ATV

Blog

  • Një person në gjendje kritike pasi u vetaksidentua me trotinet në Prizren

    Një person në gjendje kritike pasi u vetaksidentua me trotinet në Prizren

    Policia e Kosovës ka raportuar se një person është vetaksidentuar me trotinet në Prizren.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, ngasësi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

    Por, siç thuhet tutje, sipas mjekëve gjendja e tij paraqitet kritike.

  • Produktet “Made in Kosova” marrin identitet ndërkombëtar

    Produktet “Made in Kosova” marrin identitet ndërkombëtar

    Për më shumë se dy dekada, produktet e prodhuara në Kosovë kanë udhëtuar drejt tregjeve ndërkombëtare me një identitet të huaj.

    Në raftet e dyqaneve evropiane dhe globale, vajrat, pijet dhe prodhime të tjera “Made in Kosova” shpesh janë regjistruar si me origjinë nga Shqipëria apo shtete të tjera – jo për shkak të vendit të prodhimit, por për shkak të mungesës së një barkodi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

    Kjo ka qenë një pasojë më pak e dukshme e statusit të Kosovës si shteti më i ri në Evropë, por që vazhdon të përballet me njohje të pjesshme ndërkombëtare dhe integrim të paplotë në shumë mekanizma globalë.

    Situata, megjithatë, po ndryshon.

    Kosova ka siguruar këtë muaj barkodin ndërkombëtar 381, duke u dhënë për herë të parë produkteve vendore një identitet të verifikueshëm globalisht.

    Për një vend që synon të rrisë eksportet dhe të integrohet më thellë në tregun evropian dhe global, ky është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të sovranitetit ekonomik dhe pranisë së tij në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, vlerësojnë ekspertët.

    Barkodi, përndryshe, është një numër unik identifikues që përmban informacion për kompaninë dhe vendin e origjinës së produktit dhe mund të skanohet kudo në botë, përmes pajisjeve optike apo aplikacioneve telefonike.

    Identiteti i huazuar për produktet vendore

    Kompania “Fluidi” nga Gjilani, e cila prodhon vaj ushqimor dhe pije freskuese, është ndër prodhuesit kosovarë që për vite me radhë është detyruar të sigurojë barkode jashtë vendit, për të eksportuar jashtë.

    “Në raftet e marketeve të shteteve evropiane dhe globale, produktet e prodhuara në Kosovë kanë figuruar me origjinë nga Shqipëria ose shtete të tjera”, thotë pronari Berat Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, rreth 30 për qind e prodhimit të kësaj kompanie eksportohet në vendet e rajonit, Evropë dhe Afrikë.

    Dhe, deri më tani, për secilin produkt ka qenë e nevojshme të sigurohej barkod jashtë Kosovës.

    “Unë i kam blerë barkodet në Shqipëri, pasi atje e kam të regjistruar kompaninë dhe ka qenë më e lehtë. Shumë biznese kosovare kanë vepruar njësoj, ose kanë përdorur barkode të siguruara nga vetë kompanitë blerëse në vendet ku eksportojnë”, shpjegon Mustafa.

    Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një paradoks: megjithëse praktikë e lejueshme, produktet janë prodhuar në Kosovë, por nuk kanë qenë zyrtarisht të identifikueshme si të tilla në sistemin global të tregtisë, duke kufizuar dukshmërinë e tyre dhe mundësinë për të ndërtuar një reputacion ndërkombëtar.

    Mustafa tregon se vetëm në Shqipëri ka paguar mbi 200 euro në vit për barkodet e dhjetë prodhimeve të tij.

    “Nuk është shumë e lartë kostoja financiare, por barkodi 381 promovon drejtpërdrejt produktet tona dhe vetë shtetin e Kosovës”, shton Mustafa.

    Nga zgjidhja emergjente në njohje ndërkombëtare

    Deri më tani, në tregun e Kosovës është përdorur barkodi 390 – i cili është vendosur në vitin 2003 nga Oda Ekonomike e Kosovës, në përputhje me kompetencat e saj ligjore për administrimin e identifikimit të produkteve – si një zgjidhje emergjente për skanimin e tyre në tregun vendor.

    Megjithatë, ky kod nuk ishte pjesë e sistemit global të identifikimit të produkteve.

