ATV

Blog

  • Bukayo Saka rinovon me gjigantin londinez Arsenal

    Bukayo Saka rinovon me gjigantin londinez Arsenal

    Ylli anglez Bukayo Saka do të mbetet pjesë e gjigantit anglez Arsenal edhe në sezonet e ardhshme.

    Saka ka arritur një marrëveshje të re me “The Gunners”për shumë vite,dhe me londinezët synon të arrij suksese të mëdha në sezonet që do të vijnë.

    Përndryshe Saka së fundmi është rikthyer nga lëndimi i pësuar të mërkurën ndaj Tootenhamit,ku edhe realizoi në barazimin 2:2 të liderit të Premierligës ndaj skuadrës së vendit të fundit Ëolverhampton.

    Kujtojmë që Bukayo Saka iu bashkua Arsenalit si tetëvjeçar në maj të vitit 2010 dhe që atëherë është bërë golashënuesi, asistuesi dhe lojtari më i mirë tek londinezët me 78 gola dhe gati 300 paraqitje me klubin në të gjitha garat.

  • Të folurit i shumëfishtë gjuhëve mban trurin të mprehtë edhe në moshë të avancuar

    Të folurit i shumëfishtë gjuhëve mban trurin të mprehtë edhe në moshë të avancuar

    Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që flasin më shumë se një gjuhë kanë më shumë gjasa të mbeten mprehtë mendërisht, edhe kur të arrijnë moshën e tretë.

    Hulumtimi sugjeron se shumëgjuhësia nuk është vetëm një aftësi praktike, por edhe një formë natyrale “trajnimi” për trurin.

    Sipas studiuesve Xinyu Liu dhe Christos Pilatsikas, të qenit shumëgjuhësh aktivizon trurin çdo herë që flisni. “Sa herë që përdorni një gjuhë tjetër, truri juaj duhet të zgjedhë fjalët dhe strukturat e duhura për bisedën e caktuar. Kjo proceson informacionin në mënyrë aktive dhe mban mendjen të stërvitur,” shpjegojnë ata.

    Rezultatet tregojnë se njerëzit që përdorin më shumë se një gjuhë përditë kanë më pak gjasa të përjetojnë rënie mendore të shpejtë në moshë të avancuar.

    Ky efekt vjen nga fakti që truri trajnohet vazhdimisht për të menaxhuar më shumë se një sistem gjuhësor, duke përmirësuar kështu kujtesën, fokusin dhe aftësitë e mendimit të shpejtë.

    Ekspertët rekomandojnë që të gjithë, pavarësisht moshës, të nisin ose të ruajnë aftësitë gjuhësore.

    Të mësosh një gjuhë të re nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një investim për shëndetin kognitiv të trurit.

    Nuk ka kurrë kohë më të mirë për të filluar sesa sot!

  • Thibaut Courtois investon në klubin francez Le Mans FC

    Thibaut Courtois investon në klubin francez Le Mans FC

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, po zgjerohet në biznes duke blerë aksione në skuadrën franceze, Le Mans.

    Gardiani belg, përmes kompanisë së tij të investimeve NxtPlay, të cilën e bashkëthemeloi, do të ketë aksione edhe te skuadra nga kryeqyteti francez.

    Sipas L’Equipe, pak më shumë se gjashtë muaj pasi fondi Outfield bleu një aksion në klub, fondi brazilian i investimeve është gati të bëhet aksionari kryesor i Le Mans FC.

    Courtois i bashkohet kështu një grupi investitorësh të njohur, ku bëjnë pjesë edhe Novak Djokovic, Felipe Massa dhe Kevin Magnussen.

  • Hailey Bieber flet për zgjerimin e familjes me Justin Bieber

    Hailey Bieber flet për zgjerimin e familjes me Justin Bieber

    Hailey Bieber ka zbuluar nëse dëshiron të ketë më shumë fëmijë me bashkëshortin e saj, Justin Bieber, ndërsa dha një përditësim të rrallë për zhvillimin e djalit të tyre, Jack Blues.

