ATV

Blog

  • Mospërfundimi i Kolektorit, banorët e Emshirit në hall me kundërmimin

    Mospërfundimi i Kolektorit, banorët e Emshirit në hall me kundërmimin

    Ka më shumë se dy vjet prej kur Komuna e Prishtinës ka nisur projektin për ndërtimin e kolektorit për ujërat e zeza, që është pjesë e rrugës A në lagjen Emshir në kryeqytet.

    Por as pas kaq kohësh projekti nuk është përfunduar, duke i lënë banorët e kësaj pjese të ballafaqohen për çdo ditë me kundërmimin nga ujërat e zeza.

    “Unë nuk e di pse po e lënë kështu, sepse këtu duhet të rregullohet, jo të lihen ujërat të qarkullojnë pranë shtëpive. Ka fëmijë – mund të bjerë dikush e të mbytet”, u shpreh një banor i kësaj lagje.

    Ambientalisti Shyqri Dumani thekson rreziqet shëndetësore që mund të shfaqen si pasojë e kësaj gjendjeje.

    “Një prej sëmundjeve që më së shumti paraqitet kur ujërat janë të ndotur nga ujërat e zeza osht hepatiti, të tri llojet e hepatiteve zakonisht paraqiten kur ka ndotje të ujërave të zeza”, tha Dumani.

    Ai thotë se ujërat fillimisht do të duheshin të filtrohen dhe pastaj të derdhen në lumenj.

    “Komuna duhet me bo projektin dhe me ngrit një fabrik për pastrimin e ujërave konkretisht komuna e prishtinës është një prej komunave ma të mëdha në kosovë problemi qëndron që komuna e Prishtinës nuk i ka të ndara ujërat e shiut nga ujërat e zeza”, shtoi tutje Dumani.

    ATV ka kërkuar përgjigje nga komuna se kur pritet të kryhen punimet në këtë projekt, por deri në transmetimin e kësaj kronike nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Duke njoftuar lajmin në gusht të vitit 2023, Kryetari Përparim rama kishte thënë se me këtë projekt po i japin fund pritjes shumëvjeçare të banorëve për eleminimin e kundërmimit në këtë lagje./atvlive.tv/

  • A do ta votojë VV-ja Vjosa Osmanin për Presidente? Flet Arbërie Nagavci

    A do ta votojë VV-ja Vjosa Osmanin për Presidente? Flet Arbërie Nagavci

    Kosova ka hyrë në fazën vendimtare të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, ndërsa institucionet dhe partitë politike kanë nisur konsultimet për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se aktualisht janë në proces diskutimesh dhe se për momentin nuk mund të jepen detaje më specifike lidhur me cështjen e Presidentit.

    Ajo thënë se prioritet mbetet sigurimi i zgjedhjes së presidentit brenda afatit kushtetues.

    ‘’Ashtu siç e kemi parë kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes ka filluar që dje konsultimet me grupet e tjera dhe jemi në proces të diskutimeve, për momentin nuk mund të jap përgjigje më specifike. Mund të konfirmoj se do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që në kohë të kemi presidentin’’, tha Hagavci për FrontOnline

  • Apeli shqyrton sot kërkesën e Veliajt për lirim nga paraburgimi

    Apeli shqyrton sot kërkesën e Veliajt për lirim nga paraburgimi

    Gjykata e Posaçme e Apelit shqyrton sot kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për lirim nga paraburgimi.

    Veliaj kundërshton në Apel vendimin e 1 shkurtit të GJKKO, që i refuzoi zbutjen e masës së sigurisë.

    Në Shkallën e Parë Veliaj kërkoi ndryshim të masës, duke ofruar edhe garanci pasurore, me pretendimin se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e tij të izoluar.

    Kryebashkiaku qëndron në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.

  • E dhunoi fizikisht seksualisht gruan e tij, Prokuroria e Pejës jep detaje

    E dhunoi fizikisht seksualisht gruan e tij, Prokuroria e Pejës jep detaje

    Një burrë në Pejë po dyshohet se ka rrahur dhe ka dhunuar seksualisht gruan e tij.

    Ai tashmë është ndaluar për 48 orë për veprën penale “dhunimi” me urdhër të prokurorit të shtetit.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Express se për të pandehurin do të kërkohet sigurimi i prezencës së tij në procedurë penale, ndërsa viktima është e sigurt.