    Në praktikë, kjo nënkuptonte se produktet kosovare mund të qarkullonin në tregun vendor, por për eksport kërkonin integrim në sisteme të huaja identifikimi.

    Situata ndryshoi këtë muaj, kur Kosova, përmes Odës Ekonomike të Kosovës, nisi për herë të parë lëshimin e barkodeve me prefiksin 381 – gjashtë muaj pas anëtarësimit në rrjetin global GS1.

    GS1 është një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me seli në Bruksel, e cila zhvillon dhe administron standardet globale për identifikimin e produkteve, shërbimeve dhe zinxhirëve të furnizimit në të gjithë botën.

    Ky sistem përdoret nga miliona kompani dhe është thelbësor për funksionimin e tregtisë moderne, logjistikës dhe shitjes me pakicë.

    Fundi i një praktike që zbehte identitetin “Made in Kosova”

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, thotë se praktika e huazimit të barkodeve jo vetëm që ka rritur kostot administrative dhe financiare për prodhuesit, por ka ndikuar edhe në zbehjen e identitetit të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

    Për një ekonomi të vogël dhe në zhvillim si Kosova, ndërtimi i një identiteti të njohur eksportues është kritik për tërheqjen e partnerëve tregtarë dhe investimeve të huaja.

    “GS1 në Kosovë është identifikimi i produkteve ‘Made in Kosova’ në tregun global”, thotë Ajvazi për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se sistemi i ri rrit edhe transparencën për konsumatorët.

    “Përmes barkodit, konsumatorët mund të verifikojnë origjinën e produktit, prodhuesin dhe përmbajtjen – çka rrit besueshmërinë dhe sigurinë në treg”, sipas tij.

    Barkodi nuk mjafton për të zgjidhur sfidat e eksportit

    Megjithëse e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm, përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se barkodi ndërkombëtar nuk është zgjidhje për të gjitha sfidat me të cilat përballen prodhuesit kosovarë.

    Kosova mbetet një ekonomi e vogël prej rreth 1.5 milion banorësh, me bazë të kufizuar prodhimi dhe varësi të lartë nga importi.

    Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se sfidat kryesore për prodhuesit vendorë mbeten strukturore.

    Sipas tij, politikat e papërshtatshme fiskale dhe rritja e kostove operative – veçanërisht e çmimit të energjisë elektrike pas daljes së bizneseve në tregun e hapur vitin e kaluar – kanë ulur konkurrueshmërinë e tyre.

    Ai shton se Kosova ka potencial eksportues, por kërkohet mbështetje më e madhe institucionale dhe një qasje më e koordinuar për depërtimin në tregjet e huaja.

    “Ne mbesim vend që dëshiron eksportin, por në praktikë favorizojmë konsumimin e produkteve të huaja. Jemi bërë besnikë ndaj produkteve të importuara”, thotë Shahini

    Deficiti tregtar mbetet sfida kryesore

    Pabarazia ndërmjet importit dhe eksportit mbetet një nga treguesit më të qartë të sfidave ekonomike.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit të kaluar vendi ka importuar mallra në vlerë prej mbi shtatë miliardë eurosh – nisur nga ushqimi deri te materiali ndërtimor e tekstili.

    Në të njëjtën periudhë kohore, eksportet kanë arritur në rreth 942 milionë euro, ose vetëm 2.6 milionë euro në ditë.

    Në këtë kontekst, thonë ekspertët, barkodi 381 përfaqëson më shumë sesa një ndryshim teknik. Ai është një hap drejt identitetit të produkteve kosovare në tregun global, por suksesi i tij do të varet nga aftësia e vendit për të mbështetur prodhuesit dhe për ta kthyer këtë identitet në një avantazh real ekonomik.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka nisur mandatin e ri javën e kaluar, ka premtuar një miliard euro në formë garancish e kredish për prodhuesit.

    Mustafa pret të shpenzojë stokun e vjetër dhe produktet e reja t’i regjistrojë me barkodin 381, i bindur se ky kod do t’i plasojë produktet kosovare në tregjet ndërkombëtare me identitet të qartë dhe të pakundërshtueshëm: “Made in Kosova”./REL

  • Mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare

    Mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare

    Sot, në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen njëmbëdhjetë komisione parlamentare për të shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

    Mbledhjet do të fillojnë që nga ora 09:00 dhe përfshijnë:

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike – shqyrton buxhetin e ZKA-së

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit – shqyrton ligjin buxhetor dhe miraton fushëveprimet.

