ATV

Blog

  • Mark Zuckerberg përballet me gjykatën për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë

    Mark Zuckerberg përballet me gjykatën për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë

    Akuzat janë të qarta, algoritmet e rrjeteve sociale janë të dizajnuara për të krijuar varësi tek të miturit. Procesi gjyqësor është një nga ato që shënojnë një kufi të qartë midis një “para” dhe një “pas”.

    Dëshmitari i parë është një emër i njohur i Big Tech: Mark Zuckerberg, drejtori ekzekutiv i Meta, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Ai do të dalë sot para gjykatës në Los Anxhelos në padinë e ngritur nga një vajzë amerikane 20-vjeçare. Një betejë Davidi kundër Goliathit.

    Në qendër të debatit janë dëmet për shëndetin mendor të të rinjve që përballen me sfidat e rrjeteve sociale. Ky rast mund të krijojë një precedent ligjor për mijëra familje, jo vetëm amerikane, kundër disa prej kompanive kryesore të Silicon Valley.

    Zuckerberg ka dëshmuar më parë para Kongresit Amerikan, por kjo është hera e parë që përballet drejtpërdrejt me një jurie në një gjykatë. Avokatët e Meta kanë tentuar të përjashtojnë banorët e Kalifornisë nga juria, duke i konsideruar ata të paragjykuar ndaj “Z. Facebook”, para se të fillonte procesi.

    12 anëtarët e jurisë në Los Anxhelos do të dëgjojnë dëshmitë deri në fund të marsit për të vendosur nëse YouTube, në pronësi të Google, dhe Instagram, pjesë e Meta, kanë ndonjë përgjegjësi për problemet e shëndetit mendor të Kaley G.M., vajzës 20-vjeçare që ka çuar rrjetet sociale në gjykatë. Ajo ka filluar të përdorë YouTube në moshën 6-vjeçare, Instagram në 11, dhe më pas TikTok dhe Snapchat.

    Procesi do të vendosë nëse Google dhe Meta kanë dizajnuar qëllimisht platformat e tyre për të nxitur përdorimin e kompulsiv tek të rinjtë, duke kontribuar në depresion, ankth, çrregullime të të ushqyerit dhe vetëvrasje. Së bashku me dy procese të tjera të ngjashme që priten këtë verë në Los Anxhelos, ky gjyq synon të vendosë një standard për zgjidhjen e mijëra padi të tjera.

    Fokusimi i gjyqtarëve është vetëm tek dizajni i aplikacioneve, algoritmet dhe funksionalitetet e personalizimit, pasi ligji amerikan i jep platformave një imunitet pothuajse të plotë nga përgjegjësia për përmbajtjet e gjeneruara nga përdoruesit. Pavarësisht vendimit të gjykatës, një gjë është e sigurt: ajo që fillon sot është një proces që mund të ndahet në dy epoka.

  • Zekrija Ramadani para sfidës me Celjen: Drita nuk frikësohet, kualifikimi është i arritshëm

    Zekrija Ramadani para sfidës me Celjen: Drita nuk frikësohet, kualifikimi është i arritshëm

    Drita është në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, teksa nesër mbrëma përballet me NK Celje në kuadër të fazës “play-off” të UEFA Europa Conference League. Takimi zhvillohet nga ora 21:00 në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, ku pritet një atmosferë e zjarrtë nga tifozët vendas.

    Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i gjilanasve, Zekirija Ramadani, foli me optimizëm, duke theksuar se forca e skuadrës së tij qëndron te loja kolektive dhe uniteti në fushë.

    “E rëndësishme është të mos devijojmë nga identiteti ynë si ekip. Sa herë kemi funksionuar si grup, kemi arritur rezultate. Nuk jemi skuadër që mbështetemi te individët, por te forca e përbashkët”, u shpreh Ramadani.

    Ai zbuloi se pas përballjes së fundit në kampionat, stafi teknik ka zhvilluar analiza të detajuara me futbollistët, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe përqendrim maksimal për sfidën evropiane.

