ATV

Blog

  • Ambasadori britanik: NATO-ja mbetet thelbësore për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës

    Ambasadori britanik: NATO-ja mbetet thelbësore për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se roli i Kosovës shkon përtej garantimit të sigurisë së brendshme, duke theksuar se vendi mund të shërbejë si partner i rëndësishëm edhe në sigurinë evropiane.

    Nga selia e NATO-s në Bruksel, Hargreaves ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën, me synimin që ajo të kontribuojë edhe më tej në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe të avancojë drejt anëtarësimit në NATO.

    Ai ka bërë të ditur se ka parë nga afër përparimin e personelit të sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ata po punojnë drejt standardeve të NATO-s dhe kanë marrë pjesë në trajnime të përbashkëta me Britaninë e Madhe.

    Sipas tij, këto përgatitje synojnë që Kosova të bëhet një partner i besueshëm dhe funksional në operacione të përbashkëta, potencialisht edhe në vende si Ukraina dhe shtete të tjera evropiane.

    Hargreaves ka theksuar se, megjithatë, Kosova ka ende punë për të bërë për të përmbushur plotësisht standardet e NATO-s, veçanërisht në aspektin e forcimit të demokracisë, ndërtimit të një shoqërie funksionale multietnike dhe respektimit të standardeve që Aleanca kërkon nga të gjithë aleatët e saj.

  • Admirimi ekstrem: Fanseja bën tatuazh me portretin e Don Xhonit

    Admirimi ekstrem: Fanseja bën tatuazh me portretin e Don Xhonit

    Reperi i njohur shqiptar, Don Xhoni, ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes pas një takimi të veçantë me një nga fanset e tij më të zjarrta.

    Bëhet fjalë për Simona Moldovan, një bukuroshe nga Rumania, e cila ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale për admirimin që ka për artistin.

    Ajo që e bën këtë histori të pazakontë është mënyra unike se si Simona ka zgjedhur ta shprehë adhurimin e saj.Ajo ka realizuar një tatuazh të madh në pjesën e barkut, ku është gdhendur portreti i Don Xhonit.

    Pamjet e tatuazhit, si dhe momentet nga takimi i saj me reperin, janë publikuar në TikTok, ku brenda pak orësh janë bërë virale. Në videot e postuara, Simona shfaqet e emocionuar dhe krenare për vendimin e saj, duke theksuar se ky gjest simbolizon lidhjen e veçantë që ka me muzikën e reperit.

  • Jeffrey Epstein kishte interes të blinte vila luksoze në Lucern dhe Zug në Zvicër

    Jeffrey Epstein kishte interes të blinte vila luksoze në Lucern dhe Zug në Zvicër

    Dokumentet e sapo publikuara në lidhje me skandalin e të dënuarit amerikan për abuzim seksual, Jeffrey Epstein (i cili vdiq në moshën 66 vjeç), zbulojnë detaje të panjohura më parë. Sipas tyre, Epstein kishte shfaqur interes për disa prona luksoze në Zvicrën qendrore, përfshirë dy vila në Lucern dhe Zug, raporton gazeta zvicerane Zuger Zeitung, transmeton albinfo.ch.

    Në vitin 2010, Epstein mori informacion për pronën “Villa Rose” në Meggen, Lucern, një kompleks prej 10,200 m² buzë Liqenit të Lucernit. Vila përfshinte një shtëpi për anijet, banesa për stafin, park, qasje në liqen, spa, pishinë të brendshme dhe sistem të avancuar mbikëqyrjeje. Ajo i përkiste atëherë tregtarit amerikan të mallrave Marc Rich, i njohur për stilin e tij të shquar dhe i ndarë nga jeta në 2013.

    Sipas raportimeve, ekzekutivi i basketbollit amerikan David Stern i kishte ofruar Epstein vilën përmes një emaili, duke shpjeguar se blerja mund të bëhej “shpejt dhe pa agjenci”, pasi ai njihte personalisht Rich. Pyetja e Stern përfundonte me: “Interesuar?” – dhe Epstein duket se kishte shfaqur interes. Megjithatë, disa ditë më vonë, kur ai kërkoi informacion mbi statusin e marrëveshjes, nuk mori asnjë përgjigje. Blerja nuk u realizua kurrë.

