ATV

Blog

  • Arsenali bën ofertë spektakolare për Julián Álvarezin

    Arsenali bën ofertë spektakolare për Julián Álvarezin

    Arsenali ka ndërmarrë një lëvizje të bujshme në merkaton e verës, duke i paraqitur Atlético Madridit një ofertë të jashtëzakonshme për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez.

    Sipas raportimeve të The Times dhe Diario AS, “Topçinjtë” kanë ofruar 100 milionë euro, si dhe kartonin e sulmuesit suedez Viktor Gyökeres, në përpjekje për të bindur klubin spanjoll të lejojë largimin e një prej yjeve të tij.

    Trajneri Mikel Arteta e konsideron Álvarezin përforcimin ideal për repartin ofensiv dhe drejtuesit e Arsenalit janë të gatshëm të bëjnë një sakrificë të madhe për të siguruar shërbimet e tij, duke përfshirë në marrëveshje edhe Gyökeres, një nga afrimet më të rëndësishme të kësaj vere.

    Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Atlético Madridi do ta pranojë ofertën. Klubi spanjoll e sheh Álvarezin si një nga shtyllat kryesore të projektit të tij dhe nuk pritet ta lërë të largohet lehtësisht.

    Nëse kjo marrëveshje do të realizohej, ajo do të hynte mes transferimeve më të mëdha dhe më të bujshme të këtij afati kalimtar, me Arsenalin që do të siguronte një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin evropian.

  • I kërkuari nga INTERPOL-i, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë

    I kërkuari nga INTERPOL-i, ekstradohet nga Kroacia në Kosovë

    Një shtetas kosovar i kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Kroacia në Kosovë.

    “I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet kroate pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, tha policia, përcjell Sinjali.

    “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Kroacisë”.

  • Ndalohet nga policia serbe një i ri nga Kosova në Horgosh

    Ndalohet nga policia serbe një i ri nga Kosova në Horgosh

    Një i ri nga Kosova është ndaluar sot nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci përmes një postimi në facebook, ku ka thënë se informacionin e ka marrë nga një burim, identitetin e të cilit e ka konfirmuar.

    Sipas Kocit, i riu, i lindur në vitin 1997, ende ndodhet në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara lidhur me statusin e tij procedural.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit, policia serbe ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse, ndërsa sipas burimit të tij, i riu nuk ka qenë në dijeni se ajo ndodhej aty.

    Në automjet janë gjetur gjithashtu edhe disa monedha të argjendta.

    Koci ka shtuar se, sipas informacioneve që posedon deri më tani, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte.

  • Ferrari dominon provat e lira në Hungari, Hamilton dhe Leclerc japin sinjale të forta

    Ferrari dominon provat e lira në Hungari, Hamilton dhe Leclerc japin sinjale të forta

    Ferrari e nisi në mënyrë mbresëlënëse fundjavën e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1, duke dominuar të dyja sesionet e provave të lira të së premtes në pistën e Hungaroringut.

    Pas kohës më të mirë të Sharl Lëklerkut në sesionin e parë, ishte Luis Hamilton ai që vendosi ritmin më të shpejtë në sesionin e dytë. Piloti britanik regjistroi kohën 1’18″729, ndërsa monegasku mbeti vetëm 0.148 sekonda pas tij, duke kompletuar një dopietë të Ferrarit.

    Në vendin e tretë u rendit Lando Norris me McLaren, 0.499 sekonda më i ngadaltë se Hamiltoni. Pas tij u pozicionuan Maks Verstapen (+0.692) dhe Xhorxh Rasëll (+0.933).

    Ferrari tregoi një ritëm bindës si në xhirot e shpejta, ashtu edhe në simulimet e garës, duke dhënë sinjale premtuese për kualifikimet dhe garën e së dielës. Edhe pse trafiku në pistë ndikoi në disa tentativa të pilotëve të Ferrarit dhe të Verstapenit, Hamilton dhe Lëklerk ruajtën konkurrueshmërinë gjatë gjithë sesionit.

    Në vështirësi u shfaq Andrea Kimi Antonelli. Piloti i Mercedesit përfundoi vetëm në vendin e 13-të, rreth dy sekonda pas Hamiltonit, pasi nuk arriti të përfitonte nga dy tentativat me gomat më të buta dhe bëri disa gabime gjatë xhirove të tij. Megjithatë, në simulimin e ritmit të garës ai la përshtypje pozitive, duke regjistruar një ritëm shumë konkurrues me gomat e buta, të krahasueshëm me atë të Lëklerkut.