    Themeluesja e markës së kujdesit për lëkurën Rhode, 29 vjeçe, së fundmi udhëtoi në Australi për një lansim të madh të brendit dhe u shfaq në episodin më të fundit të podcast-it Therapuss, të moderuar nga ylli i TikTok-ut, Jake Shane.

    Çifti Bieber ka qenë shumë privat sa i përket djalit të tyre 16-muajsh, që nga lindja e tij në gusht të vitit 2024, dhe deri më tani nuk e kanë zbuluar fytyrën e tij në publik.

    Megjithatë, Hailey ndau disa detaje të rralla për Jack Blues, duke folur për mënyrën se si amësia i ka ndryshuar jetën.

    Fillimisht, ajo tregoi me entuziazëm se vogëlushi ka nisur të flasë.

    “Ai flet shumë për basketbollin. Thotë ‘basketball’ gjatë gjithë kohës,” u shpreh ajo.

    “Sot shkova ta zgjoja nga gjumi i drekës dhe ai ishte si ‘basketball’. Është e pabesueshme. Shumë qesharake.”

    Ajo shtoi gjithashtu se Jack më në fund ka filluar të thotë “të lutem”, pasi për një kohë të gjatë e komunikonte këtë fjalë përmes Gjuhës Amerikane të Shenjave.

    Pas më shumë se një viti si nënë, Hailey tha se përvoja ka qenë “shumë argëtuese” për të.

    “Gjithmonë e kam ditur që doja fëmijë, gjithmonë kam dashur të bëhem nënë,” u shpreh ajo. “Dhe kur ndodh, nuk e di çfarë të presësh dhe si do të jetë. Por sinqerisht, është shumë argëtuese.”

    Biseda për amësinë e çoi Hailey-n të konfirmojë se dëshiron ta zgjerojë familjen me Justin.

    “Patjetër që dua edhe një [fëmijë],” tha ajo.

  • Prattipati takon Kurtin: Presim angazhim konstruktiv për prioritetet e përbashkëta

    Prattipati takon Kurtin: Presim angazhim konstruktiv për prioritetet e përbashkëta

    E ngarkuara me Punë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosova, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë potencial të madh, veçanërisht në zgjerimin e tregtisë dhe investimeve.

    ShBA-ja ka theksuar se pret angazhim konstruktiv për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal.

  • Imri Demelezi emërohet zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

    Imri Demelezi emërohet zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

    Kryeministri Kurti ka emëruar Imri Demelezin në pozitën e zëvendësministrit të parë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Demelezi e ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit të këtij dikasteri edhe përgjatë mandatit të kaluar njofton ZMK.

    Kryeministri Kurti e uroi Demelezi për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij

  • 20 minuta për të mashtruar ChatGPT, Google dhe sistemet e inteligjencës artificiale

    20 minuta për të mashtruar ChatGPT, Google dhe sistemet e inteligjencës artificiale

    Është zyrtare, të paktën sipas disa mjeteve të inteligjencës artificiale. ChatGPT dhe Google kanë pohuar se unë ha më shumë hot dog se çdo gazetar teknologjie në botë. Në realitet, kjo është një gënjeshtër e fabrikuar për të provuar një problem shumë më serioz: sa lehtë mund të manipulohen sistemet moderne të AI-së.

    Prej kohësh dihet se chatbot-ët ndonjëherë “shpiknin” informacione. Por tani po shfaqet një problem i ri, më pak i njohur, që mund të ketë pasoja serioze për mënyrën si njerëzit gjejnë informacion të saktë madje edhe për sigurinë e tyre. Një numër në rritje individësh kanë zbuluar një mënyrë për t’i shtyrë mjetet e AI-së të japin pothuajse çdo përgjigje që ata dëshirojnë. Dhe kjo mund të bëhet me lehtësi.

