ATV

Blog

  • Shpallet konkursi për rekrutimin e 320 ushtarëve të rinj në FSK, këto janë kriteret

    Shpallet konkursi për rekrutimin e 320 ushtarëve të rinj në FSK, këto janë kriteret

    Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit në total do të rekrutohen 320 ushtarë, derisa afati për aplikim do të jetë i hapur nga data 2 deri më 27 mars.

    Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Kosovës nga mosha 18 deri në 25 vjeç, të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm.

    Kandidatët duhet të plotësojnë edhe këto kritere shtesë: Gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore, figurë të pastër morale dhe ligjore si dhe përkushtim për të shërbyer me dinjitet dhe profesionalizëm.

    “Aplikimi bëhet përmes: https://rekrutimi.fsk-ks.org”, thuhet në njoftim.

  • Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

    Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

    Qeveria “Kurti 3”, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë me radhë, në të cilën ka marrë disa vendime.

    Vendimi i parë ka qenë ai për themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Komisioni do të ketë këtë përbërje:

    • Z. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes, kryesues;

    • Z. Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bashkëkryesues;

    • Z. Sami Lushtaku, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;

    • Znj. Saranda Bugujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit, anëtare;

    • Z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

    • Z. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

    • Z. Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, anëtar; dhe

    • Përfaqësues nga Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar.

    Ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe nga: Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit, si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në këtë mbledhje është miratuar edhe agjenda legjislative për vitet në vijim:

    Më poshtë gjeni vendimet tjera:

    – Miratuar Rregulloren për Fushat dhe Përgjegjësitë Administrative të Ministrive që përcakton në mënyrë të detajuar fushat e përgjegjësisë të secilës ministri, duke përfshirë kompetencat për hartimin dhe zbatimin e politikave publike, përgatitjen e legjislacionit dhe koordinimin ndërinstitucional;

    – Miratuar Programin e Projektligjeve për vitet 2026-2028;

    – Miratuar Programin e Vlerësimit Ex-Post të Akteve Juridike;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor. Përmes kësaj marrëveshje, lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, duke hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017, pjesa e parë. Ky amendament synon zgjatjen e afatit kohor për zbatimin e projekteve të financuara nga BE-ja, me qëllim që investimet e parapara të realizohen plotësisht dhe të japin rezultatet e pritura për qytetarët tanë;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018;

    – Aprovuar Rregulloren për Procedurën e Shqyrtimit Administrativ të Akteve të Komunave. Qëllimi i kësaj rregullore është të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të standardizuar procedurat për shqyrtimin e detyrueshëm dhe të rregullt të ligjshmërisë, si dhe për vlerësimin e përshtatshmërisë së akteve të Kuvendit të Komunës dhe të Kryetarit të Komunës;

    – Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Fushë-Kosova” Sh. A. për shërbime publike;

    – Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Eko-Drenasi” Sh. A. që do të ofrojë mirëmbajtje të hapësirave dhe ndërtesave publike, si dhe shërbime të tjera me rëndësi;

    – Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë”. Më 23 tetor 2025, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi pakon e 19-të të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, duke zgjeruar listimet individuale dhe duke forcuar masat kufizuese ekonomike me fokus në sektorët kyç që mbështesin agresionin kundër Ukrainës. Republika e Kosovës ka miratuar 18 pakot paraprake të sanksioneve të BE-së, ndërsa e fundit është miratuar në Qeveri më 19 shtator 2025. Grupi Ndërinstitucional për Sanksionet Ndërkombëtare, ka shqyrtuar përmbajtjen e pakos së 19-të dhe ka dhënë pajtimin për miratim në Qeveri;

    – Themeluar Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike.

  • Al nuk do të zëvendësojë rolet njerëzore – mesazhi i dy liderëve të industrisë

    Al nuk do të zëvendësojë rolet njerëzore – mesazhi i dy liderëve të industrisë

    Ndërsa kompanitë e Inteligjencës Artificiale po bëhen më të vlerësuara, ekziston një debat i vazhdueshëm rreth mënyrës se si Al po zëvendëson njerëzit në vende të ndryshme pune.

