ATV

Blog

  • Erion Veliaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Qofsh gjithmonë e lirë

    Erion Veliaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Qofsh gjithmonë e lirë

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosova, duke e cilësuar 17 Shkurtin si një datë me domethënie të veçantë për kombin shqiptar.

    Në mesazhin e tij, Veliaj thekson se 17 Shkurti është një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, qëndresë dhe besim.

    “Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet”, shprehet ai.

    Veliaj u ndal gjithashtu edhe te luftëtarët e UÇK-së që kontribuuan në çlirimin e vendit, ku shprehu shpresën që procesi gjyqësor ndaj tyre të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e tyre pranë familjeve.

    “E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës”, thekson Veliaj.

    “Gëzuar Kosovë, qofsh gjithmonë e lirë!”, uron Veliaj.

  • Ermal Fejzullahu publikon këngë për heroin Hakif Zejnullahu

    Ermal Fejzullahu publikon këngë për heroin Hakif Zejnullahu

    Një projekt muzikor ka ardhur nga këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu.

    Artisti ka publikuar këngën më të re me titull “Lavdi për Hakifin”, një dedikim prekës për heroin e kombit Hakif Zejnullahu.

    Më poshtë mund të dëgjoni këngën e plotë.

  • FFK uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

    FFK uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

    Federata e Futbollit të Kosovës ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, FFK tha se sot kujtohet me nderim rrugëtimi drejt lirisë dhe shtetësisë.

    “Sot kujtojmë me nderim rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetësisë dhe të gjithë ata që u flijuan dhe kontribuuan ndër dekada që ne sot të jetojmë në Kosovën e lirë e të pavarur. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar FFK-ja.

  • Rubio uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së: Mezi presim të zgjerojmë lidhjet ekonomike

    Rubio uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së: Mezi presim të zgjerojmë lidhjet ekonomike

    Departamenti Amerikan i Shteti ka publikuar sot urimin e sekretarit të shtetit, Marco Rubio për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

    Në urimin e sekretarit amerikan të shtetit thuhet se SHBA-të mbeten të palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Lexoni të plotë deklaratën e sekretarit amerikan:

    Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ju shpreh urimet e mia popullit të Republikës së Kosovës me rastin e shënimit të Ditës suaj të Pavarësisë.

    SHBA mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe presim me padurim zgjerimin e lidhjeve ekonomike që do të rrisin mirëqenien e të dy kombeve tona. Ne e vlerësojmë mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-së në adresimin e sfidave globale dhe mirëpresim udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.

    Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, presim bashkëpunim edhe më të fortë në vitet që vijnë.

    SHBA qëndron përkrah Kosovës ndërsa vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë.

  • Osmani e Kurti bëjnë nderime te varri i Adem Demaçit

    Osmani e Kurti bëjnë nderime te varri i Adem Demaçit

    Presidentja Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, në shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Pos që kryen nderime të varri i Demaçit, krerët shtetërorë bënë homazhe edhe te varri i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, te Monumenti i të Pagjeturve dhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë

    Po ashtu nga ora 10:30 pritet të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.

  • Berisha: Pavarësia e Kosovës është një ditë krenarie

    Berisha: Pavarësia e Kosovës është një ditë krenarie

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një lidhje të drejtpërdrejt në studion e hapur të RTV21 ka uruar 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Duke shtuar se kjo ditë është krenarie dhe e pakrahasueshme.

    “Pavarësia e Kosovës është një ditë krenarie, e pakrahasueshme me çdo ngjarje tjetër, për çdo shqiptarë. Sot ne nderojmë, përulemi me respektin më të madh para presidentit Ibrahim Rugova, burrin mendje ndritur, arkitektit të Pavarësisë”, deklaroi ai.

  • Begaj uron 18-vjetorin e pavarësisë: Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë

    Begaj uron 18-vjetorin e pavarësisë: Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën në 18-vjetorin e pavarësisë së saj.

    Begaj ka thënë se në këtë 18-vjetor, Kosova është edhe më e fortë me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.

    “Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë! Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT! “, ka shkruar Begaj.

  • 18 vjet shtet – Krerët e vendit bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    18 vjet shtet – Krerët e vendit bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, kanë bërë Homazhe te varri i ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova.

  • Gucati bën thirrje për pjesëmarrje në protestë: S’po gjykohen individët por UÇK-ja

    Gucati bën thirrje për pjesëmarrje në protestë: S’po gjykohen individët por UÇK-ja

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se sot është ditë gëzimi por ka shtuar se është gjithashtu emocionuese për shkak të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Ai në një lidhje direkte në KTV ka thënë se shokët e tyre janë prapa grilave. Ka deklaruar se nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi e Rexhep Selimi, por po gjykohet Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

    Ka kërkuar që institucionet e shtetit të ngrehin zërin më shumë kundër kësaj gjykate.

    Nga protesta ka thënë se imazhi ndërkombëtar i Kosovës dhe kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të forcohet.

    “Sot nuk po ndihem mirë për shkak se i kemi shokët tonë prapa grilave. Ata luftuan shumë, udhëhoqën Rambujenë, shpallen Pavarësinë dhe sot gjenden prapa grilave. Është duke u bërë një proces për pesë vjet, proces që nuk ka ndodhur në historinë botërore që të zgjasë kaq shumë. E di që kjo datë është e shenjtë për gjithë shqiptarët, por pikërisht sot do të protestojmë, ta ngrehim zërin kundër padrejtësive. Protagonistët kryesorë që ishin në luftë dhe në shtetin e lirë, sot nuk janë me neve”, ka thënë ai.

    Gucati ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestën paqësore në Prishtinë.

    Ai ka thënë se të gjithë duhet të ngrehin zërin, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burgim për të katër figurat e UÇK-së është e papranueshme.

    “Aty vetëm serbisht nuk flitet. Kjo gjykatë i ka kënaqë vetëm epshet e Serbisë dhe të disa shqiptarëve shqipfolës që mendojnë që Serbia do të kthehet në Kosovë. Serbia është larguar nga Kosova dhe nuk do të ketë këmbë të ushtrisë serbe por vetëm të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.

    Gucati ka thënë se Serbia është e vetmja që ka kryer krime në Kosovë.

    Ai ka deklaruar se nga Gjykata Speciale kërkojnë drejtësi dhe barazi.

    Sipas tij, kjo gjykatë i ka amnistuar serbët, kurse shqiptarët po mundohet t’i dënojë.

    Duke folur për organizimin e protestës, ai ka thënë se kanë dalë të gjitha oraret për autobusët që do të vijnë në Prishtinë për të protestuar nga të gjitha qytetet e Kosovës. Ka shtuar se edhe studentët nga Tirana do të vijnë në mënyrë të organizuar.

  • FSK shënon përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    FSK shënon përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Në kuadër të aktiviteteve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, së bashku me udhëheqësit më të lartë shtetërorë, mori pjesë në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit pranë Qeverisë së Kosovës.

    Kjo ceremoni shënoi fillimin e aktiviteteve festive me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, një ditë krenarie, sakrifice dhe përkushtimi për liri dhe shtetndërtim.

    Me këtë rast, Jashari uroi të gjithë ushtarakët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e unitetit, profesionalizmit dhe përkushtimit në shërbim të atdheut.