ATV

Blog

  • Labinot Rexha uron fillimin e Ramazanit me fotografi nga Qabeja

    Labinot Rexha uron fillimin e Ramazanit me fotografi nga Qabeja

    Këngëtari Labinot Rexha ka uruar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Ai publikoi një fotografi nga vizita e tij në Qabeja, ku shihet pranë bashkëshortes, dhe e shoqëroi me një mesazh reflektues dhe plot besim:

    “Urime fillimi i Ramazanit! Ka dashtë Zoti që këtë Ramazan ta agjërojmë me familje dhe me miq afër zemrës. Allahu na i faltë gabimet, na pastroftë zemrat dhe na pranoftë agjërimin, lutjet dhe çdo vepër të mirë. Le të jetë ky muaj paqeje, faljeje dhe bereqeti për të gjithë. Ramazan të begatë për ju dhe familjet tuaja!”

    Postimi i Rexhës u prit me shumë ngrohtësi nga ndjekësit, të cilët i kthyen urimin dhe e përgëzuan për mesazhin e tij të paqes dhe mirësisë.

     

  • Ambasadori Rudolph në FFK: Futbolli forcon partneritetin Kosovë–Gjermani

    Ambasadori Rudolph në FFK: Futbolli forcon partneritetin Kosovë–Gjermani

    Ambasadori gjerman në Kosovë Rainer Rudolph, ka zhvilluar një takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin.

    Ambasada gjermane përmes një njoftimi në facebook, ka bërë të ditur se futbolli është në thelb të të dy kulturave dhe vazhdon të forcojë lidhjen e ngushtë mes Gjermanisë dhe Kosovës.

    “Një sport. Dy shtete. Një lidhje e fortë. Gjermania mbetet partner i rëndësishëm në përkrahjen e zhvillimit të futbollit në Kosovë, përforcimin e bashkëpunimit, ekspertizës dhe vlerave të përbashkëta përmes sportit”.

    “Futbolli bashkon kombet tona ndërtimi i urave, krijimi i mundësive dhe forcimi i partneritetit mes Gjermanisë dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Vjedhje e rëndë në Mitrovicë: Arrestohen tre persona, njëri prej tyre i mitur

    Vjedhje e rëndë në Mitrovicë: Arrestohen tre persona, njëri prej tyre i mitur

    Tre persona, njëri prej tyre i mitur, janë arrestuar në Mitrovica pas raportimit të dy rasteve të thyerjeve të lokaleve në zona të ndryshme të qytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore pas veprimeve intensive operative dhe hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit.

    Gjatë kontrollit, tek ta janë gjetur gjësendet e vjedhura nga lokalet e thyera.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tyre është iniciuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”. Me vendim të prokurorit, atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Cameron Diaz shfaqet në New York me stil të thjeshtë dhe natyral

    Cameron Diaz shfaqet në New York me stil të thjeshtë dhe natyral

    Cameron Diaz u pa gjatë një shëtitjeje të thjeshtë në rrugët e qytetit të New York-ut, duke preferuar një paraqitje natyrale, pa grim të tepruar. Aktorja 53-vjeçare zgjodhi një veshje të ngrohtë dhe komode, për t’u mbrojtur nga moti i ftohtë, duke kombinuar një bluzë sportive të zezë me pantallona të gjera dhe një xhaketë “puffer” të zezë. Pamjen e kompletoi me çizme të zeza, ndërsa flokët bionde i kishte mbledhur në një topuz të thjeshtë në majë të kokës.

    Dalja e saj vjen pak ditë pas konfirmimit të përgatitjeve për një ribërje të filmit “Charlie’s Angels”, ku Diaz, së bashku me Drew Barrymore dhe Lucy Liu, do të rikthehet në këtë projekt të njohur. Ylli i njohur është ribashkuar së fundmi edhe me Keanu Reeves në një event të organizuar nga Apple, duke rikthyer vëmendjen tek prezenca e saj në Hollivud dhe planet për projekte të ardhshme.