    Sipas ekspertëve, kjo praktikë po ndikon tashmë në përgjigjet që inteligjenca artificiale jep për çështje serioze si shëndeti apo financat personale. Informacioni i njëanshëm ose i rremë mund t’i shtyjë njerëzit të marrin vendime të gabuara nga zgjedhjet politike, te përzgjedhja e një shërbimi profesional, apo çështje mjekësore.

    Për të demonstruar problemin, autori i eksperimentit publikoi në faqen e tij personale një artikull të titulluar “Gazetarët më të mirë të teknologjisë në ngrënien e hot dog-ëve”, i mbushur me pretendime tërësisht të pavërteta, përfshirë edhe një kampionat imagjinar ndërkombëtar në Dakotën e Jugut. Brenda 24 orëve, disa nga chatbot-ët më të njohur në botë, përfshirë ChatGPT, Gemini dhe përmbledhjet me AI në krye të kërkimeve të Google e riprodhuan informacionin si fakt.

    Ekspertët e optimizimit për motorët e kërkimit (SEO) paralajmërojnë se kjo metodë mund të përdoret lehtësisht për promovim biznesesh apo përhapje dezinformimi. “Është shumë më e lehtë të mashtrosh chatbot-ët sesa ishte të mashtroje Google-in dy ose tre vite më parë”, thotë Lily Ray nga agjencia e marketingut Amsive. Sipas saj, kompanitë e AI-së po ecin më shpejt në zhvillimin e produkteve sesa në garantimin e saktësisë së tyre.

    Një zëdhënës i Google deklaroi se sistemet e renditjes që përdoren në kërkim mbajnë rezultatet “99% pa spam” dhe se kompania është e vetëdijshme për përpjekjet për manipulim. Edhe OpenAI thekson se merr masa për të identifikuar dhe parandaluar ndikimet e fshehta në mjetet e saj. Megjithatë, të dyja kompanitë paralajmërojnë se mjetet e tyre “mund të bëjnë gabime”.

    Sipas kritikëve, problemi nuk është zgjidhur ende. Cooper Quintin nga organizata për të drejtat digjitale Electronic Frontier Foundation paralajmëron se këto dobësi mund të përdoren për mashtrime, dëmtim reputacioni apo edhe për t’i shtyrë njerëzit drejt rrezikut fizik.

    Chatbot-ët funksionojnë mbi modele të mëdha gjuhësore, të trajnuara me sasi të mëdha të dhënash. Por kur përballen me pyetje specifike, ato shpesh kërkojnë informacion në internet – një proces që i bën më të ndjeshme ndaj manipulimit.

    Ekspertët theksojnë se, ndryshe nga kërkimi tradicional ku përdoruesit vizitonin burime të ndryshme dhe ushtronin mendim kritik, përgjigjet e përmbledhura nga AI shpesh perceptohen si autoritative dhe të drejtpërdrejta nga kompania teknologjike. Studime të fundit sugjerojnë se përdoruesit kanë 58% më pak gjasa të klikojnë në një lidhje kur në krye të kërkimit shfaqet një përmbledhje me AI.

    Problemi nuk kufizohet te shembuj humoristikë. Janë dokumentuar raste ku chatbot-ët kanë riprodhuar pretendime të pabazuara për produkte shëndetësore apo investime financiare, bazuar në njoftime për shtyp ose përmbajtje të sponsorizuara.

    Google pranon se kërkimet e pazakonta ose shumë specifike, të cilat përbëjnë rreth 15% të kërkimeve të përditshme mund të krijojnë “zbrazëti të dhënash” (data voids), duke çuar në rezultate me cilësi të ulët. Kompania thotë se po punon për të kufizuar shfaqjen e përmbledhjeve me AI në raste të tilla.

    Ekspertët propozojnë disa masa parandaluese. Një prej tyre është vendosja e paralajmërimeve më të dukshme për përdoruesit. Gjithashtu, chatbot-ët mund të jenë më transparentë për burimet e informacionit dhe të sqarojnë kur një pretendim mbështetet vetëm në një burim të vetëm ose në një material promocional.

