ATV

Blog

  • Vetëvendosje refuzon të votojë buxhetin e Prishtinës për 2026

    Vetëvendosje refuzon të votojë buxhetin e Prishtinës për 2026

    Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit, Ekonomia Online.

    Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, prezantoi strukturën e buxhetit dhe kërkoi aprovimin e tij në tërësi. LDK dhe PDK shprehën mbështetje, duke theksuar stabilitetin dhe zhvillimin, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk do ta votojë buxhetin, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.

    Buxheti për vitin 2026 është i ndarë në 5 kategori: paga dhe mëditje (48.3 milionë euro), mallra dhe shërbime (32 milionë), shpenzime komunale (3.5 milionë), subvencione dhe transferime (6.8 milionë) dhe investime kapitale (60.8 milionë). Makolli theksoi se buxheti përfshin projekte kapitale të ndara sipas kategorive dhe shpenzime operative që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, duke kërkuar aprovimin e tij në tërësi.

    LDK, përmes Jeta Rafunës, e përkrahu buxhetin duke e cilësuar si instrument zhvillimi që adreson nevojat e qytetarëve dhe përmirëson jetën e përditshme. PDK, përmes Leutrim Retkocerit, theksoi se buxheti vjen në rrethana të vështira pas sfidave të vitit 2025 dhe se grupi i asamblistëve është i përkushtuar për stabilitet dhe transparencë, duke kërkuar përfshirje të qytetarëve dhe raportime të qarta.

    Nga ana tjetër, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje kritikoi buxhetin, duke argumentuar se rritja e tij po prezantohet gabimisht si sukses qeverisës dhe se Prishtina po ngec. Ai vuri në dukje mungesën e raportit financiar për vitin paraprak dhe probleme ligjore në tri projekte kryesore: Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”. Sveçla theksoi se PDK-ja po e përkrah këtë buxhet, i cili sipas VV-së, i shërben më shumë interesave të saj sesa LDK-së.

    Ky buxhet pritet të përkrahet gjithashtu edhe nga partia Lidhja e Prishtinës dhe Nisma.

  • Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet dhe votohet buxheti për vitin 2026.

    Pika e vetme e rendit të ditës është propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

    “Në bazë të nenit 44.4 te Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës” nr. 28/15, qershor 2008, e njoftojmë publikun se me datën 6.2.2026, në ora 10:00, në Sallën e madhe të mbledhjeve në Objektin e vjetër të Komunës, mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kryeqytetit, me një pikë të rendit të ditës: 1. Propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026″, është bërë e ditur në njoftim.

    Buxheti më herët nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin Komunal, duke lënë Prishtinën pa buxhet të miratuar.

  • Pas këngës “Diss”, ish-menaxheri hedh akuza të rënda në drejtim të Mozzikut

    Pas këngës “Diss”, ish-menaxheri hedh akuza të rënda në drejtim të Mozzikut

    Kënga e re e Mozzikut “Diss”, përveç vetes, ka përfshirë edhe shumë personazhe të tjerë.

    Në mesin e tyre edhe ish-menaxherin e tij, Met Elshanin, në kohën kur ishte pjesë e “On Records”.

    “E ke pasur një menaxher s’po ia di emrin diçka Elshan, t’i merrke 70 për qind e ty t’u doke tamam”, thotë në një pjesë të projektit.

    E për këtë mori një reagim në rrjete sociale nga ish-menaxheri, i cili hodhi akuza të mëdha për të.

    Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

    “Është sinqerisht qesharake se si disa njerëz mund të jenë kaq mosrespektues dhe prapë të mendojnë se meritojnë ende një vend në jetën time.

    Mjaft me broçkulla. Gënjeshtrat e tua të kanë çuar pikërisht aty ku je tani.

    Çdo grimcë dhimbjeje mendore dhe fizike që ke pasur – dhe që ende ke – e ke shkaktuar vetë.

    Gënjeshtra, tradhti, luajtja e rolit të viktimës.

    E vërteta tashmë ka dalë në shesh. Madje e ke pranuar vetë.

    T’i vjedhësh kursimet e jetës një gruaje të moshuar dhe pastaj të përpiqesh t’ia hedhësh fajin ish-bashkëshortes?

    Ti dhe gruaja jote e dini shumë mirë çfarë keni bërë.

    E shtytë atë grua të moshuar drejt mendimeve vetëvrasëse dhe ende do të luash rolin e njeriut të mirë”.

  • Tiranë: Vdekja e të miturit në klinikë dentare, Prokuroria çon në gjyq shtatë persona, tre për vrasje nga pakujdesia

    Tiranë: Vdekja e të miturit në klinikë dentare, Prokuroria çon në gjyq shtatë persona, tre për vrasje nga pakujdesia

    Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, Brian Spahiu pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

    Përfundimi i hetimeve dërgoi në gjyq shtetasit Roland Xhaxho dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe shtetasen Ina Xhaxho për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’; shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

    “Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët Roland dhe Ina Xhaxho, raporton euronews.al.

    Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.

    Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

    Këto shkelje kanë konsistuar në:

    – moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

    – ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

    – nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike”, bën me dije Prokuroria.

    Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët Ina Xhaxho dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur.

    Ndërkohë, nga hetimi, u provua që stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

    Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.

    Gjithashtu, shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G. /euroenews.al/

  • Vitaminat kyçe që ndihmojnë gratë gjatë menopauzës

    Vitaminat kyçe që ndihmojnë gratë gjatë menopauzës

    Një regjim i shëndetshëm ushqimor është një nga mënyrat më të mira për të menaxhuar hormonet dhe për të minimizuar simptomat e menopauzës.

    Magnezi

    Magnezi është i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit të zemrës, uljen e presionit të gjakut, uljen e rrezikut të diabetit, luftimin e osteoporozës dhe lehtësimin e konstipacionit, të gjitha shqetësime që shtohen me menopauzën.

    Në veçanti, glicinati i magnezit mund të ndihmojë gjithashtu në qetësimin e ankthit, lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve, përmirësimin e gjumit dhe afsheve të nxehta.

    Burimet ushqimore: spinaqi, farat e kungullit, fasulet e zeza, peshku ton, qumështi i sojës, oriz kaf, bajamet, shqemët, avokado, kosi pa yndyrë dhe bananet.

    Vitamina A

    Në një kohë kur ndryshimet hormonale i japin trupit edhe më tepër stres, kjo vitaminë do të ndihmojnë me forcimin e imunitetit dhe me përmirësimin e funksioneve të tirodides.

    Burimet ushqimore: Mëlçia e viçit dhe qengjit, gjalpi, djathi dhe peshku. Trupi gjithashtu mund të prodhojë vitaminë A nga beta karotina nga konsumi i perimeve dhe frutave si patatja e ëmbël, kungulli i dimrit, lakra jeshile, karotat, specat e kuq të ëmbël, mango apo pjepri.

    Vitaminat B6 dhe B12

    Vitaminat B mund të ndihmojë në parandalimin e depresionit të menopauzës dhe të rrisin energjinë duke rritur serotoninën. Gjithashtu mund të ndihmojnë me pagjumësinë dhe ndoshta edhe të reduktojnë afshet e nxehta.

    Burimet ushqimore: Për B6, salmon, qiqra, ton, pulë, mish derri, patate të ëmbla, banane, patate, avokado, fistekë. Për B12, peshku ton, drithëra të fortifikuara, mish viçi, qumësht me pak yndyrë, djathë, vezë.

    Vitamina K

    Është e rëndësishme për densitetin e kockave, i cili zvogëlohet me rritjen e moshës, duke rritur rrezikun për fraktura.

    Ngrënia e një racioni me zarzavate me gjethe gjeshile (një burim i mirë i vitaminës K) në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e një frakture.

    Burimet ushqimore: lakër jeshile, marule, spinaq, brokoli, lakrat e Brukselit, shpargu, bamjet, fasulet e gjelbra etj.

    Vitamina C

    Vitamina C gjatë menopauzës është e rëndësishme për ruajtjen e densitetit të kockave. Gjë e cila ju mbron nga frakturat që mund të pësoni në jetë.

    Eefektet e saj antioksiduese mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, të cilat janë më të zakonshme pas menopauzës.

    Burimet ushqimore: kivi, specat e kuq, agrumet, luleshtrydhet, domatet, brokoli, lakra jeshile, papaja.

    Kalciumi

    Me kalimin e moshës, kockat tuaja bëhen poroze (një gjendje e njohur si osteoporoza) dhe mund të dobësohen.

    Burimet ushqimore: Qumësht, kos, djathë, tofu, lëng portokalli të fortifikuar me kalcium, spinaq, bizele, sardele, salmon, troftë.

    Vitamina D

    Ndihmon trupin të absorbojë kalciumin, një bllok ndërtimi për kocka të forta, e rëndësishme për funksionimin e duhur të muskujve, mbështet shëndetin e zemrës, funksionin neurologjik, rregullimin e sheqerit në gjak dhe imunitetin.

    Mund të ndihmojë gjithashtu për të mbështetur funksionin e trurit dhe për të luftuar depresionin e menopauzës.

    Burimet ushqimore: peshq si salmoni, toni dhe trofta, kërpudhat, qumështi, tofu, kosi, lëngu i portokallit dhe drithërat, mishi i derrit, vezët.

    Omega 3

    Rreziku i sëmundjeve të zemrës rritet pas menopauzës. Omega 3 mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të niveleve të triglicerideve. Ajo gjithashtu mund të ndihmojnë me çështjet psikologjike, depresionin dhe afshet e nxehta.