    Kjo shfaqje e thjeshtë dhe elegante tregon se edhe me pamje minimale, Cameron Diaz arrin të ruajë stilin e saj të veçantë dhe prezencën e fortë në publik.

  • Osmani ndan pamje nga Washingtoni para takimit në Bordin e Paqes

    Osmani ndan pamje nga Washingtoni para takimit në Bordin e Paqes

    Presidentja e Kosovës ka qëndruar në Washington për takimin inaugurues të Bordit të Paqes. Ajo ka shpërnda pamje para takimit.

    “Në Washington DC, para takimit inaugurues të Bordit të Paqes me Presidentin Trump dhe liderë të tjerë botërorë, për t’i avancuar përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri globale”, ka shkruar Osmani.

  • Irani e Rusia zhvillojnë stërvitje detare teksa ShBA-ja rrit praninë ushtarake në Detin Arabik

    Irani e Rusia zhvillojnë stërvitje detare teksa ShBA-ja rrit praninë ushtarake në Detin Arabik

    Irani dhe Rusia kanë nisur stërvitje të përbashkëta detare në ujërat jugore të Iranit më 19 shkurt, derisa Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë ta zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Detin Arabik.

    Stërvitjet po zhvillohen kryesisht në Ngushticën e Hormuzit, në Gjirin e Omanit dhe në pjesën veriore të Oqeanit Indian, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Të njohura si “Brezi i Sigurisë Detare”, këto ushtrime vjetore mbahen që nga viti 2019 dhe zakonisht kanë përfshirë edhe Kinën, megjithëse Pekini nuk duket të jetë i përfshirë në stërvitjet e tanishme.

    Admirali i marinës iraniane, Hassan Maqsudlu, u tha gazetarëve se një nga qëllimet e stërvitjeve është “parandalimi i çdo veprimi të njëanshëm në rajon”, me gjasë duket duke iu referuar rritjes së pranisë ushtarake amerikane.

    Stërvitjet e përbashkëta Iran-Rusi
    Sipas mediave iraniane, marinat e Iranit dhe Rusisë zhvilluan ushtrime të vëzhgimit ajror dhe praktikuan formacione taktike si dhe manovrime në kuadër të stërvitjes.

    Ushtrimet përfshinë gjithashtu skenarë të formacioneve ofensive, me qëllim përmirësimin e koordinimit taktik, forcimin e komandës dhe kontrollit të përbashkët, si dhe simulimin e reagimit të shpejtë në kushte operacionale, ku njësitë praktikuan teknika të kombinuara dislokimi dhe manovrimi.

    Forcat pjesëmarrëse përfshinin njësi nga marina iraniane dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) – si anije luftarake, anije me raketa, helikopterë, ekipe të operacioneve speciale dhe mjete të shpejta sulmuese – së bashku me korvetën ruse Stoikiy dhe avionë luftarakë të Forcave Ajrore Iraniane.

    IRGC-ja, e cila i zhvilloi stërvitjet e veta detare në Ngushticën e Hormuzit më 16–17 shkurt, pritet të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian këtë javë.

    Vendimi për ta futur IRGC-në në listën e zezë u mor muajin e kaluar.

    Nga pala ruse, duket se vetëm një anije luftarake mori pjesë në stërvitje.

    “Të vogla dhe simbolike”
    Duke e theksuar praninë e kufizuar të Rusisë, ish-oficeri i marinës iraniane, Mohammad Parsi, i përshkroi stërvitjet si “të vogla dhe simbolike”.

    “Nuk mund ta paramendoj Rusinë duke ofruar mbështetje reale në një përballje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, i tha ai Radios Farda, duke shtuar se Moska ka gjasa ta përdorë Teheranin si “mjet presioni” në përballjen e saj më të gjerë me Perëndimin, në vend që të angazhohet për mbrojtje të ndërsjellë.

    Stërvitjet po zhvillohen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje të mundshme që do të kufizonte programin bërthamor të Iranit dhe do të shmangte luftën.

    “Irani do tregonte mençuri duke arritur marrëveshje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, më 18 shkurt, pasi rundi i dytë i bisedimeve SHBA–Iran në Gjenevë përfundoi pa ndonjë përparim.

