ATV

Blog

  • Banka Qendrore Evropiane zbulon dizenjot e reja të kartmonedhave euro

    Banka Qendrore Evropiane zbulon dizenjot e reja të kartmonedhave euro

    Banka Qendrore Evropiane prezantoi këtë të enjte projektet finaliste për kartëmonedhat e reja euro. Për herë të parë, qytetarët e BE-së do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre për dizajnin e ri, i cili pritet të zëvendësojë pamjen e pandryshuar të kartëmonedhave që prej vitit 2002.

    Euroja do të ndryshojë pamje. Për herë të parë që nga futja e saj në qarkullim, qytetarët evropianë do të kenë mundësinë të zgjedhin dizajnin e kartëmonedhave të reja. Banka Qendrore Evropiane (BQE) prezantoi 10 projektet finaliste të serisë së re të euros dhe hapi një konsultim publik, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 21 shtator.

    Krahas ekspertëve dhe Këshillit Drejtues të BQE-së, edhe qytetarët do të japin mendimin e tyre për pamjen e re të monedhës së përbashkët, e cila do të ridizenjohet plotësisht për herë të parë që nga viti 2002.

    “Jemi të entuziazmuar të prezantojmë këto motive, që paraqesin skena nga jeta reale dhe tregojnë angazhimin tonë për Evropën, duke festuar trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore. Kartëmonedhat euro janë më shumë se një mjet pagese. Ato janë një nga shprehjet më të prekshme të Evropës. Përmes dizajneve që bashkojnë bukurinë dhe domethënien, ato do të forcojnë identitetin tonë të përbashkët”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, gjatë prezantimit të modeleve finaliste.

  • Haxhiu pritet sot të caktojë datën e seancës konstituive

    Haxhiu pritet sot të caktojë datën e seancës konstituive

    Procesi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të hyjë në një fazë të re gjatë ditës së sotme, kur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të caktojë datën e mbledhjes konstituive. Sipas saj, seanca pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.

    Haxhiu ka bërë të ditur se nuk e ka caktuar më herët datën e seancës për t’u lënë hapësirë partive politike që të vazhdojnë negociatat për zgjedhjen e presidentit.

    “Në i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Siç e dini, ka pasur dy takime, një me PDK-në dhe një me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha ajo.

    Haxhiu mohoi gjithashtu se mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

    “Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje, sigurisht që do ta bënim publike. Në takim kanë qenë kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa nga ana tjetër zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani-Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, u shpreh Haxhiu.

  • Spanja shpall gjendje të jashtëzakonshme, zjarret detyrojnë evakuimin e 10 mijë banorëve

    Spanja shpall gjendje të jashtëzakonshme, zjarret detyrojnë evakuimin e 10 mijë banorëve

    Përballë përhapjes së pakontrolluar të zjarreve, qeveria spanjolle shpalli “gjendje të jashtëzakonshme me interes kombëtar” të enjten në mbrëmje deri të premten në rajonin e Madridit dhe provincën e Avilës , pranë kryeqytetit, një masë që i lejon shtetit të mobilizojë më shumë burime për të forcuar përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

    Vendimi, i njoftuar nga Ministria e Brendshme, synon të mobilizojë dhe përqendrojë burimet më shpejt në luftën kundër zjarreve që kanë detyruar evakuimin e rreth 10,000 njerëzve në Madrid , ndërsa ia beson njësisë ushtarake të reagimit ndaj emergjencave (UME) menaxhimin e krizës.

    Më herët të enjten, afërsisht 3,500 banorë të një komune të vendosur 60 kilometra në perëndim të Madridit lanë shtëpitë e tyre si masë paraprake për shkak të përhapjes së një zjarri pyjor .

    Në një përditësim nëpërmjet platformës X, ata thonë se dërguan një alarm urgjent në telefonat celularë të banorëve të Aldea del Fresno për të evakuuar zonën dhe për të shkuar në një komunë tjetër, në mënyrë që të shmangnin rrezikun nga zjarri që po shpërthente jashtë kontrollit aty pranë.

  • MMPHI paralajmëron aksione kundër uzurpimeve në Batllavë dhe Badovc, pas rrënimit të 16 villave në Ujman

    MMPHI paralajmëron aksione kundër uzurpimeve në Batllavë dhe Badovc, pas rrënimit të 16 villave në Ujman

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë të ditur se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një prej prioriteteve strategjike të saj, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe të objekteve të ndërtuara pa leje.

    Në një reagim të publikuar në Facebook, ministria njoftoi se tashmë ka nisur trajtimin e kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.

    “Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional. Prandaj kemi nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm”, thuhet në reagim.

    Ministria ka theksuar se ky angazhim po zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës, duke përmendur aksionin e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit.

    “Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. ‘Ibër-Lepenci’, është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”, thuhet më tej.

    Sipas ministrisë, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe rastet e uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje në zonat përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit.

    “Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë. Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik”, theksohet në reagim.

    Ministria ka bërë të ditur se Inspektorati po vazhdon monitorimin edhe në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke ritheksuar përkushtimin për zbatimin e ligjit.

    “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e palëkundur në misionin e saj: përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, do të mbrojmë çdo resurs ujor dhe natyror të Republikës së Kosovës nga çdo formë e uzurpimit apo ndërtimit të paligjshëm”, përfundon reagimi.

