ATV

Blog

  • Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në një takim përfaqësues të KFOR-it zviceran (LMT).

    Në fillim të takimit, kryeprokurori Kryeziu shprehu falenderimet për përfaqësuesit e KFOR-it zviceran, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre në rajon.

    Gjithashtu, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it lidhur me sfidat dhe prioritetet e institucionit, si dhe me objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.

    “Gjatë bisedës, u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Prizrenit, përfshirë zhvillimet e fundit që kanë ndikim në rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe rastet e fundit që ndërlidhen me manipulimin e rezultateve zgjedhore, sfidat që paraqesin këto raste për institucionet e drejtësisë, si dhe rëndësia e hetimit dhe trajtimit të tyre në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të proceseve demokratike”, thuhet në njoftim.

    “Gjatë takimit, po ashtu u diskutua për çështje të përgjithshme që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe kapaciteteve institucionale në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

    Në fund të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me qëllim të arritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe sigurimit të paqes, si dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në rajon.

  • INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor

    INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor

    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të energjisë (ZRRE) që të sigurojë mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike.

    INDEP-i ka thënë se dëshiron të tërheqë vëmendjen e ZRRE-së mbi nevojën që shqyrtimi i të hyrave maksimale të lejuara të zhvillohet me kujdes të shtuar dhe në përputhje të plotë me parimin e mbrojtjes së konsumatorit.

    “Vendimmarrja rregullatore duhet të sigurojë që tarifat të mos përfshijnë kosto të pajustifikuara, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj konsumatorëve, por me dështime në planifikim, menaxhim apo operim të ndërmarrjeve në treg”, thuhet në rëagimin e INDEP-it.

    Në reagim thuhet se kur furnizuesi nuk nominon sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët.

    “INDEP vë në pah se në rastet kur furnizuesi nuk ka nominuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike siç edhe ka ndodhur, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët. Këto ndërprerje përfaqësojnë një dështim serioz të shërbimit dhe nuk mund të trajtohen thjesht si raste sporadike. Përkundrazi, ato duhet të adresohen përmes mekanizmave të qartë të përgjegjësisë dhe përmes kompensimit të konsumatorëve të prekur”, thuhet në reagim.

    Po ashtu, në rastet kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dështon të realizojë prodhimin e planifikuar dhe si pasojë lind nevoja për importe me çmime të larta, INDEP vlerëson se rreziku financiar për sasinë e paprodhuar duhet të bartet nga vetë KEK-u.

    “Këto pasoja nuk duhet të transferohen te konsumatorët përmes tarifave, pasi rreziku i dështimit operacional i takon ndërmarrjes që nuk ka përmbushur obligimet e saj kontraktuale. INDEP i bën thirrje ZRRE-së që, gjatë shqyrtimit të kërkesave për Hyrat Maksimale të Lejuara dhe më pas gjatë vendimmarrjes për tarifat të aplikojë një qasje rigoroze rregullatore, të bazuar në analizë kritike të kostove, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbrojtje efektive të interesit publik”, thuhet në reagim.

  • Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland për dyshime për korrupsion pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein.

    Sipas Associated Press, Shërbimi Norvegjez për Hetime të Krimit Ekonomik po shqyrton nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime apo hua lidhur me pozitat e tij, ndërsa po kërkohet edhe heqja e imunitetit që i garanton statusi i tij si diplomat, transmeton KosovaPress.

    Ai po bashkëpunon me autoritetet, i ka thënë përfaqësuesi ligjor i tij transmetuesit norvegjez, NRK.

    Jagland ka shërbyer si kryeministër (1996–1997), kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Dokumentet tregojnë se në 2014 ai planifikoi të vizitonte ishullin e Epstein me familjen e tij.

    Gjithashtu, Forumi Ekonomik Botëror ka nisur rishikim për CEO-në e tij, Borge Brende, pasi dokumentet tregojnë se ai kishte darkuar dhe shkëmbyer mesazhe me Epstein. Norvegjia po heton edhe Princeshën Mette-Marit për kontakte të mëparshme me Epstein, përfshirë qiranë e një prone të tij në Palm Beach në 2013. Ajo ka deklaruar se nuk ka hetuar mjaftueshëm të kaluarën e Epstein dhe shpreh keqardhje për kontaktet e saj.