    Raportohet gjithashtu se Stern i kishte tërhequr vëmendjen Epstein edhe tek një pronë luksoze në kantonin e Zugut, por detajet mbeten të panjohura.

    Pas vdekjes së Marc Rich, vila u bleu nga koleksionisti kanadez i artit Robert Landau dhe bashkëshortja e tij Alice në vitin 2014. Landau ka ruajtur shumë nga arredimet origjinale të Rich dhe i ka hapur gazetës Blick dyert e vilës në një vizitë ekskluzive në vitin 2023, duke treguar edhe koleksionin e tij të çmuar të artit. Vila përmban banjo të ndriçuara me ar dhe parket të importuar nga Pallati i Versajës.

    Ky informacion vjen ndërkohë që dosjet e Epstein vazhdojnë të zbulojnë lidhje të panjohura të tij me pronarë të pasur, figura politike dhe koleksionistë arti në mbarë botën.

  • Smoothie me luleshtrydhe, zgjedhja ideale për një mëngjes energjik

    Smoothie me luleshtrydhe, zgjedhja ideale për një mëngjes energjik

    Smoothie me luleshtrydhe është një pije e shijshme dhe ushqyese, e përgatitur nga luleshtrydhe të freskëta, banane, kos dhe mjaltë, e cila ofron energji dhe vitamina të domosdoshme për organizmin.

    Si çdo smoothie, në përgatitje shtohen edhe disa kuba akulli, që e bëjnë pijen më të freskët dhe të këndshme për t’u konsumuar. Mjalti mund të zëvendësohet edhe me shurup panje, duke e bërë këtë pije të përshtatshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

    Përgatitja
    Lani dhe thani mirë luleshtrydhet, hiqni pjesët jeshile dhe pritini në copa. Qëroni bananet, pritini në rrota dhe vendosini bashkë me luleshtrydhet në blender.

    Më pas shtoni kosin, mjaltin ose shurupin e panjës dhe kubat e akullit. Përziejini të gjitha derisa të përftoni një masë homogjene. Hidheni përzierjen në gota dhe konsumojeni menjëherë.

    Këshillohet që ky smoothie të konsumohet në mëngjes, veçanërisht për ata që nuk preferojnë qumështin, pasi përmban mjaftueshëm kalori dhe siguron energji deri në vaktin e radhës. Po ashtu, mund të shërbejë edhe si vakt i lehtë pasdite, duke zëvendësuar ushqimin e ndërmjetëm.

  • Arton Muhaxheri: Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë po i shërben Qeverisë

    Arton Muhaxheri: Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë po i shërben Qeverisë

    Analisti politik Arton Muhaxheri ka kritikuar ashpër mënyrën e organizimit të protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se një reagim i tillë nuk përbën presion real qytetar dhe, sipas tij, vetëm sa i jep argumente Qeverisë për të justifikuar vendimin.

    Në një reagim në rrjete sociale, Muhaxheri ka shprehur dyshime mbi seriozitetin dhe efektivitetin e protestës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron një reagim të mirëfilltë qytetar.

    “Çka është kjo protestë kështu? Kjo vetëm sa i jep arsye Qeverisë dhe autoritetit përkatës ta rrisë çmimin e energjisë, sepse ky nuk është reagim i vërtetë qytetar”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, për një çështje jetike si shtrenjtimi i energjisë elektrike, protestat duhet të jenë të organizuara seriozisht dhe me objektiva të qarta.

    “Ose bëjeni protestën si duhet, ose mos e bëni fare, sepse për një temë kaq jetike nuk organizohet një protestë vetëm sa për ta hequr gajlen”, ka theksuar Muhaxheri.

    Ai ka vlerësuar se mungesa e përfshirjes së partive opozitare e bën protestën të pafuqishme, duke shtuar se ato kanë kapacitetin për të mobilizuar numër të madh qytetarësh.