    Nga ana tjetër, Hamilton zhvilloi simulimin e garës me goma mesatare, duke shfaqur një ritëm disi më të ngadaltë, çka mund të lidhet me strategjinë dhe përbërjen e ndryshme të gomave. Ndërkohë, Norris u dallua për qëndrueshmërinë dhe ritmin e tij konkurrues gjatë gjithë sesionit.

    Një përmirësim i lehtë u vu re edhe te Aston Martin, që solli një paketë të re zhvillimi për këtë fundjavë. Fernando Alonso arriti të shmangë vendet e fundit të renditjes, megjithëse e mbylli ditën në vendin e 19-të.

    Me këtë fillim dominues, Ferrari duket se hyn si një nga favoritët kryesorë për vazhdimin e fundjavës në Hungaroring.

  • Galatasaray bën ofertë për Rafael Leaon, por Milani kërkon më shumë

    Galatasaray bën ofertë për Rafael Leaon, por Milani kërkon më shumë

    Galatasaray ka bërë një lëvizje konkrete për transferimin e sulmuesit të Milanit, Rafael Leao, gjatë këtij afati kalimtar veror.

    Sipas gazetarit italian Nicolo Schira, klubi turk ka paraqitur ditët e fundit një ofertë prej 30 milionë eurosh për reprezentuesin portugez.

    Megjithatë, Milani nuk është i gatshëm ta pranojë këtë ofertë, pasi e vlerëson Leaon mes 50 dhe 60 milionë eurove dhe kërkon këtë shumë për të miratuar largimin e tij.

    Për ta bindur 26-vjeçarin të transferohet në Stamboll, Galatasaray i ka ofruar një kontratë deri në vitin 2030, me një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.

    Megjithatë, bisedimet për kushtet personale ende nuk kanë përfunduar. Sipas raportimeve, Leao kërkon një pagë më të lartë, të krahasueshme me atë që përfiton Victor Osimhen, përpara se të japë pëlqimin për transferimin.

    Ndërkohë, interesim për yllin portugez ka shfaqur edhe rivali i madh turk, Fenerbahçe, i cili këtë verë ka përforcuar skuadrën edhe me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi.

    Megjithatë, preferenca e Rafael Leaos mbetet një transferim në Ligën Premier ose në La Liga. Deri më tani, ai nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete nga klubet e këtyre dy kampionateve, ndërsa e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e hapur.

  • Vozinha transferohet te Colo Colo pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës

    Vozinha transferohet te Colo Colo pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës

    Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, pritet të bëhet lojtar i ri i klubit kilian Colo Colo, pas paraqitjeve mbresëlënëse në Kampionatin Botëror 2026, ku u shpall portieri më i mirë i turneut.

    Presidenti i Colo Colos, Aníbal Mosa, konfirmoi se marrëveshja është arritur dhe se kanë mbetur vetëm detajet e fundit për t’u finalizuar.

    “Detajet e fundit po finalizohen, por tashmë kemi konfirmimin nga përfaqësuesit e tij se është arritur një marrëveshje pas ofertës që i kemi paraqitur”, deklaroi Mosa.

    Ai shtoi se portieri do të udhëtojë drejt Kilit për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, përpara se të prezantohet zyrtarisht në stadiumin “Monumental”.

    “Vozinha do të vijë në Kili, do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe më pas do të prezantohet si futbollist i Colo Colos”, shtoi presidenti i klubit.

    Colo Colo është klubi më i suksesshëm në futbollin kilian, me 34 tituj kampionë, 14 Kupa të Kilit dhe katër Superkupa. Në arenën ndërkombëtare, klubi ka fituar një herë Kupën Libertadores dhe ishte finalist i Kupës Interkontinentale në vitin 1991.

    40-vjeçari mbeti pa klub pas përfundimit të kontratës me Chaves, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Trenčín, AEL Limassol, Gil Vicente dhe Zimbru në Evropë, si dhe për Progresso në Angola dhe klubet Batuque e CS Mindelense në vendlindjen e tij.

    Me fanellën e Kepit të Gjelbër, Vozinha ka regjistruar 92 paraqitje, ka pësuar 86 gola dhe e ka mbajtur portën të paprekur në 37 ndeshje.

