ATV

Blog

  • Pas ndarjes dhe ribashkimit, Molly-Mae Hague në pritje të ëmbël

    Pas ndarjes dhe ribashkimit, Molly-Mae Hague në pritje të ëmbël

    Pas një periudhe të mbushur me sfida personale dhe rikthime emocionale, Molly-Mae Hague ka ndarë me publikun një lajm të bukur: ajo është në pritje të fëmijës së saj të dytë.

    Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram, ku shkruan “Shpejt do të bëhemi katër”, duke publikuar pamje të regjistruara në shtëpi. Në to, ajo shfaq barkun e rrumbullakosur, shkëmben momente të ëmbla me partnerin Tommy Fury dhe luan me vajzën e tyre trevjeçare, Bambi.

    After Molly-Mae previously said she 'constantly thought about' having another child there has been tell tale signs that she was expecting

    Shtatzënia vjen pasi çifti, i njohur nga sezoni i pestë i Love Island në vitin 2019, u ribashkua në maj të vitit të kaluar, pas një ndarje nëntëmujore. Në atë kohë, të dy kishin pranuar se problemet e Fury-t me alkoolin kishin ndikuar ndjeshëm në marrëdhënien e tyre.

    Molly-Mae ka qenë e hapur me ndjekësit për vështirësitë që ka përjetuar gjatë shtatzënisë së parë, lindjes dhe amësisë, duke e përshkruar atë periudhë si sfiduese në disa momente.

    Lajmi për pritjen e ëmbël u prit me reagime pozitive dhe urime të shumta nga miqtë dhe fansat. Marrëdhënia e çiftit ishte kurorëzuar më herët me lindjen e fëmijës së parë dhe fejesën në vitin 2023, por një vit më pas ata konfirmuan ndarjen.

    Më pak se një vit më vonë, Molly-Mae konfirmoi ribashkimin e tyre, duke theksuar se Fury kishte qenë pa alkool për katër muaj dhe se marrëdhënia e tyre kishte hyrë në një fazë shumë më të qëndrueshme.

  • Fundjava e basketbollit kosovar, vëmendja në Rahovec dhe Suharekë

    Fundjava e basketbollit kosovar, vëmendja në Rahovec dhe Suharekë

    Të dielën do të zhvillohet beteja mes dy vendeve të fundit, Vëllaznimit dhe Rahovecit, ku këta të fundit janë përforcuar me dy lojtarë të huaj, për dallim nga Vëllaznimi që vjen nga humbja e fundit ndaj Besëlidhjes në Ligën Unike.

    “Vreshtarët” kanë një fitore më pak se “kuqezinjtë”, që do të synojnë asgjë pos fitores në Rahovec, për t’iu shmangur rënies nga Superliga.

    Ndeshja do të zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 19:30, në Rahovec.

    18 kilometra nga Rahoveci, në Suharekë, do të zhvillohet një tjetër përballje interesante, që Golden Eagle Ylli i përforcuar do të tentoj ti revanshohet Bashkimit pas dy humbjeve që ia shkaktoi në stinorin e rregullt.

    Ndeshja do të zhvillohet të shtunën, duke filluar në orën 19:30.

    E Sigal Prishtina, që së fundi e liroi trajnerin Michail Kakiouzis për arsye familjare, do të jetë nikoqir i GO+ Pejës. Ndeshja do të zhvillohet ditë e diel, nga ora 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

    Në këtë xhiro, do të jetë edhe repriza e gjysmëfinales së Kupës, mes Trepçës dhe Borës, e cila do të zhvillohet të shtunën, me fillim në orën 17:00, në palestrën 1 Tetori, Prishtinë.

  • PDK thotë se do ta votojë buxhetin e Prishtinës

    PDK thotë se do ta votojë buxhetin e Prishtinës

    Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të votojë pro buxhetin për vitin 2026 të Komunës së Prishtinës.