  • KGJK shqyrton sot kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    KGJK shqyrton sot kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se sot do të mbajë takimin e radhës, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.

    Kjo pikë e rendit të ditës është renditur e nënta nga 16-të sa janë gjithsej.

    Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

    “Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

    Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.

    Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.

    Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.

    “BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpend Hasanramajt, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga djali i tij

    Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpend Hasanramajt, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga djali i tij

    Shpend Hasanramajt do t’i jepet nesër (25 korrik) lamtumira e fundit, pasi humbi jetën të enjten në një ngjarje tragjike në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

    Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të mbahet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Strellc i Epërm, pranë xhamisë.

    “Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenetin Firdeus. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëfshatarëve”, thuhet në njoftimin mortor.

    Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arrestuar si të dyshuar djalin e viktimës, Erdonit Hasanramaj.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe një armë zjarri.

    Rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, Shpend Hasanramaj ka humbur jetën pasi është qëlluar aksidentalisht nga djali i tij gjatë qëndrimit në bjeshkë.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

  • Nafta sot edhe më shtrenjtë

    Nafta sot edhe më shtrenjtë

    Çmimi i naftës në Kosovë ka mbërritur në vlerën më të lartë që prej fillimit të majit.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 69 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 50 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

  • Konfirmohet aktakuza për korrupsion: Apeli refuzon ankesat e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Konfirmohet aktakuza për korrupsion: Apeli refuzon ankesat e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës në rastin ku Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion.

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarëve Faruk Mujka, avokati Xhafer Tahiri dhe Hysen Muzliukaj, avokati Ahmet Tahiri, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 16.12.2025, VËRETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Kundër aktvendimit të shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës, kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarëve Mujka dhe Muzliukaj, avokatët Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore si dhe shkeljeve të dispozitave të Ligjit Penal.

    Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovojë si të bazuara ankesat dhe t’i shpall provat e papranueshme dhe të hudh aktakuzën, si dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve.

    Ndërsa, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtja dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

    Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të drejtë pretendimet e paraqitura në kundërshtimet ndaj aktakuzës dhe kërkesat për hudhje të saj, duke dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja, përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen si në aktakuzë.

    Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjtes përkitazi me veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit, dhe në këtë fazë të procedurës penale të njëjtat janë të pabazuara, pasi që të gjitha këto pretendime do të vlerësohen në shqyrtimin gjyqësor pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarëve.

    Sipas Apelit, pretendimet e mbrojtjes se gjykata e shkallës sëparë ka tejkaluar kompetencat e saj procedurale dhe ka paragjykuar çështjen, duke konstatuar ekzistencën e elementeve të veprës penale dhe përgjegjësinë e tëa kuzuarëve, nuk qëndrojnë.

    Apeli thekson se nga analiza e tërësisë së arsyetimit të vendimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve, por ka bërë vetëm një vlerësim paraprak të provave në funksion të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, si kusht për vazhdimin e procedurës penale.

    Në fund të vendimit, thuhet se kolegji i Apelit ka konstatuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përbën paragjykim të rezultatit përfundimtar të procedurës penale, pasi vlerësimi përfundimtar i provave dhe konstatimi i fajësisë apo pafajësisë mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor.

    Vendimi i Apelit rezulton të jetë marrë më 20 shkurt 2026, nga kolegji i përbërë prej Albina Shabani-Ramës si kryetare e kolegjit, si dhe Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti- anëtarë.

  • BE-ja u bën thirrje partive politike të mos ushtrojnë presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    BE-ja u bën thirrje partive politike të mos ushtrojnë presion ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.

    Përmes një reagimi të publikuar në platformën X, Zyra e BE-së theksoi se pavarësia e gjyqësorit është një nga shtyllat themelore të sundimit të ligjit dhe duhet të respektohet nga të gjithë akterët politikë.

    “Bashkimi Evropian në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes”, thuhet në reagim.

    BE-ja nënvizoi se një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Kosovë.

    “Një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian dhe në Kosovë”, theksohet në deklaratë.

  • Malisheva një hap larg historisë, mposht Hibernianin dhe prek raundin e tretë të Conference League

    Malisheva një hap larg historisë, mposht Hibernianin dhe prek raundin e tretë të Conference League

    Malisheva ka dhuruar një tjetër mbrëmje të paharrueshme për futbollin kosovar. Skuadra nga Kosova ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Hibernianit të Skocisë, duke hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit në raundin e tretë të UEFA Europa Conference League.

    Me një paraqitje të disiplinuar dhe plot karakter, Malisheva dominoi përballjen ndaj një kundërshtari me përvojë në arenën evropiane, duke siguruar një fitore që e vendos në një pozitë shumë të favorshme për ndeshjen e kthimit.

    Ky sukses përfaqëson një nga rezultatet më të rëndësishme në historinë e klubit, ndërsa skuadra vazhdon të shkruajë faqe të reja në debutimin e saj në garat evropiane.

    Fitorja ndaj Hibernianit jo vetëm që rrit ndjeshëm shanset për kualifikim, por është edhe një tjetër dëshmi e rritjes së futbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.

    Tashmë, Malishevën e ndan vetëm edhe një ndeshje nga realizimi i një ëndrre të madhe, sigurimi i një vendi në raundin e tretë të UEFA Europa Conference League dhe vazhdimi i aventurës evropiane.