    Hetimet e fundit pasojnë publikimin e mbi 3 milion faqe dokumente nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbi Epstein, i cili sipas autoriteteve vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin për abuzim seksual me vajza të mitura.

  • Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Ka përfunduar protesta kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike.

    Protestuesit nga ndërtesa e KEDS-it ku janë mbledhur fillimisht kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë.

    Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

    Protesta e cili nisi nga objekti i KEDS u shoqërua me hedhje tymi e arrestimin e një qytetari nga ana e policisë.

    Protestuesit u ndalën edhe para stacionit të policisë në qendër duke brohoritur “Arrestoni hajnat, jo qytetarët”.

    Prezencë e shtuar e policisë u vërejt para objektit të qeverisë, ku protestuesit përmbyllën marshimin.

    Tri kompanitë që merren me energjinë elektrike në Kosovë – KOSTT-i, KEDS dhe KESCO ditëve kanë dorëzuar aplikimet e tyre duke kërkuar rreth 20% rritje të çmimit të rrymës në Kosovë.

    ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar para fundit të muajit mars, ndërsa tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi më 1 prill.

    ZRRE në prill të vitit 2025 mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%.

  • MPJD konfirmon se një shtetas i Kosovës u arrestua në Serbi, i drejtohet me thirrje bashkësisë ndërkombëtare

    MPJD konfirmon se një shtetas i Kosovës u arrestua në Serbi, i drejtohet me thirrje bashkësisë ndërkombëtare

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfiurmuar se shtetasi i Kosovës, Mitehat Llozhani, është arrestuar në Serbi. Ai është ndaluar me të hyrë në Serbi, në pikën kufitar Batrovci që ndodhet në kufi me Kroacinë.

    MPJD ka thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit

    Për rastin është njoftuar edhe delegacioni i BE’së në Serbi dhe janë dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT’it të akredituara në Serbi.

    “Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani”, thuhet në njoftim.

    MPJD i ka bërë Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë.

    “ e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, përfundon njoftimi.

  • Google rikthen “Edit History” në Messages, funksioni që rrit transparencën në biseda

    Google rikthen “Edit History” në Messages, funksioni që rrit transparencën në biseda

    Google po përgatitet të rikthejë një funksion të rëndësishëm në aplikacionin Google Messages, i cili ishte hequr në përditësimet e mëparshme dhe kishte shkaktuar reagime negative te një pjesë e përdoruesve.

    Bëhet fjalë për opsionin Edit History, që u mundësonte përdoruesve të shihnin historikun e ndryshimeve të një mesazhi të redaktuar. Ky funksion konsiderohej i rëndësishëm për transparencë dhe qartësi në komunikim, veçanërisht në bisedat përmes RCS.

    Sipas informacioneve të zbuluara nga analiza e kodit të versionit më të fundit të aplikacionit, Google ka nisur punën për rikthimin e këtij opsioni. Me përditësimin e ardhshëm, përdoruesit do të kenë mundësinë të shohin versionin origjinal të mesazhit, redaktimet e mëvonshme dhe kohën kur janë kryer ato, përmes seksionit “Info”.

    Ky ndryshim synon të rrisë besueshmërinë në komunikim dhe të parandalojë ndryshimet e fshehta të përmbajtjes së mesazheve, duke ofruar një pasqyrë të plotë të historikut të tyre.

    Aktualisht, funksioni ndodhet në fazë testimi dhe pritet të jetë fillimisht i disponueshëm për përdoruesit e versionit beta, përpara se të shpërndahet për publikun e gjerë.

  • Lionel Messi mund të rikthehet tek Barcelona

    Lionel Messi mund të rikthehet tek Barcelona

    Gjiganti katalunas Barcelona po synon të bëjë një rikthim e cila mund të bëjë tronditje në futbollin botëror.

    Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “Marca”Lionel Messi mund të rikthehet tek Barcelona,megjithatë nuk dihet se nëse mund të vijë si lojtar apo do të marrë ndonjë post mbrenda klubit.

    Përndryshe vizita e fundit e tij në stadiumin Camp Nou ka shkaktuar mjaft thashetheme në mesin e tifozëve,duke aluaduar në një rikthim të tij tek Barca për të mbyllur kështu karrierën e tij si futbollist.

    Kujtojmë që Lionel Messi së fundmi ka qenë i lidhur për një transferim tek gjiganti turk Galatasaray,e cila do të shërbente si parapërgatitje për botërorin që do të mbahet në qershor.

