ATV

Blog

  • Mustafë Kadriaj i kërkon falje publikut pas sulmit ndaj Nexhmedin Spahiut në studio: Reagimi im ishte në afekt

    Mustafë Kadriaj i kërkon falje publikut pas sulmit ndaj Nexhmedin Spahiut në studio: Reagimi im ishte në afekt

    Analisti për ekonomi, Mustafë Kadriaj, ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm në emisionin debatues në Teve 1, ku transmetimi u ndërpre përkohësisht pas përplasjes së tij me profesorin e shkencave politike dhe analistin Nexhmedin Spahiu.

    Përplasja nisi gjatë debatit, kur Kadriaj e quajti Spahiun “pseudo-jugosllav e mbetje”, ndërsa ky i fundit i kërkoi sqarim për ofendimin. Situata u tensionua më tej kur Kadriaj iu drejtua me fjalët: “Çfarë ke, çka p’e hap gojën”, para se debati të përshkallëzohej dhe transmetimi të ndërpritej.

    Pas ngjarjes, Kadriaj përmes një reagimi publik ka kërkuar falje për sjelljen e tij, duke thënë se reagimi ishte bërë në afekt.

    “Është njerëzore të kërkosh falje publikut për një sjellje timen dhe jam i gatshëm, nëse kërkohet, t’u kërkoj falje shqiptarëve anë e mbanë, kudo që janë. Pa dyshim që reagimi im ishte në afekt dhe më vjen keq”, ka shkruar Kadriaj.

    Megjithatë, ai ka thënë se reagimi i tij erdhi pas deklaratave të Nexhmedin Spahiut ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për të cilin Kadriaj tha se po përballet padrejtësisht në Hagë.

    “Por të ofendohet një figurë siç është Hashim Thaçi, i cili, me të gjitha të metat që mund t’i ketë si njeri, e ka dëshmuar anën e tij atdhetare dhe për këtë po përballet padrejtësisht në Hagë, ishte e papranueshme për mua”, u shpreh ai.

    Kadriaj pretendoi se Spahiu kishte përdorur gjuhë fyese ndaj Thaçit dhe kritikoi edhe mënyrën se si ishte menaxhuar debati në studio.

    “Unë u detyrova ta lëshoj studion, por Spahiu vazhdoi me ofendime, gjë që për mua ishte e papranueshme në atë moment”, ka deklaruar ai.

    Në fund të reagimit, Kadriaj përsëriti kërkimfaljen për publikun, duke theksuar se pavarësisht gabimeve njerëzore, sipas tij, “nuk mund të ofendohen çlirimtarët”.

  • ​Sot jepet fjala përfundimtare në procesin ndaj Sami Lushtakut

    ​Sot jepet fjala përfundimtare në procesin ndaj Sami Lushtakut

    Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të bashkëakuzuarit Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po presin për fjalët përfundimtare, në rastin ku akuzohen për krim të organizuar dhe frikësim të dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”.

    Të akuzuarit në seancën e kaluar kanë vendosur që të mbrohen në heshtje.

    Gjykimi në këtë rast po vazhdon për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës.

    Në pikat e tjera të aktakuzës, në këtë rast ishin përfshirë edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se nuk kishte parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për aprovimin e kërkesave. Ky aktvendim ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2018.

    Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020, kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

    Për arratisjen nga QKUK-ja, gjykata e kishte liruar Lushtakun nga akuza, ndërsa e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, të ndodhura më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.

    Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, për disa vepra penale që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës” dhe që në QKUK kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore. /KP/

  • Ramadani: Narko-testi nuk është shaka, pushtetarët të mos kenë frikë nga e vërteta

    Ramadani: Narko-testi nuk është shaka, pushtetarët të mos kenë frikë nga e vërteta

    Deputeti i zgjedhur nga Aleanca, Burim Ramadani, ka bërë thirrje që zyrtarët dhe vendimmarrësit publikë t’i nënshtrohen vullnetarisht testimit për përdorimin e narkotikëve, duke theksuar se një proces i tillë duhet të zhvillohet në institucionet publike shëndetësore.

    Sipas tij, disa deputetë tashmë e kanë kryer testimin, ndërsa të tjerë, siç pretendon ai, po përballen me pengesa për ta realizuar atë. Ramadani shprehet se janë dhënë arsyetime të ndryshme, si zhvendosja e aparaturës apo mosfunksionimi i saj, duke ngritur dyshime se po krijohen pengesa për testimin vullnetar.

    “Narko-testi nuk është shaka, as nuk mund të ndalet. Pushtetarët të mos kenë frikë nga e vërteta”, shkruan ai, duke shtuar se procesi nuk do të mund të ndalet nga askush që aktualisht është në Qeveri.

    Në fund të reagimit, Ramadani rikujton rastin e vitit 2019 në Ukrainë, kur Volodymyr Zelenskiy sfidoi rivalin e tij Petro Poroshenko për t’iu nënshtruar një narko-testi, duke e paraqitur atë si shembull të transparencës në politikë.