    Përdoruesit këshillohen të tregojnë kujdes, veçanërisht për çështje që lidhen me shëndetin, ligjin, financat apo bizneset lokale. Inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme për pyetje të përgjithshme, por për tema me pasoja reale rekomandohet verifikimi i informacionit përmes burimeve të shumta dhe të besueshme.

    Në një garë për inovacion dhe fitim, paralajmërojnë ekspertët, siguria e përdoruesve nuk duhet të mbetet pas.

  • Provat në gjyqin për sulmin në Banjskë administrohen mes kundërshtimeve

    Provat në gjyqin për sulmin në Banjskë administrohen mes kundërshtimeve

    Në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten në rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, është bërë administrimi i provave në këtë rast, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë seancës janë paraqitur propozimet e prokurorisë për administrimin e provave, kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me ligjshmërinë dhe relevancën e tyre, si dhe kërkesa shtesë nga palët për përfshirje ose përjashtim të materialeve të caktuara, ndërsa seanca është ndërprerë për të vazhduar ditën pasuese.

    Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, deklaroi se duke qenë në fazën e administrimit të provave sipas propozimit në aktakuzë, aktualisht në këtë proces janë duke u gjykuar vetëm tre të pandehur dhe për këtë arsye prokuroria ka propozuar që disa prova që lidhen me të pandehur të tjerë të mos administrohen, ndërsa disa të tjera po.

    “Meqë jemi në këtë fazë të administrimit të provave ashtu siç e kemi propozuar në aktakuzë, jemi dëshmitarë që nga të gjithë këta të pandehur i kemi vetëm 3 që janë të gjykuar në këtë proces. Lidhur me këtë ne kemi propozuar që disa prova që lidhen me të pandehurit e tjerë të mos administrohen e disa prova të tjera të administrohen. Po propozoj me radhë provat që duhet të administrohen dhe ato që nuk duhet të administrohen. Gjithashtu kemi edhe dy raporte të pranuara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA që do t’i propozojmë për administrim.

    Ai tha se propozon gjykatës që të administrojë edhe dy raporte juridike ndërkombëtare.

    Ai shtoi se këto raporte përfshijnë analiza të të dhënave elektronike të pranuara nga Meta dhe Google, që sipas tij lidhen me llogaritë elektronike të të akuzuarit Dushan Maksimoviq dhe përmbajnë të dhëna teknike, IP adresa, kontakte, materiale fotografike me armë dhe të dhëna të navigimit, duke theksuar se

    “Raportin njoftues apo analizimin e të dhënave të pranuara nga META dhe Google që kanë të bëjnë me të dhënat elektronike të subjektit Dushan Maksimoviq i përpiluar nga njësia e hetimeve drejtoria kundër terrorizmit në Prishtinë. Këto dyja i janë dorëzuar autoriteteve të Kosovë, të cilat materiale në detaje janë analizuar nga hetimet përkatëse. Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare të Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të pandehurit Dushan Maksimoviq. Këto përmbajnë të dhëna të abonentit, IP adresa për krijimin e llogarisë së tij me origjinë nga Serbia, numri i telefonit për rikuperim me prefiks shtetëror të Serbisë, aktivizimi i shërbimeve si location history që përmban të dhëna nga Google Maps, YouTube dhe Android, lista e kontakteve të ruajtura në llogarinë e tij ku përfshihen persona të identifikuar në bazë të aktakuzës dhe të akuzuar në këtë proces gjyqësor, materiale fotografike të ruajtura nga Google Photo, ku shfaqen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Google Maps, nga se analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve të drejtpërdrejta me të akuzuarit tregon ekzistencën e një rrjeti të komunikimit dhe ndërveprimit mes tyre. Nga analiza rezulton ora e fotografive ku shfaqen armë dhe municion si dhe fotografi ku i akuzuari paraqitet në shoqërinë e një rrjeti të komunikimit mes tyre. Këto prova janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ai.

