ATV

Blog

  • Dëshmitari thotë se i akuzuari Arsiq ia kishte maltretuar djalin duke e detyruar të barte në shpinë një person të vrarë

    Dëshmitari thotë se i akuzuari Arsiq ia kishte maltretuar djalin duke e detyruar të barte në shpinë një person të vrarë

    Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Dushko Arsiq, janë dëgjuar dëshmitarët Gani Krasniqi dhe Arsim Maqedonci. Dëshmitari Krasniqi dëshmoi se Arsiq ia kishte maltretuar djalin, duke e detyruar ta barte në shpinë një person të vrarë.

    Dëshminë para trupit gjykues e nisi i pari dëshmitari Krasniqi, i cili tha se djali i tij ishte maltretuar nga tani i akuzuari Arsiq, emrin e të cilit e kishte kuptuar pas ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kam dalë e pash u çelë dera e oborrit, e kam pa që hyri djali i përgjakur dhe mezi që ecke. Gjakun e kishte tek sytë edhe në gjoks”, tha Krasniqi.

    Derisa rrëfeu bisedën që e kishte bërë me djalin, Krasniqi tha se djali i tij ishte detyruar që ta barte trupin e viktimës B.Sh., ndërkohë që ishte rrahur gjatë rrugës. Sipas tij, aty ishin Dragani, Bobani dhe Dushko.

    “E kam pyet kush të bani kështu, çka ki? Ka thanë se te shpija e Smajlit e kanë rrahur Dushko Arsiqi edhe e ka vra edhe një djalë aty t’u kalu, ma kanë ngarku në shpinë edhe shqelma t’u e rrah e kanë çu deri te ara e Smajlit, rreth gardhit aty që është një rrugë e vjetër. Më ka tregu se më së shumti ka përjetu dhimbje kur u ngrit me trupin e atij djalit në shpinë, këtë nuk e harroj kurrë”, tha Krasniqi.

    Më pas, u dëgjua edhe dëshmitari Maqedonci, i cili deklaroi se mbetet pranë dëshmisë së dhënë paraprakisht.

    Sipas planifikimit të kësaj Gjykate, në radhë për dhënien e dëshmisë ishte dëshmitari Arsim Krasniqi, mirëpo kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili konstatoi se ai nuk e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

    Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

    Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

    Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

  • Emilia Rexhepi: E respektoj vendimin e Kushtetueses, si grup s’e di a do ta votojmë kandidatin nga Lista Serbe

    Emilia Rexhepi: E respektoj vendimin e Kushtetueses, si grup s’e di a do ta votojmë kandidatin nga Lista Serbe

    Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, e cila vjen nga Partia e Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, ka thënë se do ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë Listës Serbe që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.

    Ajo tha se nuk kanë vendosur ende se a do të kenë votë për kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

    “Unë, si deputete vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, tha Rexhepi për RTV21.

    Rexhepi preferon që sërish procesi i votimit për nënkryetar të Kuvendit të bëhet ndaras.

    “Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç.”, tha Rexhepi.

  • Robotët humanoidë tani mund të funksionojnë me një “tru të përbashkët” të Al

    Robotët humanoidë tani mund të funksionojnë me një “tru të përbashkët” të Al

    Një avancim i jashtëzakonshëm në robotikë po bën të mundur që qindra robotë humanoidë të operojnë njëkohësisht duke përdorur një “tru të vetëm” të Inteligjencës Artificiale.

    Sistemi i ri, i zhvilluar nga kompania britanike Humanoid, quhet KinetIQ dhe është dizajnuar për të menaxhuar flotat e robotëve në fabrika, shërbime dhe ambiente shtëpiake.

    “Robotët humanoidë të projektuar për detyra të ndryshme tani mund të ndajnë një ‘tru’ të vetëm të Al që koordinon veprimet e tyre në shumë vende njëkohësisht,” tha kompania.

    Përmes këtij sistemi, KinetIQ cakton detyra për gjithë flotën e robotëve dhe monitoron lëvizjet individuale brenda sekondash. Të dhënat e mbledhura nga robotët individualë ndahen në të gjithë sistemin, duke përmirësuar performancën e përgjithshme dhe efikasitetin operacional.

    Ky zhvillim mund të transformojë mënyrën se si përdoren robotët në industri dhe shërbime, duke ofruar koordinim dhe inteligjencë të përbashkët për shumë njësi njëkohësisht.

