit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

    Apeli thekson se e pranon një vlerësim të këtillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

    “…ndërsa pretendimet e të dëmtareve se dënimi i shqiptuar në është butë, duke marrë parasysh numrin e viktimave si dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale, për kundër pasojës se rendë marrë për bazë rrethanat lehtësuese veçanërisht moshën e re të akuzuarit pranim e fajësisë në të gjitha fazat e procedurës premtimin e tij, rezultojnë të jenë të pa bazuara, ndërsa disa nga rrethanat në të cilat thirret mbrojtësi i të akuzuari se nuk janë vlerësuar rrethanat posaçërisht lehtësuese si mosha e re, në raport me peshën e veprës penale dhe pasoje e shkaktuar, gjithashtu janë pretendime të pa bazuar dhe nuk legjitimojnë një dënim me të butë”, thuhet në vendim.

    Sipas Apelit, të gjitha këto rrethana japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit nga gjykata e shkallës së parë si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.

    “Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e Gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë së veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe më intensitetin e rrezikimit apo pasojave të
    shkaktuara dhe se më të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendim.

  • Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Nën ndikimin e alkoolit kanosi vajzën dhe gruan, mitrovicasi dënohet me dy vjet burgim

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykimin përmes ndaj të pandehurit M.F., i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit të këtij qyteti, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.

    Në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 05.08.2024.

    “Ngjarja ka ndodhur më datë 03.06.2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht viktimën e ndjeshme – vajzën e tij, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj. Po ashtu, se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, ka kanosur seriozisht edhe bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj.”

    I akuzuari ndodhet në paraburgim nga 3 qershori i vitit 2024.

  • “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    “Zhbllokohet” Tiktoku, platforma hapet në Shqipëri pas një viti pezullim

    Me vendim të qeverisë, është hapur zyrtarisht Tiktok në Shqipëri.

    Vendimi është marrë këtë të mërkurë gjatë mbledhjes së qeverisë.

    “Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.”

    Tiktok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar.

  • Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Mall i padeklaruar, ndalohen katalizatorë në vlerë rreth 8 mijë euro në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka ndaluar 102 kilogramë katalizatorë të bluar të padeklaruar në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve të rregullta doganore.

    Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është ndaluar për kontroll të detajuar, ku është zbuluar mall i padeklaruar.

    “Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar katalizatorë të bluar me peshë totale prej 102.10 kilogramësh, me vlerë të përafërt rreth 8 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e masave të kontrollit, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare”, theksohet më tej në njoftim.

    Dogana ka ritheksuar angazhimin e saj për forcimin e kontrolleve dhe mbrojtjen e tregut nga mallrat e padeklaruara.

  • Kujdes çfarë konsumoni, ky frut “i shëndetshëm” mund të shkaktojë probleme serioze me tretjen

    Kujdes çfarë konsumoni, ky frut “i shëndetshëm” mund të shkaktojë probleme serioze me tretjen

    Një mjek i njohur nga Universiteti i Harvardit ka zbuluar se jo të gjitha frutat janë njësoj të dobishme për shëndetin, duke treguar se një prej tyre nuk bën pjesë kurrë në dietën e tij.

    Sipas specialistit, ky frut, megjithëse shihet si i shëndetshëm, mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe të ndikojë negativisht në shëndetin e zorrëve, sidomos tek personat me ndjeshmëri të lartë.

    Në intervistën e tij, mjeku renditi frutat më të mira për aparatin tretës, si frutat e pyllit, kivi, mollët dhe dardhat, të cilat janë të pasura me fibra dhe ndihmojnë në balancën e mikrobiotës intestinale.

    Nga ana tjetër, ai paralajmëroi për disa fruta që duhen konsumuar me kujdes, pasi përmbajnë sasi të larta sheqeri të thjeshtë ose shkaktojnë fryrje dhe parehati.

    Në këtë grup ai përfshiu edhe frutin që ai vetë nuk e konsumon asnjëherë, duke e cilësuar si problematik për shëndetin e zorrëve.

    Ky qëndrim ka ngjallur interes të madh, duke treguar se edhe ushqimet e njohura si “gjithmonë të shëndetshme” mund të kenë efekte të padëshiruara, në varësi të organizmit të secilit.