    “Duhet të mbështesim njëri-tjetrin në çdo moment. Jemi në një pikë ku shumë skuadra do të dëshironin të ishin. Nëse ndodh humbja, duhet të largohemi me kokën lart, por jo si skuadër që frikësohet”, shtoi ai.

    Ramadani theksoi se kundërshtari është studiuar me kujdes, ndërsa ekipi është përgatitur në aspektin fizik, psikologjik dhe taktik. Sipas tij, Celje ruan të njëjtin stil loje pavarësisht ndryshimeve në stol, ndërsa kualifikimi mbetet i arritshëm.

    “Do të jetë sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Duhet ta shfrytëzojmë faktorin fushë dhe përkrahjen e tifozëve. Një epërsi, qoftë edhe minimale, do të ishte shumë e rëndësishme”, theksoi tekniku.

    Ai konfirmoi mungesat e Mesës, Manajt dhe Brojës, por shprehu besim të plotë te pjesa tjetër e skuadrës, duke siguruar se Drita do të japë maksimumin për të realizuar ëndrrën evropiane.

  • BE: Çështja e institucioneve serbe në Kosovë do të trajtohet në dialogun Kosovë–Serbi

    BE: Çështja e institucioneve serbe në Kosovë do të trajtohet në dialogun Kosovë–Serbi

    Bashkimi Evropian ka theksuar se statusi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore që financohen nga Serbia në Kosovë do të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Prishtina dhe Beogradi, duke u mbështetur në marrëveshjet ekzistuese dhe në legjislacionin në fuqi të Kosova.

    Në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së bëri të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se procesi i integrimit të këtyre strukturave do të zhvillohet në konsultim me komunitetin serb në Kosovë dhe me përfaqësuesit e BE-së, përfshirë të dërguarin e posaçëm për dialogun.

    Institucionet shëndetësore dhe arsimore në zonat me shumicë serbe funksionojnë sipas sistemit të Serbisë dhe deri më tani kanë mbetur jashtë ndërhyrjeve të autoriteteve kosovare. Kohët e fundit është rikthyer në vëmendje çështja e përfshirjes së tyre në sistemin institucional të Kosovës.

    Kurti ka njoftuar më 16 janar se integrimi do të bëhet në koordinim me BE-në dhe duke marrë parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë. Megjithatë, ende nuk është sqaruar se çfarë modeli do të ndiqet dhe nëse ky proces do të lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç kërkon pala serbe.

    Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve të arritura në vitin 2013 dhe përmendet edhe në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të pranuar nga të dyja palët në vitin 2023. Sipas një draft-statuti të hartuar nga BE-ja, ky mekanizëm do të trajtonte edhe çështjen e financimit nga buxheti i Serbisë.

    Zhvillimet përkojnë me nisjen e zbatimit të fazës së parë të Ligjit për të huajt, i cili parashikon që personat pa dokumente të Kosovës të pajisen me leje pune ose licenca për ushtrimin e profesionit. Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve serbe, duke qenë se Kosova nuk i njeh ato dhe i konsideron struktura paralele.

  • Dua Lipa uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Dua Lipa uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka uruar të gjithë shqiptarët për Pavarësinë e Kosovës përmes një postimi të veçantë në rrjetet sociale.

    Edhe pse urimi erdhi një ditë pas festës zyrtare, mesazhi i saj është përshëndetur nga fansat dhe komuniteti shqiptar, duke theksuar lidhjen e saj të fortë me vendin e lindjes.

    Më 17 shkurt 2026, Kosova shënoi 18 vjetorin e Pavarësisë, duke organizuar një sërë aktivitetesh në Prishtinë.

    Po ashtu u mbajt edhe një protestë “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    Lipa ka qenë gjithmonë aktive në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke e përmendur vendin e saj të lindjes në intervista, koncertet dhe projektet muzikore.

    Ajo shpesh shpreh krenarinë për rrënjët e saj shqiptare dhe e sheh këtë lidhje si pjesë të rëndësishme të identitetit personal dhe profesional.

    Mesazhi i saj për 18-vjetorin e Pavarësisë është një reflektim i respektit dhe dashurisë që këngëtarja ka për vendin e saj.

