ATV

Blog

  • Arrestohet deputeti gjerman, ja akuzat me të cilat përballet

    Arrestohet deputeti gjerman, ja akuzat me të cilat përballet

    Një foto në gazetën Bild tregonte Joerg Dornau, 56 vjeç, një biznesmen dhe deputet të partisë miqësore me Moskën në shtetin lindor të Saksonisë, duke u nxjerrë nga salla e debatit të parlamentit të shtetit.

    Pak më parë, deputetët kishin votuar për t’i hequr atij imunitetin parlamentar.

    Dornau akuzohet se ka eksportuar një vinç automjetesh në Bjellorusinë, aleate të Rusisë, në vitin 2022 dhe ka deklaruar në mënyrë të rreme si destinacion Kazakistanin, thonë prokurorët e Leipzigut.

    Zyrtarët e doganës kontrolluan shtëpinë dhe automjetet e tij, thanë prokurorët.

    “Kontrollet shërbejnë për të siguruar sende që mund të konsiderohen si prova në hetim. Nuk do të ketë kontroll në ambientet e parlamentit shtetëror ose të grupeve parlamentare”, thanë prokurorët.

    Grupi parlamentar i Saksonisë, AfD, i tha AFP-së se nuk shihte asnjë arsye pse Dornau duhej të ndalohej menjëherë para një seance parlamentare, duke thënë se dukej se ngjarja ishte “inskenuar për konsum mediatik”.

    Sipas sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, eksportet e pajisjeve industriale në Bjellorusi, aleatin e ngushtë të Rusisë, janë të kufizuara rëndë.

    Dornau u gjobit me mbi 20,000 euro (23,617 dollarë) gushtin e kaluar nga autoritetet parlamentare për mosdeklarimin e interesit të tij financiar në një fermë qepësh në Bjellorusi.

  • Humans Right Watch i fut në një raport Kosovën e Serbinë, çfarë shkruhet për të drejtat e grave, e llogaridhënien për krimet e luftës

    Humans Right Watch i fut në një raport Kosovën e Serbinë, çfarë shkruhet për të drejtat e grave, e llogaridhënien për krimet e luftës

    Humans Rights Watch, kanë publikuar raportin e tyre, kur përshkruhen zhvillimet në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe Kosovën. Për dallim nga vendet e tjera, të cilat kjo organizatë i ka trajtuar ndaras, për zhvillimet në Kosovë, HRW, ka njoftuar brenda një raportit të përbashkët me Serbinë.

    Në raportin e kësaj organizate, flitet për çështje të ndryshme përfshirë këtu edhe të drejtat e grave e llogaridhënia për krimet e luftës.

    Për të drejtat e grave, në rastin e Serbisë, theksohet se në këtë shtet, pavarësisht, se ekzistojnë ligje për mbrojte për gratë, zbatimi i tyre është i dobët, dhe se dhuna në bazë gjinore mbetet e hapur.

    ‘’Të drejtat e grave

    Edhe pse ekzistojnë mbrojtje ligjore për gratë, përfshirë Strategjinë për Barazi Gjinore 2021–2030, zbatimi i tyre është i dobët; dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, hendekët në paga dhe pabarazitë ekonomike vazhdojnë, ndërsa gratë nga grupet e margjinalizuara, veçanërisht romet, përballen me diskriminim të shumëfishtë dhe qasje të pabarabartë në kujdesin shëndetësor’’, thuhet në raport.

    Për Kosovën, HRW, thekson se është zgjatur mandati i komisionit përgjegjës për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe se, të mbijetuarit e njohur kanë të drejtë në një pension mujor prej 230 eurosh, kujdes shëndetësor falas dhe përfitime punësimi, porse vetëm rreth 2.000 persona e kanë marrë këtë status nga rreth 20.000 të mbijetuar të vlerësuar

    ‘’Të drejtat e grave

    Në prill, Kosova e zgjati deri më 15 maj 2028 mandatin e komisionit përgjegjës për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe e shtyu afatin e aplikimit deri më 15 maj 2027. Presidentja Vjosa Osmani dhe grupet për të drejtat e të mbijetuarve kishin kërkuar një periudhë aplikimi pa afat të caktuar për të akomoduar më mirë të mbijetuarit. Të mbijetuarit e njohur kanë të drejtë në një pension mujor prej 230 eurosh, kujdes shëndetësor falas dhe përfitime punësimi, por vetëm rreth 2.000 persona e kanë marrë këtë status nga rreth 20.000 të mbijetuar të vlerësuar. Shënimi i 14 prillit si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës përfshiu gjithashtu dëshminë e parë publike nga një i mbijetuar mashkull’’, thuhet në raportin e HRW për Kosovën.