    “Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Kurse, viktima ka marrë tretmanin e duhur pas raportimit të rastit dhe për momentin gjendet në shtëpi të sigurt”.

    Për këtë rast sot u deklarua edhe policia në raportin 24-orësh.

    “Pejë 22.02.2026 – 22:00. Më 23.02.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht viktimën femër- bashkëshorten e tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

  • Moment i rrallë në Stamboll: Portieri goditi një pulëbardhë, kapiteni e ringjalli me një masazh zemre

    Moment i rrallë në Stamboll: Portieri goditi një pulëbardhë, kapiteni e ringjalli me një masazh zemre

    Një incident i pazakontë shënoi një ndeshje futbolli amator në Stamboll, dhe në vend të golave, historia flet për një akt heroik dhe shpëtimin e një jete të pafajshme në mes të ndeshjes.

    Konkretisht, ishte minuta e 22-të e ndeshjes midis Mevlanakapi Guzelhisar dhe Istanbul Yurdum Spor kur portieri Muhammet Uyanik gjuajti topin nga zona e tij e penalltisë.

    Topi goditi një pulëbardhë në fluturim, e cila ra menjëherë në bari, dhe Uyanik më vonë pranoi se në fillim as nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur derisa iu afrua zogut.

    Ai tha se ishte i shokuar dhe thellësisht i tronditur sepse ishte i vetëdijshëm se ishte një qenie e gjallë, dhe heroi i ditës ishte kapiteni i ekipit Gani Catan.

    Catan ishte i pari që vrapoi te zogu i lënduar dhe vuri re se pulëbardha nuk po tregonte shenja jete, kështu që instinktivisht filloi ringjalljen, ose masazhin e zemrës.


    Kapiteni shpjegoi se procesi zgjati rreth dy minuta dhe ai nuk donte të hiqte dorë derisa të shihte këmbët dhe sytë e zogut të lëviznin.

    Pulëbardhës shpejt filloi t’i rikthehej vetëdija, iu dha menjëherë ujë dhe më pas u nxor jashtë fushës dhe iu dorëzua personelit mjekësor.

    Mediat turke raportojnë se Catan nuk ka trajnim mjekësor, por veproi sipas instinktit për të shpëtuar zogun, i cili pësoi një dëmtim në krah që do ta pengojë të fluturojë për një farë kohe. /Telegrafi/

  • Alarm global: 40% e gjuhëve në botë drejt zhdukjes

    Alarm global: 40% e gjuhëve në botë drejt zhdukjes

    Nga mbi 7 mijë gjuhë që fliten sot në botë, rreth 3 mijë prej tyre janë në rrezik zhdukjeje, sipas të dhënave të Ethnologue.

    Oqeania kryeson listën e rajoneve me më shumë gjuhë të rrezikuara, e ndjekur nga Azia, Afrika dhe Amerika.

    Mes gjuhëve më të kërcënuara janë Ainu në Japoni, Ongota në Etiopi, Leko në Bolivi dhe Kornualishtja në Britani, e cila është rikthyer pjesërisht pas shpalljes si e zhdukur.

    Ekspertët paralajmërojnë se zhdukja e gjuhëve nënkupton edhe humbjen e kulturave dhe identiteteve unike në mbarë globin.

  • Trajneri i Kombëtares së Portugalisë: Ronaldo është shembull i profesionalizmit dhe përkushtimit

    Trajneri i Kombëtares së Portugalisë: Ronaldo është shembull i profesionalizmit dhe përkushtimit

    Roberto Martínez, trajneri i Kombëtares së Portugalisë, ka theksuar ndikimin e jashtëzakonshëm të Cristiano Ronaldos në ekip, duke e quajtur atë një shembull të papërshkrueshëm të profesionalizmit dhe përkushtimit.

    Martínez shpjegoi se lojtarët vlerësohen mbi tri kritere: talentin, përvojën dhe qëndrimin.

    Sipas tij, Ronaldo i përmbush të tri këto kritere, duke treguar aftësinë për t’u përshtatur gjatë viteve, duke kaluar nga një sulmues krahu në një “numër 9” vendimtar në zonë, me lëvizje të mençura dhe instinkt për golin.

    Ky sezon, ai ka shënuar 25 gola në 30 ndeshje.

    Trajneri portugez theksoi se ajo që e bën Ronaldon kaq të veçantë është qëndrimi i tij përditshëm ndaj punës dhe dëshira e pandalshme për përmirësim.