    Avokati i palës së dëmtuar Naim Rudari tha se mbështet propozimin e prokurorisë, por që pati edhe disa propozime që të administrohen edhe disa prova të tjera.

    Avokati i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Ljubomir Pantovic, tha se në mënyrë të përgjithshme i kundërshton provat materiale të propozuara për administrim, duke shtuar se nga aktakuza nuk mund të vërtetohet lidhja e të mbrojturit të tij me provat, përveç një rasti që lidhet me gjurmët e barutit në rrobat e tij, ndërsa sipas tij provat e tjera lidhen kryesisht me mënyrën e arrestimit dhe nuk kanë rëndësi juridike.

    Ai po ashtu ka propozuar edhe disa prova që duhet të administrohen, duke përfshirë edhe një foto.

    “Sa i përket kundërshtimit, unë në fillim do të them se në mënyrë të përgjithshme e kundërshtoj provat materiale të cilat janë të propozuara që të administrohen në këtë shqyrtim. Këtë e bëj për shkak se nga kjo aktakuzë nuk është e mundur duke shikuar në mënyrë objektive që të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im me këto prova. Përveç se në një rast ku flitet për gjurmët e barutit në rrobat e tij. Të gjitha të tjerat në shqyrtim të provave që janë të cekura në aktakuzë kanë të bëjnë vetëm me përshkrimin e mënyrës në të cilën është arrestuar Blagoje Spasojeviq që nuk është e rëndësisë juridike.

    Avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, deklaroi se në mënyrë gjenerale i kundërshton të gjitha provat materiale të prokurorisë, pasi sipas tij ato janë siguruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e procedurës penale në Kosovë dhe si të tilla nuk mund të shërbejnë si bazë për vërtetimin e fajësisë.

    “E kundërshtoj në mënyrë gjenerale të gjitha provat materiale të prokurorisë sepse janë të siguruara në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e Kosovës për procedurën penale. Si të tilla nuk mund të jenë bazë për vërtetimin e fajësisë”, tha ai.

    I akuzuari Vladimir Toliq deklaroi se fotografia e paraqitur në aktakuzë është realizuar në momentin kur ai është gjetur në vendin e ngjarjes dhe se që nga momenti i afrimit të zyrtarëve policorë është bërë incizim dhe fotografim i vazhdueshëm nga një zyrtar policor, duke shtuar se pret që këto incizime dhe fotografi të jenë në posedim të policisë dhe të dëshmojnë se ai nuk ka poseduar armën e quajtur minahedhës, nuk ka pasur kontakt me të dhe nuk e ka parë asnjëherë, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me atë armë.

    “Sa i përket fotografisë e cila është treguar në aktakuzë, ajo është fotografi e cila është bërë me vetë daljen në vendin e ngjarjes ku unë jam gjetur. Nga ai moment kur më janë afruar zyrtarët policorë, ka qenë incizim dhe fotografim konstant nga një zyrtar policor, ashtu që shpresoj që këto incizime dhe fotografi kanë mbetur tek ata dhe ata mund ta provojnë se unë nuk kam poseduar armën, të ashtuquajturën minahedhës. Se nuk kam pasur kurrfarë kontakti me të, nuk e kam parë. Dhe krejt këtë gjë e hedh dhe deklaroj se nuk kam pasur kurrfarë lidhje dhe kontakt me atë armë”, tha ai.

    Kundërshtime ndaj këtyre provave pati edhe avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviqit, Jovana Fillipoviq.

    I akuzuari Dushan Maksimoviq deklaroi se rreth një vit më parë kishte bërë kërkesë nga paraburgimi për t’i parë video-incizimet që janë pjesë e aktakuzës, por ishte njoftuar se nevojitet aprovimi i gjykatës, duke kërkuar që t’i mundësohet shikimi i kësaj prove në prani të avokates në mënyrë që të mund të dëshmojë më lehtë para gjykatës pafajësinë e tij.