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,

    Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji,

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion,

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes,

    Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport,

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë,

    Komisioni për Shëndetësi,

    Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim,

    dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere – të gjithë do të shqyrtojnë pjesët përkatëse të projektbuxhetit që hyjnë në fushëveprim të tyre.

    Mbledhjet zhvillohen në dhomat përkatëse të Kuvendit dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës sipas rendit të miratuar për secilin komision.

  • Ndryshon orari i mensës dhe konvikteve gjatë muajit të Ramazanit

    Ndryshon orari i mensës dhe konvikteve gjatë muajit të Ramazanit

    Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar studentët për ndryshimet në shërbimet e mensës dhe orarin e konvikteve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Për syfyr, mensa do të ofrojë shujta të thata të paketuara, të cilat mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës.

    “Këto shujta mund t’i merrni çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë ushqimi të dedikuar për këtë qëllim”, thuhet në njoftim

    Ndërsa për iftar, për shkak të numrit të madh të studentëve, ushqimi do të jetë i disponueshëm edhe i paketuar, që mund të merret për konsum në dhomat e konvikteve.

    “Për të shmangur mbingarkesën e hapësirave të brendshme, në të gjitha linjat do të servohet edhe ushqim i paketuar, duke ju mundësuar ta merrni me vete dhe ta konsumoni në dhomat tuaja në konvikte”, theksohet në njoftim.

    Për të lehtësuar përgatitjet për syfyr, hyrje-daljet në konvikte do të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit:

    “ Ky ndryshim është i përkohshëm dhe synon t’ju ofrojë mundësinë për të siguruar ushqim ose nevoja të tjera gjatë kësaj kohe. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, orari i mëparshëm i hyrje-daljeve do të rikthehet në fuqi”, thuhet më tej.

    Qendra e Studentëve falënderoi studentët për mirëkuptim dhe bashkëpunim. “Me fat dhe shëndet gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit!”.

  • Komuna e Gjilanit shpërndan 350 pako ushqimore për familjet në nevojë

    Komuna e Gjilanit shpërndan 350 pako ushqimore për familjet në nevojë

    Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Kosova, ka nisur shpërndarjen e 350 pakove ushqimore për familjet me fëmijë jetimë dhe familjet në kushte të vështira jetësore.

    Shpërndarja e pakove po realizohet nga zyrtarë të Komunës së Gjilanit në bashkëpunim me përfaqësues të organizatës Islamic Relief Kosova.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se sot janë ndarë mbi 350 pako me produkte elementare për familjet në nevojë përmes bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe organizatës Islamic Relief Kosova.

    “ Sot ndamë mbi 350 pako me gjëra elementare për familjet në nevojë, përmes bashkëfinancimit me organizatën ‘Islamic Relief Kosova’ dhe Komunën e Gjilanit”, ka deklaruar Hyseni.

    Ai ka theksuar se kjo ndihmë po ofrohet si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për familjet që kanë më së shumti nevojë për përkrahje në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit.

    “Sipas tij, këto pako u shpërndanë në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, si shenjë solidariteti, kujdesi dhe mbështetjeje për familjet që kanë më së shumti nevojë për përkrahje”, shtoi Hyseni.

    Hyseni ka falënderuar organizatën Islamic Relief Kosova për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të qytetarëve të Gjilanit.

    “Falënderoj sinqerisht ‘Islamic Relief Kosova’ për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin, që gjithmonë shndërrohet në ndihmë konkrete për qytetarët tanë”, ka theksuar kryetari i Gjilanit.

  • Rasti i vrasjes së Maria Clara Urdangaray, sot shpallet aktgjykimi

    Rasti i vrasjes së Maria Clara Urdangaray, sot shpallet aktgjykimi

    Sot pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e vrasjes së shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray.

    Gjyqi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, ka arritur në fazën përfundimtare.

    Në seancën e fundit, që u mbajt të hënën, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përmbyllëse, duke kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor sipas aktakuzë.

