ATV

Blog

  • Alarm i rëndësishëm për përdoruesit e iPhone: Spyware i ri mund të vjedhë të dhëna pa asnjë klikim

    Alarm i rëndësishëm për përdoruesit e iPhone: Spyware i ri mund të vjedhë të dhëna pa asnjë klikim

    Apple ka paralajmëruar përdoruesit e iPhone se janë në rrezik nga “sulme spyware mercenare” që mund të vjedhin të dhëna pa asnjë klikim nga viktima, madje pa hapur ndonjë link të dyshimtë.

    Sipas kompanisë, rreziku vjen kryesisht nga përdoruesit që nuk kanë azhurnuar telefonët e tyre në versionin më të ri të sistemit iOS 26.

    Ky përditësim përmban përmirësime të avancuara të sigurisë që mbrojnë nga dobësitë që hakerët kanë përdorur në sulmet reale. Konkretisht, ata kanë shfrytëzuar dobësi të fshehura në pjesën e iPhone që menaxhon shfletimin në internet, të quajtur WebKit.

    WebKit është motori që përdoret nga Safari dhe aplikacione të tjera të iPhone. Dobësitë në versionet e vjetra të sistemit lejonin hakerët të ekzekutonin kod të dëmshëm vetëm duke e mashtruar telefonin për të hapur përmbajtje web të korruptuar.

    Ky lloj sulmi quhet “zero-click” (pa klikim) sepse nuk kërkon që viktimat të hapin email të dyshimtë ose të klikojnë ndonjë link keqdashës.

    Apple ka konfirmuar në faqet e saj të mbështetjes se këto dobësi janë shfrytëzuar në fushata spyware shumë të sofistikuara, kryesisht ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve.

    Por kompania paralajmëroi se këto sulme mercenare janë globale dhe të vazhdueshme, që do të thotë se rreth një miliard përdorues iPhone që nuk përdorin iOS 26 janë të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, përfshirë ato që nuk mund të parashikohen.

    Si të mbroheni: Apple rekomandon të shkarkoni versionin iOS 26 ose 26.2 dhe të rinisni menjëherë iPhone-in për të eleminuar ndonjë malware të fshehur. Lënia e telefonit me version të vjetër do të thotë që përdoruesit humbasin të gjitha përmirësimet e sigurisë, pasi Apple nuk ofron më azhurnime për versionet më të vjetra.

    Kjo përfshin edhe iOS 18, i cili u lançua në shtator 2024 dhe ishte përditësimi i fundit para iOS 26.

    Apple paralajmëroi: “Kostoja ekstreme, sofistikimi dhe natyra globale e sulmeve spyware mercenare i bëjnë ato disa nga kërcënimet më të avancuara dixhitale ekzistuese sot.”

    Kompania nuk ka zbuluar emra të grupeve të caktuara hakerësh, por theksoi se sulmuesit janë jashtëzakonisht mirëfinancuar dhe ndonjëherë i mashtrojnë viktimat duke u dërguar mesazhe të rreme që duken si njoftime urgjente nga Apple.

    Apple sqaron: “Njoftimet e kërcënimit nuk do t’ju kërkojnë kurrë të klikoni linke, të hapni skedarë, të instaloni aplikacione ose të jepni fjalëkalimin ose kodin e verifikimit të Apple Account tuaj.”

    Hakerët kanë shfrytëzuar dobësi të fshehura në sistemin iPhone, të njohura si zero-day exploits, që i lejon kriminelët të njohin dobësitë përpara se Apple të mund të japë një fix. Kjo u mundëson dërgimin e mesazheve ose linkeve të dizajnuara për të aktivizuar dobësinë automatikisht, pa pasur nevojë për klikim nga përdoruesi.

    Spyware instalohet në sfond, duke u dhënë hakerëve kontroll të plotë për të ekzekutuar komanda, për të fshehur aktivitetin dhe për t’u dukur si një aplikacion normal. Kjo u mundëson atyre të vjedhin mesazhe, email, foto, video, të regjistrojnë thirrje, fjalëkalime ose të dhëna lokacioni në kohë reale.

    Përditësimet iOS 26 dhe 26.2 fuqizojnë sigurinë e iPhone duke korrigjuar dobësitë e fshehura zero-day në WebKit dhe Kernel, si dhe duke rregulluar problemet me FaceTime, Messages, Photos, Apple App Store dhe Screen Time.

    Megjithatë, deri në janar 2026, vetëm 16% e përdoruesve të iPhone kanë shkarkuar ndonjë version të iOS 26, sipas Malwarebytes Labs.

    Apple gjithashtu thekson se telefonët më të vjetër se iPhone 11 nuk janë kompatibël me iOS 26, duke përfshirë modele si iPhone XR, XS, XS Max, X, 8 dhe më të vjetër.

  • Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Tronditet Greqia, oficeri i lartë i shiste Kinës të dhënat e NATO-s

    Një skandal spiunazhi ka tronditur Forcat e Armatosura Greke, duke ngritur alarmin për sigurinë kombëtare dhe atë të NATO-s. Një oficer i lartë i Forcave Ajrore Greke, rreth 50 vjeç, u arrestua mëngjesin e sotëm brenda njësisë ku shërbente, i dyshuar për mbledhje dhe transmetim të informacioneve sekrete ushtarake tek një vend i tretë, konkretisht Kina.

    Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, oficeri kishte akses në plane të klasifikuara të NATO-s, të cilat konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare dhe aleancën euroatlantike. Burime pranë Shtabit të Përgjithshëm bëjnë me dije se ai po vepronte në emër të një shteti të huaj dhe u arrestua pak para se të dorëzonte një sasi të konsiderueshme të dhënash të ndjeshme.

    Oficeri shërbente në Grupin e 128-të të Trajnimit të Telekomunikacionit dhe Elektronikës të Forcave Ajrore, në zonën e Kavouri, një pozicion kyç që i garantonte akses të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale. Ai akuzohet për veprën e rëndë penale të “mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake tek palët e treta”, një shkelje e rëndë e Kodit Penal Ushtarak.

    Hetimet tregojnë se oficeri ishte vënë nën mbikëqyrje të rreptë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Greke (NIS), në bashkëpunim me personel ushtarak të specializuar në kundërzbulim, për të paktën një muaj. Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova të konsideruara shumë të forta, që çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.

  • Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është paraqitur këtë të premte të 6 shkurtit në Prokurorinë e Posaçme. Ajo është parë nga mediat të dalë menjëherë nga SPAK dhe është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

    Paraqitja e saj lidhet me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar ndaj saj në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK. Ajo po hetohet për dyshime se ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike për përfitim personal.

    Hetimet po vijojnë për të zbardhur mekanizmat e këtyre përfitimeve të dyshuara, si dhe për të identifikuar rolin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje./EuronewsAlbania/

  • Trazirë në Arabi: Ronaldo fiton 585 000 euro në ditë, por bojkoton ndeshjen e dytë radhazi tek Al Nassri

    Trazirë në Arabi: Ronaldo fiton 585 000 euro në ditë, por bojkoton ndeshjen e dytë radhazi tek Al Nassri

    Cristiano Ronaldo do të humbasë një ndeshje të dytë radhazi për Al Nassr, dhe gjithçka tregon se protesta e tij, gjoja, e heshtur, vazhdon.

    Ish-ylli i Manchester United, i cili festoi ditëlindjen e 41-të të enjten, nuk luajti në ndeshjen e fundit të klubit të tij, dhe sipas raportimeve nga Arabia Saudite, ai është i pakënaqur me mbështetjen që Al Nassr merr nga autoritetet saudite, veçanërisht krahasuar me disa nga rivalët e tij në Pro League.

    Kishte shpresa se portugezi do t’i kishte dhënë fund bojkotit pasi postoi një foto të tij duke u stërvitur në rrjetet sociale të mërkurën, por tani duket se ai do të humbasë edhe derbin e madh të premten kundër Al Ittihad, kampionëve aktualë, një ndeshje që konsiderohet vendimtare në garën për titull.

    Sipas informacionit të disponueshëm, Ronaldo fiton rreth 585,000 euro në ditë në Al Nassr, dhe klubi aktualisht është në vendin e dytë në tabelë, katër pikë pas liderëve Al Hilal.

    Ai thuhet se është veçanërisht i zemëruar për faktin se Al Hilal, rivali më i madh i ekipit të tij, solli Karim Benzeman nga Al Ittihad. Benzema shënoi një tregolësh në debutimin e tij për Al Hilal në një fitore 6-0 ndaj Al Akhdoud.

    Ronaldo beson se klubi i tij, i cili ende nuk e ka fituar titullin e ligës së Arabisë Saudite, nuk merr të njëjtin nivel mbështetjeje institucionale dhe financiare si Al Hilal dhe dy klubet e tjera në pronësi të fondit shtetëror të investimeve (PIF).

    Portugezi ka 18 muaj të mbetur në kontratën e tij, e cila përfshin një klauzolë lirimi prej rreth 50 milionë eurosh. Megjithatë, mbetet pyetja se sa klube do të ishin të gatshme të paguanin atë shumë për 41-vjeçarin, veçanërisht duke pasur parasysh pagën e tij të lartë.

    Edhe pse MLS lejon një numër të caktuar lojtarësh të shtrenjtë, shumica e klubeve do ta kishin të vështirë t’i afroheshin kërkesave financiare të Ronaldos. Gjithashtu, sipas burimeve pranë lojtarit, një rikthim te Manchester United është jashtë diskutimit.

