ATV

Blog

  • Hodhën sende të forta në drejtim të policisë, arrestohen 2 protestues, procedohen në gjendje të lirë 30 të tjerë

    Hodhën sende të forta në drejtim të policisë, arrestohen 2 protestues, procedohen në gjendje të lirë 30 të tjerë

    Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, pranë Parlamentit, identifikohen 32 shtetas.

    Më datë 23.07.2026, rreth orës 09:30, në rrugën “George W. Bush”, pranë Parlamentit, u zhvillua një tubim gjatë të cilit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre, sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.

    Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 32 shtetas që dyshohet se kanë kryer këto veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:

    -u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;
    -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plasmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.

    6 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

  • “Ëndrra Vazhdon” – Interex rikthehet me lojën e madhe shpërblyese

    “Ëndrra Vazhdon” – Interex rikthehet me lojën e madhe shpërblyese

    Interex rikthehet me lojën e madhe shpërblyese “ËNDRRA VAZHDON”, një fushatë e veçantë që u mundëson konsumatorëve t’i shndërrojnë blerjet e tyre të përditshme në mundësi reale për të fituar qindra shpërblime.

    Nga 27 korriku deri më 19 tetor, konsumatorët e Interex-it do të kenë mundësinë të fitojnë qindra shpërblime fantastike, përfshirë çmimin kryesor prej 10.000 eurosh CASH, 3 skuterë Vespa, 11 telefona iPhone 17 Pro, 11 telefona Samsung S26 Ultra, fshesa robotike, pajisje Dyson për stilimin e flokëve, voucher vjetorë dhe shumë shpërblime të tjera.

    Për të marrë pjesë, mjafton të blini produkte nga brendet pjesëmarrëse dhe të skanoni aplikacionin Interex në arkë. Pas skanimit të aplikacionit, bëheni automatikisht pjesë e garës përshpërblimet e lojës.

    Në mesin e të gjitha shpërblimeve spikat çmimi kryesor prej10.000 eurosh CASH, i cili do t’i ndahet njërit prej pjesëmarrësve.

    Sa më shumë produkte nga brendet pjesëmarrëse të blini, aq më shumë mundësi do të keni për të hyrë në garë dhe për të fituar.

    Përmes lojës shpërblyese “ËNDRRA VAZHDON”, Interex synon ta shndërrojë përvojën e zakonshme të blerjes në një eksperiencë më emocionuese dhe më shpërblyese për konsumatorët.

    Prandaj, nga 27 korriku deri më 19 tetor, blini produkte nga brendet pjesëmarrëse, skanoni aplikacionin Interex në arkë dhe bëhuni automatikisht pjesë e garës.

    Mos e lini ëndrrën të presë.

    Blini, skanoni dhe fitoni me lojën shpërblyese të Interex-it: “ËNDRRA VAZHDON”.

    Sepse ëndrra e radhës mund të jetë e juaja!

    Shkarko aplikacionin:

    Play store :https://play.google.com/store/apps/details?id=com.kubit.interex&hl=en

    App store: https://apps.apple.com/us/app/interex/id6449186688

  • Paraburgim vetëm për shtetasin turk, dy zyrtareve të MPB-së u caktohet masa e arrestit shtëpiak

    Paraburgim vetëm për shtetasin turk, dy zyrtareve të MPB-së u caktohet masa e arrestit shtëpiak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gylsen Jahiri dhe Fatma Shufta, duke u caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak për një muaj, ndërsa shtetasit turk Dervis Keleci i është caktuar paraburgim. Aktvendimin e Gjykatës e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktvendimit, Gylsen Jahiri, zyrtare për pranimin e kërkesave për lejeqëndrim në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, dhe Fatma Shufta, zyrtare e lartë për financa në MPB, dyshohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer në vazhdimësi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Dervis Keleci dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Gjykata ka vendosur që dy zyrtaret të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 21 gusht 2026, ndërsa u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se veprat janë kryer në koordinim ndërmjet personave zyrtarë dhe një personi privat, me qëllim të sigurimit të dobisë pasurore. Në kërkesën për paraburgim thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar deklarata dëshmitarësh, raporte të vëzhgimit, dokumente të sekuestruara dhe prova të mbledhura përmes masave të veçanta hetimore.

    Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat mobilë të të dyshuarve për ekzaminim forenzik, si dhe dokumente të tjera që do t’i nënshtrohen analizës gjatë vazhdimit të hetimeve.