  • Mishetiq pas përfundimit të seancës: Kemi arsye për të qenë optimistë për një rezultat pozitiv

    Mishetiq pas përfundimit të seancës: Kemi arsye për të qenë optimistë për një rezultat pozitiv

    Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka folur për mediat pas përfundimit të deklarimeve përfundimtare, duke e cilësuar procesin si një gjykim të gjatë dhe kompleks.

    Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të mbrojtjes, ekzistojnë arsye për optimizëm lidhur me vendimin përfundimtar.

    Në prononcimin e tij, Mishetiq tha se nga ajo që është dëgjuar gjatë seancave, mbrojtja beson se qëndron fuqishëm si në aspektin e provave ashtu edhe në interpretimin ligjor për çka tha se presin rezultate shumë të mira.

    ‘’Me procese të gjata gjyqësore për një betejë në sallën e gjyqit, përshtypja jonë në fund është se kemi çdo arsye të jemi optimistë për një rezultat shumë pozitiv. Është gjithmonë e paarsyeshme të përpiqesh të parashikosh diçka në një çështje gjyqësore, sepse në fund gjithçka varet nga gjyqtarët. Por nga argumentet që kemi dëgjuar sot dhe gjatë 10 ditëve të fundit, si dhe nga mbrojtja e prokurorisë, ne besojmë se kemi të drejtë si në prova ashtu edhe në ligj. Dhe siç thashë, presim rezultate shumë të mira’’, ka deklaruar ai për Dukagjinin.

    Më tej, Mishetiq foli edhe për kontekstin ndërkombëtar të periudhës së luftës, duke theksuar rëndësinë që kishte Kosova në politikën e jashtme në fund të viteve ’90.

    ‘’Nuk kam folur me të gjitha ato institucione. Kemi folur me disa prej tyre. Nuk do t’i përmend me emër, sepse nuk më kanë dhënë leje t’i përmend. Por sigurisht, ata u befasuan nga argumentet dhe veçanërisht menduan se kishte mungesë kuptimi për procesin me të cilin diplomatët dhe zyrtarët e tjerë ushtarakë sigurojnë informacion, veçanërisht kur drejtojnë një luftë në terren. Siç e dini të gjithë, Kosova ishte çështja më e rëndësishme e politikës së jashtme në vitin 1999 dhe madje edhe në vitin 1998. Kishte shumë informacion që po mblidhej nga agjencitë diplomatike dhe të inteligjencës, si dhe nga të tjerë, përfshirë mediat në atë kohë. Pra, nuk kishte mungesë informacion’’, ka deklaruar ai.

  • Hamza pas deklarimeve të ish-krerëve të UÇK-së: Dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për liri

    Hamza pas deklarimeve të ish-krerëve të UÇK-së: Dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për liri

    Deklarimet përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së kanë ngjallur reagime dhe emocione të shumta në Kosovë, ndërsa figura politike kanë komentuar publikisht zhvillimet e fundit.

    Kryetari i Bedri Hamza ka komentuar këto deklarime, duke bërë me dije se gjatë dëgjimit të tyre ka përjetuar emocione të veçanta.

    Në profilin e tij në Facebook, Hamza ka shkruar se përmes këtyre deklarimeve sot është dëgjuar zëri i popullit të Kosovës.

    “Emocione të veçanta, dhimbje për peshën historike, por mbi të gjitha krenari për guximin dhe dinjitetin e tyre. Nga presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha, sot e dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për mbijetesë dhe liri. Ata folën për sakrificën, dhimbjen dhe të vërtetën tonë. Këtë të vërtetë askush nuk do të mund ta relativizojë. Askush nuk do të mund ta zbehë. Askush nuk do të mund ta tjetërsojë. Sepse, askush nuk ka mandat ta njollosë sakrificën e popullit tonë. Kosova pret drejtësi. Kosova pret t’i kthehen bijtë e vet”, ka shkruar ai, duke iu referuar deklarimeve të Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

  • Vatikani refuzon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes: Krizat duhet të menaxhohen nga OKB

    Vatikani refuzon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes: Krizat duhet të menaxhohen nga OKB

    Selia e Shenjtë ka vendosur të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

    Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit i Vatikanit dhe zyrtari më i lartë diplomatik i tij, deklaroi se për shkak të natyrës së veçantë të Vatikanit, menaxhimi i krizave ndërkombëtare duhet të mbetet në duart e Kombeve të Bashkuara.