    Për çështjen e krimeve të luftës, HRW në rastin e Serbisë, thekson se, midis janarit dhe shtatorit, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte nisi tetë hetime të reja për krime lufte me të dyshuar të emëruar, si dhe 15 hetime të tjera.

    ‘’Llogaridhënia për krimet e luftës

    Midis janarit dhe shtatorit, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte nisi tetë hetime të reja për krime lufte me të dyshuar të emëruar, si dhe 15 hetime të tjera. Deri në shtator, 20 raste kundër 44 të pandehurve ishin në shqyrtim para gjykatave serbe. Procedurat në vazhdim u shoqëruan me vonesa të konsiderueshme. Në shtator, Gjykata e Lartë e Beogradit e shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Milenko Zhivanoviq, për urdhërimin dhe pjesëmarrjen në zhvendosjen me forcë të civilëve boshnjakë nga Srebrenica në korrik 1995, e cila përfundoi me gjenocidin e mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe dëbimin e rreth 40.000 grave, të moshuarve dhe fëmijëve. Gjithashtu në shtator, Gjykata e Apelit e Beogradit e rriti dënimin e Danko Vladiçiqit nga nëntë në 12 vjet, pas ankesës së prokurorisë. Ai u shpall fajtor në vitin 2022 për vrasjen e dy civilëve boshnjakë në Brod na Drini në vitin 1992; trupat e viktimave mbeten ende të zhdukur’’, thuhet në raport.

    Ndërsa në Kosovë, thekson raporti, Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik e dënoi Milos Pleskoviqin, një ish-paramilitar serb, për krime lufte për vrasjen në vitin 1999 të tre shqiptarëve etnikë pranë qytetit të Gjakovës, dhe se, Themelorja në Prishtinë dënoi në mungesë dy shtetas serbë për përdhunimin gjatë luftës të një gruaje shqiptare etnike, duke i dënuar secilin me nga 20 vjet burg.

    ‘’Llogaridhënia për krimet e luftës

    Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik e dënoi Milos Pleskoviqin, një ish-paramilitar serb, për krime lufte për vrasjen në vitin 1999 të tre shqiptarëve etnikë pranë qytetit të Gjakovës, duke e dënuar me 15 vjet burg. Gjykata konstatoi se Pleskoviqi i kishte ndaluar dhe më pas i kishte ekzekutuar viktimat.

    Në korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në mungesë dy shtetas serbë për përdhunimin gjatë luftës të një gruaje shqiptare etnike, duke i dënuar secilin me nga 20 vjet burg. Më herët po atë muaj, gjykata dënoi në mungesë një ish-anëtar të shërbimit të sigurisë së Serbisë me 15 vjet burg për zhdukjen në vitin 1998 të një mjeku shqiptar etnik. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në shkurt e lanë në fuqi dënimin me 15 vjet burg të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke konfirmuar fajësinë e tij për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Kosovës më 1999. Mustafa u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjen e një të ndaluari në një objekt të drejtuar nga UÇK-ja në Zllash.

    Në korrik, Dhomat e Specializuara të Kosovës e ulën dënimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, nga 18 në 13 vjet, duke lënë në fuqi dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjen e të paktën 16 të ndaluarve gjatë Luftës së Kosovës më 1999. Gjykata konstatoi se Shala nuk kishte rol komandues në një nga vrasjet dhe se dënimi fillestar ishte joproporcional.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në shkurt dënuan tre ish-luftëtarë të UÇK-së, Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, me nga dy vjet burg për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve. Po në shkurt, dhomat u dhanë lirimin me kusht dy prej të dënuarve, bazuar në kohën e vuajtur. Ndikimi negativ i frikësimit të dëshmitarëve mbi përpjekjet për llogaridhënie në Kosovë ishte një faktor i rëndësishëm në themelimin e Dhomave të Specializuara’’, thuhet në raportin e HRW.

  • Istog: Mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Istog: Mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë qëndruar sot në Komunën e Istogut, ku kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të disa kategorive në këtë komunë, me ç’rast kanë kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës.