    Asambleisti i PDK’së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka thënë se do ta votojnë buxhetin me arsyen që të mos mbetet kjo “mollë sherri” mes partive dhe që kryeqyteti të mos bllokohet edhe për një vit në aspektin financiar.

    “PDK në Prishtinë ka me votu buxhetin. Por, ka me votu me arsyen e vetme që mos me mbetë buxheti mollë sherri mes dy subjekteve nesër në buxhetin e ri…me u blloku Prishtina edhe për një vit në aspektin financiar”, ka deklaruar Retkoceri në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.

    Ai tha se buxheti nuk është i vetëm një partie, teksa përmendi edhe limitet kohore.

    “Ne si PDK kemi kërku në vazhdimësi transparencë, dëgjime publike, planifikim më të mirë. Sot për në më të rëndësishme janë parimet për buxhetin, sesa kërkesat. Çështja e buxhetit ka hyrë në limitet kohore. Në momentin qëpo flasim, as niveli qendror s’ka buxhet. Nuk mundemi ne në këtë situatë kur dy forca politike për muaj të tërë janë përplase më veti, me vazhdu me marr pozicionim për buxhetin për inate politike”, shtoi Retkoceri.

    VV ndërkohë ka thënë se nuk e voton buxhetin.

  • Mbi 1 milion euro për Botërorin 2026, Telekomi publikon kontratën milionëshe

    Mbi 1 milion euro për Botërorin 2026, Telekomi publikon kontratën milionëshe

    Brenda pak muajsh pritet të nisë FIFA World Cup 2026, ngjarja më e madhe futbollistike në botë, e cila këtë herë do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

    Në këtë kuadër, Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar procedurat për nënshkrimin e kontratës për blerjen e të drejtave të transmetimit të Kupës së Botës në Futboll 2026. Sipas njoftimit zyrtar, kontrata ka për qëllim sigurimin e të drejtave ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve në platformën televizive.

    Vlera monetare e ndarë për këtë kontratë fillimisht ka qenë 1,100,000 euro, ndërsa pas planifikimit të procedurës së prokurimit, tenderi i është besuar operatorit ekonomik nga Shqipëria, Dividend Sh.P.K. Vlera përfundimtare e kontratës është 1,050,000 euro.

    Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor. Në garë për kualifikim në këtë kampionat botëror janë edhe Kosova dhe Shqipëria, ndërsa fati i tyre për pjesëmarrje do të përcaktohet pas përfundimit të ndeshjeve të Play-off’it.

  • Një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës dyshohet se kreu grabitje në një dyqan në Fushë-Kosovë

    Një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës dyshohet se kreu grabitje në një dyqan në Fushë-Kosovë

    Një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës dyshohet se ka kryer grabitje në një dyqan.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të enjten në Fushë-Kosovë dhe nuk raportohet për të lënduar.

    “Fushë Kosovë / 05.02.2026 – 23:10. Është raportuar se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kishte kryer grabitje në një market. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Padi civile prej 160 milionë eurosh: Mediaset kundër Fabrizio Corona-s

    Padi civile prej 160 milionë eurosh: Mediaset kundër Fabrizio Corona-s

    Mediaset po e çon në një nivel tjetër betejën e saj ligjore kundër Fabrizio Corona-s, duke njoftuar zyrtarisht ngritjen e një padie civile në vlerën e 160 milionë eurove.

    Sipas kompanisë, padia lidhet me dëmtimin e rëndë të reputacionit të grupit, drejtuesve të tij dhe disa prej figurave më ikonike të transmetuesit. Në qendër të kësaj çështjeje janë deklaratat e bëra nga Corona gjatë programit “Falsissimo”, të cilat Mediaset i konsideron si akuza të pabazuara, aludime dhe publikim informacionesh private pa prova.