    Uashingtoni ka rritur praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme javët e fundit dhe së fundmi ka dërguar aeroplanmbajtësen e dytë në Detin Arabik.

    Sipas disa raportimeve, fuqia ajrore amerikane në rajon ka arritur tani nivelin më të lartë që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003./REL

  • “Nyja e Gidionit”, një premierë e fuqishme në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    “Nyja e Gidionit”, një premierë e fuqishme në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    Më 20 shkurt 2026, ora 20:00, Teatri Kombëtar i Kosovës do të hapë dyert për premierën e dramës “Nyja e Gidionit”, një vepër që eksploron tensionet dhe sfidat e botës së brendshme të njerëzve përmes një klase të zakonshme shkollore.

    Shkruar nga Johnna Adams, drama trajton marrëdhëniet mes një nëne dhe një mësueseje, ku dialogu i tyre kthehet në një përballje emocionalisht intensive. Përmes këtij takimi, shfaqja hap tema si përgjegjësia prindërore, dhuna në shkollë, bullizmi dhe mënyrat e ndryshme të perceptimit të edukimit. Çdo skenë është një pasqyrë e ndërlikuar e botës psikologjike dhe sociale, duke sfiduar shikuesin të reflektojë mbi realitetin e përditshëm.

    Regjisorja Hana Qena dhe aktoret Irena Aliu dhe Maylinda Kosumovic sjellin në skenë emocione të fuqishme dhe interpretime të hollësishme, të mbështetura nga një ekip profesional i përbërë nga dramaturge, kostumografe, skenograf, kompozitor dhe animatorë që japin jetë çdo detaji të shfaqjes.

    Prodhimi realizohet me marrëveshje të veçantë me Mark OrsiniS dhe Bret Adams LTD., New York, duke e bërë këtë premierë një ngjarje unike që bashkon skenën lokale me standarde ndërkombëtare.

    “Nyja e Gidionit” premton një përvojë teatrale të thellë, që fton audiencën të ndjejë, të debatojë dhe të reflektojë mbi nyjat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

  • Filmat dhe seritë që mund t’i shikoni gjatë Ramazanit

    Filmat dhe seritë që mund t’i shikoni gjatë Ramazanit

    Me fillimin e Ramazanit 19 Shkurt 2026, shumë platforma streaming dhe televizione kanë bërë të disponueshme një përzgjedhje të filmave dhe serive me tematika që lidhen me kulturën, moralin dhe familjen, të përshtatura për muajin e shenjtë. Këto tituj mund të ndiqen gjatë ditëve të agjërimit dhe iftarit dhe përfshijnë drama, komedi dhe histori me mesazhe morale dhe emocionale.

    Për shembull, drama “Kasra” trajton jetën familjare dhe konfliktet ndërbrezore, ndërsa “Sawa Sawa” sjell një histori romantike me elemente morale dhe përgjegjësie. Serie si “Efrag” dhe “Mawlana” eksplorojnë tema si falja, besimi dhe reflektimi mbi të kaluarën, duke i dhënë audiencës një përvojë të thellë emocionale gjatë muajit të shenjtë.

    Disa tituj tashmë të njohur, si “El Maddah: Ostorat El-Nejaha” dhe “Wa Nensa Elli Kan”, vazhdojnë me sezonet e tyre të reja, duke ofruar histori me tension, dashuri dhe moral, që rezonojnë me publikun gjatë Ramazanit.

    Kjo përzgjedhje nuk përfshin vetëm filma të ekranit të madh, por edhe prodhime televizive që lidhen me vlerat kulturore dhe bashkimin familjar, duke u bërë shoqërues të përditshëm të iftarit dhe agjërimit. Publiku mund t’i ndjekë këto histori sipas dëshirës dhe orarit, duke i kthyer shikimet në një eksperiencë kulturore dhe emocionale gjatë muajit të shenjtë.