    “Pa organizimin e protestave nga partitë opozitare, të cilat kanë bazë të mjaftueshme për protesta masive, çdo organizim tjetër mbetet simbolik dhe i papërfillshëm”, ka shkruar ai.

    Në fund, Muhaxheri ka kritikuar edhe vendin e mbajtjes së protestës, duke theksuar se përgjegjësia për situatën energjetike nuk qëndron te KEK-u, por te Qeveria.

    “Nuk protestohet para KEK-ut, por para dyerve të Qeverisë. Protesta para KEK-ut e amniston Qeverinë si për kaosin energjetik, ashtu edhe për rritjen e çmimit të energjisë”, ka përfunduar ai.

  • Kristen Stewart tregon se ndihet ende e përndjekur nga Princesha Diana

    Kristen Stewart tregon se ndihet ende e përndjekur nga Princesha Diana

    Kristen Stewart ka pranuar se ndihet ende emocionalisht e “përndjekur” nga Princesha Diana, rol të cilin e portretizoi në filmin “Spencer” të vitit 2021.

    Aktorja 35-vjeçare tha se mjafton vetëm të mendojë për Dianën që të shpërthejë në lot. Diana, Princesha e ndjerë e Uellsit, humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997, në moshën 36-vjeçare. Stewart shtoi se ndjenja e pranishme e Dianës e ndjek ende, sidomos kur ndodhet në Londër apo Paris.

    “Ende jam. Nuk mund të vozis në këtë qytet, e as në Paris, pa menduar për të. E gjithë dashuria që buronte nga kjo grua… mund të qaj për të në çdo moment,” rrëfeu Stewart.

    Aktorja tregoi gjithashtu se fillimisht mendonte se regjisori Pablo Larraín ishte “i çmendur” që e kishte zgjedhur për rolin e Dianës dhe madje i kishte kërkuar të gjente dikë tjetër. “I thashë Pablos se ishte i çmendur dhe se ndoshta duhej të punësonte dikë tjetër, por ai refuzoi. Kishte dallime të mëdha mes meje dhe saj. Ishte ajo pamja e saj, ngjyra e syve unë kam sy të gjelbër, ajo i kishte të kaltër, që përputheshin me unazën e saj,” ka rrëfyer Stewart.

  • Rreziku nga sëmundjet nis që në barkun e nënës

    Rreziku nga sëmundjet nis që në barkun e nënës

    Dy studime zbulojnë rolin potencial mbrojtës të vitaminës D dhe antioksidantëve gjatë shtatzanisë

    A e dini se ne fillojmë të plakemi që para lindjes? Një studim ndërkombëtar, i udhëhequr nga Universiteti i Kembrixhit, ka zbuluar se tek minjtë, dhënia e antioksidantëve gjatë shtatzanisë së femrave u shkakton pasardhësve të tyre një plakje më të ngadalë kur të jenë më moshë madhore.

    Ndërsa minjtë e lindur nga nëna, të cilat kishin nivele të ulëta të oksigjenit në mitër – që tek njerëzit mund të jetë pasojë e pirjes së duhanit gjatë shtatzënisë – plakeshin më shpejt.

    Për të kontrolluar shpejtësinë e plakjes së minjve, shkencëtarët kanë matur telomeret, kapele të vogla të cilat “mbyllin” kromozomet në skajet e tyre. Me kalimin e moshës, telomeret shkurtohen dhe për rrjedhojë gjatësia e tyre mund të përdoret si një tregues për matjen e plakjes. Studiuesit zbuluan se minjtë e rritur, të lindur nga nëna që kanë pasur më pak oksigjen gjatë shtatzënisë (një gjendje kjo e krijuar në laborator), i kishin telomeret më të shkurtra në krahasim me minjtë e lindur nga shtatzënitë pa këtë ndërlikim, dhe shfaqën probleme në rreshtimin e brendshëm të enëve të gjakut, shenjë se qenë plakur më shpejt dhe se kishin me tepër gjasa për të zhvilluar sëmundje të parakohshme të zemrës.