    “Unë diku para një viti kam bërë një kërkesë në paraburgim që të më miratohet që të shikoj video incizimet që janë në aktakuzë. Nga paraburgimi më kanë njoftuar se duhet aprovimi nga gjykata. Andaj do të kërkoja nëse është e mundur që të më miratohet që atë provë ta shikoj në prani të avokatës në qendrën e paraburgimit, ashtu që të mundem më lehtë para kësaj gjykate ta vërtetoj pafajësinë time që nuk kam lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit”, tha ai.

    Pala mbrojtëse gjithashtu u ankua se prokuroria nuk i ka pajisur me të gjitha shkresat e lëndës dhe provat e tjera, ndërsa avokati Millosh Deleviq kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor deri në pajisjen e plotë me materialet e rastit.

    Avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviq, tha se kërkon që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësorë deri sa të pajisemi në total me shkresta e lëndës dhe me provat e tjera.

    Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se për shkak të përfundimit të orarit të punës trupi gjykues ka marrë aktvendim për ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin e saj ditën e nesërme.

    Sipas Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, 45 persona, përfshirë edhe tre të akuzuarit që ndodhen në paraburgim, akuzohen se më 24 shtator 2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku.

  • Qeshja, çelësi për marrëdhënie të forta shoqërore

    Qeshja, çelësi për marrëdhënie të forta shoqërore

    Humori dhe qeshja mund të jenë mjete shumë efikase në vendin e punës. Një studim nga Universiteti Harvard dhe ai i Pennysylvania zbuluan se njerëzit të cilët ndihen rehat duke bërë shaka në zyrë perceptoheshin si me më shumë vetëbesim dhe më kompetentë.

    Një tjetër studim, nga Universiteti VU Amsterdam dhe Universiteti i Nebraska, zbuloi se takimet e mbushura me qeshje dërgojnë në më shumë produktivitet dhe në zgjidhje më inovative.

    Tani, studiuesit nga Turku PET Centre, Universiteti Aalto në Finlandë dhe Universiteti i Oxford në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan se kur njerëzit qeshin së bashku në situata shoqërore, liron endorfinat në tru të cilat krijojnë ndjenja qetësuese dhe të kënaqshme të cilat i bëjnë njerëzit të ndihen të sigurtë dhe të lidhur.

    Në studim, truri i pjesëmarrësve u skanua dy herë. Skanimi i parë u bë pasi ata u ulën vetëm në dhomë për 30 minuta. I dyti u mbajt pas 30 minutash duke shikuar klipe komedie së bashku me shokët e afërt. Studimi identifikoi lirimin e endorfinës në tri pjesët e trurit pas seancës së qeshjes shoqërore.

    Sipas studiuesve, ky lloj i marrëdhënies është unik për qeniet njerëzore si specie. Dhe, është ngjitëse.

    “Të tjera primate mirëmbajnë kontaktet shoqërore nga trajnimi i përbashkët, i cili gjithashtu nxit lirimin e endorfinës. Mirëpo kjo konsumon kohën shumë”, shpjegon profesori i Universitetit të Oxford, Robin Dunbar. “Për shkak se qeshja shoqërore dërgon në reagime të ngjajshme kemikale në tru, kjo lejon zgjerim domethënës të rrjetit shoqëror të njerëzve: qeshja është shumë ngjitëse, dhe reagimi i endorfinës mund të shpërndahet shumë lehtë në grupe të mëdha të cilat qeshin së bashku.”

    Kështu që herën tjetër që dëshironi të bëni një shok të ri, tregoni një shaka të mirë.

  • Trump falënderon Osmanin në Washington: “Po bëni punë të shkëlqyera”

    Trump falënderon Osmanin në Washington: “Po bëni punë të shkëlqyera”

    Ai tha se Osmani po bën punë të shkëlqyera.

    “Presidentja Osmani nga Kosova, faleminderit shumë, po bëni punë të shkëlqyera”, tha Trump.

    Po ashtu, presidenti amerikan u shpreh i nderuar edhe me praninë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.