  • BE ultimatum TikTok-ut: Ndryshoni dizajnin ose përballuni me miliarda euro gjoba

    BE ultimatum TikTok-ut: Ndryshoni dizajnin ose përballuni me miliarda euro gjoba

    Bashkimi Evropian i ka kërkuar TikTok që të ndryshojë atë që e cilëson si “dizajn varësie” të platformës, përndryshe rrezikon gjoba të rënda financiare për shkelje të rregullave evropiane mbi sigurinë online.

    Ky paralajmërim vjen pas një hetimi të nisur nga Komisioni Evropian në shkurt 2024 ndaj aplikacionit në pronësi kineze. Në gjetjet paraprake, Komisioni ka konstatuar se TikTok nuk ka vlerësuar siç duhet rreziqet që funksione si autoplay dhe algoritmet e përmbajtjes mund të kenë mbi mirëqenien e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve.

    Sipas BE-së, platforma nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar këto rreziqe. Një zëdhënës i TikTok i tha BBC-së se gjetjet janë “tërësisht të pabazuara” dhe se kompania do t’i kundërshtojë ato zyrtarisht. TikTok është ftuar të paraqesë përgjigjen e saj ndaj Komisionit Evropian.

    Në varësi të përfundimeve përfundimtare, Komisioni mund të vendosë një gjobë deri në 6% të xhiros globale vjetore të kompanisë, e cila përllogaritet në disa miliarda euro.

    Komisionerja e BE-së për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se TikTok duhet të “ndryshojë dizajnin e shërbimit të saj në Evropë” nëse dëshiron të shmangë sanksionet. Ajo përmendi masa konkrete si kufizimi i kohës së ekranit gjatë natës, ndryshime në algoritmet e personalizimit dhe çaktivizimin e funksionit “scroll i pafund”.

    “Ligji për Shërbimet Dixhitale i bën platformat përgjegjëse për ndikimin që kanë mbi përdoruesit e tyre,” tha Virkkunen, duke shtuar se mbrojtja e fëmijëve dhe qytetarëve online është prioritet për BE-në.

    Analisti i mediave sociale, Paolo Pescatore, e përshkroi vendimin si një “sinjal paralajmërues” jo vetëm për TikTok, por për të gjitha platformat sociale, duke theksuar se fokusi po zhvendoset nga rritja e angazhimit drejt përgjegjësisë digjitale.

    Ndërkohë, Sonia Livingstone, profesoreshë në London School of Economics, tha se megjithëse TikTok ka ndërmarrë disa hapa për sigurinë online, ato mbeten të pamjaftueshme sipas standardeve të BE-së.

    “Të rinjtë po kërkojnë ndryshime reale,” theksoi ajo, duke shtuar se ata ndihen të zhgënjyer kur mirëqenia e tyre vihet pas fitimit.

  • Horoskopi ditor: Mesazhet që të ndihmojnë të gjesh qetësi dhe ekuilibër

    Horoskopi ditor: Mesazhet që të ndihmojnë të gjesh qetësi dhe ekuilibër

    Dashi
    Përpjekjet e tua po fillojnë të japin frytet e para. Edhe nëse të tjerët nuk e vërejnë ende, ti e ndien ndryshimin. Mos kërko menjëherë mirënjohje, vazhdo i fokusuar te puna dhe mos harro arsyen pse nise këtë rrugë. Hapat e vegjël po të çojnë përpara.

    Demi
    Sot ke mundësi të mbyllësh disa kapituj në heshtje. Edhe pa një përfundim të plotë, do të fitosh më shumë qartësi. Largohu nga ajo që nuk të shërben më dhe do ndihesh më i qetë. Paqja vjen kur lëshon zakonet që të mbajnë pezull.

    Binjakët
    Angazhimi i vazhdueshëm shpesh të largon nga ndjenjat. Sot ndalu për pak dhe lejoje veten t’i përjetosh ato pa gjykim. Pushimi nuk është dobësi, por domosdoshmëri. Nuk ke pse t’i zgjidhësh të gjitha menjëherë.

    Gaforrja
    Një situatë që dikur të shqetësonte, sot mund të mos ketë më ndikim tek ti. Kjo tregon sa shumë ke evoluar. Nuk të duhen duartrokitje, qetësia e brendshme është dëshmia më e fortë e rritjes sate.