  • Balla në Kuvend: Shqipëria ta mbrojë pastërtinë e UÇK-së, ose historia do të na gjykojë

    Balla në Kuvend: Shqipëria ta mbrojë pastërtinë e UÇK-së, ose historia do të na gjykojë

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë se vendi duhet të mbrojë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai e quajti të papranueshme përpjekjen e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë për të cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ndërmarrje kriminale.

    “Është e papranueshme se si mund t’i vishet një lufte çlirimtare kjo akuzë, e cila as nuk bazohet në prova. Më e rëndë se kaq është fakti se si mund të arrihet në përfundimin që viktima të jetë më fajtore se vrasësi dhe përdhunuesi; dhe si ai që sot mban përgjegjësi për 1,600 trupa, motra e vëllezër shqiptarë të Kosovës, të cilët në gjuhën poshtër burokratike quhen të zhdukur, të vdekur, por të pakallur. Në këtë këndvështrim, mendoj që sa herë na jepet mundësia të flasim me të huaj dhe partnerë ndërkombëtarë, na takon si përgjegjësi morale, politike dhe kombëtare të ngremë çështjen e pafajësisë së katër udhëheqësve të UÇK-së: presidentit Thaçi, kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ministrit të Brendshëm Rexhep Selimi. Ata jo vetëm që luftuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, por kontribuan në krijimin e shtetit të Kosovës. Në momentin historik të shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt, jemi mbledhur këtu në sallë për ta ndjekur këtë moment historik nga Parlamenti i Shqipërisë, ku presidenti Thaçi mbante fjalën e shpalljes së pavarësisë”, tha Balla.

    Deputeti shtoi se turpi i takon prokurorëve, të cilët sipas tij, sot konsiderojnë themeluesit e shtetit të Kosovës si anëtarë të një ndërmarrjeje kriminale.

    “Sot ngrihet një akuzë kundrejt udhëheqësve dhe turpi i takon prokurorëve, të cilët sot konsiderojnë themeluesit e shtetit të Kosovës anëtarë të një ndërmarrjeje kriminale. Kjo është një përgjegjësi që na takon të gjithëve. Nëse nuk bëjmë gjithçka që duhet për ta ndaluar këtë paturpësi, historia do të na bëjë edhe ne fajtorë, sepse nuk arritëm të mbrojmë historinë e ndritur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në momentin kur shqiptarët na kishin zgjedhur përfaqësues të tyre. Faleminderit”, përfundoi ai.

  • Orban paralajmëron ndalimin e eksporteve të energjisë dhe gazit në Ukrainë

    Orban paralajmëron ndalimin e eksporteve të energjisë dhe gazit në Ukrainë

    Hungaria po konsideron ndërprerjen e eksporteve të energjisë elektrike dhe gazit drejt Ukrainës në rast se Kievi nuk rikthen furnizimin me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba.

    Kjo u bë e ditur nga zyra e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia përballen me sfidën e sigurimit të furnizimeve pas ndërprerjes së rrjedhave më 27 janar, pas një sulmi me dron rus që, sipas Ukrainës, dëmtoi infrastrukturën e tubacioneve.

    Rafineritë hungareze planifikojnë të përdorin rezervat shtetërore të naftës, ndërsa qeveria sllovake miratoi të mërkurën një kredi prej 250,000 tonësh. Zyra e Orbanit njoftoi gjithashtu publikimin e rezervave strategjike të naftës, me kërkesë të kompanisë së rafinimit MOL.

    Hungaria dhe Sllovakia akuzojnë Ukrainën për vonesë në rifillimin e rrjedhave të naftës për arsye politike dhe kanë njoftuar ndalimin e eksporteve të naftës drejt Ukrainës.

    Kryeministri Viktor Orban ka shprehur hapur qëndrimin kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Të dy vendet kanë ruajtur marrëdhënie të qëndrueshme me Vladimir Putin gjatë luftës gati katërvjeçare në Ukrainë.

    Qeveria hungareze beson se Ukraina mund të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet që do të mbahen më 12 prill, një pretendim që Kievi e ka mohuar. Orban është në pushtet për 16 vjet, por sondazhet e fundit tregojnë një humbje të epërsisë përpara zgjedhjeve.