    Megjithatë, kur nënave shtatzëna të të njëjtit grup iu dhanë ushqyes antioksidantë, kjo uli rrezikun që pasardhësit e tyre të kishin sëmundje të zemrës. Edhe fëmijët e lindur nga shtatzënitë e pakomplikuara, në të cilën fetusi kishte marrë nivelet e duhura të oksigjenit, përfituan nga ushqyesit antioksidantë në dietën e nënës, me telomeret që qenë më të gjata se sa ato të minjve, nënat e të cilëve nuk kishin marrë antioksidantët gjatë shtatzënisë.

    Dino Xhuzani i Departamentit të Fiziologjisë së Zhvillimit dhe Neuroshkencës në Universitetin e Kembrixhit, autori më i vjetër i studimit, shpjegon:”Studimi ynë tek minjtë tregon se ora e plakjes fillon të kurdiset që para lindjes. Ne tashmë e dimë se gjenet tona ndërveprojnë me faktorë të rrezikut mjedisor, siç janë pirja e duhanit, obeziteti dhe mungesa e ushtrimeve fizike, për të rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës tonë.

    Por në këtë studim ne kemi dëshmuar se ambienti ndaj të cilit jemi të ekspozuar në mitër,

    mund të jetë po aq në mos më i rëndësishëm në predipozitën e rrezikut ndaj sëmundjeve kardiovaskulare në moshë madhore”. Një konfirmim i ndikimit të kushteve brenda në barkun e nënës mbi shëndetin e ardhshëm të fëmijëve, vjen nga një studim tjetër, i cili u fokusua në rrezikun që mund të shkaktohet nga mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë, duke supozuar se ajo rrit shanset që fëmija të zhvillojë në moshën e rritur, sklerozën e shumëfishtë.

    Studimi, që është publikuar i plotë në revistën “JAMA Neurology” shpjegon se ndërsa nivelet e larta të vitaminës D kanë qenë të lidhura me herët me një rrezik më të ulët ndaj sëmundjeve në moshën e rritur, madje edhe ekspozimi në mitër luan një rol të rëndësishëm. Autorët identifikuan 193 persona me diagnoza të sklerozës së shumëfishtë, nëna e të cilit kishte qenë pjesë e një studimi finlandez.

    Nivelet e vitaminës D në gjakun e pjesës dërrmuese (70 për qind) të këtyre grave, qenë zbuluar gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Autorët kanë zbuluar se rreziku i zhvillimit të sklerozës të shumëfishtë më moshë madhore, ka qenë 90 përqind më i lartë te fëmijët nënat e të cilëve kishte treguar një mungesë të vitaminës D gjatë shtatzënisë.

    “Ndërsa gjetjet tona”- përfundojnë autorët “sugjerojnë se mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e sklerozës së shumëfishtë tek pasardhësit, studimi ynë nuk ofron ndonjë informacion në lidhje me atë nëse ka një efekt dozë-përgjigje me rritjen e niveleve të vitaminës D”, dhe ftojnë të tjerët për ta zbuluar këtë nëpërmjet kryerjes së më shumë kërkimeve.

  • Shpresë për kurimin e Alzhaimerit në të ardhmen

    Shpresë për kurimin e Alzhaimerit në të ardhmen

    Sëmundja e Alzhaimerit, e njohur ndryshe edhe si sëmundja e harresës së thellë, për momentin nuk ka një kurë, por vetëm disa mënyra trajtimi se si të vonohen disi pasojat më të rënda të sëmundjes. Njerëzit me këtë sëmundje nervore gjejnë vështirësi në raportet në familje, apo në punë.

    Gjeni përgjegjës për këtë sëmundje shkakton sintezën e proteinave që ulin numrin e qelizave nervore.

    Kohët e fundit shkencëtarët kanë zbuluar një kurë të mundshme të kësaj sëmundjeje. Kura është pjesë e terapive të zëvendësimit të gjeneve dhe ky eksperiment është kryer në dy popullata me minj laboratorik, të cilët “vuanin” prej kësaj sëmundjeje.

