ATV

Blog

  • Roza Lati ndan dëshirën për të qenë nënë: “Lutem për një bebe”

    Roza Lati ndan dëshirën për të qenë nënë: “Lutem për një bebe”

    Këtë fundjavë, Roza Lati dhe Rita ishin të ftuara në emisionin “Me prit të dielën”, ku ndanë me publikun detaje nga bashkëpunimi i tyre profesional dhe marrëdhënia nënë–bijë. Gjatë bisedës, dyshja folën për vlogun që kanë nisur së bashku, ndërsa Rita vlerësoi seriozitetin e Rozës në aspektin financiar, duke theksuar se përveç pagesës, e bija shpesh e surprizon edhe me shpërblime të tjera, duke e cilësuar bashkëpunimin e tyre si të sinqertë dhe të ekuilibruar.

    Por vëmendja kryesore u përqendrua te jeta personale e Rozës, një temë që media e ndjek me interes. Ajo rrëfeu se dëshira për të qenë nënë është shumë e fortë dhe se kjo është një lutje e vazhdueshme për të. Roza theksoi pritshmëri të qarta për këtë moment, duke përmendur se dëshiron një lindje natyrale dhe prani të babait në jetën e fëmijës.

    “Edhe unë e dua një fëmijë, lutem për një bebe. Dua që lindja të jetë natyrale dhe që babai të jetë prezent në jetën e fëmijës, kjo është ajo që dëshiroj,” u shpreh ajo me emocion.

  • Sandro Tonali në radarin e gjigantit anglez Manchester United

    Sandro Tonali në radarin e gjigantit anglez Manchester United

    Gara e klubeve për të siguruar shërbimet e mesfushorit italian të Neëcastle United Sandro Tonali po bëhet gjithnjë e më interesante.

    Mediumi anglez The Telegraph bën të ditur se gjiganti anglez Manchester United po synon transferimin e Tonalit gjatë verës,dhe ylli italiani mund të jetë një përforcim i duhur në repartin e mesfushës.

    Përndryshe agjenti i tij Giuseppe Riso thotë se Neëcastle United e ka të vështirë që të lë të lirë Tonalin,ndërkohë shton se bisedimet për transferimin e tij në ndonjë skuadër në Evropë pritet të zhvillohe më vonë.

    Mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat në muajt në vazhdim,dhe se qëndrimi i Tonalit në St.James Park varet nga kualifikimi i ekipit në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

    Kujtojmë që Sandro Tonali ka kontratë me Neëcastle United deri në vitin 2028,teksa klubi anglez e vlerëson rreth 100 milionë euro për italianin.

  • Si të dalloni kamerat e fshehura në hotele dhe apartamente të marra me qira ditore, këshillat që japin ekspertët

    Si të dalloni kamerat e fshehura në hotele dhe apartamente të marra me qira ditore, këshillat që japin ekspertët

    Rastet e zbulimit të kamerave të fshehta në akomodimet me qira afatshkurtër po shkaktojnë shqetësim ndërkombëtar, me ekspertët që theksojnë se, megjithëse këto janë fenomene të rralla, udhëtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për kontrollet themelore për sigurinë dhe privatësinë e tyre.

    Në vitet e fundit, raste janë regjistruar në Evropë dhe SHBA, ku pronarët e akomodimeve janë akuzuar për regjistrim të paligjshëm të qiramarrësve. Në një nga rastet më karakteristike, një mjek në Glasgow u dënua për voajerizëm, pasi kishte regjistruar dhjetëra njerëz në shtëpinë e tij të pushimeve, me kamera të fshehura në freskues ajri dhe një detektor tymi. Një incident i ngjashëm ndodhi në Porto Riko, ku një çift zbuloi pajisje regjistrimi që kishin kapur edhe momente private të familjes së tyre.