    Në deklaratën zyrtare thuhet se këto pretendime kanë tejkaluar kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përbëjnë shpifje. Kërkesa për dëmshpërblim nuk përfshin vetëm kompaninë, por edhe drejtues të saj si Marina Berlusconi dhe Pier Silvio Berlusconi, si dhe figura të njohura të ekranit si Maria De Filippi, Silvia Toffanin dhe Gerry Scotti, të cilët cilësohen si palë të dëmtuara nga ekspozimi mediatik i deklaratave të Corona-s.

    Grupi televiziv ka bërë të ditur gjithashtu se rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kujtdo që, me vetëdije, kontribuon në përhapjen, amplifikimin apo promovimin e përmbajtjeve të konsideruara shpifëse, duke hapur rrugën për procedura të tjera ligjore.

    Kjo çështje shënon një kapitull të ri në përplasjen mes Mediaset dhe Fabrizio Corona-s, me pasoja të mundshme të gjera mediatike dhe ligjore në javët në vijim.

  • Princ Leka dhe Blerta Celibashi në pritje të fëmijës së parë së bashku

    Princ Leka dhe Blerta Celibashi në pritje të fëmijës së parë së bashku

    Pas zyrtarizimit të lidhjes disa muaj më parë dhe paraqitjeve të shpeshta së bashku në evente publike, Princ Leka dhe Blerta Celibashi duket se po jetojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre.

    Fotografja është në pritje të ëmbël dhe çifti pritet të mirëpresë fëmijën e tyre të parë së bashku pas disa muajsh. Burime pranë tyre kanë konfirmuar lajmin e shtatzënisë, duke zbuluar gjithashtu se Blerta pret një djalë.

    Për Princ Lekën, ky do të jetë përjetimi i dytë i atësisë, pasi ai është tashmë baba i një vajze nga martesa e mëparshme me aktoren Elia Zaharia, nga e cila u nda kohë më parë.

    Sipas të njëjtave burime, shtatzënia po shkon shumë mirë dhe çifti ka zgjedhur ta jetojë këtë periudhë me qetësi, larg vëmendjes së tepërt mediatike. Edhe pse zërat për një pritje të ëmbël kanë qarkulluar prej kohësh, tashmë lajmi konsiderohet i konfirmuar nga persona të afërt me ta.

    Deri në këtë moment, as Princ Leka dhe as Blerta Celibashi nuk kanë bërë një reagim publik. Megjithatë, mësohet se përgatitjet për ardhjen e foshnjës kanë nisur prej disa kohësh, duke shtuar emocionin për kapitullin e ri që i pret. Përveç këtij lajmi, në rrjet po aludohet gjithashtu se çifti ka nisur edhe përgatitjet për dasmë.

  • Rriten tensionet në arktik, Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Greenlandë

    Rriten tensionet në arktik, Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Greenlandë

    Kanadaja ka hapur zyrtarisht konsullatën e saj të parë në Greenlandë, duke shënuar një zgjerim historik të pranisë diplomatike në territorin arktik dhe një sinjal të fortë mbështetjeje për popullin e Grenlandës.

    Një delegacion i nivelit të lartë nga Otava, i kryesuar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe ministrja e Jashtme Anita Anand, mbërriti në Nuuk, i shoqëruar nga një anije e Rojës Bregdetare Kanadeze. Hapja e konsullatës vjen në një moment delikat gjeopolitik, pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të Grenlandës.

    Në një fjalim para udhëtimit, Mary Simon theksoi se Kanadaja “mbështet fuqishëm të drejtën e popullit të Groenlandës për të vendosur vetë për të ardhmen e tij”. Vizita e saj ka edhe simbolikë të fortë kulturore, pasi ajo ka prejardhje inuit dhe lidhje të hershme me komunitetet e Arktikut.

    Hapja e konsullatës kanadeze përkon me një vizitë të ngjashme të zyrtarëve francezë, të cilët po ashtu po hapin përfaqësinë e tyre diplomatike në Nuuk. Deri më tani, vetëm SHBA-të dhe Islandë kishin prani të plotë diplomatike në Greenlandë.