    Sipas Prokurorisë, Fatma Shufta në deklarimin e saj ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa Gylsen Jahiri dhe Dervis Keleci kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

    Sipas prokurorit, hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe të dyshuarit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale.

    Në seancë, avokati Ilir Tahiri, mbrojtës i Gylsen Jahirit, e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, duke argumentuar se vetë ekzistimi i dyshimit të bazuar nuk mjafton për caktimin e masës më të rëndë dhe se Prokuroria nuk ka paraqitur rrethana konkrete që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin.

    Tahiri tha se provat materiale tashmë janë administruar nga organet e hetimit dhe se klientja e tij nuk ka asnjë mundësi reale të ndikojë në dëshmitarë apo të tjetërsojë provat, duke i cilësuar pretendimet e Prokurorisë si hipotetike.

    Ai propozoi që, në vend të paraburgimit, Gjykata të caktojë arrest shtëpiak, duke ofruar dorëzani prej 5 mijë eurosh, dorëzimin e pasaportës dhe të gjitha dokumenteve të udhëtimit, si garanci se Jahiri do t’i përgjigjet çdo ftese të organeve të drejtësisë.

    Sipas Tahirit, një rrethanë me rëndësi të veçantë është edhe gjendja e rënduar shëndetësore e klientes së tij, për të cilën tha se paraburgimi do të ndikonte drejtpërdrejt në përkeqësimin e saj.

    Ai u thirr edhe në parimin e proporcionalitetit, duke argumentuar se qëllimi i procedurës penale mund të arrihet me masa më të buta, ndërsa theksoi se Jahiri nuk ka rënë asnjëherë më parë ndesh me ligjin.

    Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Jahirit dhe Shuftës, duke vlerësuar se, edhe pse ekziston dyshim i bazuar dhe rrezik potencial për ndikim në procedurë, masa e paraburgimit është shumë e rëndë dhe se qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre dhe mbarëvajtjes së procedurës mund të arrihet përmes arrestit shtëpiak.

    Ndryshe, për Dervis Kelecin, Gjykata konstatoi se ekziston rrezik i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, duke vlerësuar se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, ndaj tij u caktua paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

  • Beethoven, Maria Callas dhe Leonardo da Vinci në mesin e figurave për kartëmonedhat e reja evropiane

    Beethoven, Maria Callas dhe Leonardo da Vinci në mesin e figurave për kartëmonedhat e reja evropiane

    Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar 10 dizajnet përfundimtare që do të garojnë për pamjen e re të kartëmonedhave euro, duke përfshirë figura të njohura historike si Leonardo da Vinci, Marie Curie, Maria Callas dhe Ludwig van Beethoven, si dhe temën alternative “Lumenjtë dhe zogjtë”.

    Dizajnet u prezantuan në një ceremoni në Frankfurt, ku morën pjesë presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe anëtari i bordit ekzekutiv, Piero Cipollone. Ato u përzgjodhën nga rreth 1.200 propozime të paraqitura gjatë muajve të fundit.

    Njëzet e pesë vjet pas futjes në qarkullim të euros, kartëmonedhat pritet të marrin një identitet të ri vizual, duke lënë pas dizajnin aktual me ura dhe elemente arkitekturore të përgjithshme, të zgjedhur fillimisht për të shmangur favorizimin e ndonjë shteti të veçantë.

    Në dizajnet e reja, përveç motiveve të natyrës, janë përfshirë edhe figura të shquara të historisë evropiane, të cilat konsiderohen pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore të kontinentit.

    Procesi për ridizajnimin e kartëmonedhave, i nisur në vitin 2021, tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Nga sot deri më 21 shtator, qytetarët e vendeve të eurozonës mund të votojnë për dizajnin e preferuar përmes një ankete të hapur në faqen zyrtare të BQE-së.

    Vendimi përfundimtar do të merret nga Bordi i Guvernatorëve të BQE-së brenda këtij viti. Më pas do të nisë faza teknike e zhvillimit dhe testimit të kartëmonedhave të reja, të cilat do të pajisen me teknologji të avancuara kundër falsifikimit.

    Kartëmonedhat e reja me prerje 5, 10, 20, 50 dhe 200 euro do të ruajnë ngjyrat tradicionale, por do të paraqesin portrete të stilizuara të personaliteteve të njohura evropiane, duke i dhënë euros një identitet të ri vizual që pasqyron historinë, kulturën dhe diversitetin e Evropës.