    Ai shtoi se prania e Ronaldos në dhomën e zhveshjes është një burim frymëzimi për lojtarët e rinj dhe një model i qartë i mentalitetit fitues që ka siguruar jetëgjatësinë e tij në futboll.

  • Kapiteni i “Dardanëve” feston ditëlindjen!

    Kapiteni i “Dardanëve” feston ditëlindjen!

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, sot feston ditëlindjen.

    Ai, sot mbushi plot 32 vjet jetë.

    Një urim të veçantë për kapitenin kosovar e ka rezervuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

    “Urime ditëlindjen Kapiten! Të dëshirojmë të mira pa fund!”, FFK uroi Rrahmanin.

  • Konjufca e merr në dorë dialogun me Serbinë, cilat ishin qëndrimet e tij për Asociacionin?

    Konjufca e merr në dorë dialogun me Serbinë, cilat ishin qëndrimet e tij për Asociacionin?

    Dialogu me Serbinë në duart e Glauk Konjufcës. Ai vjen në këtë pozitë në kohën kur Kosovës i kërkohet hapi i parë konkret dhe praktik drejt formimit të Asociacionit. Kryediplomati e kishte lavdëruar fillimisht një propozim të BE-së për Asociacionin, por më vonë e kishte arsyetuar vendimin e Qeverisë për të mos e dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, siç kishte kërkuar Brukseli.

    Glauk Konjufca do ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Kryediplomati i Kosovës e priti sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.

    Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi sot se Konjufca e njoftoi Sorensenin që procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen këtij dikasteri.

    “Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.

    MPJ tha se Konjufca ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut.

    “Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

    Që prej kur e pasoi Miroslav Lajçakun si ndërmjetës të mandatuar nga BE-ja për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen më së shumti është takuar me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ishte kryenegociator i Kosovës në dialog, por që ka mbetur jashtë kabinetit të ri qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

    Sorensen ka kërkuar gjithnjë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin marrë vesh në vitin 2023. Marrëveshja përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit mbetet kërkesa kryesore e Perëndimit për Kosovën.

    Ndërmjetësi i ri europian mundi t’i ulte disa herë përballë njëri-tjetrit në tavolinë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk pati sukses në një përpjekjeje për një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, të cilin e synonte. Ata nuk janë takuar që nga shtatori i vitit 2023.

    Çështje të tjera, si arrestimet e shtetasve të njëra-tjetrës e kishin ndërlikuar punën e Sorensenit, i cili e nisi punën e ndërmjetësit në një situatë kur kurba e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ishte në lartësinë e saj më të madhe, por të dyja vendet dukej se po merreshin më shumë me gjendjet e tyre brenda.

    Konjufca vjen në këtë pozitë në kohën kur Kosovës i kërkohet hapi i parë konkret dhe praktik drejt formimit të Asociacionit.

    Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ashtu siç ka kërkuar Brukseli.

    Kosova deri më tani nuk ka pranuar që ta themelojë Asociacionin si prioritin kryesor, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin e saj territorial.

    Qëndrimet e Konjufcës për Asociacionin

    Konjufca e komentonte pozitivisht një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në shkurt të vitit 2023.

    Gjatë një prononcimi për media më 7 shkurt të atij viti, ai thoshte se tha se në propozimin europian, që njihej edhe si propozimi franko-gjerman, “nuk përmendet kurrfarë asociacioni”.

    Konjufca thoshte se ai plan kishte “njohje ‘de facto’”, por shtonte se se ai “nuk e ka formën e marrëveshjes përfundimtare dhe ky është rrezik i madh”.

    Në maj të vitit 2023, Konjufca befasisht u gjend duke i dhënë merita ish-kryeministrit Isa Mustafa për një letër garantuese që e kishte marrë vendi nga ish shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të përbënte nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.

    “Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, thoshte ai.

    Pas një muaji, në maj 2023, ai thoshte se “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto”.

    Në shtator të vitit 2023, Konjufca thoshte se ka “vetëm një çelës për të ecur dialogu përpara”

    “Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, deklaronte ai. Pesë diplomatë nga SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Italia, ua kishte sjellë Kosovës dhe Serbisë një “propozim modern europian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, në atë kohë.

