ATV

Blog

  • Sot qarkullim falas me autobusë në kryeqytet

    Sot qarkullim falas me autobusë në kryeqytet

    Të gjithë qytetarët që ia mësyjnë sot kryeqytetit do të mund të lëvizin me autobusët e Trafikut Urban pa pagesë.

    Ky vendim u mor nga Komuna e Prishtinës në përkrahje të marshit “Drejtësi, jo politikë“ dhe shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Lajmin e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    “Sot transporti publik në Kryeqytet është pa pagesë, në përkrahje të marshit “Drejtësi, jo politikë”. Prishtina ju mirëpret!”, shkroi Rama në Facebook.

    Me moton “Drejtësi, jo politikë”, sot në Prishtinë në orwn 14.00 nw sheshin “Skënderbeu” mbahet marshi në mbështetje udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Ndërsa, nga 9 shkurti i këtij viti në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nisi parashtrimi i fjalëve përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.

    Nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vijohet me deklaratat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Katërshja e UÇK-së do të kenë mundësinë që të flasin nga 20 minuta per tërë këtë proces gjyqësor.

    Deklaratat përmbyllëse të palëve kanë nisur më 9 shkurt, ku kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar nga 45 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ekipet mbrojtëse kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata kanë thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e Prokurorisw Speciale për krime lufte.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

    Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës. Ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga fundviti 2020.

  • Diaspora dërgoi 15 miliardë euro në 18 vjet në Kosovë

    Diaspora dërgoi 15 miliardë euro në 18 vjet në Kosovë

    Që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, komuniteti shqiptar në diasporë ka mbështetur vendin me remitenca që kanë prekur çdo sferë të jetës ekonomike dhe sociale, duke kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës së familjeve shqiptare dhe të vendit në tërësi.

    Kosova feston këtë vit 18 vjet Pavarësi, një rrugëtim historik i ndërtuar mbi sakrificë, guxim dhe përkushtim. Një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi janë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët i janë gëzuar më së shumti Pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke investuar në shumë sfera.

    Diaspora ka dërguar mbi 15 miliardë euro remitenca në Kosovë nga viti 2008 deri më 2025. Në fakt, kjo mbështetje e vazhdueshme nuk është thjesht financiare, ajo pasqyron lidhje të forta emocionale, solidaritet dhe përgjegjësi ndaj familjeve dhe vendit.

    Diaspora, një shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë

    Përtej ndihmës familjare, remitencat e diasporës kanë transformuar ekonominë e Kosovës. Paratë që vijnë nga jashtë vendit përdoren për ushqim, veshmbathje, shërbime arsimore dhe shëndetësore, duke përmirësuar jetesën e mijëra familjeve. Ato stimulojnë tregun vendas, mbështesin bizneset lokale, lehtësojnë aksesin në shërbime financiare për individët dhe krijojnë mundësi të reja investimi. Çdo euro që arrin nga diaspora ka ndikim të drejtpërdrejtë në blerjet për ushqim, veshmbathje dhe shpenzime të tjera jetësore, duke reduktuar varfërinë dhe duke ndihmuar familjet të jetojnë më mirë.

    Revista Albinfo.ch ka siguruar të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilave remitencat kanë shënuar një rritje të qëndrueshme, duke kaluar nga 608.7 milionë euro në vitin 2008 në mbi 1.4 miliardë euro në vitin 2025.

    Këto shifra tregojnë se diaspora ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, veçanërisht në muajt e pushimeve verore dhe dimërore, kur shumë bashkatdhetarë vizitojnë vendin dhe dërgojnë përfitime shtesë për familjet.

    Lidhja emocionale dhe sociale me Kosovën

    Përveç ndikimit ekonomik, diaspora ka ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat kosovare. Shumë familje presin kthimin e bashkatdhetarëve gjatë pushimeve për të ndarë histori, për të festuar së bashku dhe për të forcuar lidhjet familjare

    Investimet dhe remitencat nuk janë thjesht para, ato janë shprehje e kujdesit, dashurisë dhe përgjegjësisë ndaj vendit të lindjes.

    18 vjet Pavarësi tregojnë se sukseset e Kosovës nuk janë vetëm arritje politike, por edhe rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të diasporës.

    Përmes remitencave, shqiptarët jashtë vendit kanë ndihmuar vendin të rritet, të forcojë ekonominë, dhe të përmirësojë jetën e çdo qytetari.

    Historia e suksesit ekonomik të Kosovës është pjesërisht edhe historia e përkushtimit dhe sakrificës së diasporës, prandaj ajo ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një simbol i lidhjes së pandashme me Kosovën./Albinfo

  • Liderët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Liderët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në Prekaz në nder të Pavarësisë së Kosovës.

    Krerët shtetërorë kanë bërë homazhe edhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

    Pos tjerash, ata bën nderime edhe te Monumenti i të Pagjeturve, si dhe te Pllaka Përkujtimore për Fëmijët e Vrarë.

  • Filharmonia e Kosovës shënon 18 vjetorin e Pavarësisë me koncert festiv

    Filharmonia e Kosovës shënon 18 vjetorin e Pavarësisë me koncert festiv

    Filharmonia e Kosovës sonte do të prezantojë koncertin solemn të Korit dhe Orkestrës, i organizuar në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Koncerti do të drejtohet nga dirigjentin Baki Jashari, me pjesëmarrjen e solistëve Betim Krasniqi (trombon) dhe Vendim Kapaj (fyell) – “Mjeshtër i Madh”.

    Programi përfshin uverturën nga opera Nabucco, veprën madhështore “Gloria” të John Rutter, si dhe tri vepra premierë nga Aleksandër Vezulli, Aulon Naçi dhe “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës” nga Valton Beqiri, e komisionuar nga Filharmonia e Kosovës.

    Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim në ora 20:00.

  • Rama me kabinetin e tij bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    Rama me kabinetin e tij bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me kabinetin e tij në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

  • Prangoset një person në Drenas për sulm ndaj një polici

    Prangoset një person në Drenas për sulm ndaj një polici

    Është arrestuar një person në Drenas, pasi që i njëjti dyshohet ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Policia njofton në raportin 24-orësh se si pasojë e sulmit që ndodhi të hënën, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale

    Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale në Hagë. Megjithatë, ka pasur raste kur në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë mbajtur seanca edhe në ditë festash.

    Kështu kishte ndodhur më 28 Nëntor, përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, ku ishte caktuar një konferencë përgatitore ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi.

    Për këtë kishte reaguar Thaçi para trupit gjykues, duke thënë se një gjë e tillë duhet të evitohej.

    Nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vijohet me deklaratat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Katërshja e UÇK-së do të kenë mundësinë që të flasin nga 20 minuta per tërë këtë proces gjyqësor.

    Dje ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit ka përfunduar parashtrimin e deklaratës përmbyllëse, ku më pas trupi gjykues ka vijuar me pyetjet për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet mbrojtëse.

    Më pas, kanë pasuar kundërpërgjigjet e prokurorëve.

    Deklaratat përmbyllëse të palëve kanë nisur më 9 shkurt, ku kryeprokurorja Kimberly Ëest ka kërkuar nga 45 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ekipet mbrojtëse kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm per të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata kanë thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e Prokurorisë Speciale për krime lufte.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

    Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Alarm para Kupës së Botës: Stadiumi nikoqir i ndeshjes hapëse është larg përfundimit

    Alarm para Kupës së Botës: Stadiumi nikoqir i ndeshjes hapëse është larg përfundimit

    Ekzistojnë shqetësime se stadiumi i planifikuar për të pritur ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 mund të mos jetë gati në kohë.

    Më 11 qershor 2026 do të nisë Botërori 2026, me turneun që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Ndeshja hapëse e turneut, mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është planifikuar të zhvillohet në ‘Estadio Azteca’ në Meksikë.

    Megjithatë, javët e fundit janë shtuar pasiguritë se stadiumi mund të mos përfundojë në kohë për të pritur ndeshjen hapëse të Botërorit.

    Situata mund të ndikojë edhe te kombëtarja e Anglisë, pasi ekziston mundësia që skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel të përballet me Meksikën në stadiumin Azteca në fazën e 1/8-s së finales, nëse “Tre Luanët” fitojnë grupin e tyre.

    Së fundmi, YouTuberi Armand Alejandre vizitoi stadiumin Azteca për të dhënë një përditësim mbi rinovimet e planifikuara.

    Alejandre tregoi pamjet aktuale të zonave përreth stadiumit. Siç shihet në video, punimet e ndërtimit vazhdojnë në pjesën e jashtme të objektit.

    Në video u shfaq edhe pjesa e brendshme e stadiumit, duke u dhënë tifozëve një pasqyrë mbi progresin e punimeve që po realizohen në prag të Kupës së Botës.

  • Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi në Ditën e Pavarësisë, i ka dhuruar veturën e tij zyrtare, degës së OVL –UÇK-së në këtë komunë.

    Ai ka thënë se këtë e ka bërë në shenjë nderimi dhe vlerësimi për ata që kontribuuan në lirinë.

    “Për nderë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, OVL-së së UÇK-së në Obiliq sot i dhurova veturën zyrtare që më takon mua si Kryetar i Komunës.Me këtë gjest dua t’i nderoj dhe vlerësoj të gjithë ata që kontribuan për lirinë e atdheut tonë.Lavdia u takon dëshmorëve, ndërsa nderi dhe respekti i përjetshëm shokëve të tyre luftëtarë”, ka shkruar ai.

  • Ushtria ukrainase rimori një territor të madh në kohë rekord

    Ushtria ukrainase rimori një territor të madh në kohë rekord

    Ushtria ukrainase arriti të rimarrë rreth 200 kilometra katrorë territor javën e kaluar, që përfaqëson përparimin më të shpejtë të forcave të tyre që nga vera e vitit 2023.

    Sipas të dhënave të përpunuara nga agjencitë, duke cituar informacione nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), ushtria ukrainase çliroi saktësisht 201 kilometra katrorë territor të pushtuar javën e kaluar.

    Është interesante të theksohet se forcat ruse arritën të kapnin territor të ri vetëm të hënën, ndërsa pjesa tjetër e javës u shënua nga përparimi i ushtrisë ukrainase.

    Analistët ushtarakë besojnë se pas këtyre sukseseve të papritura të ushtrisë ukrainase qëndrojnë problemet teknike me të cilat përballet pala ruse. Në veçanti, agjencitë citojnë një analizë nga ISW sipas së cilës përparimi ukrainas ndoshta u ndihmua nga problemet që ushtria ruse ka me përdorimin e sistemit të internetit satelitor Starlink.

    Kompania amerikane SpaceX, e cila operon këtë sistem, njoftoi se ka futur masa për të parandaluar ushtrinë ruse të përdorë teknologjinë e saj. Forcat ruse më parë janë të njohura për përdorimin e terminaleve Starlink, ndër të tjera, për udhëzim preciz të dronëve.

    Ndërsa ky përparim është i rëndësishëm, të dhënat tregojnë një pamje më të gjerë të një konflikti të gjatë. Sipas AFP-së, para se të shpërthente lufta gati katër vjet më parë, Rusia kontrollonte shtatë përqind të territorit të Ukrainës.

    Aktualisht ajo zë 19.5 përqind të territorit, nga 18.6 përqind një vit më parë. Sipërfaqja totale e Ukrainës është më shumë se 603,000 kilometra katrorë.