    Ekspertët e shohin këtë zhvillim si një mesazh të qartë solidariteti nga aleatët e NATO-s, në një kohë kur Arktiku po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një zonë strategjike për sigurinë globale. Qeveria kanadeze ka paralajmëruar gjithashtu rritje të investimeve në infrastrukturë dhe prani ushtarake gjatë gjithë vitit në rajonet veriore.

    Autoritetet groenlandeze kanë mirëpritur hapjen e konsullatës, ndërsa komunitetet inuit e konsiderojnë këtë hap si forcim të lidhjeve historike, kulturore dhe politike mes Groenlandës dhe Kanadasë.

  • Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Parizianet janë mjeshtre të veshjes për çdo rast, por askund nuk shkëlqen më shumë stili i tyre sesa gjatë një daljeje në mbrëmje.

    Ndryshe nga qytete si New York-u apo Los Angeles-i, ku një bar të shtunën në mbrëmje mund të të surprizojë me gjithçka, nga taka ekstreme te veshje shumë të guximshme, Parisi ndjek një tjetër filozofi.

    Atje, të dalësh në mbrëmje nuk do të thotë ta teprosh. Nuk ka nevojë për veshje shumë formale, funde shumë të shkurtra apo kombinime që bërtasin “po dal unë sonte”. Gratë elegante të Parisit zgjedhin të kundërtën: thjeshtësi, vetëbesim dhe një elegancë që duket krejt e pasforcuar.

    Një shembull perfekt i këtij stili ishte Margot Robbie, e cila u pa në Paris gjatë një mbrëmjeje me miqtë. Edhe pse ndodhej në qytet për premierën e filmit të ri, veshja e saj ishte larg madhështisë së tapetit të kuq. Dhe pikërisht kjo e bëri veshjen aq pariziene.

    Aktorja australiane kishte zgjedhur një bluzë të zezë me zinxhir të shkurtër dhe xhinse blu të çelëta me palë. Kombinimin e plotësoi me çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë të madhe Birkin. Asgjë e tepruar, asgjë që të binte menjëherë në sy. Një zgjedhje e qetë, e sigurt, që përshtatet në mënyrë perfekte me rrugët e Parisit.

    Kjo është pikërisht arsyeja pse funksionon: në Paris, një dalje në mbrëmje nuk është një event formal, por thjesht një vazhdim i ditës, një tjetër mundësi për të treguar stilin personal pa u përpjekur shumë.

    Si ta kopjosh këtë pamje

    Lajmi i mirë? Me shumë gjasa i ke të gjitha në dollapin tënd.

    – Zgjidh xhinse blu të çelëta me prerje të lirshme (edhe më mirë nëse mund t’i palosësh pak poshtë).

    – Shto një bluzë apo triko të zezë, sa më të thjeshtë.

    – Çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë e madhe lëkure janë mbyllja perfekte.

  • Nisin Lojërat Olimpike dimërore Milano-Cortina 2026, Kosova përfaqësohet nga Kryeziu e Kokaj

    Nisin Lojërat Olimpike dimërore Milano-Cortina 2026, Kosova përfaqësohet nga Kryeziu e Kokaj

    Të premten, më 6 shkurt, nisin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, të cilat do të mbahen deri më 22 shkurt.

    Kosova në këto lojëra përfaqësohet nga skiatorët Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj. Të dy atletët shprehen optimistë dhe premtojnë përpjekje maksimale për të arritur rezultate pozitive.

    Kiana Kryeziu, duke folur për përvojën në olimpiadën e kaluar në Pekin, tha se tani synon rezultate më të mira. Drin Kokaj, që merr pjesë për herë të parë në Olimpiadën Dimërore, tha se ndihet i emocionuar dhe do të japë gjithçka për të përfaqësuar sa më denjësisht Kosovën.

    Shqipëria përfaqësohet nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Në fokus të garave do të jetë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe synon medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt.

    Në kuadër të përurimit të lojërave do të organizohen tri ceremoni: në Milano, Kortina (ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar) dhe në Borno.