    Liga Profesionale Saudite nuk pranoi të komentonte për rastin, megjithëse burimet thonë se zyrtarët janë të hutuar nga zhvillimet. Gjithashtu u theksua se transferimi i Benzemasë nuk u financua nga PIF, por nga një investitor privat, dhe se Al Nassr mund të ndjekë një model të ngjashëm nëse gjen mbështetjen e duhur.

    Qëndrimi i ligës është që fondet të shpërndahen në mënyrë të barabartë midis klubeve të PIF, dhe vlen të përmendet se Al Nassr ka shpenzuar tashmë rreth 117 milionë euro për përforcime këtë sezon.

  • Fund dramatik në Paris, Fenerbahçe fiton me ndihmën e fatit në Euroligë

    Fund dramatik në Paris, Fenerbahçe fiton me ndihmën e fatit në Euroligë

    Fenerbahçes nuk i mjaftoi performanca e mirë në Paris, por në ndihmë i doli fati, që Parisi e vodhi topin, por e humbi menjëherë duke shkaktuar faul me dy gjuajtje të lira në të mirë të turqëve.

    Fenerbahçes nuk i mjaftoi performanca e mirë në Paris, por në ndihmë i doli fati, që Parisi e vodhi topin, por e humbi menjëherë duke shkaktuar faul me dy gjuajtje të lira në të mirë të turqëve.

    Figura tragjike për Parisin ishte Nadir Hifi, që në sekondën e 3-të në fundin e ndeshjes e humbi topin, së bashku me mundësinë për të shënuar fitore, ku rezultati në atë moment ishte 90-91 për Fenerin, e pas 3 sekondave ndeshja përfundoi 90-92 për Fenerin.

    Hifi ishte më i miri te francezët, që në 25 minuta lojë shënoi 23 pikë, 3 kërcime dhe 4 asistime, i ndjekur pas nga turku Tarik Biberovic, që shënoi për mysafirët 19 pikë, 4 kërcime dhe 1 asistim.

    Përballje e nxehtë ishte edhe në Tel Aviv, ku Hapoeli e çoi ndeshjen në vazhdime ndaj Valencias, por në vazhdime spanjollët shënuan 16 pikë, për dallim nga vendasit që shënuan 11, duke përfunduar ndeshja me rezultat 99-104 në të mirë të mysafirëve.

    Xhiroja e 27-të e Euroligës do të vazhdoj edhe sot (e premte) me ndeshjet si, Anadolu Efes – Zalgiris, Asvel – Milano, Olympiacos – Bologna dhe Baskonia- Barça.

  • Ndalohet edhe një kryesuese për 48 orë për rastin e numërimit të votave në Deçan

    Ndalohet edhe një kryesuese për 48 orë për rastin e numërimit të votave në Deçan

    Prokuroria e Shtetit ka ndaluar për 48 orë edhe një kryesuese, e dyshuar për përfshirje në rastin që lidhet me procesin e numërimit të votave në komunën e Deçanit.

    Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndalimi është kryer me urdhër të prokurorit të shtetit.

    Sipas tij, brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarës në procedurë penale.

    “Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit edhe një kryesuese për rastin e procesit të numërimit të votimeve në Deçan. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës në procedurë penale,” ka deklaruar Nikçi.

  • Khloé Kardashian flet hapur për vdekjen: Nuk kam frikë, e di se ku po shkoj

    Khloé Kardashian flet hapur për vdekjen: Nuk kam frikë, e di se ku po shkoj

    Khloé Kardashian ka ndarë së fundmi reflektimet personale mbi vdekjen, duke surprizuar fansat me një qasje të qetë dhe shpirtërore ndaj kësaj teme të ndjeshme.

    Gjatë episodit më të fundit të podcast-it të saj “Khloé in Wonder Land”, ajo bisedoi me personazhin e njohur Theresa Caputo, duke diskutuar për perceptimet dhe emocionet që lidhen me fundin e jetës.

    Themeluesja e markës Good American, 41 vjeç, u shpreh se nuk ndjen frikë nga vdekja. Ajo theksoi se beson në një vend ku do të ribashkohet me njerëzit e dashur.

    “Unë nuk kam aspak frikë nga vdekja. E di se ku po shkoj. Jam e emocionuar për atë vend, por jo në një mënyrë negative. E di që mund të tingëllojë e zymtë, por besoj se do të jetë një vend i bukur dhe do të jem me të gjithë njerëzit e mi të dashur”, u shpreh Kardashian.

    Megjithatë, ylli i reality show-t pranoi se ekziston një aspekt që e tremb. Sipas saj, shqetësimi më i madh është largimi nga fëmijët dhe familjarët.