  • Llapi zyrtarizon afrimin e Fiton Ademit, sulmuesi firmos deri në vitin 2028

    Llapi zyrtarizon afrimin e Fiton Ademit, sulmuesi firmos deri në vitin 2028

    KF Llapi ka zyrtarizuar një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv, duke njoftuar transferimin e sulmuesit qendror Fiton Ademi.

    23-vjeçari i bashkohet skuadrës nga klubi kampion i Maqedonisë së Veriut, KF Shkëndija Tetovë, duke sjellë me vete përvojë të vlefshme pavarësisht moshës së re.

    Ademi ka ndërtuar një CV solide, me paraqitje në garat evropiane dhe me titullin kampion të fituar me Shkëndijën në edicionin e kaluar, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për ambiciet e Llapit në këtë sezon.

    Sulmuesi pritet të ketë rol kyç në objektivat e klubit, ndërsa afrimi i tij shihet si një nga lëvizjet më të rëndësishme të afatit kalimtar.

    Njoftimi i klubit:

    Klubi Futbollistik Llapi ka njoftuar se Fiton Ademi ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028, duke u bërë zyrtarisht pjesë e familjes bardhekaltër.

    Ademi vjen te Llapi nga Shkëndija Tetovë, me të cilën sezonin e kaluar u shpall kampion. Gjatë qëndrimit te klubi nga Tetova, ai ka zhvilluar 69 paraqitje zyrtare, duke realizuar 16 gola dhe 9 asistime.

    Në sezonin e fundit, Fiton Ademi ka zhvilluar paraqitje në garat evropiane, duke luajtur në kualifikimet e UEFA Champions League, Europa League dhe Conference League – arritje të rëndësishme për një futbollist vetëm 23-vjeçar. Me këtë përvojë, Ademi vjen në klubin tonë si një përforcim me vlera të larta, i gatshëm të kontribuojë menjëherë në realizimin e objektivave tona.

    KF Llapi i uron Fiton Ademit mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.

  • Gjykata Supreme pranon gjashtë ankesa lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Gjykata Supreme pranon gjashtë ankesa lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Numri i ankesave të dorëzuara në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor është rritur në gjashtë.

    Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, ka konfirmuar për Gazetën Express se ankesat janë paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    Sipas saj, ankesat janë dorëzuar nga subjekte dhe individë të ndryshëm politikë. Një ankesë administrative është paraqitur nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një tjetër nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe një ankesë nga Emilia Rexhepi (NDS).

    Po ashtu, një ankesë administrative është paraqitur nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka (NDS) nga Prizreni, ndërsa dy ankesa të tjera janë dorëzuar nga Bekim Haxhiu, gjithashtu kundër vendimeve të PZAP-së.

    Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh për të shqyrtuar dhe marrë vendim lidhur me këto ankesa.

  • Këto janë shenjat që tregojnë se lidhja juaj ende nuk është e pjekur

    Këto janë shenjat që tregojnë se lidhja juaj ende nuk është e pjekur

    Në faza të ndryshme të jetës në çift, papjekuria emocionale është një dukuri e zakonshme dhe shpesh manifestohet nga njëri prej partnerëve. Këto shenja reflektohen drejtpërdrejt në sjelljen individuale dhe në dinamikën e marrëdhënies. Më poshtë janë disa tregues që sinjalizojnë se lidhja juaj mund të mos jetë ende e konsoliduar.

    Varësia nga prindërit
    Pjekuria ndërtohet mbi pavarësinë emocionale nga prindërit. Nëse prindërit e partnerit tuaj janë të përfshirë vazhdimisht në vendimet, zgjedhjet apo kërkesat për ndihmë, kjo tregon mungesë pjekurie në marrëdhënie.

    Menaxhimi ekonomik
    Ekonomia familjare është përgjegjësi e përbashkët. Pavarësia financiare, ashtu si ajo emocionale, është parakusht për stabilitet dhe një marrëdhënie të shëndetshme në çift.

    “Adoleshenti i përjetshëm”
    Nëse njëri prej partnerëve sillet ende si adoleshent, pa marrë përgjegjësi për jetën dhe marrëdhënien, atëherë lidhja nuk mund të konsiderohet e pjekur.