  • Virusi i Nilit Perëndimor përhapet në Evropë, raste të reja në pesë vende

    Virusi i Nilit Perëndimor përhapet në Evropë, raste të reja në pesë vende

    Sezoni i transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor ka nisur në disa pjesë të Evropës, me raste të raportuara në Greqi, Itali, Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

    Sipas mediave të huaja, në Greqi janë regjistruar 21 raste të infektimit lokal që nga fillimi i sezonit të monitorimit 2026.

    Nga këto, 20 pacientë kanë zhvilluar komplikime neurologjike, ndërsa një rast ka pasur simptoma më të lehta. Deri tani nuk është raportuar asnjë vdekje, ndërsa 13 persona janë të shtruar në spital.

    Sipas ECDC-së, deri më 15 korrik janë konfirmuar gjithsej 33 raste të transmetimit lokal në pesë vende evropiane.

    Italia ka numrin më të lartë me 20 raste në 16 zona, ndërsa raste janë raportuar edhe në Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë.

    Autoritetet shëndetësore theksojnë se përhapja e virusit lidhet me aktivitetin e mushkonjave, kushtet e motit dhe lëvizjen e shpendëve të egër.

    Qytetarëve u rekomandohet të marrin masa mbrojtëse ndaj pickimeve të mushkonjave gjatë sezonit të transmetimit.

  • Policia vazhdon aksionet kundër shmangies së tatimit në autoparkingje, kontrolle në katër komuna

    Policia vazhdon aksionet kundër shmangies së tatimit në autoparkingje, kontrolle në katër komuna

    Policia e Kosovës ka vazhduar aksionet kundër shmangies së tatimit në autoparkingje, duke zhvilluar të enjten kontrolle në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan.

    Sipas Policisë, aksioni është realizuar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë.

    Gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të ndryshme, të cilat do të trajtohen nga autoritetet kompetente.

    “Njësitet policore të DHKEK-së në koordinim dhe bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, kanë realizuar një aksion inspektimi në disa auto-parkingje në qytete të ndryshme si Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan. Gjatë inspektimit janë evidentuar shkelje të ndryshme, të cilat do të trajtohen nga autoritetet sipas kompetencës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Javën e kaluar, Policia kishte ndërmarrë aksione të ngjashme edhe në Gjakovë, Gjilan dhe Viti.

  • Gjenden eshtra njeriu që dyshohet se i përkasin një personi që u zhduk vitin e kaluar

    Gjenden eshtra njeriu që dyshohet se i përkasin një personi që u zhduk vitin e kaluar

    Janë gjetur eshtra njeriu që dyshohen se i përkasin një personi të shpallur të zhdukur më 5 tetor të vitit të kaluar.

    Mbetjet u gjetën në Malishevë.

    Policia nuk ka dhënë informacione shtesë për rastin.

    “Lidhur me rastin janë gjetur eshtra të njeriut që dyshohet se i përkasin viktimës mashkull kosovar i cili ishte shpallur si person i zhdukur. Eshtrat e gjetur janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Policia ndal makinën në Vërmicë, gjen katër të huaj që po i kontrabandonte një kosovar

    Policia ndal makinën në Vërmicë, gjen katër të huaj që po i kontrabandonte një kosovar

    Policia e Kosovës ka iniciuar, të enjten, një rast të ri të dyshuar të kontrabandës me migrantë në pikën kufitare të Vërmicës, një ditë pasi në të njëjtën zonë u hasën dy shtetase të Somalisë që dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Forcat e rendit bënë me dije se të enjten rreth orës 08:30, ndaluan një automjet me targa vendore që drejtohej nga një kosovar.

    Gjatë kontrollit brenda policia gjeti katër persona, shtetas të huaj.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit penal për “Kontrabandë me migrantë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

    Vetëm një ditë më parë, në afërsi të pikës së vjetër kufitare Kosovë–Shqipëri, policia kishte hasur dy shtetase të Somalisë, të cilat deklaruan se kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Kosovë. Sipas dyshimeve fillestare, ato ishin kontrabanduar deri në afërsi të kufirit nga persona të tjerë. Për atë rast gjithashtu ishte njoftuar prokurori dhe hetimet vazhdojnë.

  • Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia njofton për masa të veçanta në trafik më 24 dhe 25 korrik në magjistralen Prishtinë-Shkup

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall.

    Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e ngarkesave në trafik.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe kolonat.

    Po ashtu, për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me linjë nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe në drejtimin e kundërt.

    Sipas planit të menaxhimit të trafikut, për automjetet që lëvizin nga Prishtina drejt Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.

    Ndërsa, automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të kenë qasje në Prishtina Mall përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrijnë te rrethi i qendrës tregtare, ndërsa në këtë drejtim do të vendosen kona në shiritin e djathtë të qarkullimit.

    Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.

  • Vetaksident në Dollc të Klinës, lëndohet një person

    Vetaksident në Dollc të Klinës, lëndohet një person

    Sot rreth orës 07:40, Policia e Kosovës është njoftuar për një vetaksident trafiku në fshatin Dollc të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.