    “Vatikani nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes për shkak të natyrës së tij të veçantë. Duhet të jetë OKB-ja ajo që menaxhon këto situata krize. Kjo është një nga pikat mbi të cilat kemi këmbëngulur,” tha Parolin, duke shtuar se Italia dhe Bashkimi Evropian do të marrin pjesë vetëm si vëzhgues.

    Vendimi i Vatikanit vjen pak ditë para mbledhjes së parë të Bordit të Paqes në Uashington, ku pritet të diskutohet rindërtimi i Gazës pas armëpushimit të brishtë të tetorit. Bordi, i kryesuar nga Trump, synon të adresojë konfliktet globale, me fokus të veçantë në Rripin e Gazës, si një organ i pavarur i ndarë nga Kombet e Bashkuara.

    Megjithatë, iniciativa ka ngjallur kritika. Ekspertë të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar strukturën si të ngjashme me një model kolonial, duke vënë në dukje mungesën e përfaqësimit palestinez. Disa vende evropiane kanë refuzuar ftesën, duke paralajmëruar se bordi mund të minojë rolin e OKB-së.

    Deri më tani, mbi 25 vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Argjentinën, El Salvadorin, Paraguain, Bjellorusinë, Bullgarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungarinë, Egjiptin dhe Marokun.

    Papa Leo, i pari papë amerikan dhe kritik i disa politikave të Trump, ishte ftuar të bashkohej me bordin në janar, por Selia e Shenjtë ka vendosur të mos marrë pjesë. Vatikani, që ka një shërbim diplomatik të gjerë dhe statusin e vëzhguesit të përhershëm në OKB, ka preferuar të mbetet i angazhuar përmes strukturave ndërkombëtare ekzistuese.

    Armëpushimi në Gaza është shkelur vazhdimisht, me qindra viktima palestineze dhe disa ushtarë izraelitë të vrarë që nga tetori. Sipas OKB-së dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 72,000 viktima, krizë urie dhe zhvendosjen e të gjithë popullsisë së Gazës, duke u cilësuar si gjenocid. Izraeli e justifikon operacionin si vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit në fund të vitit 2023, ku u vranë 1,200 persona dhe u morën mbi 250 pengje.

  • Mourinho shpërthen pas humbjes në Madrid, flet për gjykim të njëanshëm dhe mbron Prestiannin

    Mourinho shpërthen pas humbjes në Madrid, flet për gjykim të njëanshëm dhe mbron Prestiannin

    Trajneri i Benfica, Jose Mourinho, ka reaguar ashpër pas humbjes 1-0 ndaj Real Madrid në ndeshjen e së martës mbrëma, duke lënë të kuptohet se skuadra e tij nuk u trajtua në mënyrë të barabartë nga gjyqtari. Megjithatë, ai pranoi se madrilenët e merituan fitoren për paraqitjen në fushë.

    Portugezi, i cili ka drejtuar më parë “Los Blancos”, e kishte ngritur edhe më herët çështjen e vendimeve të diskutueshme në Spanjë dhe Evropë, por këtë herë fokusi i tij ishte i dyfishtë: gjykimi dhe akuza për racizëm që përfshiu talentin e ri Gianluca Prestianni dhe yllin brazilian të Realit, Vinícius Júnior.

    Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Mourinho mbrojti lojtarin e tij, duke theksuar se situata mbetet e paqartë për shkak të versioneve të ndryshme të ngjarjes. Ai shmangu marrjen e një qëndrimi të prerë, por insistoi se duhet kujdes para se të bëhen akuza të rënda.

    Një tjetër moment tensioni ishte përjashtimi i tij në minutat e fundit. Mourinho u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda pak çastesh nga gjyqtari francez François Letexier, pasi protestoi për një ndërhyrje të Vinicius që, sipas tij, duhej të ishte ndëshkuar me karton të dytë.