    Studimet sugjerojnë se rolet ku Al mund të automatizojë shumicën e detyrave do të ndikohen, megjithëse disa analistë besojnë se Al mund të krijojë edhe vende pune.

    David Shim, CEO i kompanisë Read AI, tha se edhe me rritjen e mjeteve të Al, në fund të fundit do të jenë njerëzit ata që vendosin për rrjedhën e veprimit dhe puna e tyre do të jetë e rëndësishme.

    “Mendoj se gjithmonë do të ketë një njeri në mes”, tha Shim.

    “Mendoj se puna do të bëhet më e lehtë me kalimin e kohës. Por një shembull i mirë do të ishte si të ngasësh një veturë. Kur filluam për herë të parë, kishe një hartë. Dhe nxirrje hartën. Dhe shkoje brenda dhe thoje në rregull, po ngas veturën. Unë po vendos çfarë ndodh. Tani të gjithë përdorin Waze ose Google Maps, dhe harta të tregon se ku të shkosh. Dhe ti thjesht po ndjek atë rend. Por ti je njeriu në mes që mund të vendosësh çfarë ndodh”, shtoi ai.

    Shim pranoi se Al do të ndikonte në vendet e punës, duke vënë në dukje se agjencitë e reklamave mund të humbasin role njerëzore në favor të mjeteve të automatizuara.

    Megjithatë, ai vuri në dukje se platformat teknologjike do të kishin nevojë për vende pune për të mbikëqyrur procesin e automatizimit.

    Abdullah Asiri, themeluesi i startup-it të mjeteve të mbështetjes së konsumatorëve të mundësuar nga Al, Lucidya , tha se beson që Al do të zëvendësojë detyrat, por jo rolet.

    Ai tha se kur klientët e kompanisë së tij përdorin Lucidya, agjentët e mbështetjes së klientëve shpesh marrin role dhe përgjegjësi të ndryshme.

    Ai vuri në dukje se disa bëhen mbikëqyrës që udhëzojnë njerëzit e tjerë dhe Al, ndërsa disa marrin përsipër përgjegjësi për ndërtimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin e biznesit duke përdorur kohën që kursejnë.

    Ndërsa kompanitë teknologjike si Read AI dhe Lucidya po përdorin gjithnjë e më shumë mjete të Al, ato duan të kenë një numër të vogël të punëtorëve.

    Aktualisht, ekipi i shërbimit ndaj klientit i Read AI përbëhet nga vetëm pesë persona, të cilët u shërbejnë miliona përdoruesve mujorë.

    Shim vuri në dukje se kompania po përdor mjete të Al për ta bërë një ekip të vogël më produktiv dhe për t’u dhënë atyre më shumë kontekst për t’i ndihmuar ata ta bëjnë punën e tyre më shpejt.

    Kompanitë thuhet se po korrin rritje në produktivitet.

    Read AI njoftoi se mjeti i saj i shitjeve ndihmon në parashikimin e gjendjes së një marrëveshjeje duke përdorur të dhëna nga sistemet CRM si HubSpot dhe Salesforce.

    Startup-i tha se ka parë marrëveshje me vlerë 200 milionë dollarë të miratuara përmes atij sistemi. /Telegrafi/

  • Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar nga Kosova drejt Maqedonisë së Veriut

    Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar nga Kosova drejt Maqedonisë së Veriut

    Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 20.02.2026, ka bërë ekstradimin e shtetasit maqedonas O. B. nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas njoftimit nga policia i dyshuarit ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës, pasi që ai kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet maqedonase, për veprat penale “prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i substancave narkotike” dhe se ai i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Po ashtu është bërë e ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

  • Policia e Kosovës arreston një shtetas maqedonas që kërkohej nga INTERPOL-i, ekstradohet në RMV

    Policia e Kosovës arreston një shtetas maqedonas që kërkohej nga INTERPOL-i, ekstradohet në RMV

    Policia e Kosovës tha se me njësitë e veta dhe në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë sot ka bërë ekstradimin e shtetasit maqedonas O. B. nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut.

    I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet maqedonase, për veprat penale ‘prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i substancave narkotike’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, tha Policia e Kosovës.

