ATV

Blog

  • BE-ja bie dakord për detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    BE-ja bie dakord për detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Ambasadorët e BE-së kanë miratuar detajet e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të dakordësuar nga udhëheqësit në fund të vitit të kaluar.

    Kredia synon të përmbushë shumicën e nevojave financiare të Ukrainës, ndërsa lufta i afrohet fillimit të vitit të saj të pestë, drejt fundit të këtij muaji.

    Ambasadorët arritën një marrëveshje në një takim me dyer të mbyllura në Bruksel, thanë disa diplomatë për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kishte kritikuar më parë Evropën për kredinë, duke thënë se 90 miliardë eurot do të mbërrinin shumë vonë.

    Udhëheqësit e BE-së ranë dakord në dhjetor t’i ofrojnë Ukrainës kredinë pa interes në vitet 2026 dhe 2027.

  • LVV: Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar rolin e saj

    LVV: Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar rolin e saj

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe, lidhur me nënkryetarin e Kuvendit, dëshmon mungesë serioze konsistence të gjykatës. 

    Përmes një reagimi, kjo parti ka shprehur se Kushtetuesja e ka ndryshuar qëndrimin e vet brenda katër muajve për të njëjtën çështje kushtetuese.

    Sipas këtij subjekti, Gjykata po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret, Listën Serbe.

    “Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues. Një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore. Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”, thuhet në reagim.

    Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar rolin kushtetues.

    “Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh. Gjykata aktuale Kushtetuese është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta. Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues”, thotë më tej në reagim.

    Vetëvendosje ka deklaruar tutje se duke zgjeruar kompetencat e saj “qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”.

    “Dhjetra ligje reformuese e me interes për vendin Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre. Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”, thuhet në reagim.

    Më tutje ka arsyetuar se Kushtetuta e thotë se “nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhjet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit”, dhe duke theksuar më tej në arsyetim se çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim.

    Ndërkohë, LVV-ja ka shtuar se Kushtetuesja po e bën të kundërtën e asaj që thuhet në Propozimin e Ahtisarit, duke theksuar se dispozitat e tij “njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet”.

    “Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007”.

    Ndërkaq, shpreh më tej se Kushtetutën gjykata e ka shndërruar “në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”.

    “Çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë. Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”, thuhet në përfundim të reagimit të LVV-së.

  • Ndeshja Drenica-Llapi do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj”në Malishevë

    Ndeshja Drenica-Llapi do të luhet në stadiumin “Liman Gegaj”në Malishevë

    Ndeshja e parë e stinorit pranveror ndërmjet Drenicës dhe Llapit nuk do të zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu”në Skenderaj.

    Takimi i xhiros së 19-të në Albi Mall Superligë pritet të zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”në Malishevë,kjo pasi gjendja aktuale e fushës në “Bajram Aliu” është në gjendje jo stabile pas vërshimeve që ndodhën muajin e kaluar në qytetin e Skenderajt duke shkaktuar dëme të mëdha.

    Përndryshe edhe vetë klubi i Drenicës njoftoi për zhvendosjen e ndeshjes në terren neutral nëpërmjet një postimi në Facebook.

    “Tifozë të nderuar,
    Përkundër dëshirës tonë të madhe që sezonin pranveror ta nisnim në shtëpi, ju njoftojmë se për shkak të dëmeve nga vërshimet e fundit në stadiumin tonë, jemi të detyruar ta zhvendosim ndeshjen e parë si vendas.
    Ndeshja kundër KF Llapi do të zhvillohet në Malishevë.
    07 Shkurt, 2026, nga ora: 13:00
    Stadiumi: “Liman Gegaj”, Malishevë
    Ftojmë të gjithë tifozët të na mbështesin

  • Tentoi ta vriste Donald Trumpin, Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm

    Tentoi ta vriste Donald Trumpin, Ryan Routh dënohet me burgim të përjetshëm

    Ryan Routh është dënuar me burg të përjetshëm për përpjekjen e tij për të vrarë Donald Trump në Florida në vitin 2024 gjatë fushatës presidenciale.

    Gjykatësi federal Aileen Cannon dha këtë dënim më 4 shkurt 2026 pasi Routh u gjykuar fajtor për pesë akuza, përfshirë përpjekjen për vrasje të një kandidati kryesor presidencial, sulm ndaj një zyrtari federal dhe shkelje të shumta me armë zjarri.

    Routh u arrestua pasi një agjent i Secret Service e zbuloi teksa qëllonte një armë drejt fushës golfit ku Trump po luante golf në 15 shtator 2024, por nuk arriti të qëllonte për Trump.

    Prokurorët argumentuan se ai kishte planifikuar me muaj të tërë sulmin dhe nuk tregoi pendesë, prandaj kërkuan burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të ulët (rreth 27 vjet) duke cituar moshën dhe shëndetin e tij. Gjykata refuzoi këtë kërkesë dhe vendosi dënimin maksimal sipas ligjeve federale.