    Fruti që mjeku i Harvardit tha se duhet të shmanget për shëndetin e zorrëve është bananja tepër e pjekur (overripe banana).

    Ai thekson se bananjat që kanë arritur në një fazë shumë pjekurie përmbajnë sheqerna të thjeshta në sasi të mëdha, që mund të shkaktojnë rritje të glukozës në gjak dhe nuk furnizojnë mirë bakteret e mira të zorrëve./TAR

  • Pse disa njerëz nuk flenë dot në heshtje të plotë?

    Pse disa njerëz nuk flenë dot në heshtje të plotë?

    Shumë njerëz nuk mbyllin dot sytë në një dhomë krejt të qetë, u duhet patjetër televizori, muzika e qetë, tingulli i ventilatorit apo i ashtuquajturi “white noise”.

    Ajo që duket si një zakon i çuditshëm, në fakt ka shpjegime të qarta psikologjike dhe neurologjike.

    Ekspertët thonë se në heshtje të plotë, truri bëhet më aktiv: në mungesë të stimujve të jashtëm, rriten mendimet, shqetësimet dhe ankthi, duke e bërë momentin para gjumit më stresues. Zhurma e butë në sfond i jep trurit diçka neutrale ku të fokusohet, duke ulur “zërin e brendshëm” të mendimeve.

    Psikologët e lidhin këtë edhe me fëmijërinë: nëse dikush është mësuar të flejë mes zhurmës së shtëpisë, TV-së apo trafikut, truri e kodon atë mjedis si të sigurt.

    Më vonë, heshtja totale mund të ndihet e frikshme, ndërsa zhurma e lehtë sjell ndjesinë e pranisë së njerëzve dhe sigurisë.

    Një tjetër faktor është se zhurma e njëtrajtshme maskon tingujt e papritur, kërcitje, zhurma nga korridori, makina jashtë, të cilat mund të zgjojnë trurin. White noise, tingulli i ventilatorit apo i detit e stabilizojnë “peizazhin akustik” dhe ndihmojnë gjumin të mos ndërpritet.

    Sipas psikologëve, kjo sjellje lidhet shpesh edhe me ankthin: njerëzit që mendojnë shumë, kanë imagjinatë të fortë ose priren të “overthink”, përdorin zhurmën si mënyrë për të qetësuar mendjen, për të ulur tensionin emocional dhe për të kaluar më lehtë nga gjendja aktive në gjumë.

    A është e dëmshme? Zakonisht jo. Zhurma e butë, e njëtrajtshme, në volum të ulët, mund të ndihmojë shumë njerëz të flenë më shpejt dhe më thellë.

    Më problematikë janë televizorët me dritë të fortë, ndryshime të papritura volumi dhe programet me zhurma të forta.

    Specialistët këshillojnë se tingujt si white noise, pink noise apo tinguj natyre janë zgjidhja më e shëndetshme. Por, nëse një person nuk fle dot fare pa zhurmë dhe kjo e pengon në udhëtime, në ambiente të reja, apo rrit ankthin kur s’ka tinguj në sfond, atëherë rekomandohet konsultë me një terapist gjumi ose psikolog për të kuptuar çfarë fshihet pas kësaj nevoje./TAR

     

  • Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për të dyshuarin për shitblerje narkotikësh

    Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim për të dyshuarin për shitblerje narkotikësh

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 03.02.2026, rreth orës 19:14, në rrugën “Brahim Ademi”, tek rrethi afër FSK-së në Ferizaj, i pandehuri pa autorizim ka poseduar, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substanca psikotrope, analoge apo preparate që me ligj janë shpallur si narkotikë.

    Sipas dosjes së rastit, pas ndaljes dhe kontrollimit të veturës “Renault Clio” nga hetuesit e DHTN-së në Ferizaj, në kroskotin e veturës nga ana e pasagjerit është gjetur një qese najloni (dozë) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 206.90 gram.

    Më pas, DHTN-Ferizaj, në bashkëpunim me DHTN-Prizren, kanë kryer kontroll-bastisje në shtëpinë pronë e babait të të dyshuarit në Prizren. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur dy (2) qese najloni (doza) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 8.15 gram, të cilat ishin të vendosura në dhomën e tij. Të gjitha këto janë sekuestruar nga ana e policisë.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri do të kishte kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri F.H., që nga data 03 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.