    “Kjo është e vetmja gjë që më frikëson, të lë pas fëmijët dhe njerëzit që dua. Për pjesën tjetër, ndihem e qetë”, shtoi ajo.

    Deklaratat e Khloé erdhën pas komenteve të vetë Theresa Caputo, e cila gjithashtu pranoi se nuk ka frikë nga vdekja, ndonëse e konsideron atë një proces të pashmangshëm. Caputo, e njohur nga emisioni “Long Island Medium”, tha se beson se pas ndarjes nga jeta do të ribashkohet me të dashurit që kanë ndërruar jetë, ndërsa pranoi se ndarja nga familjarët që mbeten gjallë është pjesa më e vështirë.

    Khloé ka folur edhe më herët për përjetimet e saj lidhur me humbjen, duke kujtuar ndarjen nga jeta të babait të saj, Robert Kardashian Sr., në vitin 2003, kur ajo ishte vetëm 19 vjeç. Ai ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, vetëm dy muaj pasi u diagnostikua me kancer në ezofag.

    Ajo e ka cilësuar këtë ngjarje si momentin më traumatik të jetës së saj, sidomos për marrëdhënien e ngushtë që kishte me babain dhe ndikimin që humbja pati në jetën e saj dhe të vëllait, Rob.

    Sipas Khloé, kjo përvojë e dhimbshme ndikoi në formimin e karakterit dhe pavarësisë së tyre.

    “Në atë kohë nuk mendon se mund të dalë diçka pozitive, por më vonë kupton se kjo na mësoi të bëheshim më të përgjegjshëm, të punonim dhe të qëndronim në këmbët tona. Ne mbështeteshim shumë te babai”, ka treguar ajo.

    Rrëfimi i Kardashian ka hapur një diskutim më të gjerë mbi mënyrën se si figurat publike trajtojnë tema të ndjeshme si humbja, besimi dhe përballja me vdekjen, duke reflektuar shpesh përvojat personale që kanë ndikuar në rrugëtimin e tyre jetësor.

  • Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Zyrtari i dytë më i lartë në agjencinë e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si GRU, u qëllua dhe u plagos në Moskë, në atë që hetuesit e përshkruan si tentativë vrasjeje.

    Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev u shtrua në spital më 6 shkurt pasi u qëllua disa herë, përfshirë edhe në shpinë, tha Komiteti Hetimor në një deklaratë. Ai u hospitalizua në gjendje të panjohur, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes, tha komiteti.

    Raporte mediatike të pakonfirmuara thanë se Alexeyev u qëllua në shkallët e pallatit ku banonte, teksa po largohej.

    Alexeyev është zëvendëskomandant i GRU-së, agjencisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njihet për operacione që variojnë nga sabotimi, atentatet, spiunazhi dhe sulmet kibernetike.

    Alexeyev është përfshirë nga Britania në rastin e helmimit pothuajse fatal me Novichok të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani në vitin 2018. Një grua britanike vdiq pasi u ekspozua pa dashje ndaj helmit.

    Nëse konfirmohet se Alexeyev ishte shënjestër e një tentative atentati, ky do të ishte rasti më i fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, shumë prej tyre në Moskë.

    Dyshimet për këto sulme kanë rënë kryesisht mbi agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat vitet e fundit kanë kryer operacione sabotimi dhe atentatesh brenda Rusisë.

    Pamje nga sulmi që ka ndodhur në Moskë më 22 dhjetor 2025.
    SHIKONI EDHE:
    Vritet një gjeneral rus në Moskë, thonë zyrtarët
    Në dhjetor, shefi i drejtorisë së trajnimit operacional të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, vdiq pasi një bombë shpërtheu nën makinën e tij në periferi të Moskës.

    Tetë muaj më herët, një tjetër gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik, zëvendësshef në drejtorinë e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm, u vra në një atentat me makinë-bombë jashtë Moskës.

    Dhe në vitin 2024, oficeri përgjegjës për forcat e mbrojtjes bërthamore dhe kimike të Rusisë u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar jashtë pallatit të tij në Moskë./REL

  • Operacioni “Livadhet”, arrestohet 19-vjeçari me 164 mijë euro të falsifikuara

    Operacioni “Livadhet”, arrestohet 19-vjeçari me 164 mijë euro të falsifikuara

    Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkepunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodrër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.

    Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.

    Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Lvadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025. Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

  • AUV bllokon qumështin për foshnje “Beba Supreme” 800 gram

    AUV bllokon qumështin për foshnje “Beba Supreme” 800 gram

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se ka bllokuar produktin për foshnje “Beba Supreme” 800 gramësh.

    AUV thotë se bazuar në njoftimin zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produkt ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, 800 gram, me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania Rossmann Kosova.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.