    Në gjyq, Routh pati sjellje të çrregullt, duke përfshirë një tentativë për t’u vetëdëmtuar me një stilolaps pas shpalljes së fajësisë nga juria.

    Në botë konsiderohet si një nga ngjarjet më serioze të sigurisë në politikën amerikane, veçanërisht duke ndodhur pak javë pas një tjetër tentative të ngjashme ndaj Trump në Pensilvani.

  • Meriton Korenica-Nuk ndalet së shënuari në elitën e futbollit rumun

    Meriton Korenica-Nuk ndalet së shënuari në elitën e futbollit rumun

    Futbollisti kosovar Meriton Korenica po vazhdon të shkëqej me fanellën e CFR Cluj.

    Korenica ishte vendimtar në ndeshjen kundër UTA Arad,ku arriti të shënoj golin e vetëm të Cluj në fitoren 1:0.

    Përndryshe 29 vjeçari u vlerësua me notën 7.7,duke qenë ndër më të mirët në këtë takim.

    Kujtojmë që Meriton Korenica në total shënoi 7 gola në elitën e futbollit rumun,teksa ka regjistruar edhe dy asistime.

  • Vedat Muriqi në top 5-she për Këpucën e Artë

    Vedat Muriqi në top 5-she për Këpucën e Artë

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Vedat Muriqi aktualisht po përjeton formë fantastike me Mallorcan në La Liga.

    Muriqi tani ka hyrë në garë për Këpucën e Artë,ku aktualisht rendit në vendin e pestë krahas yjeve si:Harry Kane,Kylian Mbappe,Erling Haaland dhe Igor Thiago.

    Përndryshe Muriqi aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga me 15 gola,teksa i pari është Kylian Mbappe me 22 gola të shënuara.

    Në rast se “pirati”vazhdon me formë të mirë dhe sulmuesit e tjerë pësojnë rënie,atëherë mund të ndodhë që një ditë Vedat Muriqi të bëhet sulmuesi i parë shqiptar që fiton Këpucën e Artë.

  • Amir Rrahmani mbrojtësi më i vlerësuar në Serie A

    Amir Rrahmani mbrojtësi më i vlerësuar në Serie A

    Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës Amir Rrahmani është një prej shtyllave kryesore tek ekipi i Napolit.

    Paraqitjet e mira kanë rëndësi tejet të madhe,dhe kjo bëri që Rrahmani të jetë një prej mbrojtësve më të vlerësuar në Serie A.

    Përndryshe faqja e njohur Sofascore e vlerësoi si mbrojtësi i katërt më i vlerësuar me notën 7.1,teksa më lart se reprezentuesi dardan u vlerësuan Bastoni (7.45), Jacobo Ramon i Como-s (7.33) dhe Mario Gila (7.23).

     

  • Kujdesi për flokët në dimër: Gabimet që duhen shmangur

    Kujdesi për flokët në dimër: Gabimet që duhen shmangur

    Koha e ftohtë dhe ndryshimi i temperaturave janë të dëmshme për flokët, të cilët janë shumë të ndjeshëm dhe reagojnë njëlloj si çdo pjesë tjetër delikate e trupit.

    Por nëse për lëkurën e thatë ka mënyra natyrale për ta zbutur, flokët kërkojnë kujdes më të madh.

    Pjesa më e madhe e vajzave nuk tregojnë kujdes gjatë periudhës së dimrit me flokët.

    Shpesh bëjnë gabime të cilat i dëmtojnë shumë ato.

    Më poshtë janë renditur 5 gabimet që duhet t’i shmangësh gjatë periudhës së ftohtë të vitit.

    Larja me ujë të nxehtë

    Ndërsa jashtë bën shumë ftohtë, qetësinë duket se e gjen në dush me ujë të nxehtë, por pak janë ato që mendojnë se kjo është shumë e dëmshme për flokët. Sa më i nxehtë të jetë uji në dush, aq më shumë eliminon yndyrën natyrale të tyre dhe u zhduk shkëlqimin. Siç këshillohet nga specialistët, temperatura optimale që duhet të përdorësh në dush është jo më shumë se 45 gradë celcius, aq sa ta ndiesh të nxehtin në lëkurë, por jo sa ajo të skuqet. Natyrisht, nëse mundesh, uji i ftohtë është edhe më i mirë për flokët.

    Larja pak minuta para daljes nga shtëpia

    Edhe dushi në mëngjes është një zgjidhje për t’u ngrohur para se të dalësh nga shtëpia. Por as kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Siç rekomandojnë specialistët, të paktën 30 minuta pas dushit nuk duhet të dalësh nga shtëpia. Pas larjes, flokët janë më të hollë dhe kontakti i menjëhershëm me ambientin e ftohtë do të thotë këputje majash dhe dehidratim.