    Platforma si Airbnb e kanë bërë të qartë se kanë një politikë tolerance zero ndaj praktikave të tilla. Duke filluar nga prilli i vitit 2024, përdorimi i çdo kamere ose pajisjeje regjistrimi brenda ambienteve të banimit, edhe nëse janë të fikura, është rreptësisht i ndaluar, dhe shkelësit do të largohen nga platforma. Shërbime të tjera të qirasë afatshkurtër, të tilla si Vrbo, kanë gjithashtu rregulla të ngjashme.

    Jack Charman, kreu i një firme britanike hetimi privat, e cila specializohet gjithashtu në kontrollet e azileve të pleqve dhe kamerave të fshehura, thotë se disponueshmëria e gjerë e pajisjeve të vogla mbikëqyrëse ka rritur rrezikun e abuzimit. Ai thotë se shumica dërrmuese e pajisjeve të gjetura janë të disponueshme komercialisht dhe mund të blihen lehtësisht në internet.

    Disa nga këshillat e tij kryesore për udhëtarët përfshijnë:

    -Informohuni para se të mbërrini: Njihuni me llojet e pajisjeve në treg, të tilla si kamerat e fshehura në orët me zile ose detektorët e tymit.
    -Përdorimi i një llampe telefoni celular: Ndriçimi mund të zbulojë një shkëlqim të lentes nga një kamera e fshehur.
    -Kontrollimi i vendeve “të dyshimta”:Objekte përballë banjove, dhomave të gjumit ose dhomave të ndenjes, siç janë raftet, televizorët ose dekorimet e vendosura në mënyrë të pazakontë.
    -Kontrollimi i lidhjeve Wi-Fi dhe Bluetooth: Kërkimi i pajisjeve të panjohura me emra që i referohen kamerave.
    -Shmangni blerjen e detektorëve të lirë RF: Sipas ekspertit, shumica janë të pasigurt për shkak të pranisë së vazhdueshme të frekuencave radio në mjedis.

    Çfarë duhet të bëjnë qiramarrësit nëse gjejnë një pajisje?

    Në rast se zbulohet një pajisje e dyshimtë, ekspertët rekomandojnë që gjetja të regjistrohet menjëherë me një foto ose video, pa e zhvendosur atë, dhe të njoftohen si autoritetet policore ashtu edhe platforma përmes së cilës është bërë rezervimi. Nëse shihet e nevojshme dhe e mundur, mund të kërkohet edhe ndihma e një kompanie private të specializuar.

    Edhe pse incidentet janë jashtëzakonisht të kufizuara në raport me numrin total të rezervimeve, ekspertët theksojnë se informacioni dhe vigjilenca bazë mund të veprojnë si pengesë dhe t’u ofrojnë udhëtarëve një ndjenjë më të madhe sigurie.

  • Kryebashkiaku i Rrogozhinës në Shqipëri dënohet me 1 vit burg

    Kryebashkiaku i Rrogozhinës në Shqipëri dënohet me 1 vit burg

    Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.

    Vendimi është i formës së prerë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili akuzohet korrupsion aktiv në zgjedhje. Memolla nuk u paraqit në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës.

    Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimet ndaj tre personave të tjerë: Ndriçim Tafxhafa 1 vit burg; Blerim Xhamani, 1 vit burg dhe Isuf Tosku, 8 muaj, pezullohet në shërbim prove.

    Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.

    Në regjistrimin e bërë publik, Memolla, asokohe kandidat për kryebashkiak, kërkonte nga elektricisti i FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhata, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

    Dënimi me vendim të formës së prerë i Edison Memollës e çon bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhje të reja të cilat do të duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga krijimi i vakancës.

    Memolla ka të drejtë për rekurs në Gjykatën e lartë lidhur me këtë vendim brenda afateve që parashikon ligji./euronews/

  • Drejtoria e Inspektoratit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Fushë Kosovë

    Drejtoria e Inspektoratit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Fushë Kosovë

    Drejtoria për Inspektorat në komunën e Fushë Kosovës njofton se aksioni për lirimin e hapësirave publike po vazhdon në terren, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe shfrytëzimit të barabartë të tyre nga të gjithë qytetarët.