    Njëherësh, edhe i akuzuari Endrit Nika mori fjalën para trupit gjykues.

    “Me gjithë zemër dua t’i kushtoj disa fjalë Maria Clarës sime. Kur e njoha në shkurt 2023, gjatë pushimeve në Barcelonë, nuk besoja te dashuria e vërtetë, por ajo erdhi papritur në jetën time me një buzëqeshje të ndritur që më mbeti krejtësisht në zemër. Mora guximin dhe ia kërkova Instagramin. Kishim të njëjtin humor, të njëjtat plane për të ardhmen dhe u kuptuam menjëherë.Ndarja, kur m’u desh të kthehesha, ishte e vështirë, Clara qau, dhe kur hipa në taksi shpresoja fshehurazi në ndonjë shenjë që të mos nisesha. Kur mbërrita në aeroport e kuptova se avioni kishte vonesë. Vendosa të fluturoja të nesërmen dhe vendosa ta shoh edhe një herë Clarën. Ajo u gëzua pa masë, veshi pulovrën time, dhe të nesërmen duhej të largohesha, por i premtova se do të kthehesha, dhe këtë premtim e mbajta. Sa herë kisha mundësi, shkoja te ajo”, tha Nika teksa u ndërpre fjalimi i tij nga trupi gjykues.

  • Fillon Ramazani: Çfarë duhet të dini për muajin e agjërimit

    Fillon Ramazani: Çfarë duhet të dini për muajin e agjërimit

    Miliona muslimanë tani po i përmbahen ushqimit dhe pijeve gjatë ditës. Në këtë artikull mund të lexoni çfarë është e lejuar, kush përjashtohet nga agjërimi dhe pse data e fillimit ndryshon sipas vendndodhjes.

    Çfarë është Ramazani?

    Ramazani fillon me perëndimin e diellit dhe data e nisjes mund të ndryshojë deri në një ditë, në varësi të shikimit të hënës së re. Besimtarët myslimanë i përmbahen ushqimit, pijeve dhe disa zakoneve të tjera nga agimi deri në perëndim të diellit.

    Data e fillimit përcaktohet nga shikimi i hënës së re, prandaj Ramazani mund të ndryshojë me një ditë në vende të ndryshme.

    Kush përjashtohet nga agjërimi?

    Nuk agjërojnë:

    Fëmijët (deri në moshën e pubertetit),

    Personat e sëmurë,

    Gratë shtatzëna ose që ushqejnë me gji,

    Të moshuarit,

    Udhëtarët.

    Ditët e humbura mund të kompensohen më vonë ose përmes donacioneve për të varfrit.

    Si funksionon agjërimi?

    Agjërimi fillon nga agimi dhe mbaron në perëndim të diellit. Përjashtohen:

    Ushqimi,

    Pijet (përfshirë ujin),

    Duhanpirja,

    Marrëdhëniet seksuale.

    Agjërimi përfundon çdo ditë me iftar – vakti i darkës për të prishur agjërimin, i cili shpesh ndahet me familjen, miqtë dhe fqinjët. Në shumë raste, edhe jo-muslimanët janë të mirëpritur.

    Pse ndryshon data e fillimit çdo vit?

    Ramazani bazohet në kalendarin hënor islamik, i cili ka rreth 354 ditë, rreth 11 ditë më pak se viti diellor. Prandaj, data e fillimit lëviz çdo vit, duke rënë ndonjëherë në dimër, ndonjëherë në verë ose pranverë.

    Qëllimi i Ramazanit

    Ky muaj ka për qëllim të forcojë vetëdisiplinën, durimin dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Myslimanët shfrytëzojnë këtë kohë për:

    Të falin më shumë,

    Të kryejnë lutje më shpesh,

    Të ftojnë të tjerët për iftar.

    Muaji përfundon me Eid al-Fitr, ose Festen e Sheqerit, një ditë feste dhe falënderimi me familjen dhe ushqime tradicionale.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, mbahet edhe sot seancë gjyqësore

    Sulmi terrorist në Banjskë, mbahet edhe sot seancë gjyqësore

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet sot seancë gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Para trupit gjykues do të paraqiten Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Në seancën e djeshme u dëgjua dëshmitari Goran Tanevski. Ai tha se ditën kritike derisa po qëndronte me familje në hotel, dëgjuan të shtëna armësh, e pa njerëz të uniformuar e të armatosur përreth hotelit.