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor tha se do të vazhdojë me “shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.

  • Ushqimet që po ju dëmtojnë shëndetin ngadalë

    Ushqimet që po ju dëmtojnë shëndetin ngadalë

    Shumica prej nesh jemi të vetëdijshëm mbi pasojat negative që disa ushqime kanë për shëndetin tonë. Mirëpo gjithsesi, ne i konsumojmë dhe ato janë pjesë e menysë tonë të përditshme.

    Disa prej këtyre ushqimeve, që ekspertët thonë se janë duke ju vrarë çdo ditë pak nga pak janë:

    Kripa – Kripa është një nga mëlmesat më të përdorura në kuzhinë. Përdorimi normal i saj nuk ka ndonjë dëm, mirëpo nëse konsumohet në masë të madhe mund të sjellë probleme serioze të shëndetit. Ajo rrit shtypjen e gjakut dhe është një nga shkaktarët kryesorë të hipertensionit.

    Prodhuemet e grurit – Gruri përmban një karbohidrat, që mund të shkaktojë diabetin. Si pasojë pankreasi dëmtohet dhe organizmi juaj fillon të bëhet rezistent ndaj insulinës.

    Ushqimet e shpejta – Hamburgerët, sandviçët dhe të gjithë ushqimet e tjera të shpejta kanë një shije të mirë dhe janë zgjidhja e duhur për njerëzit që kanë një ditë të ngarkuar. Përbërësit e këtyre ushqimeve si yndyrnat, aditivët artificialë dhe ngjyruesit rrisin rrezikun e diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe problemeve me sistemin tretës.

    Qumështi dhe prodhimet e tij – Këto produkte mund të jenë shumë të dëmshme, sidomos për njerëzit që kanë intolerancë ndaj përbërësit kryesor të qumështit – laktozës.

    Buka e bardhë – Mielli i bardhë konsiderohet si përzierje e mbeturinave të grurit dhe disa substancave artificiale. Ai nuk përmban asnjë fibër apo proteinë. Përdorimi i miellit të bardhë shkakton shtim të peshës dhe dëmtim të gjëndrës tiroide.

    Sheqeri artificial – Sheqeri, të cilin e përdorim si ëmbëlsues për kafe, çaj apo përgatitjen e ëmbëlsirave, është shumë i dëmshëm. Ky lloj sheqeri e rrit rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës, diabetit apo nga çrregullimet e tjera shëndetësore.

    Margarina – Përdoret në masë të madhe për përgatitjen e ëmbëlsirave dhe ushqimeve të tjera. Përmban yndyrna shumë të dëmshme për shëndetin e zemrës, enëve të gjakut dhe shkakton rritjen e nivelit të kolesterolit.

  • Ushtria amerikane grumbullon në Iran forcën më të madhe ushtarake që nga 2003

    Ushtria amerikane grumbullon në Iran forcën më të madhe ushtarake që nga 2003

    Ushtria amerikane po stacionon një gamë të gjerë forcash në Lindjen e Mesme, duke përfshirë dy transportues aeroplanësh, aeroplanë luftarakë dhe anije cisternash furnizimi me karburant, me presidentin Donald Trump që tha se Irani ka 10 deri në 15 ditë kohë për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

    “Ose do të arrijmë një marrëveshje, ose do të jetë keq për ta”, u tha Trump gazetarëve të enjten në bordin e Air Force One.

    Lidhur me një afat, Trump tha se mendonte se 10 deri në 15 ditë ishte pothuajse “maksimumi” që ai do të lejonte që negociatat të vazhdonin.

    Vendosja e trupave është ndryshe nga çdo gjë që SHBA-të kanë bërë që nga viti 2003, kur grumbulluan forca para pushtimit të Irakut.

    Kjo e tejkalon grumbullimin ushtarak që Trump urdhëroi në brigjet e Venezuelës në javët para se të rrëzonte presidentin Nicolas Maduro, shkruan Bloomberg.

    Teksa SHBA-të nuk ka gjasa të dërgojnë trupa tokësore, ky grumbullim sugjeron se Trump po i jep vetes diskrecion për të nisur një fushatë të qëndrueshme që zgjat shumë ditë, në bashkëpunim me Izraelin.