    Policia po merret me hetimin e rrethanave të këtij rasti.

    Pamjet nga mediumi lokal Klina Info.

  • Aleanca: Ne e sigurojmë kuorumin për presidentin, nëse pranohen gjashtë pikat e ofertës

    Aleanca: Ne e sigurojmë kuorumin për presidentin, nëse pranohen gjashtë pikat e ofertës

    Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se kjo parti ka bërë publike gjashtë pika, të cilat, sipas tij, nuk janë kushte, por ofertë për të ndihmuar formimin dhe konsolidimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.

    Ai tha se nëse qeveria e ardhshme zotohet publikisht për zbatimin e këtyre pikave, Aleanca do të kontribuojë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për formimin e institucioneve.

    “Ne i kemi shprehur publikisht, kryetari Ardian Gjini, kryetari i Aleancës i ka paraqitur publikisht që janë të artikuluara qartë, janë të shkruara gjashtë, le të themi, jo kërkesa, as kushte po oferta e Aleancës për si mundësi reale për ta ndihmuar formimin e institucioneve ose konsolidimin e institucioneve të dala pas zgjedhjeve. Në qoftë se kanë një zotim publik që kjo ofertë është e pranueshme për qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës, atëherë ne kontribuojmë në kuorumin që do të ndihmojë formimin e institucioneve të reja”, tha Latifi.

    Sipas tij, oferta e Aleancës është në interes të qytetarëve dhe përfshin çështje strategjike për vendin.

    “Pra, kërkesat tona ose oferta jonë. Aleanca nuk bën ofertë për Aleancën, po e gjithë kjo ofertë në një mënyrë apo tjetrën ndikon drejtpërdrejt te qytetarët e Republikës së Kosovës, pastaj në vendosjen ose rivendosjen ose konsolidimin e marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, sepse janë edhe kërkesa strategjike. Shembull, gazi i lëngëzuar amerikan, ose krijimi i kapaciteteve të reja energjetike që me pasur siguri, me pasur garanci energjetike Kosova të furnizimit me energji elektrike”, tha ai.

    Latifi përmendi gjithashtu përmbylljen e projekteve infrastrukturore, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla dhe të mesme nga 30 mijë në 100 mijë euro, si dhe heqjen e tatimit për tokën e punuar.

    “Pastaj janë kërkesat për përmbylljen e projekteve të infrastrukturës të rrugëve kudo në Kosovë, janë projekte që kanë marrë kohë të gjatë dhe duhet të përmbyllen sa më shpejt. Pastaj është kërkesa për rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë për bizneset e vogla dhe të mesme në 100 mijë, që janë rreth 100 mijë biznese që përfitojnë direkt. Menjëherë ndërron gjendja në aspektin pozitiv edhe për ato biznese dhe normalisht që e rrit mirëqenien e bizneseve, mundësitë, horizontet e reja u hap bizneseve, por edhe mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

    Ai tha se pjesë e ofertës është edhe heqja e tatimit për tokën që punohet, me qëllim të stimulimit të bujqësisë.

    “Pastaj toka që punohet të mos tatohet. Sepse tatohet toka e punuar. Kjo domethënë është motiv shtesë që fermerët ta punojnë tokën, sepse ata që s’e punojnë le ta paguajnë. Pra ata që e punojnë është një mundësi e mirë që tokat e punueshme me qenë të kultivuara me kultura bujqësore, pemëtare, vreshtare, perimtari e me drithëra. Edhe kjo është diçka që u shërben direkt fermerëve, bujqve të Republikës së Kosovës”, tha Latifi.

    Sipas tij, oferta përfshin edhe kërkesën për investim prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën.

    “Kërkesa për 800 deri 1 miliard euro për kryeqytetin, që të bëhet më i jetueshëm, të jetë më funksional, se është tek e fundit kryeqyteti i Republikës së Kosovës. Pra janë kërkesa krejt legjitime, është një ofertë shumë e qartë, shumë konkrete, shumë e thjeshtë. Le të del ai që do me bë qeverinë e thotë: ‘Unë i bëj këto, i bëj pjesë të programit të qeverisë’. Ne s’po duam as poste, as ministra, asgjë s’po duam. Atëherë ne qëndrojmë në sallë dhe e bëjmë kuorumin e nevojshëm që të kontribuojmë në formimin e institucioneve të reja. Dhe evitohen zgjedhjet”, tha ai.

    Në fund, Latifi theksoi se oferta e AAK-së është publike dhe transparente.

    “Po ne kjo është, domethënë kjo është publike çka thashë, është transparente, qytetarët e dinë. Aleanca i ka vendosë, ka një ofertë në momentet e tanishme. Oferta është publike, pra është transparente edhe kjo është e tëra. Nuk kemi arsye me pasë marrëveshje, sepse ne po themi: zotohu që këto 6 pika të kësaj oferte të Aleancës janë në rregull, janë në dobi të qytetarëve, ne me Aleancën jemi në rregull”, tha Latifi.