    Mungesa e komunikimit të shëndetshëm
    Komunikimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Partnerët duhet të dinë të njohin dhe të shprehin emocionet e tyre pa dramatizim apo konflikte të panevojshme. Maturimi emocional është kyç për një lidhje të qëndrueshme.

    Mungesa e vetëkujdesit
    Kur një partner nuk kujdeset për veten dhe imazhin personal, kjo reflektohet negativisht edhe në marrëdhënie, duke ndikuar në dinamikën e çiftit.

    Mospranimi i gabimeve
    Një shenjë e qartë e papjekurisë është pamundësia për të pranuar gabimet. Kur gabimet përsëriten vazhdimisht dhe nuk pranohet përgjegjësia, marrëdhënia ngec.

    Vështirësia për të ndarë
    Të jetosh në çift do të thotë të ndash përgjegjësi, mendime dhe pasuri. Ndarja forcon lidhjen dhe krijon njohje më të thellë mes partnerëve. Pa këtë, marrëdhënia mbetet sipërfaqësore.

  • Drejtori i Aeroportit të Prishtinës: Stabiliteti dhe parashikueshmëria vendimtare për suksesin e PPP-ve

    Drejtori i Aeroportit të Prishtinës: Stabiliteti dhe parashikueshmëria vendimtare për suksesin e PPP-ve

    Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Gokhan Acikgoz, ka theksuar rëndësinë e stabilitetit, parashikueshmërisë dhe besimit të investitorëve në suksesin e partneriteteve publik-privat (PPP), duke vënë në pah ndikimin e drejtpërdrejtë që këta faktorë kanë në zhvillimin afatgjatë të projekteve strategjike si aeroportet.

    Duke folur në kuadër të eventit “French Business Day”, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Europian, Acikgoz tha se stabiliteti nuk ndikon domosdoshmërisht në operacionet e përditshme, por ka rol kyç në vendimmarrjen strategjike të investitorëve të huaj.

    Sipas tij, edhe në raste paqëndrueshmërie, operacionet bazike të aeroportit nuk ndalen, por ndikimi reflektohet në motivimin dhe gatishmërinë e investitorëve për angazhim afatgjatë. Ai theksoi se përcaktimi i qartë i rreziqeve dhe përgjegjësive ndërmjet partnerit publik dhe atij privat është një nga elementet më kritike të një PPP-je funksionale.

    Acikgoz sqaroi se, në praktikë, shumë rreziqe transferohen natyrshëm te partneri privat, pasi ai është pala më e dukshme për publikun. Megjithatë, sipas tij, çdo aspekt i marrëveshjes duhet të jetë i qartë dhe i mirëdefinuar që në fillim.

    Duke folur për kapacitetet e aeroportit, ai përmendi se Aeroporti i Prishtinës ka përmbyllur vitin e kaluar me 4.6 milionë pasagjerë, duke e tejkaluar kapacitetin teknik fillestar prej 4.5 milionësh. Kjo, sipas tij, e bën të domosdoshëm zgjerimin e terminalit, një proces që kërkon koordinim të ngushtë dhe miratim nga Qeveria e Kosovës.

    Ai theksoi gjithashtu se hapja e linjave të reja ajrore nuk varet vetëm nga menaxhmenti i aeroportit, por edhe nga politikat shtetërore dhe stimulimet qeveritare, të cilat janë praktikë e zakonshme në aeroportet ndërkombëtare për tërheqjen e linjave të reja.

    Acikgoz kujtoi edhe periudhën e pandemisë COVID-19, duke vlerësuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas tij, ka qenë vendimtare për ruajtjen e stabilitetit të partneritetit. Ai përmendi ristrukturimin e pagesave të koncesionit dhe zgjatjen e periudhës së koncesionit për 20 muaj si masa që ndihmuan në kompensimin e humbjeve gjatë mbylljes së aeroportit.

    Në fund, drejtori i Aeroportit të Prishtinës theksoi rëndësinë e parashikueshmërisë ligjore dhe rregullatore për projekte që zgjasin 20 deri në 30 vjet, duke i krahasuar partneritetet PPP me një “martesë” që kërkon stabilitet dhe besim të ndërsjellë.