    Luani
    Sot kupton se shpesh ke pranuar gjëra që nuk i doje vërtet. Mëso të mbrosh qetësinë tënde duke qenë i sinqertë. Të thuash “jo” nuk është mungesë respekti, por kujdes për veten.

    Virgjëresha
    Një zakon i vjetër mund të të sjellë sot ndjenjë sigurie dhe qetësie. Nuk ke nevojë për risi apo emocione të forta. Paqen do ta gjesh tek gjërat e thjeshta që kanë pasur gjithmonë vlerë për ty.

    Peshorja
    Një veprim i vogël, por i bërë me kujdes, mund të të rikthejë ekuilibrin. Fillo nga diçka e thjeshtë që e ke nën kontroll. Kujdesi minimal për veten mund të ndikojë gjithë ditën.

    Akrepi
    Po harxhon energji në gjëra që nuk të ndihmojnë të ecësh përpara. Sot është dita e duhur për të hequr dorë nga ajo që të lodh dhe për t’u fokusuar tek ajo që të jep forcë.

    Shigjetari
    Mos reagoj menjëherë. Një pauzë e shkurtër para se të flasësh mund të ndryshojë gjithçka. Qetësia është arma jote më e fortë sot. Zgjidh paqen, jo kaosin.

    Bricjapi
    Do ndihesh më mirë nëse ndalon së shtyri veten përtej kufijve. Nuk është dobësi të pranosh se diçka është e tepërt. Ruaj energjinë dhe do jesh më i qëndrueshëm për veten dhe të tjerët.

    Ujori
    Sot ke nevojë për hapësirë personale. Kjo nuk është egoizëm. Të tërhiqesh pak do të të ndihmojë të rikthehesh më i lidhur me ritmin tënd. Nuk ke pse të jesh gjithmonë i disponueshëm.

    Peshqit
    Një refuzim mund të të prekë sot, por mos e marrësh si personale. Ai nuk përcakton vlerën tënde. Çfarë është e destinuar për ty, do të vijë. Lëre pas pa mllef dhe shiko përpara.

  • Deepfake po kthehet në armë mashtrimi masiv, si po manipulohen qytetarët dhe institucionet

    Deepfake po kthehet në armë mashtrimi masiv, si po manipulohen qytetarët dhe institucionet

    Mashtrimet përmes teknologjisë deepfake kanë hyrë në një fazë të re, duke u shndërruar në një industri të mirëorganizuar dhe gjithnjë e më të aksesueshme, paralajmërojnë ekspertët e inteligjencës artificiale.

    Sipas analizës së AI Incident Database, mashtruesit po përdorin video dhe audio deepfake për të imituar figura publike, gazetarë dhe liderë politikë, me qëllim përfitimin financiar. Raste të fundit përfshijnë video të rreme të kryeministrit të Australisë Perëndimore që promovonin skema investimi, si dhe “mjekë” deepfake që reklamonin produkte kozmetike.

    Ekspertët theksojnë se teknologjia është bërë aq e lirë dhe e thjeshtë për t’u përdorur, saqë pothuajse kushdo mund të krijojë përmbajtje të falsifikuar. Një rast i raportuar vitin e kaluar në Singapor tregon se një zyrtar financiar humbi rreth 500 mijë dollarë, pasi u mashtrua gjatë një video-thirrjeje që mendoi se ishte me drejtuesit e kompanisë së tij.

    Jason Rebholz, drejtues i kompanisë së sigurisë Evoke, rrëfen se edhe proceset e punësimit janë prekur nga kjo teknologji. Ai përshkruan një intervistë pune ku kandidati rezultoi të ishte një deepfake i sofistikuar, me vonesa në video dhe sfond të falsifikuar – gjë që u konfirmua më vonë nga një kompani e specializuar.

    Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i deepfake mund të jetë serioz për punësimin, zgjedhjet dhe besimin publik. Fred Heiding nga Universiteti i Harvardit thekson se rreziku më i madh është humbja e besimit në institucionet digjitale dhe informacionin që ato ofrojnë.

    Ndërkohë, teknologjia e klonimit të zërit është bërë jashtëzakonisht e avancuar, duke lehtësuar imitimin e të afërmve në telefon, ndërsa videot deepfake po përmirësohen çdo ditë, duke e bërë luftën kundër mashtrimit digjital gjithnjë e më sfiduese.