    Burimet ushqimore: salmoni, farat e lirit, farat chia, arrorët, tofu, fasulet dhe avokado.

    Probiotikët

    Probiotikët janë mikrobe të dobishme, që ri-kolonizojnë florën në trupin tuaj. Ato mund të ndihmojnë me problemet e tretjes me të cilat përballen shumë gra në këtë periudhë dhe gjithashtu mbështesin shëndetin e organeve ripordhuese.

    Burimet ushqimore: kos, kefir, lakër turshi, turshitë, miso, tempeh dhe disa djathëra.

    Shafrani i Indisë

    Së bashku me mbrojtjen nga sëmundjet që janë më të mundshme pas menopauzës, efekti anti-inflamator i shafranit të Indisë mund të ndihmojë gjithashtu në dhimbjet e kyçeve.

  • Premier Liga ndez emocionet këtë fundjavë me ndeshje kryesore

    Premier Liga ndez emocionet këtë fundjavë me ndeshje kryesore

    Super javë pritet të jetë në Ligën angleze duke filluar të shtunën, me derbin mes Manchester United kundër Tottenham, në Old Trafford.

    “Djajtë e kuq” janë në formë të mirë me tre fitore rradhazi, krahas “Spurs” që së fundi kanë një humbje dhe dy barazime. Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 13:30.

    E Sunderlandi do të ndeshet me Arsenalin, që do t’a ketë vështirë pa Granit Xhakën, i cili do të mungojë për shkak të një lëndimi.

    Mesfushori 33-vjeçar pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë fitores 2-1 të “Maceve të Zeza” ndaj Crystal Palace dhe si pasojë e kësaj, ka munguar në dy ndeshjet e fundit të skuadrës kundër West Ham dhe Burnley.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet poashtu të shtunën, me fillim në orën 16:00.

    Të shtunën do të zhvillohen edhe ndeshjet tjera si Bournemouth – Aston Villa, Burnley – West Ham, Fulham – Everton, Wolves – Chelsea si dhe Newcastle – Brentford.

    Kjo javë do të mbyllet me një përballje të zjarrtë në Anfield. Liverpooli do të jetë nikoqir i Manchester Cityt. Ndeshja do të zhvillohet të dielën, në orën 17:30, pas ndeshjes paraprake mes Brighton – Crystal Palace me fillim nga ora 15:00.

  • Lëngu Mollë-Karrotë, përfitimet e shëndetshme për organizmin

    Lëngu Mollë-Karrotë, përfitimet e shëndetshme për organizmin

    Të apasionuarit pas lëngjeve të frutave me siguri e adhurojnë kombinimin e këndshëm mes karrotës dhe mollës. Përfitimet që vijnë prej lëngut të të dyjave janë krejt të larmishme.

    Karrota ushqen organizmin me beta karoten, vitamina A, C dhe B, bakër, kalçium, mangan, fosfor dhe antioksidantë. Molla ofron fibër, vitaminë A, proteinë, vitaminë C, B, kalium dhe fosfor. Së bashku, ky lëng ndihmon në:

    • Mbajtjen larg të radikaleve të lira: Antioksidantët zmbrapsin radikalet e lira që dëmtojnë qelizat.

    • Zbritjen e rrezikut të diabetit: Polifenolët e mollës ulin nivelin e sheqerit në gjak dhe përthithjen e glukozës.

    • Menaxhimin e peshës: Lëngu ka pak kalori dhe aspak yndyrna, ndërsa fibrat ju mbajnë të ngopur më gjatë.

    • Parandalimin e sëmundjeve të zemrës: Fibra tek molla ndihmon në uljen e kolesterolit të keq, dhe kaliumi mbikëqyr tensionin e gjakut.

    • Shëndetin e syve: Vitamina A siguron shikim të mirë dhe sy të shëndetshëm.

    • Forcimin e imunitetit: Antioksidantët ndihmojnë sistemin imunitar të jetë më i mbrojtur.

    • Kocka dhe dhëmbë të fortë: Kalçiumi është i rëndësishëm për shëndetin e kockave dhe dhëmbëve.

    • Shëndetin e traktit urinar: Minerale dhe fibra ndihmojnë pastrimin dhe funksionin normal të sistemit urinar.

    Kujdes: Ky lëng është i shëndetshëm, por konsumi i tepërt i karrotës mund të jetë problematik për shkak të sasisë së lartë të fibrës, që mund të ndikojë negativisht në zorrë.

  • Hormonet dhe ndikimi i tyre në humor dhe shëndetin mendor

    Hormonet dhe ndikimi i tyre në humor dhe shëndetin mendor

    Hormonet janë thelbësore për funksionimin normal të trupit, por ato ndikojnë gjithashtu fuqishëm në humor dhe shëndetin mendor. Përveç neurotransmetuesve, shkenca po tregon se hormonet mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ndihemi.