    Ndërsa diskutimet janë përqendruar në një fushatë të qëndrueshme shumë më gjithëpërfshirëse sesa sulmet e natës që SHBA-të nisën kundër programit bërthamor të Iranit qershorin e kaluar, presidenti po shqyrton gjithashtu një sulm të kufizuar të hershëm të projektuar për ta shtyrë Teheranin në tryezën e negociatave, raportoi Wall Street Journal.

    “Ndoshta do të bëjmë një marrëveshje. Do ta zbuloni gjatë ndoshta 10 ditëve të ardhshme”, tha Trump në një fjalim të enjten në mëngjes.

    Shqetësimet e shtuara gjeopolitike mbi tensionet SHBA-Iran bënë që aksionet të uleshin dhe të zgjerohej një rritje e çmimit të naftës, me çmimin e papërpunuar Brent, çmimi referues global, që u rrit mbi 71 dollarë për fuçi të enjten.

    Pyetja e hapur është nëse Irani mund t’i plotësojë kërkesat e Trumpit dhe nëse, duke pozicionuar kaq shumë pajisje ushtarake në rajon, Trump mund të ndihet i detyruar ta përdorë atë në vend që të tërhiqet.

    Të dhënat e faqes së ndjekjes FlightRadar24 tregojnë një rritje të aktivitetit të fluturimeve nga transporti ushtarak amerikan, anijet cisternë ajrore, aeroplanëtmbikëqyrës dhe dronët në bazat në Katar, Jordani, Kretë dhe Spanjë.

    Aeroplanët, transponderët e të cilëve i bëjnë të dukshëm mbi tokë deri në vendin e ndjekjes, përfshijnë furnizues ajër-ajër KC-46 dhe KC-135 dhe aeroplanë mallrash C-130J që përdoren për të lëvizur trupa dhe pajisje të rënda.

    Gjithashtu përfshihen aeroplanë luftarakë E-3 Sentry të pajisur me radar të sistemit të paralajmërimit dhe kontrollit ajror, të cilët ofrojnë “mbikëqyrje në të gjitha lartësitë dhe në të gjitha kushtet e motit” të zonave të mundshme të betejës, si dhe dronë mbikëqyrës RQ-4 Global Hawk.

    Mijëra ushtarë amerikanë në rajon janë gjithashtu brenda rrezes së veprimit të raketave balistike iraniane, dhe zyrtarët e regjimit janë zotuar të përgjigjen me forcë të plotë ndaj një sulmi amerikan.

  • Palestinezët falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa nën masa të rrepta sigurie

    Palestinezët falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa nën masa të rrepta sigurie

    Dhjetëra mijëra palestinezë falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

    Ata shkuan në xhami duke kaluar nëpër pikat e kontrollit nën kufizimet izraelite.

    Policia izraelite njoftoi se kishte vendosur më shumë se 3.000 oficerë policie rreth Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor të pushtuar, ku ndodhet xhamia Al-Aksa.

    Barrikada u ngritën gjithashtu në Qytetin e Vjetër, duke mbyllur disa rrugë.

    Policia izraelite u pa duke kryer kontrolle identiteti për disa palestinezë dhe duke penguar të tjerët të hynin në Al-Aksa.

    Helikopterët e policisë izraelite fluturuan vazhdimisht mbi zonë që nga orët e mëngjesit.

    Administrata e Tel Avivit, ashtu si në vitet e fundit, ka vendosur kufizime në udhëtimin nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Kuds për namazin e xhumasë.

    Numri i palestinezëve të lejuar të hyjnë në Kuds nga Bregu Perëndimor është i kufizuar në 10 mijë, me vetëm burra mbi 55-vjeç, gra mbi 50-vjeç dhe fëmijë nën 12-vjeç të shoqëruar nga anëtarë të ngushtë të familjes të lejuar të kalojnë, me kusht që të kenë leje paraprake.