    “U përjashtova sepse i thashë gjyqtarit diçka shumë të qartë. Duket sikur kishte lojtarë që nuk mund të ndëshkoheshin. Ia thashë këtë hapur”, deklaroi Mourinho, duke shtuar se përvoja e tij mbi 1,400 ndeshje në stol i jep të drejtën të shprehë mendimin e tij.

    Ai kritikoi gjithashtu festimin e Viniciusit, duke sugjeruar se duhej të ishte më i përmbajtur dhe të festonte me bashkëlojtarët, jo përballë tribunave.

    Në fund, pavarësisht polemikave, tekniku portugez pranoi superioritetin e kundërshtarit: “Real Madridi ishte më i fortë. E merituan fitoren”, përfundoi ai.

  • Gjyqtari Smith mbyll edhe proceduralisht çështjen gjyqësore për ish-krerët e UÇK-së: Për shpalljen e aktgjykimit, jemi në kontakt

    Gjyqtari Smith mbyll edhe proceduralisht çështjen gjyqësore për ish-krerët e UÇK-së: Për shpalljen e aktgjykimit, jemi në kontakt

    Kryetari i trupit gjykues e ka mbyllur çështjen gjyqësore në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Charles Smith III i falënderoi ekipet e mbrojtjes dhe “të gjithë personat të cilët kanë ndihmuar për realizimin e suksesshëm të kësaj çështjeje gjyqësore”.

    “Jemi ndjerë shumë të ndihmuar prej kontributeve për të siguruar drejtësinë e procesit dhe që ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit kanë marrë shërbime efektive gjatë gjithë kohës”, tha ai, duke e falënderuar edhe stafin administrativ të gjykatës.

    Kryegjykatësi tha se për datën e shpalljes së aktgjykimit do të jetë në kontakt me avokatët dhe Prokurorinë.

    “Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sipas nevojës, me palët, për sa i takon datës së shpalljes dhe shqiptimit të aktgjykimit”, tha Smith.

    Sot, në fund të çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi dhanë fjalët e tyre përmbyllëse. Të katërtit u deklaruan të pafajshëm.

    Prokruoria e Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej tyre.

    Tani, çështja i kalon trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e aktgjykimit.

    Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

  • AUV heq nga tregu disa formula ushqimore për foshnje me origjinë nga Polonia

    AUV heq nga tregu disa formula ushqimore për foshnje me origjinë nga Polonia

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu disa formula për foshnje, foshnje Aptamil Pronutra 1, Pronutra 2 dhe Bebelac 1, të cilat janë me origjinë nga Polonia.

    AUV bën të ditur edhe se, në bashkëpunim me kompaninë importuese, janë ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu, përcjell Express.

    ‘’Produktet në fjalë janë importuar në Kosovë dhe janë në treg para marrjes së vendimit të datës 11.02.2026 për ndalimin e përkohshëm të importit të produktit Aptamil në vendin tonë’’, thuhet mes tjerash nga AUV.

    AUV njofton opinionin për tërheqjen nga tregu të formulave për foshnje Aptamil Pronutra 1, Pronutra 2 dhe Bebelac 1

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar njoftimin nr. 2026.1152 lidhur me praninë e substancës (toksinës) cereulide në formulën për foshnje Aptamil Pronutra 1, Pronutra 2 dhe Bebelac 1, me origjinë nga Polonia. Për këtë arsye, është kërkuar tërheqja e menjëhershme e këtyre produkteve nga tregu.

    Produktet në fjalë janë importuar në Kosovë dhe janë në treg para marrjes së vendimit të datës 11.02.2026 për ndalimin e përkohshëm të importit të produktit Aptamil në vendin tonë.

    Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit Aptamil, formulë ushqimore për foshnje, prodhuar nga Nutricia Zakłady Produkcyjne Sp. z o.o., Poloni, dhe i importuar në Kosovë nga UNION SH.P.K., Vushtrri.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje konsumatorëve që të mos i përdorin produktet Aptamil Pronutra 1, Aptamil Pronutra 2 dhe Bebelac 1 me datat e skadimit të specifikuara më poshtë, por t’i kthejnë ato në pikën e shitjes.