    Hormonet janë mesazherë kimikë që çlirohen nga gjëndra të ndryshme dhe udhëtojnë përmes gjakut, duke rregulluar procese si rritja, gjumi, riprodhimi dhe mirëqenia mendore. Deri më sot janë identifikuar mbi 50 hormone në trupin e njeriut.

    Studimet tregojnë se çrregullimet mendore, si depresioni dhe ankthi, janë më të shpeshta gjatë periudhave të tranzicionit hormonal, veçanërisht te gratë. Gjatë adoleshencës, vajzat kanë dyfish më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni sesa djemtë, një diferencë që vazhdon edhe më vonë në jetë.

    Hormonet seksuale ndikojnë ndjeshëm në humorin e grave. Rënia e estrogjenit dhe progesteronit para menstruacioneve mund të shkaktojë nervozizëm, lodhje dhe trishtim. Në raste më të rënda, disa gra përjetojnë çrregullimin disforik premenstrual (PMDD). Nivelet e larta të estrogjenit para ovulimit lidhen me ndjenja mirëqenieje dhe lumturie.

    Luhatjet hormonale gjatë shtatzënisë, pas lindjes dhe gjatë menopauzës mund të kenë pasoja serioze në shëndetin mendor. Rreth 13% e grave përjetojnë depresion pas lindjes, kryesisht për shkak të rënies së menjëhershme të hormoneve.

    Edhe burrat përjetojnë ndryshime hormonale me kalimin e moshës. Ulja graduale e testosteronit mund të shoqërohet me ndryshime humori te disa burra.

    Stresi kronik aktivizon hormonin kortizol, i cili në afat të gjatë mund të dëmtojë zona të trurit që lidhen me kujtesën, përqendrimin dhe kontrollin emocional. Në të kundërt, oksitocina ndihmon në uljen e stresit dhe forcon ndjenjën e sigurisë dhe lidhjes sociale.

    Çrregullimet e hormoneve të tiroides lidhen ngushtë me depresionin dhe ankthin. Për këtë arsye, mjekët shpesh kontrollojnë profilin hormonal kur pacientët ankohen për ndryshime humori.

    Njohuritë e reja mbi hormonet po hapin rrugë për trajtime të reja. Disa terapi hormonale dhe medikamente të reja kanë treguar rezultate premtuese, megjithëse shkencëtarët theksojnë se nevojiten ende më shumë studime për trajtime më të sigurta dhe të personalizuara.

  • Hamza: Rambujeja ishte momenti kur Kosova zgjodhi anën e drejtë të historisë

    Hamza: Rambujeja ishte momenti kur Kosova zgjodhi anën e drejtë të historisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës.

    Në një status të publikuar me këtë rast, Kryetari Hamza ka theksuar se në Rambuje Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten, duke u rreshtuar qartë në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.

    “Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Kryetari Hamza.

    Ai ka shtuar se kjo rrugë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e heronjve dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

    “Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit”, ka theksuar kreu i PDK-së.

    Në fund të reagimit të tij, Hamza ka nënvizuar se perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë edhe me drejtësinë për ish-krerët e luftës që po mbahen në Hagë.

    “E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka përfunduar Kryetari Hamza.

  • Dashuria dhe Guximi: Futbollisti i Metz rrezikon jetën për të shpëtuar të dashurën

    Dashuria dhe Guximi: Futbollisti i Metz rrezikon jetën për të shpëtuar të dashurën

    Futbolli dhuron emocione dhe momente magjike në fushë, por ndonjëherë historitë më të fuqishme lindin larg stadiumeve.

    Një e tillë vjen nga Franca dhe ka në qendër talentin e ri të FC Metz, Tahirys Dos Santos, i cili ka prekur opinionin sportiv me një akt të rrallë guximi dhe humanizmi.

    Gjatë një zjarri shkatërrues në Crans-Montana, futbollisti i ri nuk hezitoi të rrezikonte jetën për të shpëtuar të dashurën e tij, Coline.

    Dos Santos u rikthye mes flakëve për ta nxjerrë atë nga banesa, duke pësuar djegie të rënda si pasojë e këtij veprimi heroik. Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin sportiv, por edhe opinionin publik më gjerë.

    Pas 27 ditësh në koma, Coline është zgjuar më në fund, duke sjellë një rreze shprese pas javësh ankthi, operacionesh dhe pasigurie.

    Ribashkimi i çiftit ka qenë thellësisht emocional dhe është shndërruar në një simbol të forcës së dashurisë dhe sakrificës.

    Kjo histori shërben si një kujtesë e fortë se heroizmi i vërtetë shkon përtej futbollit.

    Në këto momente, rezultati dhe karriera kalojnë në plan të dytë, ndërsa vlerat njerëzore marrin kuptimin e tyre të plotë.