ATV

Blog

  • Zidane realizon ëndrrën, merr drejtimin e Francës pas viteve të pritjes

    Zidane realizon ëndrrën, merr drejtimin e Francës pas viteve të pritjes

    Zinedine Zidane është prezantuar zyrtarisht si përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Francës, duke nisur një epokë të re në karrierën e tij si trajner. Legjenda franceze e cilësoi këtë moment si realizimin e ëndrrës më të madhe, duke zbuluar se stoli i “Les Bleus” ishte i vetmi që kishte pritur gjatë gjithë këtyre viteve.

    Gjatë ceremonisë së prezantimit, Zidane tregoi se kishte refuzuar oferta të shumta nga klube dhe kombëtare, pasi synimi i tij kishte qenë gjithmonë drejtimi i Francës.

    “Ishte e vetmja bankinë që e doja. Kam refuzuar shumë oferta ndër vite, sepse e prisja këtë moment. Nuk mund ta humbisja mundësinë për ta drejtuar Kombëtaren e Francës”, deklaroi ai.

    Ish-trajneri i Real Madridit e përshkroi këtë detyrë si privilegjin më të madh të karrierës së tij, duke theksuar se është plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që sjell drejtimi i një prej kombëtareve më të forta në botë.

    “Është një privilegj i jashtëzakonshëm. E njoh peshën e kësaj fanele dhe përgjegjësinë që sjell ky rol. Do të jap gjithçka për ta rikthyer Francën në majën e futbollit botëror”, u shpreh 54-vjeçari.

    Zidane rikthehet në bankinë pas pesë vitesh mungesë, duke pasuar Didier Deschamps në krye të Francës. Ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030 dhe do ta nisë zyrtarisht aventurën e tij në muajin shtator, kur Franca do të zhvillojë ndeshjet e para në Ligën e Kombeve. Me përvojën e fituar te Real Madridi dhe objektiva të mëdha përpara, Zidane do të synojë ta udhëheqë Francën drejt sukseseve të reja në arenën ndërkombëtare.

  • Haxhiu pret në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës

    Haxhiu pret në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës.

    Gjatë takimit u diskutua për veprimtarinë e shoqatës në ruajtjen e kujtesës historike, si dhe për rëndësinë e dokumentimit të dhunës dhe torturave që regjimi i Serbisë ushtroi ndaj mijëra të burgosurve shqiptarë gjatë dekadave të rezistencës për liri, thuhet në njoftim.

    Në takim u bisedua edhe për sfidat me të cilat përballet shoqata, ndërsa ushtruesja e detyrës së Presidentes i siguroi përfaqësuesit e saj se, brenda kompetencave të Presidencës, do të jetë pranë nismave për dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike.

    Me këtë rast, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu vlerësimin e saj të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ish të burgosurve politikë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, thuhet në njoftim.

  • Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 ballë godet Japoninë, lëshohet paralajmërim për cunami

    Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 ballë godet Japoninë, lëshohet paralajmërim për cunami

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë paraprake 6.8 ballë të shkallës Rihter goditi sot (e marte) në mëngjes ishullin Kyushu në Japoni.

    Sipas agjencisë Reuters, që citon Institutin Kombëtar për Kërkime mbi Shkencën e Tokës dhe Rezistencën ndaj Fatkeqësive (NIED), pas lëkundjeve autoritetet japoneze lëshuan një paralajmërim për cunami.

    Transmetuesi publik NHK raportoi se pritet që valët e cunamit të arrijnë deri në një metër lartësi përgjatë zonave bregdetare të prekura.

    Ndërsa Euro-Mediterranean Seismological Centre ka dhënë detaje lidhur me termetin.

    Siç shihet në tabelen e tërmeteve, ky termet është pasuar edhe nga një sëri tërmetesh me magnitudë më të ulët.

  • Drita sonte për vulën e kualifikimit, Floriana sfida e fundit drejt raundit të tretë

    Drita sonte për vulën e kualifikimit, Floriana sfida e fundit drejt raundit të tretë

    Drita rikthehet sonte në aksion në arenën evropiane, ku do të përballet me Florianan në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë të zhvilluar në Maltë, skuadra gjilanase ka gjithçka në duart e saj për të siguruar kalimin në raundin e tretë. Bardhekaltërit lanë përshtypje të mira në takimin e parë dhe krijuan mjaft raste shënimi, duke qenë pranë një fitoreje që do t’ua lehtësonte ndjeshëm punën para duelit të kthimit.