    Ata kanë marrë mbështetje nga mësimdhënësit, pensionistët, fermerët dhe OVL e UÇK-së në Istog, për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    “Hoxha dhe Tasholli u shprehën mirënjohës për përkrahjen e parezervë nga këto kategori, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftim.

  • Ter Stegen përballë një ndërhyrjeje kirurgjikale pas dëmtimit në Girona

    Ter Stegen përballë një ndërhyrjeje kirurgjikale pas dëmtimit në Girona

    Girona ka konfirmuar zyrtarisht se portieri Marc-Andre ter Stegen do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë të premte, pas dëmtimit në kofshën e pasme të këmbës së majtë

    Klubi njoftoi se shkalla e saktë e dëmtimit dhe periudha e rikuperimit do të përcaktohen vetëm pas procedurës, duke i dhënë fund pasigurisë së ditëve të fundit rreth gjendjes së tij fizike

    Vendimi për operacion u mor pas ekzaminimeve shtesë të kryera gjatë kësaj jave, të cilat treguan se dëmtimi është më serioz sesa ishte vlerësuar fillimisht pas ndeshjes ndaj Oviedos

    Ter Stegen kishte luajtur vetëm dy ndeshje zyrtare me fanellën e Gironës dhe nuk kishte shfaqur shenja të dukshme dhimbjeje gjatë ndeshjes, çka vonoi diagnostikimin e plotë të problemit

    Tashmë, fokusi është zhvendosur te një proces rikuperimi që pritet të jetë i gjatë dhe që ndikon drejtpërdrejt si në planet e klubit katalanas ashtu edhe në objektivat personale të portierit gjerman

    Portieri gjerman ishte transferuar në Montilivi me synimin për të rifituar vazhdimësinë dhe rolin e një lojtari kyç, por kjo dëmtim e ka ndërprerë papritur procesin e përshtatjes

    Nga Girona po tregohet kujdes maksimal dhe nuk pritet të vendoset ndonjë afat konkret për rikthimin në fushë deri pas përfundimit të operacionit. Vetëm atëherë do të ketë një panoramë më të qartë për situatën e portierit, i cili edhe një herë është përballur me një goditje të pafat në një moment delikat të karrierës së tij.

  • Koci sqaron largimin nga organizimi i protestës kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Koci sqaron largimin nga organizimi i protestës kundër rritjes së çmimit të rrymës

    Avokati Arianit Koci ka sqaruar vendimin e tij për t`u tërhequr nga organizimi i protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

    Ai ka treguar arsyeje pse e ka ndërmarr një veprim të tillë

    Në profilin e tij në “Facebook”, Koci ka shkruar se është tërhequr nga roli i organizatorit të protestës në mënyrë që të mos dëmtohet kauza nga sulme personale apo dyshime për konflikt interesi

    “U tërhoqa nga roli i organizatorit të protestës për shtrenjtimin e rrymës, që kauza të mos dëmtohet nga sulme personale apo dyshime për konflikt interesi. Jam avokat prej një kohe të gjatë dhe kam përfaqësu klientë të ndryshëm. Kam edhe rreth të gjerë shoqëror. Pas një analize, vlerësova se mund të krijohej përshtypje për konflikt interesi – nëse jo ligjor, atëherë moral e politik. Në një situatë të tillë, vëmendja do të largohej nga çështja te personi”, ka shkruar Koci

  • Insigne: Do të luaja falas për rikthim te Napoli, por zgjodha Pescara

    Insigne: Do të luaja falas për rikthim te Napoli, por zgjodha Pescara

    Lorenzo Insigne është rikthyer zyrtarisht te Pescara, klubi që e lansoi në futbollin e nivelit të lartë

    Para debutimit të tij të dytë me fanellën e skuadrës nga Abruzzo, ish-kapiteni i Napolit u prezantua në një konferencë për shtyp, ku foli për rikthimin, të kaluarën dhe të ardhmen e tij

    Katërmbëdhjetë vjet pas sezonit historik që përfundoi me ngjitjen e Pescarës në Serie A, nën drejtimin e Zdenek Zemanit dhe me emra si Ciro Immobile e Marco Verratti në skuadër, Insigne është sërish pjesë e klubit adriatik. Ndërkohë, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë, si për lojtarin ashtu edhe për klubin

    Pas largimit nga Napoli si lojtar i lirë dhe një eksperience jo të suksesshme në Kanada, Insigne pranoi se ka pasur kontakte për një rikthim te klubi napolitan, por marrëveshja nuk u konkretizua