    Tek ata u injektua drejtpërdrejt në tru gjeni i ri dhe u vu re se pas katër muajve të zëvendësimit të gjenit jonormal me gjenin normal të sapo gjetur, në kaviet që u bë zëvendësimi, u reduktua ndjeshëm sasia e proteinave të dëmshme që ulnin numrin e qelizave nervore.

    Dhe jo vetëm kaq, por u vunë re edhe përmirësime të dukshme të kujtesës ku kavjet arrinin të largonin nga kafazi i tyre objekte të panjohura dhe të vendosnin aty objektet që i konsideronin si familjare, pra që i kishin vënë re edhe më parë pranë kafazit të tyre. Ndërsa në popullatën me kavie ku nuk u bë ky zëvendësim, sasia e po të njëjtave proteina ishte rritur.

    Nga ky eksperiment i kryer disa herë, shkencëtarët kanë hedhur hipotezën se kjo kurë mund të jetë tepër e vlefshme për trajtimin e sëmundjes së Alzhaimerit. Ata shprehen se ende është shumë herët që kjo metodë të gjejë përdorimin në klinikë, sepse ende nuk e dinë se si mund të reagojë trupi i njeriut ndaj zëvendësimit të këtij gjeni.

  • Grammy në kaos! Bieber nuk i tha askujt se do të dilte i vetëm me të brendshme

    Grammy në kaos! Bieber nuk i tha askujt se do të dilte i vetëm me të brendshme

    Justin Bieber i surprizoi të gjithë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Grammy në Los Angeles, duke dalë në skenë vetëm me të brendshme, pa paralajmëruar më herët organizatorët për këtë zgjedhje të pazakontë.

    31-vjeçari performoi në Crypto.com Arena, duke veshur vetëm një palë të brendshme nga brendi SKYLRK dhe një palë çorape, duke habitur publikun dhe ekipin organizativ. Sipas FemaleFirst, as organizatorët nuk e kishin ditur këtë zgjedhje.

    Producenti ekzekutiv i Grammy-t, Ben Winston, tregoi në podcastin Rolling Stone Music Now se Bieber nuk kishte vendosur planin e tij të veshjes deri në momentin e fundit. “Nuk mendoj se e kishte vendosur se çfarë do të vishte deri në çastin kur doli në skenë. Ai thjesht tha: ‘Do të dal në skenë dhe do të këndoj’”, tha Winston.

    Winston shtoi se Bieber kishte nevojë për shumë pak prova për performancën: vetëm 15 minuta nga 90 minutat që i ishin caktuar. “Ishim vetëm shtatë minuta brenda provës së tij dhe ai më tha: ‘Si të duket? Je i kënaqur?’ Unë i thashë: ‘O Zot, dukej shumë bukur, më pëlqeu shumë’. Ai u përgjigj: ‘Në rregull atëherë. Shihemi në ditën e spektaklit!’”, tregoi Winston.

    Producenti i kërkoi gjithashtu që Bieber ta këndonte këngën edhe një herë, për të rregulluar pozicionet e kameramanëve. Winston theksoi: “Ishte tamam ajo që ai donte të bënte. Ishte gjithçka e tij. Një moment që përcakton karrierën e tij. Ishte shumë ndryshe nga çfarë kemi parë prej tij ndër vite”.

  • Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në një takim përfaqësues të KFOR-it zviceran (LMT).

    Në fillim të takimit, kryeprokurori Kryeziu shprehu falenderimet për përfaqësuesit e KFOR-it zviceran, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre në rajon.

    Gjithashtu, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it lidhur me sfidat dhe prioritetet e institucionit, si dhe me objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.

    “Gjatë bisedës, u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Prizrenit, përfshirë zhvillimet e fundit që kanë ndikim në rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe rastet e fundit që ndërlidhen me manipulimin e rezultateve zgjedhore, sfidat që paraqesin këto raste për institucionet e drejtësisë, si dhe rëndësia e hetimit dhe trajtimit të tyre në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të proceseve demokratike”, thuhet në njoftim.

    “Gjatë takimit, po ashtu u diskutua për çështje të përgjithshme që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe kapaciteteve institucionale në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

    Në fund të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me qëllim të arritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe sigurimit të paqes, si dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në rajon.