    Sipas tij, besimi i investitorëve të huaj mbetet një nga faktorët kryesorë për suksesin e projekteve të tilla, pasi ato përfshijnë investime të mëdha financiare dhe ndikojnë drejtpërdrejt në reputacionin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

  • Mozzik befason publikun me projekt unik, rep ku sulmon dhe gjykon vetveten

    Mozzik befason publikun me projekt unik, rep ku sulmon dhe gjykon vetveten

    Rep-artisti kosovar Mozzik ka befasuar publikun me lansimin e një projekti muzikor të pazakontë, ku në qendër të këngës është vetë ai, duke sharë dhe ofenduar veten për “mëkatet” e jetës së tij.

    Në këtë projekt, Mozzik e shndërron repin në një formë vetëgjyqi personal, duke përdorur gjuhë të ashpër dhe kritika direkte ndaj vetes, një qasje e rrallë në skenën muzikore shqiptare.

    Gjatë këngës, reperi përmend edhe vajzën e tij, politikanë si dhe figura të tjera publike, duke ndërlidhur jetën personale me realitetin shoqëror dhe publik.

    Ky material po vlerësohet si një nga projektet më origjinale të realizuara ndonjëherë nga Mozzik, por edhe si një nga eksperimentet më të guximshme artistike në zhanrin e repit.

  • Milot Rashica mund të kalojë tek Trabzonspor

    Milot Rashica mund të kalojë tek Trabzonspor

    Ylli i Kombëtares së Kosovës Milot Rashica mund të mbetet në Superligën e Turqisë por jo tek gjiganti turk Besiktas.

    Mediat turke bëjnë të ditur se Trabzonspor synon ta transferoj Rashicën,dhe atë në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit në Turqi.

    Përndryshe Rashica po shihet si një përforcim tejet i rëndësishëm për repartin e sulmit tek Trabzonspor,dhe transferimi i tij do të ishte e rëndësishme sidomos kur ekipi i Fatih Tekke po lufton për titull në kampionatin turk.

    Mbetet të shihet se nëse do të realizohet ky transferim në formë blerjeje,apo si huazim deri në fund të sezonit.

    Kujtojmë që Milot Rashica ka shënuar 1 gol e bëri 2 asistime në 19 ndeshje për Besiktasin në të gjitha garat.

  • Ronaldo rikthehet në stërvitje, por tensionet me drejtuesit sauditë vazhdojnë

    Ronaldo rikthehet në stërvitje, por tensionet me drejtuesit sauditë vazhdojnë

    Superylli portugez Cristiano Ronaldo është gati t’i japë fund grevës së tij në futbollin saudit, megjithatë pakënaqësia ndaj mënyrës se si po trajtohet klubi i tij, Al-Nassr, vazhdon të mbetet e pranishme.

    Ronaldo kishte refuzuar të luante për Al-Nassr si formë proteste ndaj Fondit të Investimeve Publike (PIF) të Arabisë Saudite, duke pretenduar se klubet nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë. Klubet kryesore në Arabinë Saudite janë në pronësi të shtetit, ndërsa PIF ka një rol kyç në transferime, përfshirë edhe përcaktimin e klubit ku do të transferohen lojtarët.

    Sipas burimeve pranë lojtarit, ylli portugez është i pakënaqur me faktin se shumica e futbollistëve elitë po përfundojnë te Al-Hilal, klub që së fundmi ka transferuar edhe Karim Benzema, çka ka rritur më tej pakënaqësinë e tij.

    Për këtë arsye, Ronaldo nuk u aktivizua në ndeshjen ndaj Al-Riyadh më herët gjatë javës. Megjithatë, sipas raportimeve të Sky Sports, ai ka vendosur t’i japë fund grevës, ndonëse situata mbetet e tensionuar.

    Cristiano Ronaldo është rikthyer së fundmi në stërvitje me Al-Nassr, duke dhënë sinjale pozitive për rikthimin e tij në fushë. Sipas raportimeve, ai pritet të luajë në derbin e nesërm ndaj Al-Ittihad.

    Ndërkohë, situata ka shkuar deri aty sa portugezi po shqyrton seriozisht edhe mundësinë e largimit nga Al-Nassr dhe Arabia Saudite. Aktualisht, Al-Nassr ndodhet vetëm një pikë pas liderit Al-Hilal, ndërsa drejtuesit e klubit shpresojnë që rikthimi i Ronaldos të jetë vendimtar në garën për titullin kampion.