    Inspektorët komunalë po ndërhyjnë për largimin e pengesave, uzurpimeve dhe vendosjeve pa leje që pengojnë qarkullimin dhe përdorimin normal të hapësirave të përbashkëta.

    Sipas Drejtorisë, hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet të jenë të lira, funksionale dhe të qasshme për të gjithë, pa përjashtim.

    Drejtoria e Inspektoratit thekson se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe duke ruajtur interesin e komunitetit.

    Njëkohësisht, qytetarët dhe bizneset ftohen të respektojnë rregullat dhe të mos vendosin pengesa apo struktura pa autorizim në hapësirat publike, në mënyrë që të ruhet qarkullimi dhe funksionaliteti i tyre për të gjithë.

  • Nis plani “Roadpol 2026”: Kontroll i shtuar për kamionë dhe autobusë në gjithë Kosovën

    Nis plani “Roadpol 2026”: Kontroll i shtuar për kamionë dhe autobusë në gjithë Kosovën

    Policia e Kosovës ka njoftuar se nga sot do të nisë aktivitetet sipas planit “Roadpol 2026”, ku do të kontrollohen mjetet e transportit të mallrave dhe të udhëtarëve, pra kamionët dhe autobusët.

    Bazuar në njoftimin zyrtar, këto aktivitete do të zbatohen deri më 15 shkurt, në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    “Shoferët e kamionëve dhe autobusëve konsiderohen shoferë profesionistë, andaj presim nga të njëjtit që të jenë model në respektimin e rregullave dhe sjelljes në trafik”.

  • Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Në vazhdim të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka prezantuar një hartë që pasqyron 437 incidente të lidhura me krime lufte dhe kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998–1999.

    Prokurori James Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.

    Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.

    Ndërkaq, prokurorja e Dhomave të Specializuara, Clare Lawson, theksoi se këto krime nuk janë kryer thjesht nga individë të izoluar, por nga vartësit e të akuzuarve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive dhe kanë vepruar me një synim të qartë për të realizuar veprime të paligjshme.

    Ai shtoi se përgjegjësia nuk përqendrohet vetëm te udhëheqësit, por edhe te struktura e komandës që ata kanë drejtuar.

    Lawson tha se incidentet përfshijnë përndjekje, vrasje, tortura dhe keqtrajtime në kampet e kontrolluara nga UÇK-ja, duke përfshirë dhjetëra viktima që ishin të lidhura me komunitete të ndryshme etnike, përfshirë serbët, romët dhe ish-anëtarët e partive politike lokale.

    “Shumë nga veprimet janë kryer nën udhëheqjen dhe autorizimin e të akuzuarve, duke pasur një plan të qartë dhe një strategji të strukturuar për të arritur qëllimet e tyre”, u shpreh prokurorja.

    Pas një seance intensive gjatë mëngjesit, Dhomat e Specializuara aktualisht ndodhen në pushim të drekës, ndërsa pritet që pasditja të vazhdojë me dëshmi të reja dhe argumente përmbyllëse nga prokuroria.

    Ky gjyq ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku po shqyrtohen provat dhe dëshmitë kryesore, ndërsa pas prokurorisë, fjalën do ta kenë ekipet mbrojtëse dhe më pas të akuzuarit.

    Seanca është pjesë e një procesi që ka filluar më 3 prill 2023 dhe ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rëndësinë e trajtimit të krimeve të dyshuara të luftës në Kosovë.

  • Komuna e Hanit të Elezit shpall thirrje publike për ndarjen e bursave për studentë

    Komuna e Hanit të Elezit shpall thirrje publike për ndarjen e bursave për studentë

    Komuna e Hanit të Elezit, përmes Drejtorisë Komunale për Arsim, ka shpallur Thirrje Publike për ndarjen e bursave për studentë për vitin akademik 2025/2026.