    Konjufca thoshte gjatë një prononcimi për media në tetor të vitit 2023 se “në një shikim sipërfaqësor, propozimi për Asociacionin është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”.

    Por ai shtonte se kjo s’duhej të ishte “temë e negociatave me Serbinë”. Thoshte se Por, “nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës”.

    Propozimi i diplomatëve perëndimorë për Asociacionin, u tha fillimisht se ishte pranuar nga palët. Madje kryeministri Albin Kurti thoshte se ishte shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

    Por gjërat kishin ndryshuar dhe Konjufca, në mars të vitit 2024 thoshte se “Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Asociacion Kosovës”.

    “Është gabim të mendosh se është kompetencë e BE-së të na caktojë neve [draft-status për Asociacionin], kurse kompetencë e jona të jetë ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mendoj se është kompetencë e BE-së t’i propozojë draft Kosovës dhe Kosova të qëndrojë gatitur dhe ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë”.

    Më pas, në qershor të vitit 2024, Konjufca thoshte se drafti i dorëzuar nga BE-ja “ka një parregullsi”, meqenëse Brukseli nuk ka kompetencë ta bëjë këtë propozim.

    Konjufca ishte ankuar edhe në shtator të vitit 2024 se bashkësia ndërkombëtare po tregohej e njëanshme kur bëhet fjalë për raportet e saj me Kosovën dhe me Serbinë.

    Atëherë, ai e konsideroi të vdekur dialogun e Kosovës me Serbinë, për shkak të sulmit në Banjsk/ të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku vdiq rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

    “Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit ndoshta në arkivolin e dialogut të Brukselit, sa i përket dialogut i cili kishte filluar në vitin 2011”, thoshte ndër tjerash Konjufca.

    Por takime të tjera në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi vazhduan të zhvilloheshin pavarësisht deklaratave të Konjufcës, të cilit më nuk iu bë të fliste për këtë temë, pasi vendi hyri në një vit me zgjedhje dhe bllokada institucionale brenda.

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, sheh se tani është krijuar një momentum i ri për për të çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Kosovë-Serbi. Asociacioni konsiderohet nga Perëndimi si pjesa kryesore që Kosova duhet ta zbatojë.

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së dakorduar ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, do të duhej t’u sigurojë serbëve në Kosovë një nivel të caktuar vetëmenaxhimi. Statuti i Asociacionit, i hartuar nga BE-ja, parasheh rregullimin e pozitës së komunitetit serb, mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe financimin nga Serbia./Gazeta Express

  • Çmimi i arit po rritet përsëri, mbi 141 euro për gram

    Çmimi i arit po rritet përsëri, mbi 141 euro për gram

    Çmimi i arit mbetet i qëndrueshëm, por i rritur sot, pasi arriti një nivel rekord tre-ditor dje. Sipas të dhënave të fundit, një gram ar i pastër (24 karat) shitet për rreth 141.6 euro, ndërsa çmimi spot është rreth 4,404 euro për ons (rreth 31.1 gramë).

    Krahasuar me seancën e mëparshme, ka një rritje të lehtë të euros, duke treguar se tregu nuk tregon shenja të një tërheqjeje të ndjeshme pas rritjes së djeshme.

    Rritja e djeshme u nxit nga rreziqet e shtuara gjeopolitike dhe reagimi i investitorëve, të cilët tradicionalisht e përdorin arin si një “strehë të sigurt” në kohë paqëndrueshmërie. Stabiliteti i sotëm, në vend të një korrigjimi në rënie, tregon se kërkesa mbetet e fortë.

    Analistët theksojnë se pasiguria financiare globale, luhatjet e tregut të aksioneve dhe lëvizjet e valutave, veçanërisht raporti euro-dollar, kanë një ndikim të rëndësishëm në çmim. Një faktor shtesë është kërkesa në rritje nga investitorët institucionalë, të cilët rrisin ekspozimin e tyre ndaj arit në kohë rreziku.

    Edhe pse rritja e ndjeshme e djeshme është stabilizuar pjesërisht, vlera aktuale tregon se investitorët vazhdojnë ta shohin metalin e çmuar si një alternativë të sigurt në kushtet e pasigurisë ekonomike dhe politike.

    Nëse tensionet gjeopolitike dhe paqëndrueshmëria e tregut financiar vazhdojnë, analistët presin që ari të mbetet në një nivel të lartë ose të shohë rritje të re në periudhën e ardhshme.