    “Kisha oferta të tjera, por i premtova presidentit se në Serie B do të luaja vetëm për Pescaran. Me Napolin pati kontakt dhe u shpreha i gatshëm të luaja edhe falas, por në fund nuk ndodhi asgjë”, deklaroi Insigne

    Aktualisht, Pescara po lufton për mbijetesë në Serie B dhe Insigne beson se skuadra ka mundësi të shmangë rënien nga kategoria

    “Ndihem mirë fizikisht, po stërvitem me ekipin dhe kam një program të personalizuar. Besoj në mbijetesë dhe shpresoj t’u dhurojmë tifozëve një fund sezoni pozitiv,” shtoi ai

    Gjatë konferencës, Insigne ndau edhe një moment emocional, duke zbuluar se ka biseduar së fundmi me Zdenek Zemanin, ish-trajnerin e tij, i cili u largua nga stoli i Pescarës për shkak të problemeve shëndetësore

    “Fola me Zemanin, ishte i lumtur për rikthimin tim dhe më tha ‘më bëj të kënaqem’. Për mua, ai ka qenë si një baba i dytë,” përfundoi Insigne

  • Cristiano Ronaldo mund të rikthehet tek Sporting Lisbona në rast largimi nga Al Nassr.

    Cristiano Ronaldo mund të rikthehet tek Sporting Lisbona në rast largimi nga Al Nassr.

    Ylli portugez Cristiano Ronaldo mund të rikthehet në Evropë në rast largimi nga Arabia Saudite.

    40 vjeçari është tejet i pakënaqur me drejtuesit e klubi saudit të cilët sipas tij nuk ishin aktiv në afatin kalimtar të janarit,ndërkohë që në anën tjetër Ronaldo ka ppërplasje me  Fondin e Investimeve Publike (PIF) për mënyrën e trajtimit të klubeve.

    Përndryshe janë shtuar zërat për një kthim të Ronaldos në Evropë,dhe një prej destinacioneve është gjiganti portugez Sporting Lisbona.

    Megjitahtë mbetet të shihet se nëse kalimi tek Sporting Lisbona mund të realizohet,duke marrë parasysh që portugezi përflitet për një rikthim tek gjiganti anglez Manchester United.

  • Osmani konsultohet me avokatë gjermanë për deklaratat e gazetarit të FAZ

    Osmani konsultohet me avokatë gjermanë për deklaratat e gazetarit të FAZ

    Këshilltari i presidentes së Kosovës, Rinor Nuhiu, ka thënë se shefja e shteit, Vjosa Osmani, është duke u konsultuar me avokatë në Gjermani për deklarimet e gazetarit gjerman të FAZ, Michael Martens.

    Nuhiu ka shkruar në “X” se “shpifjet, përgojimi, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme” të Martens bien nën përgjegjësinë civile dhe penale bazuar në ligjin gjerman.

    “Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit”, ka shkruar ai.

    “Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton”, ka shtuar Nuhiu.

  • Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Suspendohet një polic në Fushë-Kosovë, dyshohet për një rast sulmi jashtë detyrës zyrtare

    Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor të Stacionit në Fushë-Kosovë.

    Suspendimi i tij vjen pas hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Sulm”.

    Incidenti raportohet të ketë ndodhur pas mesnatës në Fushë-Kosovë kurse zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

    “Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në njoftim.

  • Juventus me ofertë për Kenan Yildiz për kontratën e re

    Juventus me ofertë për Kenan Yildiz për kontratën e re

    Ylli turk Kenan Yildiz është një prej emrave kyç tek gjiganti italian Juventus.

    Drejtuesit bianconerë synojnë që ta mbajnë edhe për shumë vite në Allianz Stadium,dhe Yildiz konsiderohet si pjesë e projektit afatgjatë sportive.

    Përndryshe Juve po synon të hap bisedime për kontratën e re me turkun,duke paraqitur një ofertë e cila përfshin rreth 6 milionë euro mbrenda sezonit që do ta bënte ndër lojtarët më të paguar të sezonit.

    Ndërkohë që shumë klube nga Premierliga angleze synojnë transferimin e Yildiz,por Juventus nuk dëshiron që ta lëshoj aq lehtë nga skuadra pasi reprezentuesi i Turqisë nga tifozët bianconerë krahasohet me legjendën Alessandro Del Piero.

    Kujtojmë që Kenan Yildiz në 31 ndeshje ka shënuar 9 gola e bëri 8 asistime në të gjitha garat.