    Të drejtë aplikimi kanë studentët që janë banorë të Komunës së Hanit të Elezit dhe ndjekin studimet në universitetet publike të Kosovës apo në Universitetin Publik të Maqedonisë së Veriut. Aplikimi është i hapur për studentë të rregullt, të regjistruar për herë të parë në vitin akademik, të cilët nuk e kanë përsëritur vitin dhe nuk janë përfitues të bursave nga fakulteti apo nga institucione të tjera.

    Prioritet në përfitimin e bursave do t’u jepet studentëve të regjistruar në fakultetet deficitare, si: Fakulteti i Mjekësisë, Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Edukimit, Inxhinierisë Mekanike, Bujqësisë dhe Veterinarisë, Xehetarisë dhe Metalurgjisë, Shkencave Matematiko-Natyrore, Arteve si dhe Fakultetit Filologjik (Gjuhë Angleze dhe Gjermane).

    Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, i cili përfshin certifikata akademike, dëshmi regjistrimi, dokumente personale, dëshmi të suksesit, si dhe dokumente shtesë për studentët që i përkasin kategorive sociale apo atyre me status të veçantë.

    Aplikimet dorëzohen në Qendrën për Shërbim me Qytetarë të Komunës së Hanit të Elezit, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00. Afati për aplikim është 15 ditë, duke filluar nga 10 shkurt 2026 deri më 24 shkurt 2026.

    Komuna njofton se, në rast se nuk plotësohet numri i studentëve sipas kritereve të përcaktuara, bursat do t’u ndahen edhe studentëve të vitit të dytë apo më lartë. Po ashtu, aplikacionet e paplota ose me të dhëna të pasakta nuk do të shqyrtohen nga komisioni vlerësues.

    Për më shumë informata, studentët e interesuar mund të drejtohen pranë Drejtorisë Komunale për Arsim në Han të Elezit.

  • Osmani uron kryeministren e Japonisë për fitoren në zgjedhje

    Osmani uron kryeministren e Japonisë për fitoren në zgjedhje

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, për fitoren në zgjedhje.

    Përmes një mesazhi, Osmani theksoi se Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme me Japoninë, duke e cilësuar atë si një aleate të palëkundur të popullit të Kosovës.

    Ajo shprehu gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Japoninë, me synim thellimin e partneritetit dhe avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

    “Urime kryeministres së Japonisë, Sanae Takaichi, për fitoren vendimtare në zgjedhje. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj të qëndrueshme me Japoninë, një aleate e palëkundur e popullit të Kosovës. Presim me kënaqësi të vazhdojmë punën së bashku për të thelluar partneritetin tonë dhe për të avancuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar ajo në X.

  • Komuna e Pejës hap dy pika të reja të Urgjencës në Bogë dhe në Vitomiricë

    Komuna e Pejës hap dy pika të reja të Urgjencës në Bogë dhe në Vitomiricë

    Komuna e Pejës ka funksionalizuar dy pika të reja të Urgjencës, respektivisht në Bogë të Rugovës dhe në Vitomiricë, duke zgjeruar rrjetin e shërbimeve shëndetësore emergjente dhe duke e afruar ndihmën mjekësore më pranë qytetarëve.

    Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Pejës.

    Sipas informacionit njësia e Urgjencës në Bogë u shërben banorëve të zonës së Rugovës dhe fshatrave përreth, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë mjekësore në një rajon me qasje më të vështirë, veçanërisht gjatë sezonit dimëror dhe fluksit turistik.

    Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

    Ndërkaq, pika e Urgjencës në Vitomiricë do të mbulojë një numër të madh vendbanimesh, përfshirë: Vitomiricën, Ozdrimin, Dubovën, Novosellën, Jabllanicën, Radavcin, Katundin e Ri, Treboviqin, Nabërgjanin, Ruhotin, Lutogllavën dhe Trestenikun, duke siguruar shërbime emergjente më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët.

    Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 07:00 deri në orën 19:00.