    Liridon Balaj kishte kaluar Dritën në epërsi në minutat shtesë, por Floriana reagoi në çastet e fundit dhe barazoi në minutën e 102-të. Takimi u zgjat për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium, duke sjellë një fund dramatik të sfidës.

    Tashmë gjithçka vendoset në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Drita do të ketë në anën e saj përkrahjen e tifozëve dhe avantazhin e fushës vendëse. Ekipi kosovar synon të përsërisë paraqitjen e mirë të ndeshjes së parë, por kësaj radhe të jetë më konkret para portës kundërshtare.

    Objektivi është i qartë, kualifikimi në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Nëse eliminon Florianan, Drita do të përballet me Tre Fiorin nga San Marino në fazën e ardhshme të garës.

    Takimi mes Dritës dhe Florianas zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Tentoi t’i fuste fshehur në Kosovë, Dogana ia zbulon mallin prej 8 mijë eurosh në Vërmicë

    Tentoi t’i fuste fshehur në Kosovë, Dogana ia zbulon mallin prej 8 mijë eurosh në Vërmicë

    Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, gjatë kontrolleve të zakonshme ndaj automjeteve që hynin në territorin e Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, një automjet me targa të huaja është përzgjedhur për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë. Gjatë kontrollit të bagazhit është zbuluar një sasi malli që nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore.

    Vlera e mallit të padeklaruar, sipas vlerësimit fillestar të Sektorit të Vlerësimit Doganor, arrin rreth 8 mijë euro.

    Për shkak të mosdeklarimit të mallrave gjatë hyrjes në territorin doganor të Kosovës, ndaj shtetasit të huaj është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në bazë të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave.

    Dogana ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, duke theksuar rëndësinë e deklarimit të rregullt të çdo malli që hyn apo del nga vendi.

  • Haxhiu takohet me komandantin e Komandës Aleate në Napoli: Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës

    Haxhiu takohet me komandantin e Komandës Aleate në Napoli: Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.

    Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për koordinimin me NATO-n.

    “Sot pata kënaqësinë ta pres Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin dhe shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

    “E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

    Sipas Haxhiut, orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pakthyeshëm, ndërsa anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë synim strategjik i vendit.

    “Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.

    Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit. /Telegrafi/

  • Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, një person i plagosur

    Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, një person i plagosur

    Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur gjatë natës në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë.

    Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 02:00.

    “Rreth orës 02:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore”, ka deklaruar Pllana.

    Sipas tij, nga të dhënat fillestare dyshohet se një person është lënduar nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast është i lënduar një person, që dyshohet nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ai.

    Pllana ka bërë të ditur se njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit. /Telegrafi/

  • Kurti pret në takim admiralin Wikoff, thotë se biseduan për situatën e sigurisë

    Kurti pret në takim admiralin Wikoff, thotë se biseduan për situatën e sigurisë

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka pritur në takim admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë.

    Kurti, përmes një njoftimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se me admiralin amerikan kanë biseduar për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s.

    Postimi i tij i plotë:

    Pas takimit tonë të parë në janar, pata nderin ta pres sërish në Zyrën e Kryeministrit admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

    Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Wikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s.

  • Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë, litri arrin në 1.73 euro

    Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë, litri arrin në 1.73 euro

    Çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar sërish rritje në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë (MINT).

    Sipas çmimeve zyrtare për ditën e sotme, një litër naftë do të kushtojë 1 euro e 73 centë, duke shënuar rritje prej një centi krahasuar me ditën paraprake.

    Ndërkohë, benzina do të shitet me çmim maksimal prej 1 euro e 52 centë për litër, ndërsa gazi do të kushtojë 0.60 euro për litër.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve po vazhdon të ndikojë në shpenzimet e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa tregu i karburanteve mbetet i ndikuar nga lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

  • Dyshohet se falsifikuan dokumentet e veturave koreane, sekuestrohen pesë automjete në Vushtrri

    Dyshohet se falsifikuan dokumentet e veturave koreane, sekuestrohen pesë automjete në Vushtrri

    Pesë automjete janë sekuestruar gjatë një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, pas dyshimeve për falsifikim të dokumenteve gjatë procedurës së importimit.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, në kuadër të një hetimi penal për sigurimin e provave materiale.

    Dyshohet se personat e përfshirë kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të automjeteve gjatë zhdoganimit, duke ndryshuar të dhënat në librezat koreane të veturave për vitin e regjistrimit të parë.

    Sipas dyshimeve, në dokumente është ndryshuar viti i regjistrimit nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.

    Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë procedurave doganore për pesë automjete, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.

    Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave të tjera.