    Në Kupën e Botës 2026, ai zhvilloi katër ndeshje, pësoi katër gola dhe ishte një nga protagonistët kryesorë të suksesit të përfaqësueses së tij, e cila nuk u mposht në kohën e rregullt përballë kundërshtarëve të fortë si Spanja dhe Argjentina.

  • Kristian Prenga përballet sonte me Anthony Joshuan në sfidën më të madhe të karrierës

    Kristian Prenga përballet sonte me Anthony Joshuan në sfidën më të madhe të karrierës

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të ngjitet sonte në ring për duelin më të rëndësishëm të karrierës, ku do të përballet me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

    Gjithçka është gati për një nga meçet më të shumëpritura të vitit në boks. Përballja mes Prengës dhe Joshuas do të zhvillohet këtë të shtunë në Jeddah të Arabisë Saudite, me fillim nga ora 22:00, dhe pritet të ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.

    Për boksierin shqiptar, kjo sfidë përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës, pasi do të ketë përballë një prej emrave më të njohur të boksit profesionist dhe një ish-kampion bote në kategorinë e peshave të rënda.

    Në prag të meçit, Prenga është shprehur i bindur në aftësitë e tij, duke theksuar se ka punuar gjatë gjithë karrierës për të arritur në këtë moment dhe se është gati t’i tregojë botës potencialin e tij në ring.

    Nga ana tjetër, Anthony Joshua synon të konfirmojë edhe një herë statusin e tij si një prej boksierëve më të mirë të epokës moderne, duke synuar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij.

    Të gjithë sytë do të jenë sonte te ringu në Jeddah, ku Kristian Prenga do të tentojë të shkruajë histori përballë një kundërshtari që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit në boksin profesionist.

  • Real Madridi hyn në garë për Yan Diomanden, nis bisedimet me Leipzigun

    Real Madridi hyn në garë për Yan Diomanden, nis bisedimet me Leipzigun

    Real Madridi ka hyrë në garë për transferimin e talentit të RB Leipzigut, Yan Diomande, duke nisur bisedimet me klubin gjerman për një marrëveshje të mundshme. Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit madrilen po punojnë intensivisht për të siguruar shërbimet e anësorit 19-vjeçar gjatë këtij afati kalimtar veror.

    Edhe pse Paris Saint-Germain mbetet i interesuar për reprezentuesin e Bregut të Fildishtë dhe konsiderohet si destinacioni i preferuar i lojtarit, kampionët e Francës ende nuk kanë paraqitur një ofertë që do ta bindte Leipzigun të shqyrtonte largimin e tij këtë verë.

    Real Madridi është në kërkim të një përforcimi në repartin ofensiv, veçanërisht në krahun e djathtë të sulmit. Klubi spanjoll vazhdon të monitorojë situatën e Diomandes, pavarësisht se Brahim Diaz synon të qëndrojë në “Santiago Bernabéu”.

    Diomande iu bashkua Leipzigut një vit më parë nga Leganés dhe ka tërhequr interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane. Liverpooli ishte gjithashtu në garë për transferimin e tij, ndërsa Leipzig kërkon rreth 130 milionë euro për kartonin e sulmuesit të ri. Klubi gjerman, njëkohësisht, po përpiqet ta bindë futbollistin të rinovojë kontratën aktuale, e cila skadon në verën e vitit 2030.

    Përveç Diomandes, Real Madridi po vazhdon punën edhe për objektiva të tjerë në merkato, me synimin për ta forcuar skuadrën për sezonin e ri.

  • Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 72 centë, apo 3 centë më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 51 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

     

  • Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e së premtes banorët në Suharekë, duke bërë që në vendin e ngjarjes të dalin njësitë e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.

    Rasti është raportuar rreth orës 19:30, në rrugën “Milaim Bajrami”, pasi një qytetar njoftoi se kishte dëgjuar të shtëna nga një zonë e mbuluar me lisa, ku nuk ishte e mundur të identifikoheshin personat e përfshirë.

    Pas daljes në terren, patrullat policore nuk kanë hasur në asnjë person të dyshuar.

    Megjithatë, gjatë kontrollit të lokacionit, njësia e Krimteknikës ka gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja të një arme të shkurtër, me kalibër ende të panjohur.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë shtënë me armë.