  • Miratohet Rregullorja e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Krasniqi: Forcojmë sigurinë dhe privatësinë

    Miratohet Rregullorja e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Krasniqi: Forcojmë sigurinë dhe privatësinë

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se ka nënshkruar Rregulloren e Brendshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik.

    Sipas Krasniqit, ky dokument përmbush një obligim që buron nga legjislacioni në fuqi dhe përcakton procedurat organizative dhe teknike për përpunimin e të dhënave personale të të punësuarve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Me nënshkrimin e këtij dokumenti, riafirmoj përkushtimin e MAPL-së për zbatimin e obligimeve ligjore, mbrojtjen e të dhënave personale, forcimin e sigurisë së informacionit, transparencën institucionale dhe respektimin e privatësisë së zyrtarëve dhe qytetarëve”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ministri ka bërë të ditur se rregullorja e plotë është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

  • Anëtarët e KGJK-së lëshojnë mbledhjen pas debatit për gjyqtarët serbë

    Anëtarët e KGJK-së lëshojnë mbledhjen pas debatit për gjyqtarët serbë

    Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë lëshuar mbledhjen në të cilën do të shqyrtohej kërkesa e u.d. presidentes Albulena Haxhiu për tërheqjen e ofruara nga ish-gjyqtarët serbë të Gjykatës në Mitrovicë të Veriut.

    Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka kërkuar që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje se pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për kaq gjatë.

    Haxhiu në konferencën e sotme i ka bërë thirrje KGJK’së që të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial për t’ia dërguar për dekretim emrat e gjyqtarëve të dorëhequr, të cilët më pas i tërhoqën ato.

    Bashkimi Europian dje bëri thirrje që të mos i bëhet presion KGJK’së për këtë çështje nga asnjë parti politike pasi zyrtarë të Vetëvendosjes dje kërkuan këshilli të marrë vendim për moskthimin në punë të gjyqtarëve serbë.

    EO ka publikuar videon nga ky moment.

  • Ulutaş dhe Krone diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Ulutaş dhe Krone diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë gjeneralmajorin Alexander Krone, komandant i Divizionit të Parë të Blinduar të Gjermanisë.

    Sipas KFOR-it, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, ndërsa gjeneralmajor Ulutaş ka rikonfirmuar përkushtimin e misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    Komandanti i KFOR-it prezantoi gjithashtu aktivitetet në zhvillim dhe prioritetet kryesore të misionit.

    Me këtë rast, gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e kahershëm dhe të çmuar të Gjermanisë në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

  • Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Tragjedi në Shtime: Humb jetën 3-vjeçari, dyshohet se u ngulfat me një copë mishi

    Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Shtime, ku një fëmijë 3-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se u ngulfat me një copë mishi.

    Sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme nga Emergjenca e Ferizajt është raportuar se një viktimë, mashkull kosovar, është dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimës.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

    Gazeta Express, nga burime të veta, ka mësuar se viktima është një fëmijë 3-vjeçar, i cili dyshohet se është ngulfatur nga një copë mishi.

    Familjarët i kanë ofruar menjëherë ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime. Mjekët kanë arritur ta largojnë copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur pa puls dhe pa shenja jete.

    Më pas ai është transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por pa sukses. Në orën 19:40 është konstatuar vdekja e tij.

    Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.

  • Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për mos raportim të pasurisë.

    Ahmeti po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.

    Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premtën më 24.07.2026 nga gjyqtari Leon Përlaska.

    Sipas Gjykatës, dënimi me 2 vite burg, do të ekzekutohet pas plotfuqshmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa dënimi me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh pas plotëfuqimërisë së këtij aktgjykimi.

    Në rast se i pandehuri nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënim me gjobë, Gjykata mund të ia zëvendësojë dënimin me gjobë, me dënim me burgim ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro gjobë.

    Tutje, Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimine shumës së mjeteve të padeklaruara.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shpend Ahmeti u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

    Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte prenzent i akuzuari Shpend Ahmeti.

    Kjo çështje penale është trajtuar në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga: Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare).

    Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca./Kallxo.com/

  • Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Fillon mbledhja e KGJK-së, pritet të vendoset “fati” i gjyqtarëve serbë të dorëhequr

    Ka filluar mbledhja e 371-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku në rendin e ditës është edhe pika në të cilën do të diskutohet vendimi për gjyqtarët serbë të dorëhequr.

    Në pikën e 9-të të rendit të ditës është diskutimi rreth kërkesës së u.d. presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.