    Dëshmitari Tanevski i cili u dëgjua përmes video-lidhjes, tha se në ditën kritike po qëndronte si turist në hotelin “Ranjska Banja” në Banjskë.

    Ai tha se ditën kritike kishte parë persona që nuk janë dukur si turistë, kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe pa njerëz të uniformuar përreth hotelit dhe një tjetër që qëndronte në hotel.

    Për personin që kishin parë jashtë hotelit, dëshmitari tha se ai mbante uniformë, kishte municion dhe bombë.

    “Pamë dy veta në uniformë pa shenja, pa distiktiv dhe me armë ushtarake, ai që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën se uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve. Ai po kërkonte një batanije apo të ngjashme”, tha Tanevski.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

    Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë.

    Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Sot mbahet takimi inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Sot mbahet takimi inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, merr pjesë edhe presidentja Osmani

    Sot në Washington pritet të mbahet takimi Inaugurues të Bordit të Paqes.

    Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre.

    Shqipëria ratifikoi aderimin me 110 vota pro në Kuvend, pas ftesës së Edi Ramës nga Donald Trump, ndërsa presidentja e vendit Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në Davos, ku nënshkroi dokumentin themelues.

    Presidentja Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Trump, do të kryesojë takimin e parë të Bordit të tij të Paqes të enjten, me çështje të pazgjidhura mbi të ardhmen e Gazës që varen mbi një ngjarje që pritet të përfshijë përfaqësues nga më shumë se 45 vende.

    Çarmatimi i militantëve të Hamasit, madhësia e fondit të rindërtimit dhe rrjedha e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës së shkatërruar nga lufta janë ndër pyetjet kryesore që ka të ngjarë të vënë në provë efektivitetin e bordit në javët dhe muajt në vijim, shkruan Reuters.

    Trump do t’i drejtohet grupit në Institutin Amerikan të Paqes Donald J. Trump – një ndërtesë në Uashington të cilës presidenti së fundmi ia ndryshoi emrin e tij – dhe do të njoftojë se vendet pjesëmarrëse kanë mbledhur 5 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit.

  • Ky është vendi ku mund të hani falas Iftar çdo natë më Prishtinë

    Ky është vendi ku mund të hani falas Iftar çdo natë më Prishtinë

    Sot ka filluar muaji i shenjtë i Ramazanit.

    E me këtë rast në Prishtinë çdo ditë do të shërbehet ushqim falas gjatë kohës së iftarit.

    Kjo është bërë e ditur nga hoxhë Labinot Maliqi përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.

    Postimi i plotë:

    URIME MUAJIN E BEKUAR RAMAZAN!

    Me emrin e Zotit të Madhëruar dhe për hir të Tij, edhe këtë vit vazhdojmë një traditë që tashmë ka hyrë në vitin e nëntë të saj. Për të nëntin vit me radhë, do të shtrojmë iftare falas çdo ditë gjatë gjithë muajit të bekuar Ramazan, në dashtë Zoti i Lartësuar.

    Iftaret do të shtrohen në oborrin e xhamisë

    “Prof. Dr. Bedri Kamberi” Lagjja e Spitalit, Prishtinë.

    Në sofrën tonë janë të mirëpritur studentët, familjet në nevojë dhe ato skamnore, si dhe çdo agjërues që dëshiron të ndajë iftarin me ne.

    Ftojmë të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë vepër të hajrit, të bëhen pjesë e kësaj tradite të bukur dhe të begatë. Çdo kontribut është sadaka dhe shpërblim i madh tek Zoti.

    Mënyrat për të kontribuar:

    1. Duke paguar iftarin drejtpërdrejt në restorant ose gjelltore, të cilët më pas e sjellin ushqimin në xhami

    2. Duke dhuruar në arkën e xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi” – Prishtinë

    3. Përmes Ëestern Union ose mënyrave të tjera të pagesës

    4. Më e rëndësishmja është që në sofrën e agjëruesve të vijë ushqimi, jo domosdoshmërisht mjeti financiar.