    Izraeli ua ka vështirësuar palestinezëve lutjen në xhaminë Al-Aksa gjatë viteve të fundit përmes kufizimeve të ngjashme. /AA/

  • Brenda një jave, 35 fëmijë me sëmundje të lindura të zemrës u trajtuan në QKUK, ku u realizuan për herë të parë disa ndërhyrje komplekse

    Brenda një jave, 35 fëmijë me sëmundje të lindura të zemrës u trajtuan në QKUK, ku u realizuan për herë të parë disa ndërhyrje komplekse

    Në periudhën 08–13 shkurt 2026, në kuadër të Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është realizuar me sukses misioni i radhës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës.

    Ky mision është zhvilluar me përkrahjen e Muntada Aid-it nga Londra, në bashkëpunim të ngushtë me mjekë specialistë nga Turqia dhe me stafin profesional të Klinikës së Anesteziologjisë, Klinikës së Kardiokirurgjisë, Kardiologjisë Adulte, Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Shërbimit të Transfuzionit dhe Shërbimit të Biokimisë në QKUK, duke dëshmuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare në avancimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

    Sherbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se gjatë këtij misioni është realizuar skriningu i 92 fëmijëve me anomali kongjenitale të zemrës (AKZ), përfshirë dy ekzaminime prenatale. Nga ky numër, 35 fëmijë janë trajtuar përmes ndërhyrjeve përkatëse kardiologjike dhe kardiokirurgjikale. Në total janë kryer 26 intervenime kardiologjike dhe 9 intervenime kardiokirurgjikale.

    Në fushën e kardiologjisë intervenuese janë trajtuar këto patologji: Ductus arteriosus persistens (DAP) – 2 raste; defekti septal ventrikular (VSD) – 7 raste; koarktacioni i aortës (CoAo) – 2 raste; defekti septal atrial, tipi II (ASD II) – 8 raste; stenoza e arteries pulmonare – 3 raste; si dhe janë realizuar 4 kateterizime diagnostikuese.

     

     

    Në kuadër të Kardiokirurgjisë Pediatrike janë realizuar ndërhyrje komplekse, përfshirë: rekonstruksionin e traktit dalës të ventrikulit të djathtë (RVOT) pas Tetralogjisë së Fallot-it, me implantim të valvulës biologjike të arteries pulmonare – procedurë e realizuar për herë të parë në Kosovë; trajtimin e unazës vaskulare aortike (Aortic ring), po ashtu për herë të parë në vend; trajtimin e atrezisë pulmonare; realizimin e procedurës Glenn (anastomozë kavopulmonare superiore), për herë të parë në Kosovë; korrigjimin e defektit septal atrial, tipi II; trajtimin e ndërprerjes së harkut të aortës (interrupted aortic arch); si dhe korrigjimin e defektit septal ventrikular.

    Aktualisht, në klinikë janë duke u trajtuar tre fëmijë pas ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, ndërsa të gjithë pacientët e tjerë janë liruar në gjendje të mirë postoperatore, për trajtim të mëtejmë në kushte shtëpie. Të gjithë pacientët kanë realizuar kontrollin pas lëshimit dhe gjendja e tyre paraqitet stabile.

  • Milan Skriniar mungon në ndeshjen e play-off-it kundër Kosovës

    Milan Skriniar mungon në ndeshjen e play-off-it kundër Kosovës

    Qendërmbrojtësi sllovak Milan Skriniar pritet të mungojë në ndeshjen e play-off-it për botëror kundër Kombëtares së Kosovës.

    Skriniar u lëndua në ndeshjen të cilën Fenerbahce e humbi kundër Nottingham Forest me rezultat 3:0 në Europa League ,dhe është detyruar që ta lëshonte fushën në minutën e 26-të të takimit.

    Përndryshe gjiganti turk lëshoi një komunikatë lidhur me gjendjen e Skriniar,duke konfirmuar që sllovaku do të mungoj rreth 1 muaj e gjysmë larg fushave të gjelbërta dhe kjo do të thotë që qendërmbrojtësi i Fener-it do të mungoj kundër dardanëve në mars.

    Kujtojmë që ndeshja Sllovaki-Kosovë pritet të zhvillohet më 26 mars,takim ky i vlefshëm për play-off-in e Kupës së Botës që do të zhvillohet në qershor.