    Kapela (kapuçi)

    Në dimër, kur ajri ka shumë lagështirë, skalpi ka nevojë absolute për t’u mbrojtur. Përdorimi i vazhdueshëm i kapelave ose kapuçave, ashtu si nga njëra anë janë mbrojtës të skalpit, nga ana tjetër shmangin ajrosjen e flokëve duke i bërë ata më problematikë. Nga ana tjetër, sigurohu që kapela apo kapuçi të jenë shumë të pastër, sepse bakteret që mund të përmbajnë janë shumë të dëmshëm për shëndetin e flokëve.

    Ndryshimi drastik i ngjyrave

    Nga bjondja në brune dhe anasjelltas. Kjo nuk është e këshillueshme në asnjë sezon, por sidomos në dimër, kur lagështira e ajrit është më e madhe dhe ndikon drejtpërdrejt në flokë, këshillojnë dermatologët, shkruan bota.al, transmeton Klan Kosova. Biondet e hapura që mund të duken shumë seksi në verë, në dimër mund të kenë probleme për shkak se kanë flokë më delikatë dhe më të ndjeshëm ndaj temperaturave. Kështu, nëse do të ndryshosh rrënjësisht ngjyrën, prit deri në pranverë. Nëse je bionde, këshillohet të shkosh në tone pak më të errëta, gold ose bezhë për t’u dukur më bukur, por edhe për t’iu përshtatur dimrit.

    Maskat natyrale

    Mungesa e trajtimit të flokëve me maska natyrale ndikon në tharjen e lëkurës së skalpit gjatë dimrit dhe për më tepër, edhe në eliminimin e yndyrës natyrale. Rekomandohet të paktën një herë në javë maska me të verdhë veze dhe vaj ulliri, ose edhe maska të tjera natyrale me produktet që ke në shtëpi.

  • Sa shpesh duhet t’i ndërroni peshqirët për higjienë të mirë

    Sa shpesh duhet t’i ndërroni peshqirët për higjienë të mirë

    Shumica prej nesh besojmë se peshqirët mund të zgjasin përgjithmonë, për sa kohë që nuk janë të grisur, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është tamam e vërtetë – veçanërisht për arsye higjiene dhe shëndetësore.

    Shkencëtarët dhe ekspertët thonë se peshqirët nuk kanë një etiketë me një datë të saktë skadimi si ushqimet, por me kalimin e kohës ata humbasin aftësinë për të thithur, bëhen me erë të pakëndshme, të ashpër në prekje dhe një mjedis ideal për shumimin e baktereve që janë të vështira për t’u hequr me larje të zakonshme.

    Sa kohë duhet ta përdorni në të vërtetë një peshqir? Rekomandimi i përgjithshëm është që peshqirët e banjës të zëvendësohen afërsisht çdo dy deri në tre vjet, megjithëse materialet me cilësi më të lartë, si pambuku egjiptian ose turk, mund të zgjasin deri në pesë vjet me kujdesin e duhur.

    Nëse peshqiri juaj nuk e thith më ujin aq mirë sa dikur, zbehet ose lë një erë të pakëndshme edhe pas larjes, këto janë shenja të qarta se është koha për ta hedhur.

    Peshqirët më të vegjël, siç janë peshqirët e duarve që përdoren më shumë dhe lahen më shpesh, zakonisht duhet të zëvendësohen pas një ose dy vitesh sepse e humbasin funksionalitetin e tyre më shpejt.

    Ekspertët theksojnë se tharja dhe ventilimi i duhur i banjës është thelbësor – peshqirët që qëndrojnë të lagur për një kohë të gjatë bëhen një mjedis i përshtatshëm për shumimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat gjithashtu mund të çojnë në acarim të lëkurës. Prandaj, nuk është e rëndësishme vetëm sa shpesh lani, por edhe ku dhe si i lini të thahen.

    Sigurisht, e gjithë kjo nuk do të thotë që çdo peshqir i ngurtësuar ose i zbehur shkon menjëherë në plehra – copat e vjetra mund të përdoren si lecka pastrimi ose për fshirje pas punëve të shtëpisë, gjë që është një zgjidhje ekologjike dhe praktike përpara se të hidhen përfundimisht.

    Shkurt – peshqirët mund të mos kenë një datë të saktë skadimi, por ata patjetër që kanë një “kohë përdorimi”, dhe zëvendësimi në kohë do të thotë higjienë më e mirë, freski dhe një përvojë më të këndshme pas dushit.

  • Ballkani përforcohet me Ebrima Gaye

    Ballkani përforcohet me Ebrima Gaye

    Nënkampioni i Kosovës Ballkani është përforcuar edhe me një futbollist tjetër.

    Ebrima Gaye është transferimi i rradhës i suharekasve nga BST Galaxy,dhe atë një ditë pas transferimit të Toni Domgjonit.

    Përndryshe transferimi i sulmuesit nga Gambia është konfirmuar edhe nga faqja e FC Ballkanit në Facebook,duke i uruar mirëseardhje në skuadër futbollistit në fjalë.

    Kujtojmë që Ebrima Gaye ka bërë karrierë edhe në elitën e futbollit në Senegal,teksa ka luajtur edhe për Kombëtaren e Gambisë.